12
 
Lajme Shqip Thursday, 28 March 2013 18:06

 

Besart Berisha është kthyer përsëri në liderin e Brisbein, duke udhëhequr skuadrën me të cilën është shpallur kampion një vit më parë drejt playoff të kampionatit. Sulmuesi shqiptar ka shënuar një gol dhe ka dhënë një asist në fitoren 3-1 në ndeshjen e fundit të sezonit të rregullt, duke siguruar pjesëmarrjen mes 6 skuadrave më të mira që vazhdojnë në fazën tjetër të turneut. 

Sulmuesi shqiptar shënoi golin e avantazhit për ekipin e tij në minutën e 29-të të ndeshjes, ndërsa në pjesën e dytë nxori të vetëm para porte shokun e tij të skuadrës, Lustica që shënoi golin e dytë të kësaj sfide duke i dhënë qetësinë Brisbein.

Ky ishte goli i 14-të në këtë sezon për Berishën, i cili në pjesën e parë të kampionatit kishte probleme të vazhdueshme fizike dhe nuk ishte në maksimumin e tij. Por tani duket se ai është kthyer përsëri në formë, pikërisht në pjesën më vendimtare të sezonit dhe po udhëheq skuadrën me shpresën se mund të fitojë një tjetër titull kampion, të dytin radhazi në Australi. (LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Sunday, 17 February 2013 13:42

Besart Berisha ka shënuar sot golin e tij të 12-të për Brisbein Roar në këtë kampionat, pas suksesit 2-0 ndaj Uellington Feniks që ka ringjallur shpresat e kësaj skuadre për të marrë pjesë në këtë playoff.

Berisha ka shënuar golin e dytë për ekipin e tij në fillimin e pjesës së dytë të ndeshjes, ndërsa është tani në vendin e dytë në renditjen e golashënuesve më të mirë të kampionatit.

Në këtë sezon, Brisbein Roar nuk po shkëlqen si vitin e kaluar ku u shpallën kampionë, por shpreson që të kthejë fatin dhe të marrë pjesë në playoff falë kthimit në formën më të mirë të Berishës.

Sulmuesi shqiptar ka shënuar 7 nga 12 golat e tij në vitin 2013, duke lënë pas përfundimisht problemet fizike që e shqetësuan në pjesën e parë të sezonit.

Aktualisht, Brisbein është 2 pikë larg vendit të 6-të që të çon në playoff dhe që mbahet nga Njukasëll Xhets, kundërshtari i radhës i kësaj skuadre në sfidën e javës së ardhshme. (LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Sunday, 06 January 2013 14:45

Besart Berisha e ka filluar më së miri vitin 2013. Pas golit të shënuar që me 1 janar ndaj Uellington Feniks, sot ai i ka shtuar dy të tjerë bilancit të tij sezonal, ndonëse ata nuk e kanë ndihmuar skuadrën e Brisbein Roar të fitojë, pasi ajo është mundur 3-2 nga Melburn Hart.

Në këtë ndeshje të vështirë në transfertë kundër një prej rivalëve direkt në renditje, gjithçka ka folur për vendasit që kanë arritur të shënojnë 3 gola. Por largimi me karton të kuq i Uilliams në mesin e pjesës së dytë ka shënuar edhe rizgjimin e kampionëve në fuqi të Australisë, me në krye Berishën.

Sulmuesi shqiptar ka shënuar golin e parë me penallti në minutën e 74-t, ndërsa vetëm dy minuta më vonë ka çuar shifrat në 3-2. Pavarësisht përpjekjeve të shumta të tij dhe skuadrës për të gjetur të paktën barazimin, ai nuk ka arritur dhe Brisbein ka regjistruar në këtë mënyrë humbjen e 8-të të këtij sezoni ku lufton për të hyrë në play-off dhe duket shumë larg formës së edicionit të kaluar..

