12
 
Lajme Shqip Tuesday, 19 November 2013 11:41

Prishtinë- Hoxhë Fatmir Latifi kishte nisur ligjëratën e tij para faljes së xhumasë ashtu siç bënte gjithnjë. Ai para xhematit të tij në një të premte ndaloi t’i thotë dy fjalë edhe për politikën, edhe pse gjatë gjithë kohës potenconte se nuk i takon asnjë partie. Hoxhë Fatmiri, në vend të këshillave fetare filloi të bënte fushatë politike. Imami i xhamisë në Mitrovicë kërkoi nga qytetarët ta votojnë Avni Kastratin, kandidatin e PDK-së për kryetar të Mitrovicës. I thuri vargje për disa minuta rresht, duke e lavdëruar e duke thënë se Kastrati e ka udhëhequr mirë komunën.
Për lëvdatat e Hoxhës në të mirë të Kastratit reagoi Aleanca Kosova e Re (AKR). Kjo parti, e cila me kandidatin e saj Agim Bahtiri do t’i kundërvihet Kastratit më 1 dhjetor në balotazh, shpreh indinjatën për përfshirjen e hoxhës në fushatën zgjedhore. Ky hoxhë, i nxitur nga arsye të njohura për të, sipas AKR-së bën thirrje publike dhe përfshihet në politikë në kundërshtime të gjitha rregullat dhe njollos skajshmërisht rolin konstruktiv të Bashkësisë Islame të Kosovës nëpër të gjitha proceset që ka kaluar Kosova.

Në videon e postuar nëpër të gjitha mediet, hoxha fillimisht flet për mospërfshirjen e fesë në politikë, ndërsa vetëm pas pak në kundërshtim me fjalët e veta, duke “përbetuar në Allah”, kërkon që të votohet kandidati i PDK-së për kryetar të Komunës së Mitrovicës, Avni Kastrati./Tribuna/

 
Lajme Shqip Monday, 28 October 2013 15:17

Prishtinë- Ish-kryetari i Kuvendit të BIK-ut, Xhabir Hamiti flet për puçin, siç e quan ai, që ndodhi në mbledhjen e fundit të Kuvendit, për politikën që po e shfrytëzon këtë institucion, për mbajtjen dhe ndëshkimin e zërave kundër dhe në tërësi për rrjedhat e fundit që po ndodhin në kreun më të lartë të këtij institucioni fetar.Sipas tij, si asnjëherë më parë, kjo bashkësi nuk ka qenë në gjendje më të keqe organizative dhe administrative sesa sot, shkruan ‘Kosova Sot’.

“Si institucion i destabilizuar dhe çakorduar, si nga brenda ashtu edhe nga jashtë, me mungesë të vazhdueshme për një qasje të përhershëm dhe stabile, karshi besimtarëve dhe opinionit të gjerë publik, e tërhequr në vete duke i lënë duart e lira të tjerëve jashtë institucionit të BIK-ut, që të merren me çështje të ndjeshme islame në vend të saj. Nuk është bërë asnjë hap konkret dhe serioz për ndryshimin substancial të akteve juridike të brendshme të saj. Statuti i brendshëm i BIK-ut është i gatuar nga brumi i protagonistëve të sistemit të kaluar, e cila ishte përpiluar në vitet e 90-ta në Sarajevë, e me të cilën kjo kryesi ende po krenohet”, ka theksuar Hamiti.

Sipas tij, si kurrë më parë në këtë institucion është krijuar një tollivi e perçarje gjithandej në terren, si rezultat i zhvillimit të zgjedhjeve lokale në janar të vitit 2012, pa rregullore të zgjedhjeve, me qëllim të përjashtimit nga loja të të merituarve dhe zëvendësimit të pamerituarve, për të marrë votën e tyre më lehtë në zgjedhjet qendrore për kryetar të kryesisë.

