Lajme Shqip Thursday, 19 December 2013 15:27

Ekspozita, e cila ka të bëjë me krimet që kanë kryer forcat serbe ndaj familjes Bogujevci, më 1999 në Podujevë, është hapur të mërkurën mbrëma në Qendrën për Kulturë të Beogradit.Në atë kohë, policia ka mënjanuar rreth 50 persona që kanë protestuar para galerisë, ndërsa në ekspozitë ka qenë i pranishëm edhe kryeministri i Serbisë, Ivica Daçiq, si dhe njerëz të tjerë nga jeta publike dhe politike e Serbisë.

E titulluar “Bogujevci – historia vizuale, homazh për të gjitha familjet dhe viktimat e luftës”, ekspozita është vepër e Fatos, Jehona dhe Saranda Bogujevcit, të cilët si fëmijë kanë mbijetuar masakrën.

Në një fjalim të shkurtër për të pranishmit, Saranda ka shfaqur shpresën se publiku beogradas do ta vizitojë ekspozitën.

“Për ne është shumë e rëndësishme që jemi këtu. Kemi ndjenjën se e kemi pasur të shkruar të mbijetojmë për të treguar historinë tonë, për të treguar të vërtetën. Shpresoj se njerëzit do të vijnë për ta parë ekspozitën”, ka thënë Saranda.

Edhe pse projekti i është dedikuar një krimi të caktuar, kryeministri serb, Daçiq, ka këmbëngulur në krimet e kryera nga të gjitha palët.

“Do të doja të dënohen të gjithë ata që kanë kryer krime ndaj popullatës civile në luftërat në ish-Jugosllavi. Në anën tjetër, uroj që e vërteta të mund të tregohet kështu në të gjitha pikat e ish-Jugosllavisë: edhe në Zagreb, edhe në Knin, edhe në Sarajevë, edhe në Banjallukë, edhe në Prishtinë”, ka thënë Daçiq para gazetarëve, raporton REL.

Shkuarja e Daçiqit në ekspozitë është një gjest i rëndësishëm, por ndryshimi i shoqërisë serbe nuk mund të bëhet vetëm me disa veprime protokollare, ka thënë për Radion Evropa e Lirë Ҫedomir Jovanoviq, kryetar i Partisë Liberal-Demokrate të Serbisë, i cili po ashtu ka qenë i pranishëm në hapjen e ekspozitës.

“Shpresoj se ardhja e tij këtu do të iniciojë procesin, për të cilin Serbia ka nevojë. Ne jemi distancuar nga vitet ’90, por nuk kemi ndryshuar shumë”, është shprehur Jovanoviq.

Mia David, drejtore e Qendrës për Kulturë të Beogradit, ka thënë se është shumë e rëndësishme që një ekspozitë e tillë është hapur në një institucion publik të qytetit.

“Ky është fillimi i dialogut, fillimi zyrtar i një kapitulli krejtësisht të ri në marrëdhëniet e pasluftës. Për mua është kënaqësi e veçantë që Qendra për Kulturë e Beogradit është institucioni ku kjo po ndodh”, ka thënë David.

Hapja e kësaj ekspozite në Beograd tregon se është pjekur momenti politik që diçka e tillë të ndodhë, ka thënë në anën tjetër Maja Miqiq, nga Nisma e të Rinjve për të Drejtat e Njeriut.

“Është shumë e rëndësishme që biseda për ekspozitën të mos përfundojë sonte. Kjo nuk është vetëm ekspozitë, kjo është histori personale dhe leksion. Duhet të konsiderohet edhe ky aspekt dhe ajo se çfarë do të thotë për brezin e ri. Bëhet fjalë për tragjedi, e cila është leksion për të ardhmen e të gjithë neve”, ka thënë Miqiq.

Ekspozita “Bogujevci – historia vizuale, homazh për të gjitha familjet dhe viktimat e luftës” është hapur me gjithë reagimet e stuhishme të një pjese të publikut dhe të mediave në Beograd, që e kanë karakterizuar atë si “propagandë shqiptare”.

