Lajme Shqip Thursday, 08 December 2011 15:00

Mynih- Vdekje misterioze e kampionit të botës në kikboks, Besim Kabashi (35). Në orët e hershme të së dielës u gjet pa ndjenja në shtëpi. Ai ndërroi jetë disa çaste më vonë në spital. Në internet adhuruesit e tij spekulonin në të gjitha drejtimet: se mos është dopinguar me gjëra të rënda? mos është vrarë? apo mos ka bërë vetëvrasje?

Dyshimin e fundit policia e largon, pasi nuk ka pasur ndonjë shenjë që kishte të bënte me vetëvrasjen. Nuk kishte asnjë letër lamtumire. Po ashtu, hidhet poshtë edhe mundësia e një vrasjeje. Për t’u bërë zbardhja e kësaj vdekjeje tragjike, u kërkua një autopsi. Autopsia u bë të martën në Munih dhe rezultatet e para janë: kikboksieri vdiq nga një mbidozë e medikamenteve.

Tash duhet një analizë toksikologjike për t’u konstatuar se çfarë përzierjesh e medikamenteve ka çuar në vdekjen e kampionit të botës në kikboks, Besim Kabashi. Por, ky proces pritet të zgjasë.

“Kjo mund të zgjasë disa javë”, ka thënë zyrtarja mediale e prokurorisë së Munihut, Barbara Stockinger.

Kabashi ishte parashikuar të ndeshej më 16 dhjetor në Munih kundër kikboksierit të famshëm amerikan, Mighty Mo. Lufta e tij ishte paraparë të transmetohej në televizionin gjerman Sat 1. Ngjarja e 16 dhjetorit do të zhvillohet megjithatë, meqë kolegët e Kabashit dëshirojnë që të luftojnë për ta nderuar atë.

“Sportistët e mi duan që të dalin në ring dhe t’ia dedikojnë këtë mbrëmje shokut të tyre të vdekur”, ka thënë menaxheri i Kabashit, Mladen Steko.

Varrimi i kampionit të botës në kikboks, Besim Kabashi, do të bëhet të enjten në Gurrakoc të Istogut, ka bërë të ditur Ministria e Kulturës. Homazhet fillojnë në orën 12:00 në shkollën fillore “Martin Camaj” në Gurrakoc, kurse varrimi bëhet në orën 15:00 në varrezat e fshatit. MKRS-ja ka paralajmëruar edhe një komemoracion për të premten 11:00 në Sallën e Kuqe të Pallatit të Rinisë dhe të Sporteve në Prishtinë.

 
Lajme Shqip Monday, 05 December 2011 11:21

Prishtinë – Do duhej të boksonte me 16 dhjetor live në Sat1 për ta mbrojtur titullin. Mediat gjermane raportojnë se Besim Kabashi është gjetur i vdekur në banesën e tij, i shtrisë dhe pa asnjë shenjë tjetër. Ndërkohë që janë duke u zhvilluar hetimet rreth vdekjes së tij.

35-vjeçari, aktualisht kampion botëror në kikboks, i lindur në Gurrakoc të Istogut, më 27 shkurt të vitit 1976, njihej për sukseset e tij të mëdha në kikboks duke krijuar një karrierë të shkëlqyeshme në Gjermani. Kabashi në dy vitet e fundit ishte i pa konkurrencë në kategorinë +95 kg, duke fituar dy tituj të njëpasnjëshëm të botës, si dhe fitues në disa turne mjaft prestigjioze. Vdekja e tij e la pa e zhvilluar, ndoshta, meçin më të rëndësishëm në karrierë kundër Mighty Mo, me 16 dhjetor të këtij viti.

Në ringun profesionist ai la pas vetes 36 meçe, shumica prej tyre të paharrueshme. Ai vetëm një herë u dorëzua para rivalëve të vet. Kabashi ka fituar 35 nga 36 meçet sa i ka zhvilluar gjithsej në kategorinë gjysmë të rëndë, prej të cilëve madje 26 i ka fituar me nokaut teknik.

Besimi ishte fëmija më i ri ndër shtatë fëmijët e tjerë të familjes Kabashi. Ai kishte ikur në Gjermani në moshën 14-vjeçare. Si i ri ai ka pasur prirje për sport. Fillimisht kishte filluar me futboll, atletikë dhe not, mirëpo përfundoi në ring.

Me sportin e kikboksit ka filluar prej moshës 17-vjeçare, në të cilin vetëm pas nëntë muajve arriti finalen e parë, të cilën e dorëzoi, pasi që kundërshtar e kishte trajnerin e tij. Me këtë gjest ai fitoi respekt, e që më vonë e solli edhe në piedestalin më të lartë të ringjeve profesioniste në kikboks.

Shumë shpejt nuk pati titull që nuk e fitoi në Gjermani. Titulli i parë i tij në nivel Evrope erdhi në vitin 1988, kur u shpall më i miri në versionin KA, në garën e mbajtur në Lituani. Pastaj erdhi titulli i nënkampionit të botës në asociacionin WAKO, që edhe ia hapi dyert profesioniste kosovarit.

Në vitin 2002 e kishte ndërprerë shkurtazi aktivitetin e tij, pas disa mosmarrëveshjeve me trajnerin e tij, Davut Sidal, ngase ai nuk i kishte ofruar mundësinë që të ndjekë titujt e mëdhenj të kikboksit profesionist.

Kabashi u rikthye në ring pas pesë viteve, në vitin 2006. Në marsin e vitit 2007 nëpërmjet klubit të vëllezërve kroatë Steko, doli për herë të parë në ring dhe menjëherë filloi të fitojë tituj të rinj, atë WKA të Evropës, në peshat +95 kg, kur e mposhti turkun Yahya Gülay me nokaut teknik në raundin e katërt.

Këtë titull Kabashi e mbrojti tre herë në vitin 2009. Krahas këtij sporti ekstrem kampioni shqiptar kishte edhe pasione të tjera, në veçanti muzikën, fotografinë dhe shtazët. (Zëri)