“Mungesa e një koordinimi të duhur të njerëzve profesionistë brenda për brenda institucionit të BIK-ut, ose edhe të një forumi të gjerë të studiuesve profesionalë, si dhe ika nga përgjegjësitë , që u takojnë udhëheqësve të drejtpërdrejtë, ka bërë që gjatë gjithë këtyre viteve të pasluftës në shoqërinë tonë të shkaktohen laramani qëndrimesh dhe çakordime opinionesh në emër të fesë, nga njerëz dhe grupe interesash me tendenca të huaja destabilizuese për vendin, edhe në aspektin fetar”, ka vlerësuar Hamiti.

I pyetur se pse BIK-u nuk e ka ngritur shumë zërin ndaj ekstremizmit që e zbeh imazhin e fesë islame, Hamiti ka thënë: “Ekstremizmi është përjashtim dhe nuk është pjesë e asnjë feje hyjnore, e aq më pak i fesë islame. Të gjithë ata të cilët mendojnë, kultivojnë, ose veprojnë në emër të fesë, me akte dhunee ose imponimi janë kundër Zotit, kundër fesë në të cilën thirren, si dhe kundër normave etike, morale dhe njërëzore.

Ai thotë se ka pasur raste kur individ të politikës, janë munduar të shfrytëzojnë BIK-un.

“Ka pasur raste të herëpasherëshme kur indivit të politikës janë munduar të shfrytëzojnë BIK-un dhe institucionet e tij për qëllime politke, tentative të cilat nuk janë shuar as sot. Mendoj se BIK-u duhet të vazhdojë të mos jetë pjesë e asnjë agjende politike të politikanëve tanë, sepse vetëm kështu e ruan kredibilitetin e të qenët udhëheqës shpirtëror i të gjithëve”, ka shtuar ai.

  

 
Lajme Shqip Thursday, 24 October 2013 19:19

Prishtinë- Ka reaguar edhe Bashkësia Islame e Kosovës ndaj deklaratës së presidentes së vendit, Atifete Jahjaga, në emisioni Rubikon të Kohavizionit, duke e cilësuar atë të papërgjgjshme.“ Qëndrimi i Presidentes së Kosovës, znj. Atifete Jahjaga, i shprehur në një intervistë televizive, ku shprehet kundër të drejtës së shkollimit të nxënëseve kosovare që mbajnë shami në shkollat publike të vendit, për Kryesinë e BIK dhe besimtarët është i habitshëm, i papranueshëm, i papërgjegjshëm dhe  kundërkushtetues.

Presidentja e vendit si simbol i unitetit, mbrojtëse e Kushtetutës dhe përfaqësuese e qytetarëve të vendit, në asnjë variant nuk do të duhej të kishte një qëndrim të tillë çfarë e shprehu në atë intervistë ku presidentja përkrah dhe angazhohet për të mohuar të drejtën e shkollimit të nxënëseve kosovare vetëm pse ato bartin mbulesën islame.

Zonja Presidente! Përkufizimi i Kosovës si shtet laik a shekullar ka të bëjë me marrëdhënien e shtetit me bashkësitë fetare, por kjo në asnjë mënyrë nuk i jep të drejtë as Ministrisë së Arsimit, as drejtorive komunale, e as drejtorive të shkollave të vendit që t’ua mohojnë të drejtën e arsimimit nxënëseve tanë në shkollat publike, sepse e drejta e arsimimit është e garantuar me Kushtetutën e Kosovës për të gjithë qytetarët e vendit.

Pra, e ritheksojmë shekullariteti, ku ju thirreni, rregullon marrëdhëniet e shtetit dhe të bashkësive fetare, por kjo nuk prek të drejtën e lirisë së besimit, të shkollimit a punësimit, e që janë të drejta të njeriut, të garantuara jo vetëm me Kushtetutën tonë, por edhe me akte e Konventa Ndërkombëtare.

