Lajme Shqip Friday, 25 April 2014 21:06

Ish-kryeministri, Sali Berisha ashtu siç ka bërë shumë herë në Kuvend dhe jashtë asaj salle, lëshoi edhe dje akuza në drejtim të deputetit të Partisë Socialiste, Koço Kokëdhima. Akuzat e Berishës kishin të bënin me kontrollin e burimeve të naftës në vend, me shkresa drejtuar Doganës si dhe me një ndërtesë pa leje në bregdetin e Qeparosë. Në kundërpërgjigjen e tij (që ishte edhe fjala e parë në Kuvend), Kokëdhima i kujtoi Berishës se, ka humbur çdo betejë ligjore përballë tij. Deputeti i mazhorancës theksoi se edhe akuzat e Berishës ishin shpifje dhe të pavërteta. Kokëdhima ka nënvizur gjatë fjalës në Kuvend se, Berisha është përgjegjës për “Bathorizimin e bregdetit shqiptar” dhe se, është përgjegjës për kontrollin e territorit. Ai e mbylli fjalën duke thënë se, “përfituat nga përçarja e së majtës…. ka perënduar koha juaj, do të mbeteni një hiç”.

Debatet në Kuvend

Kokëdhima: Zoti Dule do të flas dhe në emër të Komisionit të Ekonomisë Nëse do të kishit pak sensin e drejtësisë nuk do t’ju bënte përshtypje kërkesa ime për të folur këtu, sepse nuk e kam përdorur këtë mundësi asnjëherë për të mbrojtur veten time, apo për të hedhur baltë mbi kolegët e tjerë. Përkundrazi, më vjen shumë keq që duhet të flas për herë të parë në këtë foltore, pikërisht sot, pas shpifjeve të radhës të këtij zotërisë, që ka manifestuar aktet më të qarta të shthurjes së vet mendore dhe morale. E boton zotëria një shpifje për një ndërtim në bregdet dhe shkruan: “Kjo është kështjella e Koços”. E boton pastaj tek RD-ja e tij dhe del këtu dhe na i lexon po shpifjen që sajoi vetë në mëngjes dhe na e nxjerr sikur është nga një burim jashtë vetes. Vite me radhë ky e ka përdorur këtë foltore për të hedhur baltë mbi të gjithë ata njerëz që ka pasur përballë, qindra fjalime ka bërë për mua, por unë nuk e kam harxhuar kohën time për tu marrë me të. Qindra shpifje dhe përgojime ka bërë ky zotëria 70-vjeçar këtu për mua, për punën time, për punën e kompanive të mia dhe për çështjet që nuk kanë qenë fare objekt i detyrës së tij. Edhe sot përmend gjëra me të cilat unë nuk kam asnjë lidhje. Në bregdet jetojnë njerëzit e mi, kushërinjtë, vëllezërit, njerëzit e mbiemrit tim ashtu si të tjerët. Nuk them as që më dëgjojnë, as që nuk më dëgjojnë, por ata bëjnë jetën e tyre ashtu siç është ajo jetë dhe kanë bërë punët e tyre në këtë botë. Unë mund të deklaroj qartësisht se kurrë nuk kam këshilluar as njerëzit e mi dhe askënd tjetër të rrezikojë, që të ekspozohet në shkelje të ligjit me biznesin e vet. Këtë gjë e dinë shumë njerëz edhe në radhët tuaja, që kanë pasur në jetën e tyre periudha që kanë punuar me mua. Kemi punuar bashkë me disa nga deputetët e PD që janë sot këtu në kompani të ndryshme të miat dhe ata kanë parë se bazimi tek ligji ka qenë themeli i sigurisë time në këtë vend. Kam qenë përballë këtij Saliu dhe përballë Fatosit 20 vjet me radhë dhe kam bërë një shtyp opozitar ndaj tyre. Kanë shpifur lloj-lloj gjërash ndaj meje, por nuk bënë dot asgje, nuk bënë dot asnjë proces ligjor, i kanë humbur të gjitha betejat administrative me mua, sepse unë jam bazuar tek ligji, ndërsa ju tek shpifjet, tek imoraliteti dhe sjellje të padenja për njerëz seriozë, që kanë punë me drejtimin e popullit dhe të pushtetit. Deri në qershor, t’ju them të drejtën, kjo histori më shqetësonte. Më shqetësonte vetëm për një arsye, se nëna ime është në moshë të thyer. Tani ajo është 76 vjeçe dhe sa herë shihte televizor, trembej nga Saliu, se ajo kishte idenë se Saliu ishte si Enveri dhe mund të më bënte gjëmën. Nuk e dinte, se çfarë ishin fjalimet e zotërisë këtu. Tani besoj më ndjek nëna ime dhe dua t’i them të njëjtën gjë që i kam thënë gjithmonë: Mos u shqetëso nga shpifjet e Saliut, jeto ditët e tua e qetë, se populli është çliruar nga ky rrezik! Del zotëria dhe thotë se ju bëni shkatërrimin e bregdetit, shkatërroni pasuritë e atyre njerëzve në mënyrë selektive etj…