Më 28 mars të vitit 1999 në Podujevë, pjesëtarë serbë të formacionit “Shkorpionët” kanë vrarë 14 persona, në mesin e tyre gra dhe fëmijë. Pesë fëmijë të plagosur rëndë kanë mbijetuar, në mesin e tyre edhe Saranda, Jehona dhe Fatosi.

 
Lajme Shqip Monday, 05 August 2013 16:26

Beograd- Një tren i shpejtë i linjës Beograd – Bar të Malit të Zi ka dal nga binarët në orën 13:30 në dalje të Uzhicës, njofton Blic.

Sipas informacioneve të para asnjë prej udhëtarëve nuk është lënduar.

Aksidenti ka ndodhur në vendin e quajtur Turica, ku shpejtësia maksimale e lejuar është 20 kilometra për orë, raporton REL.

Sipas vlerësimeve të para, arsyja më e mundshme për këtë aksident janë binarët e vjetëruar.

 
Lajme Shqip Friday, 21 June 2013 12:25

Beograd – (E plotësuar) – Ministrja për Integrime Evropiane, Vlora Çitaku, e cila po merr pjesë në seminarin për integrime evropiane në Beograd, tha sot që ka shumë kujtime të hidhura për Beogradin nga e kaluara, sepse i ka shkaktuar shumë të këqija popullit shqiptar të Kosovës, por shtoi se nuk do që të kthehet në atë periudhë dhe dëshiron që gjenerata e saj t’i kthehet një të ardhme më të lumtur në paqe e pa konflikte, ndonëse e kaluara nuk mund të shlyhet lehtë.

Çitaku tha se Kosova e meriton t’i fillojë negociatat për MSA-në dhe e mbështet rrugën evropiane të Serbisë. “Njerëzit në Kosovë dhe rajon e dinë shumë mirë çka mund të prodhojë një Serbi anti-evropiane”, theksoi Çitaku.

Por, Serbia duhet ta ketë të qartë se me Kosovën duhet të jetë partnere e barabartë në çdo fushë, dhe të harrojë përgjithmonë se Kosova mund të kthehet sërish si pjesë e saj. “Kosova asnjëherë më, po e përsëris, asnjëherë nuk do jetë më pjesë e Serbisë”. 

Sipas Dushan Janjiqit, organizatorit të këtij seminari, raporti i Catherine Asjton lidhur me progresin e Serbisë do të jetë pozitiv dhe se këtij vendi më 28 qershor do t’i hapet rruga e negociatave për anëtarësim në BE.  Ai ftoi subjektet politike serbe që të përgatiten për zgjedhjet lokale në Kosovë, duke shtuar se në ato zgjedhje kanë shans të ndërtojnë një autonomi rajonale.

Ministrja Çitaku pas dite është takuar edhe me korin diplomatik në Beograd.

Vizita e ministres kosovare në Beograd, ndonëse pa asnjë takim me qeveritarë serbë, ka marrë vëmendjen e të gjitha medieve kryesore serbe. Një numër i madh i gazetarëve i kanë bërë pyetje të ndryshme ministres, ndërsa në fund e kanë duartrokitur për paraqitjen e saj.

 

 

Çitaku: Marrëveshja, mundësi unike për normalizim raportesh

 

 Marrëveshja e 19 prillit ofron mundësi unike për normalizimin e raporteve ndërmjet Serbisë dhe Kosovës, theksoi Vlora Çitaku, ministre e Integrimeve Evropiane në seminarin për integrimet që po i zhvillon punimet në Beograd. Çitaku shtoi se tashti është e nevojshme që të tejkalohet barriera mentale, në mënyrë që të mos e shikojmë njëri-tjetrin si armiq, por si fqinj. 

Si një nga panelistët e këtij seminari, Çitaku tha se procesi i normalizimit të raporteve ndërmjet Beogradit  e Prishtinës është i komplikuar dhe stresues, nevojitet durim, besim i fuqishëm dhe përkushtim personal. 

Çitaku tha se kryeministrat Daçiq dhe Thaçi kanë shpenzuar mbi 100 orë për të arritur deri te zgjidhja për disa gjëra të rëndësishme, por shtoi se zbatimi i marrëveshjes kërkon kujdes të përhershëm të pjesëmarrësve në atë proces, sepse është sikur një bimë që kërkon shumë vaditje dhe kujdes para se të fillojë të sjellë fryte, raporton koha. 