E nderuar! Ju me qëndrimin e shprehur nuk e keni mbrojtur Kushtetutën e vendit, nuk e keni ruajtur unitetin e popullit, dhe nuk keni prezantuar në mënyrë dinjitoze qytetarët e Kosovës, por keni mbrojtur një Vendim Administrativ të Ministrisë së Arsimit, i cili bie ndesh me kushtetutën, ka frymë antievropiane, prodhon diskriminim në baza fetare, si dhe bie erë nga sistemet ideologjike të shkollës ateiste -komuniste.

Bashkësia Islame e Kosovës, fton presidenten e vendit që të përmbush detyrave të saja kushtetuese, pra të mbroj Kushtetutën e vendit, të mbrojë të drejtat e qytetarëve, të mbroj e të promovoj të  drejtën e shkollimit të nxënëseve tanë  pa marrë parasysh cilës fe, cilës etni apo cilës kategori shoqërore i përkasin ata.

Zonja Presidente! Ju drejtohemi publikisht përmes këtij reagimi që të mos t’i kontribuoni  politizimit e polarizimit të një të drejte elementare të nxënëseve tona, e që  është e drejtë hyjnore, kushtetuese e ligjore.

Keni tërë kohën dhe hapësirën e duhur në dispozicion që këtë çështje ta trajtoni në përputhje me Kushtetutën e vendit dhe sipas modelit të shumicës së vendeve të BE-së”, përfundon reagimi i Kryesisë së Bashkësisë Islame të Kosovës ndaj deklaratës së residentes Jahjaga.

 
Lajme Shqip Saturday, 28 September 2013 14:55

Prishtinë-Sindikata e Bashkësisë Islame ka reaguar ndaj shpalljes së zgjedhjeve në Bashkësinë Islame të Kosovë (BIK), duke i konsideruara zgjedhjet si të paligjshme. Sipas kësaj Sindikate, Naim Tërnava po shkel mbi çdo normë shoqërore, morale dhe njerëzore vetëm për ti ruajtur privilegjet e tij dhe të stafit të tij.Duke përdorur metodën makiaveliste, z. Tërnava shkeli dhe po shkel çdo normë njerëzore, morale dhe fetare, duke krijuar tollovi e përçarje, në mesin e punonjësve dhe të besimtarëve, vetëm e vetëm për të ruajtur privilegjet e tij dhe të stafit të tij të ngushtë, thuhet në kumtesën e Sindikates se BIK-;ut.

“Të ashtuquajturat shpallje të zgjedhjeve qendrore, të cilat po mbahen këto ditë në teren, kinse për të propozuar kandidatët për kryetar të BIK-së, nuk janë tjetër vetëm se vazhdimësi e parregullsive dhe kulminacioni i të së keqes në këtë institucion tonin dhe tuajin, kanë shtuar ata”.

Sipas Sindikatës, ndryshimi i kushtetutës së BIK-ut, vetëm një javë para shpalljes së zgjedhjeve, përmes formës imponuese puçiste, si dhe përshtatjes së saj sipas tekeve të dy aktorëve kryesor ; z. Tërnavës dhe të z. Resul Rexhepit, ndryshe ky i fundit i njohur edhe me lidhjet e tij të ngushta me Slobodan Bogujevskin nga Shkupi, janë raste të pa ndodhura më herët në institucionin tonë, por edhe dëshmi e ikjes nga transparenca, nga e drejta, sinqeriteti, nga kriteret morale e njerëzore dhe bunkerizimi e ruajtja e beneficioneve të klanit të ngushtë me çdo kusht.

“Pas leximit dhe analizës që kemi bërë ndryshimeve të disa neve të kushtetutës-statutit të BIK-së, ne nuk kemi vërejtur tjetër, përveç privilegjeve që stafi i ngushtë i punonjësve teknik të kryesisë së BIK-së i ka dhënë vetes, ndërsa nuk kemi gjetur asnjë ndryshim të rëndësishëm në dobi të interesit të përgjithshëm të punonjësve të BIK-së, të vendit dhe të fesë, thuhet më tej në komunikatë.

