Lajme Shqip Friday, 06 January 2012 09:00

Paris-Gjatë punimeve të seminarit “Bota e Re 2012: Rritje, Ndryshim, Risi”, që po zhvillohet në kryeqytetin francez, kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha deklaroi se qëllimi i tij është krijimi i Shqipërisë së gjelbër.

Berisha gjatë fjalës së tij ka bërë thirrje për krijimin e një fondi për të ndihmuar sektorin privat dhe jo atë publik.

Berisha tha se potencialet për t’u bërë të gjelbër janë të jashtëzakonshme, jo vetëm në Shqipëri, por në të gjithë botën.

“Vendimtar është krijimi i një fondi për të ndihmuar sektorin privat, jo sektorin publik. Të ndihmojmë sektorin privat për prodhimin dhe sistemet e energjisë së rinovueshme do të jetë shumë e dobishme në këtë rrugë zhvillimi. Ndoshta, së shpejti këto kompani të energjisë së gjelbër, por edhe kompani të tjera mund të jenë kontribues të mëdhenj në këto fonde për zhvillimin e energjisë së rinovueshme”-tha Berisha.

Ndërkaq kryeministri theksoi se Reformat e thella janë rruga e vetme e përballimit të krizës dhe zhvillimit të mëtejshem ekonomik.

“Gjëja më e mirë është forcimi i institucioneve aktuale financiare, reformimi dhe forcimi i rolit të FMN-së e i Bankës Botërore. Konsultimet janë të domosdoshme. Nga ana tjetër, unë jam shumë i bindur që në këtë krizë solidariteti mes qeverive është i nevojshëm. Por qeveria e çdo vendi duhet të bëjë gjithçka për të dalë nga kjo krizë. Një vend nuk mund të dalë nga kriza vetëm me solidaritet”-shtoi Berisha duke thënë se kjo është rruga e vetme e përballimit të krizës dhe e zhvillimit.

Berisha theksoi faktin se në Shqipëri po ndërtohen 63 hidrocentrale dhe se në ketë sektor po investojnë kompani të mëdha nga Izraeli deri në Norvegji. Kryeministri ftoi të pranishmit të ndjekin privatizimin e afërt të kompanisë Albpetrol, proces ky i cili ka nisur tashmë.