Edhe Berisha ka vuajtur situatën te Brisbein, ndërsa deri tani ka shënuar vetëm 8 gola në 15 ndeshjet ku është aktivizuar. Por duhet theksuar se sulmuesi shqiptar ka pasur probleme të vazhdueshme me formën fizike për shkak të dëmtimeve në javët e para, gjë që ka ndikuar në rendimentin e tij, por edhe atë të skuadrës që ka varur të gjitha shpresat te forma e golashënuesit më të mirë të sezonit të kaluar. (LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Friday, 16 November 2012 14:27

Besart Berisha e ka mbajtur premtimin për të shënuar gol përballë idhullit të fëmijërisë së tij, Alesandro Del Piero. Sulmuesi shqiptar ka qenë protagonist në suksesin 4-2 të Brisbein ndaj Sidneit ku luan futbollistit italian, ndërsa ka shënuar golin e fundit të sfidës me një aksion spektakolar që ka çuar në këmbë publikun vendas. 

Ndeshja u bë mjaft entuziazmuese, me gola nga të dy skuadrat, ndërsa pikërisht Del Piero shënoi dy herë për skuadrën mike, duke çuar rezultatin e sfidës në 3-2.

Por për të zgjidhur situatën mendoi Berisha i cili i ka dhënë qetësinë skuadrës së tij me një gol të jashtëzakonshëm, duke treguar teknikë në driblimi, për të kaluar me radhë mbrojtësit kundërshtarë dhe për të dërguar topin në rrjetë.

Ky ishte goli i katërt i sulmuesit shqiptar, i cili në edicionin kaluar u shpall golashënuesi më i mirë në Australi, por disa probleme fizike nuk e kanë lënë të shfaqet në formën më të mirë në këtë fillim sezoni, fakt që është ndjerë edhe nga skuadra e cila është në vendin e 6-të në renditje. (LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Thursday, 15 November 2012 10:51

Dëmtimi i mistershëm i Besart Berishës, duket se ka gjetur zgjidhje nga një element po aq i mistershëm, një “çaj magjik” ballkanas. Falë kësaj kure, golashënuesi më i mirë i kampionatit australian në sezonin e kaluar është tashmë në gjendje të luajë në ndeshjen e të premtes kundër Sidneit, përballë heroit të fëmijërisë së tij, Alesandro Del Piero.

Berisha mungoi në ndeshjen e javës së kaluar, kur skuadra e tij u mund 4-1 nga Melburn, për shkak të një dhimbje të pashpjeguar në muskujt e barkut. Doktorët e klubit nuk dinë ende me saktësie arsyet e këtyre dhimbjeve, por i injektuan lojtarit kortizon kundër dhimbjeve të forta, ndërsa vetë Berisha beson se meritë e kthimit të tij në formën më të mirë është një përzierje barërash me prejardhje nga Ballkani.

“Ai tha se kishte pirë një çaj që ia kishte rekomanduar dikush dhe mendon se ndoshta është çaji që i bëri efekt. Ky është një çaj magjik”, u shpreh trajneri i skuadrës, Rado Vidosiç. “Po për mua nuk ka problem, çfarëdo qoftë që e ktheu në fushë. Më duket se ky çaj është nga një vend në Ballkan. Dëmtimi i tij është ende një mister, por fatmirësisht kaloi. Ai mund të luajë 90 minuta”.

Edhe kapiteni Met Smith e ka pritur me gëzim lajmin e kthimit të Berishës në fushën e lojës, në një sezon ku Brisbein duket se ka humbur pak nga shkëlqimi i edicioneve të kaluara.

“Prania e tij në fushë sigurisht që ndjehet nga skuadra. Jemi të lumtur që e kemi mes nesh dhe që ai është gati të shpërthejë përsëri. Besi është lloji i lojtarit që nuk del asnjëherë vetë nga fusha e lojës, sido qoftë situata e tij. E vetmja mënyrë për ta larguar nga fusha është nëse e zëvendëson trajneri”, tha Smith për sulmuesin shqiptar. (LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Saturday, 13 October 2012 13:20

Besart Berisha ka provuar përsëri se sezoni i kaluar nuk ka qenë një rastësi dhe se ai vazhdon të jetë një nga sulmuesit më të kompletuar në Australi, pavarësisht mbërritjes në këtë kampionat të emrave si Emil Heski dhe Alesandro Del Piero. 