Dule: Zoti Kokëdhima duhet të konkludoni. (Ndërhyn deputeti i PS-së Armando Subashi nga salla, që të lejohet deputeti Kokëdhima që të vijojë fjalën)

Dule: Zoti Subashi mos më detyroni që të zbatoj penalitetet e rregullores, e bëni vazhdimisht. Kufizohuni në të drejtat dhe ju dhe disa të tjerë që i atribuoni vetes të drejtën e interpretimit të gjithçkaje.

Kokëdhima: Unë ju them zotëri, që ju e latë këtë popull pa atdhe dhe e bathorizuat gjithë bregdetin e vendit. Ju jeni përgjegjës për zhvillimin e territorit dhe kontrollin e munguar të tij. Qeveria jonë nuk ka një fushatë prishjesh dhe shkatërrimi në bregdet, por ka një plan për ta rindërtuar bregdetin dhe për të bërë që ai vend i begatë dhe ai populli që jeton në bregdetin e Himarës të mos jetë i varfër si e katandisët ju, por të mund të jetojë me pasuritë dhe punën e vet. Projekti që zhvillohet tani në Himarë është një projekt për rehabilitimin arkitekturor të zonës dhe për çlirimin nga ato ndërtime komprometuese, nga ato ndërtime që e shkatërrojnë potencialin e zhvillimit të kësaj zone të bekuar. Ju e latë popullin tonë pa ekonomi konkurruese. Kurrë nuk morët përgjegjësi për rolin që kishit për këtë vend. Çfarë bënë gjithë këto vite kjo administratë, këta gjykatës dhe shtetarët tuaj? U sollën si pushtues ndaj qytetarëve dhe institucionet e këtij shteti! Po ju kujtoni se gjithë këtë papërgjegjshmëri absolute do e kaloni duke hedhur baltë mbi mua. Dilni këtu si ato gratë e liga duke u marrë me shpifje dhe me asgjë serioze. Jeni shqetësuar shumë nga ligji për hëtimin e pasurive te zyrtareve dhe thoni se do të bjerë demokracia. Çfarë do bjerë? Nuk bie asgjë nga hetimi i korrupsionit të administratës dhe gjykatësve.Ju zotëri përfituat gjithë këto vite nga përçarja e të majtës, po nga kjo përfitove, por nuk do të përfitosh më, ka ikur njëherë e përgjithmonë koha jote, ka perënduar koha jote. Do ta shikosh se përballë të majtës së bashkuar do të jesh gjithmonë një hiç! S’të ngelet gjë tjetër përveçse që të shpifësh këtu.