Sindikata ka bërë thirrje që të ndalen veprimet brenda BIK dhe të vendoset ligjshmëria.

“Apelojmë tek të gjithë punonjësve të BIK-së, që të mos bien në grackën e këtyre parregullsive të këtij stafi të ngushtë aktual të kryesisë së BIK-së, si dhe të mos vazhdojnë të nëpërkëmbin edhe më tutje institucionin tonë shpirtëror, vetëm për t`i plotësuar apetitet e këtij grupi të ngushtë të njerëzve jo vullnet mire”. /Express/ 

 
Lajme Shqip Thursday, 26 September 2013 23:41

Brenda një ditë dy hoxhallarë kanë denoncuar në Policinë e Kosovës kërcënime të marra nëpërnjet telefonatave anonime.

Emin Behrami, ish-profesor në Medrese dhe në Fakultetin e Studimeve Islame konfirmoi për Lajmeship.com se kërcënimi i ka ardhur nga i njëjti numër telefoni nëpërmjet të cilit ishte kërcënuar paradite edhe kolegu i tij Idriz Billalli.

Të dytë njihen si kundërshtues të myftiut Naim Tërrnava dhe janë pjesë e Shoqatës Sindikale të BIK-ut një organizim opozitar brenda këtij institucioni.

“Një përson i panjohur më tha se nëse nuk i ndali kritikat atëherë do të më rrëzikohet familja”, tha Behrami.

I njejti kërcënim i është bërë edhe Idriz Billait imam në xhaminë e qytetit në Podujevë.

  “Tërhiqu nga qëndrimet e tua në raport me Bashkësinë Islame, ose përndryshe do të shkoj familja”, ka qenë fjalët e telefonuesit anonim në drejtim të Imamit, Bilalli.

Ai tashmë e ka lajmëruar rastin në polici dhe policia po merret me këtë ndërsa sa i përket kërcënimeve ai ka thënë se këto janë shqetësuese.

“Unë nuk kam pasur asnjë problem me askënd më herët privatisht. Unë e kam një xhemat të madh në Podujevë dhe asnjëherë nuk kam pasur as problemin me të vogël me ndonjërin prej tyre pasi që kemi raporte shumë të mira.

Ata janë prapa meje. Mirëpo këto kërcënime normalisht janë shqetësuese dhe i qesin hije të keqe edhe fesë po edhe vet shtetit të Kosovës”, ka thënë Bilalli për Zërin.

Bilalli ka thënë se nuk e di saktësisht se nga kush e ka marr këtë telefonatë mirëpo e ka një ide rreth saj.

“Mendoj që ky kërcënim vjen nga njerëzit të cilët nuk pajtohen me qëndrimet tona kundër Bashkësis Islame dhe zgjedhjeve brenda BIK-ut”, ka shtuar ai.

Imami i Podujevës dhe grupi i tij janë të njohur për qëndrimin disa javorë të tyre kundër udhëheqësis së tanishme të BIK-ut. Bilalli ka thënë se Naim Tërrnava nuk duhet të fitoj asnjë mandat tjetër për të qenë në krye të Bashkësis Islame.

“Ai pretendon që të rizgjidhet për të tretën herë myfti dhe të vazhdoj të gëzoj privilegjet. Ne kemi kundërshtuar disa herë dhe mendoj që ky qëndrim i yni e ka shtyrë të dikë ta bëjë këtë telefonatë kërcënuese. Mirëpo të cenohet feja përmes fes kjo nuk i qetë aspak hije të mirë besimit tonë”, ka thënë Imami nga Podujeva.