Sulmuesi shqiptar, fituesi në fuqi i “Këpucës së Artë” në kampionatin australian, ka shënuar dy herë në takimin që Brisbein fitoi kundër Melburn Viktori me rezultatin e thellë 5-0.

Në fakt, Berisha i kishte premtuar ish-trajneri Ante Postecoglu që në fund të sezonit të kaluar u transferua te Melburn, që do të kthehej në shtëpi si humbës dhe e ka mbajtur plotësisht premtimin duke qenë një rrezik i vazhdueshëm për mbrojtjen kundërshtare në pjesën e parë, ndërsa në të dytën ka gjetur dy herë rrugën e rrjetës.

Me këto dy gola të shënuar, Berisha ka shlyer edhe gabimin e një javë më parë kur humbi disa raste në sfidën kundër Perth, një përsëritje e finales së sezonit të kaluar, por ku këtë radhë ishte ekipi kundërshtar që fitoi me rezultatin 1-0.

Tashmë pritet që sulmuesi të marrë një ftesë nga kombëtarja shqiptare e futbollit, pasi qartësisht duket se vazhdon të jetë në një formë të shkëlqyer. Edhe vetë trajneri De Biasi pranoi se po e ndiqte me vëmendje dhe shumë shpejt mund të kthente në kombëtare lojtarin që nuk vesh fanellën kuqezi prej rreth 3 vitesh. (LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Monday, 19 March 2012 12:42

Ndërsa kampionatit australian po i vjen fundi, Besart Berisha po bëhet gati që të marrë dy tituj personal të rëndësishëm. I pari është “Këpuca e Artë” që i shkon golashënuesit më të mirë, ndërsa te çmimi i dytë ai është kandidat kryesor për fitoren e vlerësimit “Lojtari i Vitit” të sezonit të rregullt.

Mbështetja i ka ardhur edhe nga trajneri i skuadrës së Brisbein, Ante Postecoglu, i cili vlerëson se shqiptari është paraqitur më mirë se kandidatit tjetër i kësaj skuadre për të marrë këtë çmim, gjermani Tomas Broish.

“Kushdo që vjen në këtë kampionat dhe shënon aq shumë gola sa ai, do të ishte vlerësua në çdo pjesë të botës. Kontribut i tij jo vetëm për ne, por për të gjithë ligën, ka qenë i jashtëzakonshëm. Nëse bazohesh vetëm te golat dhe impakti i tij në kampionat, ai ka qenë lojtari më i mirë i këtij sezoni”.

Edhe vetë Berisha nuk e kishte imagjinuar një sukses kaq të madh që në sezonin e parë në kampionatin australian.

“Është e pabesueshme! Kur erdha këtu mendova se do të shënoja 7 apo 8 gola dhe do të isha i lumtur. Çdo gol më shumë që shënoj është bonus për mua”, tha lojtari shqiptar.

Ndërkohë, ai i ka hedhur sytë edhe nga Kupa e Kampioneve të Azisë, ku skuadra e Brisbein do të ndeshet të martën në darkë me kinezët e Beijing Guoan. Ekipi australian u mund në ndeshjen e parë në shtëpi përballë japonezëve të Tokios dhe rrezikon të eliminohet shumë shpejt nga ky turne.

“Ne duam t’i tregojmë Azisë që ndeshja e parë ishte një gabim. Është më mirë të mundesh në fillim sesa në fund”, ishin fjalët e Berishës. (LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Saturday, 17 March 2012 11:17

Besart Berisha ka barazuar rekordin e golave të shënuar në një sezon në Australi. Sulmuesi shqiptar ka shënuar golin e tij të 19-të sezonal në fitoren 2-1 në transfertë të Brisbein ndaj Njukasëll Xhets, ndërsa ka humbur disa raste të tjera, duke goditur edhe shtyllën, për të thyer këtë rekord.