Bashkë me Vlora Çitakun, në këtë seminar që e organizon Forumi për marrëdhënie ndërkombëtare, po qëndron edhe oficeri i ri i Prishtinës në Beograd, Valdet Sadiku, ambasador i deritashëm i Kosovës në Kroaci, i cili u emërua në këtë post pas dorëheqjes së parevokueshme të Lulzim Pecit. 

Ministrja Çitaku sot është takuar me shefin e delegacionit të BE-së në Serbi, Vincent Deger, i cili këtë vizitë të ministres kosovare në Beograd e ka quajtur historike. Çitaku, ndërkaq, ka thënë se jeta ka plot momente historike, duke theksuar se ajo ka ardhur për normalitet”.  

 

Çitaku ligjëron në Beograd

 

Beograd – Ministrja e Kosovës për Integrime Evropiane Vlora Çitaku merr t pjesë në konferencën e organizuar nga Forumi për Marrëdhënie Etnike në Beograd.

Drejtori i këtij forumi, Dushan Janjiq tha për mediat se temat e diskutimeve do të jenë integrimet evropiane dhe zbatimi i marrëveshjes së Brukselit, për normalizimin e raporteve mes Kosovës dhe Serbisë.

“Gjithçka është planifikuar në atë mënyrë, që ne bashkërisht të mbajmë një ligjeratë”, ka thënë Janjiq.

Sipas tij, formati i diskutimeve në këtë konferencë do të jetë sipas formulës Gimnych, ku pjesëmarrësit përfaqësohen vetëm me emra e mbiemra, e jo me titujt e tyre institucional.

Ministrja Çitaku ka udhëtuar mbrëmë nga Prishtina për në Beograd./Koha/LSH/ 

 
Lajme Shqip Saturday, 01 June 2013 15:07

Beograd – Ministri serb i Drejtësisë dhe Administratës Publike, Nikolla Selakoviq, dhe drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Aleksandar Vulin, kanë nisur vizitën dyditore në Kosovë.

Sipas mediave serbe, ata kanë takuar sot të punësuarit në organet gjyqësore në veri të Mitrovicës.
Vulin ka thënë se ai dhe Selakoviq ndodhen në Kosovë “për të treguar se shteti i Serbisë nuk braktis popullin e tij dhe as këtë hapësirë”.
Mediat në Beograd shkruajnë se Selakoviq dhe Vulin do të qëndrojnë edhe në Shtërpcë dhe Deçan.

 
Lajme Shqip Sunday, 26 May 2013 14:51

Për anëtarët e komisionit parlamentar për mbikqyrjen e FSK-së, është shumë i rëndësishëm sqarimi i e-mailave të shkëmbyer ndërmjet zëvendëskryeministrit të FSK-së, Slavisa Filipovic dhe disa zyrtarëve të supozuar në Begorad. Kështu, ditë më parë, anëtarët e Komisionit parlamentar kanë miratuar një kërkesë drejtuar kryeministrit Hashim Thaçi dhe ministrit të FSK-së, Agim Çeku, për të sqaruar përfundimisht rastin e përfolur të shkëmbimit të e-mailave. Ata theksuan se është e nevojshme që të sqarohet nëse informacionet në këto e-maila kanë prekur interest e vendit.

Zëvendës kryeministri Filipovic, gjatë komentimit të thirrjes së Komisionit parlamentar për ndërmarrjen e masave në këtë rast, ka thënë se ministri Çeku ka qenë në rrjedhë të kësaj çështje.

“Ministri e di se unë nuk i kam shkruar e-mailat e përfolur. Ai e ka vlerësuar çështje që nuk ka të bëjë me informacion të klasifikuar. Raportet tona kolegiale dhe të punës janë shumë korrekte”, ka thënë Filipovic, për Telegrafin.

Zv/ministri Filipovic ka deklaruar se nuk ka informacion nëse ministri Çeku e ka informuar kryeministrin Hashim Thaçi për këto çështje.

Zëvendësministri i FSK-së, Slavisa Filipovic, ka mohuar edhe një herë se ka bërë ndonjë vepër jo të ligjshme.