Sidoqoftë ai ka shtuar se nuk e ka ndërmend që të tërhiqet nga qëndrimet e tij vetëm e vetëm pse ka marr një telefonatë kërcënuese, mirëpo në të njëjtën kohë i ka bërë thirrje autoriteteve që të zbulojnë sa më parë këtë rast.

“Nuk e kam ndërmend të zmbrapsem. Unë do ta vazhdoj rrugën të cilën e kam nisur deri në fund”, ka përfunduar Idriz Bilalli, të cilit sot në emër të fesë iu kërcënua familja.

 
Lajme Shqip Sunday, 08 September 2013 14:56

Stephen Sylejman Schwartz, studiues i islamit, drejtor ekzekutiv i Qendrës për Pluralizmin Islamik me seli në Washington të SHBA-së thotë se Naim Terrnava eshte diktator.

Schwartz, në një intervistë për “Kohën Ditore” ka insistuar se largimi i Tërnavës është parakusht për adresimin e problemeve brenda Bashkësisë Islame të Kosovës, dhe jashtë saj, në luftimin e ndikimeve ekstreme në islamin shqiptar, që tradicionalisht ka qenë i moderuar dhe tolerant, dhe shembull për gjithë botën.

Ai Tërnavën e quan diktator, derisa e akuzon edhe për plagjiaturë të magjistraturës.

Studiuesi Schwarts sheh rrezik nga ekstremizmi islamik në Kosovë, por është i bindur se shqiptarët e Kosovës nuk do të dorëzohen para kësaj sfide. Ai e identifikon kreun e BIK-ut problemin kryesor, duke e quajtur madje edhe “Stalin Tërnava”.

“Problemi kryesor është diktatura e Naim Tërnavës në BIK prej vitit 2005, Tërnava ka inkurajuar hurhen në Kosovë të radikalëve vehabistë dhe të Vëllazërisë nga Maqedonia”, ka theksuar ai.
Schwarts një gazetar I njohur amerikan më 1997 u bë mysliman hanefi, është autor I shumë librave, në mesin e të cilave edhe disa për shqiptarët

 
Lajme Shqip Saturday, 31 August 2013 11:41

Prishtinë- Kryetari i LISBA’së, Fuad Ramiqi ka treguar se është marrë në pyetje nga policia e Kosovës si i dyshuar për kërcënimet publike që i janë bërë Xhabir Hamitit, ish-Kryetar i Kuvendit të Bashkësisë Islame.
“Po, e vërtetë është se unë jam marrë në pyetje në hetuesi në cilësinë e të dyshuarit”, ka thënë Ramiqi, për Gazetën Express.
“Nuk kanë pasur kurrfarë arsye të më marrin në pyetje policia”, ka shtuar ai.
Ramiqi ka thënë se asnjëherë se ka kërcënuar Hamitin dhe askënd tjetër.
“Unë nuk e kam kërcënuar askënd në jetën time, e Xhabir Hamitin më së paku. Lëvizja ka lëshuar deklaratë edhe u kanë një qasje abnormale e Hamitit ndaj meje. Unë në emër tim asgjë s’kam folur”, ka treguar Ramiqi.
Në cilësinë e të dëmtuarit, Xhabir Hamiti ka treguar në polici se prapa kërcënimeve publike të LISBA’së qëndron kryetari i saj Fuad Ramiqi.
Sidoqoftë, Ramiqi thotë se s’ka pas të drejtë Hamiti të drejtoj gishtin drejt tij.
“Unë nuk di çka qyshon z. Hamiti, por s’ka pasur të drejtë me ngrit ndaj meje dyshime të tillë. Është çështje personale e tij. Ai ka dashur të dezorientoj opinionin kah unë”, ka thënë ai.
Përplasjet mes Xhabir Hamiti dhe Fuad Ramiqit kanë nisur prej se janë shpallur kandidaturat për Kryetar të Bashkësisë Islame të Kosovës.
Partia e Ramiqit ka dal publikisht pro Naim Tërnavës për Myfti të Kosovës, ndërsa për Xhabir Hamitin kanë thënë se është anti- islamist dhe anti-kombëtarë.
Në komunikatën e LISBA’së është thënë se ata do të angazhohen me të gjitha mjetet, që ta pengojnë ardhjen e Xhabir Hamitit në krye të BIK’ut.