Berisha: Të nderuar deputetë! Gjatë 9 muajve, parafolësi ka folur vetëm një herë dhe kësaj here për kështjellën e tij dhe të Edi Ramës që po ndërtojnë në Qeparo. Kjo kështjellë ose është e Ramës dhe e atij, ose pastaj është e Gramozit dhe Cacit, por nuk kam asnjë fakt që t’i akuzoj ata të dy. Dua t’ia faturoj atyre unë, se nuk i kursej as njërin as tjetrin, por nuk mundem se nuk është, është e Ramës dhe e Kokëdhimës. Kjo ka pasur një pjesë të ndërtuar, vetëm në 8 muaj kjo është trefishuar, keni fotografitë, e kanë të gjitha. E ka botuar gazeta “Shekulli” zotëri. Së dyti, kam një jetë të gjatë në politikë dhe në zyrë, nuk kam parë kurrë deputetë të çojnë shkresa në dogana. Shkresë në doganë ka çuar vetëm Kokëdhima, i cili është i çmendur pas naftës. E kuptoni ju apo jo. Pasi i shtriu kthetrat me Endri Pukën, tani i duhet bllokarazhi në det se atje luhet mirë kontrabanda. Një kërkesë të cilën e hodhëm poshtë si administratë dhe me ndërhyrjen e tij patologjike në dogana përpiqet ta rikthejë, ta vendosë që ai të vjedhë në tokë, në det, në ajër. Tani është zot i naftës ai. Çfarë bëri me naftën me squfur, nuk i dini ju, nuk keni faj. Kompani të cilat importojnë D1 bënë hetimin dhe kujt t’i adresohen? Qeverisë s’i adresohen dot se e bën vetë, atëherë shkuan dhe iu adresuan Filipit se e panë që Filipi është me 100 flamurë. E mori Filipi dhe e shfaqi në në “Fiks Fare”. E shfaqi Filipi dhe e patë se të nesërmen Filipit ia prenë kokën, i hoqën emisionin. Çfarë po ndodh sot në Xarë? 500 fshatarë të Xarës janë ngritur në protestë. Akuzojnë Kokëdhimën dhe Ramën se duan t’ua marrin tokën, me ato planet e mëdha zhvillimore. Po, kjo është e vërteta, shifni mediat. Çfarë bëri ky? Shkoni shikoni kullat binjake që ka ngritur në Himarë, himarioti që nuk ka sjellë asgjë të mirë vetëm grabitje në atë zonë. Edhe historikisht nuk ka qenë atje fare se e njoh mirë atë zonë. Shkoni në Himarë si ia ka lidhur sytë me shami Himarës, me dy kulla ia ka bllokuar gjithë pamjen. Ja ky zhvillimori i madh. E keni dëgjuar si këndojnë apo jo, “Himarës kush ia lidhi sytë/ Ja lidhi Koçua”. Është e vërtetë kjo për Himarën, është 100 % e vërtetë. E denoncoi Gjikë Stramako burrërisht. Po më prish hotelin, tha vetëm për inate politike, hotel i ndërtuar prej 20 vitesh aty. Çdo prishje në breg ka vetëm inatet primitive të dy njerëzve që quhen Edvin Rama dhe Koço Kokëdhima. Ju i bëni të gjitha se doni të hapni bregun. E dini ju që thirren njerëz nga bregu dhe kërcënohen, u tregohet gishti i kokës? Një qime floku po i luajte kujt ti do jesh bashkë me Ramën përgjegjës, ja po ta them këtu në këtë sallë. Luaj vendit po deshe dhe thirr dhe kërcëno. Ta tregoj unë ty.

Berisha i mori pasuritë e naftës popullit shqiptar

Kokëdhima: Zotëria këtu i mori pasuritë e naftës popullit shqiptar dhe asnjë të ardhur nuk përfitoi buxheti i shtetit dhe populli shqiptar nga pasuritë e vetë nëntokësore. Ia dha zotëria të gjithë atyre me të cilët ndante interesat e tij personale. Mua mos më trego gishtin se mua nuk më tremb dot! Nga urtia mos më merr për frikacak! Mos më drejto gishtin mua dhe mos më bëj shantazhe, se unë nuk jam një burrë që trembem apo shantazhohem! Ti do të përgjigjesh, ti ke luajtur me pasuritë e shqiptarëve, ti je përgjegjës për gjithë këto krime këtu. Mos më ndërpre. Albpetroli që thotë zotëria këtu…