Futbollisti shqiptar është shfaqur i rrezikshëm që në minutat e para të takimit duke vënë në vështirësi mbrojtjen kundërshtare dhe duke iu shmangur disa herë pozicionit jashtë loje për t’u shfaqur para portierit. Në një aksion të tillë, në minutën e 13-të ai ka arritur të dërgojë topin në rrjetë. Ndërsa pak minuta më vonë ka goditur edhe shtyllën me një aksion identik.

Berisha ka qenë protagonist në çdo aksion ofensiv, duke ndihmuar edhe shokët e skuadrës të dalin para porte, por pjesa tjetër e skuadrës duket se nuk është aq e saktë para katërkëndorit duke humbur raste të shumta për shënim. Pas barazimit të Njukasëll Xhets në fundin e pjesës së parë, takimi është zgjidhur falë një penalltie të minutave të fundit, të transformuar saktësisht nga Nikols.

Me këtë sukses, Brisbein mban vendin e dytë në renditje, me vetëm 2 pikë larg Mariners, ndërsa ka mbetur vetëm një javë nga sezoni i rregullt, para fillimit të fazës së play-off për titullin kampion. (LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Sunday, 11 March 2012 11:05

Besart Berisha po shkon drejt konfirmimit si golashënuesi më i mirë i kampionatit australian të futbollit, pasi vijon serinë e golave për skuadrën e Brisbein. Sulmuesi shqiptar ka gjetur golin e 18 të në kampionat, në barazimin 1-1 të Brisbein ndaj Adelaide.

Në ndeshjen që u shfaq më e vështirë se mendohej për skuadrën e Brisbein, miqtë shënuan të parët më anë të Ramsei në minutën e 25-të, duke shtangur tifozë e skuadrës vendase që synon të përsëritë fitoren e titullit kampion në këtë sezon.

Berisha është shfaqur në një formë mjaft të mirë gjatë gjithë ndeshjes dhe pas disa tentativave, në minutën e 70-të ka arritur të vendosë baraspeshën në shifra. Pavarësisht insistimit të Brisbein, rezultati nuk ndryshoi dhe ndeshja përfundoi 1-1, duke i mundësuar Brisbein të mbronte vendin e dytë në renditje.

Berisha e ka të sigurt fitoren e trofeut të golashënuesit më të mirë për këtë sezon, pasi me 18 golat e tij është i paarritshëm nga ndjekësit.

Por sulmuesi shqiptar ka mundësinë të rishkruajë historinë e futbollit australian dhe ka dy ndeshje në dispozicion për të arritur shifrën e 20 golave, që të thyejë rekordin e rrjetave të tundura në një sezon në Australi, të vendosur nga Shein Smeltz vetëm dy vite më parë. (LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Friday, 02 March 2012 10:32

Ndonëse kampionati australian i futbollit nuk ka përfunduar ende, rrjeti sportiv ESPN ka gjetur që tani yllin që shkëlqen më shumë se të gjithë: Besart Berishën. Sulmuesi shqiptar po shënon me një lehtësi dhe rregullsi të habitshme, duke udhëhequr skuadrën e tij drejt sukseseve dhe luftës për titullin kampion.

“Besart Berisha ka provuar veten si golashënuesi më i qëndrueshëm i turneut dhe dy golat e tij ndaj Perth e çojnë totalin e sezonit në 17 të tillë, 6 gola larg ndjekësve të tij më të afërt, Xheremi Broki dhe Shein Smeltz”.

“Shqiptari ka qenë vdekjeprurës për kampionët në fuqi në këtë sezon dhe rregullsia me të cilën shënon e ka mbajtur Brisbein në garë për trofe të tjerë. Berisha është shumë pranë rekordit të golave gjatë sezonit të rregullt të mbajtur nga Smeltz në vitin 2009-2010 dhe me këtë ritëm, mund të vendosë një rekord që do të jetë i pamundur për t’u kaluar për shumë vite”, është komenti për sulmuesin shqiptar. (LajmeShqip.com)

12