 

 
Lajme Shqip Friday, 30 August 2013 11:41

Prishtinë- Fadil Hasani, kryetari i sapozgjedhur i këshillit të Bashkësisë Islame të Kosovës, po del se nuk është ashtu qysh duket. Për këtë njeri, një ish-koleg, po hedh akuza të rënda, për të cilat thotë se posedon edhe fakte.

Para plot tri vitesh qysh kur u shkarkua nga posti i profesorit të mësimeve të Kur`anit, Emin Behrami, pati publikuar në Express disa të dhëna, sipas të cilit, ishin dëshmi për ngacmime seksuale të nxënësve të medresesë nga ana e profesorëve.

Në mesin e shumë prej tyre figuron edhe emri i Fadil Hasanit, profesorit të gjuhës arabe në medresenë “Alauddin”, i cili të enjten u zgjodh Kryetar i Kuvendit të BIK’ut.

Emin Behrami thotë se zgjedhja e Fadil Hasanit në këtë post të rëndësishëm, po e shtyn të ndërmarrë masa konkrete.

“Do të dalë me fakte të reja shokuese. Fakte të cilat nuk pranohet as me sheriat e as me Kur’an”, thotë Behrami për Express.

Sipas tij, përveç problemeve dhe dallavereve të shumta që janë bërë dhe po vazhdojnë me ritëm të njëjtë brenda Bashkësisë Islame, mes shumë emrave që janë të përfshirë në skandale është edhe ai i kryetarit aktual të kuvendit.

“Ka një mori dokumentesh te ngacmimit në orë të mësimit dhe jashtë orëve. Në mesin e tyre ka qenë edhe profesor Fadili”, thotë Behrami.

Ai pohon se i posedon të gjitha e-mailet që nxënësit i kanë shkëmbyer me drejtorin e shkollës nëpërmjet të cilave i kanë rrëfyer të gjitha të bëmat e profesorëve të tyre, përfshirë edhe kryetarin aktual të këshillit të BIK.

“Aty vërehet qartë fjalori amoral i profesorit në fjalë dhe profesorëve të tjerë si për shembull ‘puthjet tuaja ma kanë qetësuar shpirtin’, apo ‘duhet të takohemi edhe një herë’”, tregon Behrami për bisedat që sipas tij profesorët i kanë bërë me nxënëset e medresesë. “Unë i posedoj të gjithë e-mailat, bisedat e nxënësve me drejtorin në relacion me profesorët”, thotë ai.

E krejt këto marifete që sipas tij i ka bërë i sapoemëruari në kryesi, i di mirë edhe myftiu i Kosovës Naim Tërnava.

“Por cilado shkelje që bëhet kur një individ është i dëgjueshëm ndaj myftiut, mbrohen pavarësisht se çfarë kanë bërë”, pohon Behrami duke e quajtur Fadil Hasanin si kandidati kukull e myftiut Tërnava. Megjithëse pritjeve të Behramit për t’ia nxjerrë krejt të palarat BIK’ut dhe punonjësve të saj, po u vjen fundi.

“Unë që tri vite jam në proces gjyqësor për shkak të shkarkimit tim. Krejt këto që po i them i mbuloj me fakte ligjore të cilat unë do t’i paraqes herët apo vonë”.

 
Lajme Shqip Monday, 26 August 2013 16:44

Prishtinë – Bashkësia Islame e Kosovës ka reaguar ndaj deklarimeve të Këshillit për Mbrojtjen dhe Lirive të Drejtave të Njeriut (KMLDNJ) dhe Lëvizjes Bashkohu të cilat kanë kritikuar zhvillimet e fundit në këtë institucion fetar.