Kokëdhima: Nuk bën dot diskutime ky, vetëm shpif si makineri dhe nuk funksionon në marrje, nuk ka dëgjim. Albpetroli zotëri, në gjithë këto vite që e drejtove ti Shqipërinë, vetëm 3 milionë dollarë i dha Shqipërisë. Ndërkohë që tani Albpetroli paguan vetëm tatim fitimi në buxhet të shtetit 5 milionë dollarë për çdo tre muaj dhe 10 milionë dollarë taksa në çdo muaj. Vetëm sivjet qeveria jonë ka ndryshuar të gjitha kushtet për këto koncesionet e tua zotëri prej të cilëve fituan të gjithë miqtë e tu, por vetëm shqiptarët nuk fituan asnjë dollar! Ndërkohë që qysh nga 1 janari i 2014 buxheti i shtetit merr 10 për qind rentë mbi gjithë aktivitetin e koncesionarëve të naftës në Shqipëri. Besoj se këto janë gjëra janë shumë të qarta. Kurse për Xarën zotëri, ato që thoni ju nuk kanë asnjë lidhje me të vërtetën. Por nuk mendoj se duhet të mbajmë kolegët për të shpjeguar me detaje dhe hollësi se çfarë është duke bërë qeveria jonë në Xarë dhe çfarë jam duke bërë unë si deputet atje për nxitur prodhimet e atyre fermerëve dhe për të bërë një aktivitet konkurrues, për të bërë prodhime konkurruese dhe jo për ta katandisur bujqësinë siç ndodhi në qeverinë tënde. I ke lënë pa drejtim e mbështetje bujqit zotëri dhe flet dokra për lirinë! Zoti Berisha, unë kam menduar gjithmonë që kuvendimi yt është i ulët dhe nuk meriton që unë të përgjigjem dhe të bëj debat me ty, sepse ti nuk ke parime etike, ti nuk ke raport me të vërtetën, ti nuk ke problem të shpifësh për çdo gjë.

Berisha: Parafolësi ua la në shpinë kullat e Himarës. Nuk e tha dot një fjalë. Kështjellën e Qeparosë nuk e tha dot një fjalë. Vjedhjet në dogana ua la ju. U mor me çdo gjë tjetër, përrallisi për çdo gjë por nuk foli për ato. Mashtrimi i ka këmbët e shkurtra. Rentën e naftës, more zotëri, e ka vendosur qeveria ime dhe jo 1 vit, por 4-5 vjet më parë. E ka vendosur kjo qeveri të paktën në vitin 2007 apo 2008. Së dyti ato përralla që tregon këtu nuk t’i beson asnjë nga këta. Këta të dëgjojnë ty për pallatet në Himarë, kështjellat e Qeparosë, vjedhjet e naftës. A e dini ju se kur ne erdhëm në pushtet gjetëm 340 mijë tonë dhe arriti në 1 milionë tonë ndaj dhe siç e ke shpirtin mos fol. Ty nuk ka det që të lan mëkatet me Edi Ramën, jeni kloni i njëri-tjetrit./shekulli/ 

 
Lajme Shqip Wednesday, 19 March 2014 15:26

“Bojkoti i opozitës cënon integrimin e vendit. Berisha duhet të tërhiqet nga drejtimi i PD-së, madje dhe si deputet“. Ky është qëndrimi i shkrimitarit të madh Dritëro Agolli i cili në një intervistë ekskluzive për gazetaren Joniada Koçi të tv A1 Report komenton zhvillimet e fundit politike dhe përcjell mesazhe të forta sa i takon qeverisë Rama por edhe qëndrimit bojkotues të opozitës.

Patriarku i socialistëve vlerëson punën e deritanishme të qeverisë Rama dhe pse sipas tij, eshte ende herët për të parë rezultate konkrete në kushtet kur “Rama dhe kabineti i tij, e morën shtetin të rrënuar”.

Agolli vlerëson dhe Ramën si kryeministër. “Po qeveris Shqipërinë me shumë të rinj”, thotë ai.

 
Lajme Shqip Thursday, 09 January 2014 15:31

Ndërtimi i linjës së interkonjeksionit Kosovë – Shqipëri, që u miratua nga qeveria Rama dhe u nënshkrua menjëherë nga dy qeveritë, e Tiranës dhe Prishtinës, në Prizren në dhjetor 2013, do t’ia prishë biznesin mafias serbe të energjetikës, e cila për më shumë se një dekadë nga buxheti i varfër i Kosovës ka marrë qindra miliona euro duke shitur energjinë elektrike. Kështu e komenton gazeta “Zëri” e Kosovës ngjarjen më të rëndësishme në fushën ekonomike midis dy vendeve, pas “luftës” absurde të patateve, çimentos, bllokimeve në kufi të mallrave të ndryshme me tarifa të stisura doganore, etj, midis dy shteteve të banuara nga shqiptarët në Ballkan.

Ministri
Ministri kosovar i Zhvillimit Ekonomik, Fadil Ismajli, tha për “Zërin” se nga ndërtimi i linjës së interkonjeksionit Kosovë – Shqipëri përfundimisht arrihet një siguri e lartë dhe stabilitet i sistemit elektroenergjetik në Kosovë, por edhe në Shqipëri.

“Në rast se dështojnë linjat e tjera ekzistuese, atëherë nuk rrezikohet stabiliteti i sistemit, sepse mjafton lidhja me Shqipërinë që ne të mund të na sigurojë furnizim stabël me energji elektrike. Mrekullia e kësaj linje është se sistemi elektroenergjetik i Kosovës fiton një pavarësi të plotë, sidomos nga Serbia. Po ashtu na hap shtigje të reja të bashkëpunimit, siç është shkëmbimi i energjisë, etj”, u shpreh ai ai.

Korporata
Nga ana tjetër, Arben Gjukaj, drejtor menaxhues në KEK, deklaroi se kjo linjë me Shqipërinë do të ndikojë edhe në koston që u ofrohet konsumatorëve të të dy vendeve.
“Ndërtimi i linjës së interkonjeksionit me Shqipërinë do të mundësojë unifikimin e dy sistemeve elektroenergjetike, çka do të nënkuptonte optimizimin me një kosto më të ulët, i cili do të ndikojnë drejtpërdrejt në tarifat e konsumatorëve të dy vendeve”, ka thënë ai.

Ekspertët
Agron Demi, drejtor ekzekutiv i Institutit GAP, ka thënë se ndërtimi i linjës së interkonjeksionit do të mundësojë shkëmbimet e energjisë në mes të Kosovës dhe Shqipërisë, qoftë me marrëveshje apo edhe me tregtim energjetik, pa përfshirë çmim shtesë të transaksionit, ose edhe shkëmbime shumë më të lira të energjisë. Sipas tij, përfitues më të mëdhenj do të jenë vetë shteti shqiptar dhe ai i Kosovës, kurse humbës, në këtë mes, do të jenë kompanitë për tregtimin e energjisë dhe shteti i Serbisë.

Ndërsa Ibrahim Rexhepi, ekspert i ekonomisë në Prishtinë thotë se çështja e importit nuk është edhe aq shumë e lidhur me linjën e interkonjeksionit. Sipas tij, kjo më shumë do të shërbejë për shkëmbim të energjisë elektrike në mes të dyja shteteve. “Deri tani, Kosova dhe Shqipëria nuk kanë patur import-eksport klasik, kanë pasur vetëm huazime”, ka thënë ai.

Sipas tij, me rëndësi është që të krijohet infrastruktura për mundësinë e ndërtimit të politikave të përbashkëta dhe, njëkohësisht, lidhjet e sistemit energjetik të paktën të barazohen me ato që ka pasur Kosova me sisteme të tjera, si me Malin e Zi, Serbinë, po ashtu me Maqedoninë.
“Në buxhet mund të ketë ndikim fakti që do të krijohet mundësia që të importohet energjia elektrike në formë tranziti përmes Shqipërisë. Gjë që, deri më tani, nuk ka mundur ta bëjë Kosova. Mirëpo, edhe këtu kur flitet për tranzit, edhe këtu ka pagesa, duhet të paguhet tarifa për tranzit, ashtu sikurse paguhet nëpër të gjitha vendet e tjera”, është shprehur ai./Zeri/

 

 
Lajme Shqip Thursday, 26 September 2013 14:47

 

Ish- Kryeministri Sali Berisha, përsëriti në seancën e Kuvendit faktin se statusi i vendit kandidat për në BE po pengohet për shkak se po preket ligji për shërbimin civil.