Në Kuvendin, që u mbajtë javën e kaluar, BIK ka shkarkuar Kryetarin e Kuvendit Xhabir Hamitin, i cili kishte sfiduar Myftiun Naim Tërrnava duke paralajmëruar kandidaturën e tij për pozitën e Myftiut.
“Deklarimi i Lëvizjes “Bashkohu”, përkitazi me zgjedhjen e Myftiut, është i papranueshëm për Bashkësinë Islame, institucionet dhe besimtarët islam të Kosovës. Asnjë Lëvizje a subjekt politik a jo politik nuk ka të drejt të përzihet në proceset brenda BIK, e më së paku në procesin zgjedhor. Zgjedhjet në BIK, si gjithherë do të mbahen në përputhshmëri të plotë me Kushtetutën dhe aktet normative që janë në fuqi, larg çdo interferimi të ndonjë subjekti kush do qoftë ai” thuhet në reagimin e BIK.
“Po ashtu, për ne është befasues edhe qëndrimi i KLMDNJ-së për mbledhjen e fundit të Kuvendit të BIK. Me qëndrimin e shfaqur KMLDNJ është vënë vet në lajthitje, por në të njëjtën kohë ka vënë në lajthite edhe opinion publik, mese vë në dyshim kredibilitetin dhe seriozitetin e një institucioni të respektuar” thesohet në deklaratë.
Sipas BIK, KLMDNJ ka spekuluar dhe ka pasur për qëllim ta njollosë këtë institucion kur ka deklaruar se shkarkimi i Hamitit ka qenë veprim arbitrar dhe i kundërligjshëm si dhe përpjekje për të ngulfatur lirinë e shprehjes brenda BIK-ut.
” I kujtojmë KMLDNJ, dhe në të njëjtën kohë sqarojmë opinion e gjerë se Kuvendi i Bashkësisë Islame ditën e martë ka marrë vendim kundër bllokimit të institucioneve, kundër shantazheve, kundër fyerjeve e spekulimeve me të cilat është përballuar BIK dhe përfaqësuesit e saj, tash e sa kohë. Me gjithë vullnetin e mirë që të tejkalojmë situatën bllokuese kjo gjë ishte e pamundur, andaj kuvendarët me shumicën absolute kanë marrë vendim që tashmë është i njohur për opinionin” theksohet në komunikatë.
Sipas deklaratës së BIK’ut tashmë ka filluar një fushatë kundër këtij institucioni.
” Andaj, apelojmë te të gjithë që mos të bien pre e fushatës denigruese që është marrë kundër BIK, ngase BIK është institucion i konsoliduar e stabël, tashmë i dëshmuar që ka përballuar stuhinë e kuqe moniste dhe okupimin dhe do tejkalojmë edhe këtë “stuhi” të ngritur në gotë uji”./Express/

 

 
Lajme Shqip Wednesday, 21 August 2013 17:32

Prishtinë – Deputeti nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës Arben Gashi, ka komentuar zhvillimet e fundit në Bashkësinë Islame të Kosovës në profilin e tij në Facebook.
” Një dreq i madh ka hy në Bashkësinë Islame të Kosovës, zoti i ndihmoftë. Ligj urgjent për organizimin dhe funksionin e bashkësive fetare” ka shkruar deputeti Gashi, transmeton Express.
Anëtarët e Kuvendit të BIK me shumicë votash kishin shkarkuar kryetarin e deritanishëm të Kuvendit të BIK Xhabir Hamiti, i cili kishte deklaruar publikisht se do të kandidojë për postin e Myftiut të BIK’ut. Ky shkarkim është parë si një zhvillim i influencuar nga Myftiu aktual Naim Tërrnava, i cili po ashtu ka shfaqur ambicie për të mbetur edhe më tej në krye të institucionit të lartpërmendur.

12