 

Berisha tha se është duke u përgatitur një akt normativ për të rrëzuar konsensusin e arritur për këtë ligj.

 

“Statusi është i sigurt. Është gabim fatal nëse ne ndërmarrim veprime për ta shtyrë atë. Ju garantoj që dënojmë vendin në këtë mënyrë. Ministri i Jashtëm, bashkë me Kryeministrin, kanë mashtruar 100 përqind në Bruksel. Korpusi i nëpunësve civilë është një pasuri e madhe,” tha Berisha.

 

Ai akuzoi se në krye të Departamentit të Administratës Publike është vënë një i Bashkisë së Ramës.

 

Berisha shkoi më tej kur tha se po hiqen nga puna edhe socialistët, pasi kjo drejtori e ka pasur gjysmën me socialistë.

 

Fjalës së Berishës iu përgjigj kryetari i Kuvendit, Ilir Meta, që e quajti Berishën bashkëkryetar të opozitës. Më herët Berisha e kishte quajtur Metën bashkëkryetar të mazhorancës.

 

“E vlerësoj shumë shqetësimin tuaj zoti bashkëkryetar i opozitës, që do të ndalësh socialistët që kanë ardhur në pushtet, për të larguar socialistët që ishin në punë,” tha Meta.

 

Ai shkoi edhe më tej kur tha se nuk do e zbatojë rregulloren e Kuvendit për Berishën, që nënkupton se ai do të flasë sa herë të dojë.

 

Pas këtij debati, Sali Berisha u largua nga salla e Kuvendit.

 

Në një deklaratë të shkurtër për mediat, Berisha tha se “ecjen dhe notin i bëj pa asnjë përtesë”.

 

I pyetur nga gazetarët nëse Berisha është bashkëkryetar i PD-së, përgjigja e ish- Kryeministrit ndaj gazetares ishte arrogante: “Je zëdhënëse e zotit Meta”.

 

Ndërkohë në Kuvend u hoq nga rendi i ditës diskutimi për lirimin nga detyra të dy ish-anëtarëve të KQZ-së, Denar Biba dhe Albana Shtylla.

 

“Kjo pikë nuk ka qenë në rendin e diskutuar prej nesh. Konferenca e Kryetarëve nuk është njoftuar, por edhe ditën e mbledhjes kemi lënë vetëm miratimin e komisioneve dhe këshillave”, tha Paloka.

 

Opozita shkoi më tej kur akuzoi se ky ishte një shpërblim për dy ish- anëtarët e KQZ-së për veprimet e tyre.

 

Kurse Ilir Meta tha se nuk mund të mbahet me pahir në detyrë dikush që kërkon të largohet.

 

“Kjo ka të bëjë me vetë kërkesën e të interesuarve, të cilët nuk mund t’i mbajmë me pahir si anëtarë të KQZ-së. Nëse ju mendoni se kjo është shkelje e rregullores, mendoj se do ishte mirë të respektohen të drejtat e njeriut, se nuk mund të mbash me pahir një njeri në një detyre kur kërkon të largohet prej saj”, tha Meta.

 

Opozita e ndezi debatin për këtë çështje për shkak se Albana Shtylla, një nga anëtarët e dorëhequra të KQZ-së, përflitet se do të shkojë si Sekretare e Përgjithshme e Kuvendit.

 

Pavarësisht debatit, kjo kërkesë e opozitës gjeti konsensusin e maxhorancës dhe u vendos heqja nga rendi i ditës së kësaj pike.

 

Seanca u mbyll me votimin e Vangjel Dules si nënkryetar i Kuvendit të Shqipërisë. Dule mori 104 vota pro.

 

Po ashtu u miratuan me 120 vota pro dhe asnjë kundër përbërja e komisioneve të përhershme të Kuvendit të Shqipërisë.

 

Gjithashtu është miratuar edhe përbërja e sekretarive të Kuvendit të Shqipërisë, me 117 vota pro.