“Deklaroj me përgjegjësi të plotë se nuk i kam shkruar askujt e-mail që flet për informacionin e dhënë për FSK-në. Si zëvendësministër, unë jam i vetëdijshëm se sa do të dëmtonte kredibilitetin tim, për më tepër një gjë të tillë nuk do ta bëja në asnjë mënyrë që të dëmtojë institucionin ku punoj”, ka thënë Filipovic.

 
Lajme Shqip Tuesday, 21 May 2013 15:15

Qëndrimi i serbëve të veriut ndaj marrëveshjes së Brukselit është ende i  njëjti. Kundërshtues. Kështu kanë deklaruar kryesuesit e serbëve të veriut, pas takimit me zëvendëskryeministrin serb Aleksandar Vuçic. Por, ata kanë theksuar që megjithatë, ende janë duke pritur që t’I shohin detajet e planit të zbatimit të marrëveshjes së Brukselit të arritur  ndërmjet kryeministrit të Kosovës, Hashim Thaçi dhe kryeministrit serb, Ivica Daçiq.

Radenko Nedeljkovic, përfaqësuesi i serbëve të veriut, pas takimit të liderëve serbë të veriut të Kosovës me Vuçicin, si pjesëmarrës i këtij takimi ka thënë se qështja e marrëveshjes së Brukselit, nuk ka qenë aspak temë e bisedës në këtë takim.

“Nuk është biseduar fare për marrëveshjen e Brukselit. Kemi biseduar për gjendjen momentale në veriun e Kosovës, si dhe për problemet e përditshme me të cilat ballafaqohen qytetarët. Kështu që, për marrëveshjen e Brukselit do të bisedohet pas kthimit të kryeministrit Daçiq nga Brukseli”, theksoi Nedeljkovic.

Kurse, lideri tjetër i serbëve të veriut, Milan Ivanovic nga Këshilli Kombëtar Serb, gjithashtu pjesëmarrës në takimin e fundit me Vuçicin, i ka thënë Radios Evropa e Lirë se në këtë takim është biseduar për të gjitha temat.

Sipas tij, qëndrimi i serbëve të veriut për marrëveshjen e Brukselit, por edhe qëndrimi i Beogradit zyrtarë, nuk kanë ndryshuar.

“Qëndrimet tona janë të njohura për marrëveshjen. Të njohura janë edhe qëndrimet e qeverisë së Beogradit. Por, diferencat që i kemi dhe që njihen, nuk janë thelluar. Kryeministri Daçiq dhe bashkëbiseduesi kryesor janë në Bruksel për të biseduar për planin e zbatimit të marrëveshjes. Dihet mendimi ynë për këtë dhe interesat tona, kështu që diçka që është e papranueshme për ne, nuk mund të pritet se do ta pranojmë dhe nënshkruajmë. Jemi marrë vesh me autoritetet e Beogradit që të flasim edhe më tej për marrëveshjen dhe për planin e zbatimit, por nuk i kemi detajet e tij, kështu që nuk kemi mundur të flasim më thukët për të. Do të bisedohet pas kthimit të kryeministrit Daçiq nga Brukseli”, u shpreh Ivanovic.

Kundërshtimi i marrëveshjes së Brukselit nga serbët e veriut të Kosovës, kishte tensionuar raportet e tyre me Beogradin zyrtarë, duke krijuar një hendek mes tyre, të cilin përmes takimeve janë përpjekur që ta ngushtojnë.

Por, Nedeljkovic ka theksuar se qëndrimi i serbëve të veriut për marrëveshjen është i qartë dhe i pandryshuar deri më tani.

“Edhe më tutje konsiderojmë se marrëveshja e Brukselit është e dëmshme dhe se ajo nuk i garanton as parakushtet minimale për një jetë kualitative dhe mbijetesë të serbëve në Kosovë. Kështu që, qëndrimi ynë është i pandryshuar”, tha Nedeljkovic.

Edhe Ivanovic ka vlerësuar se serbët e veriut nuk mund ta pranojnë marrëveshjen e Brukselit dhe as zbatimin e saj, sepse, sipas tij, kjo do t’i rrezikonte interesat e tyre.

Por, megjithatë, siç thotë ai, duhet pasur kujdes që hendeku i krijuar me Beogradin të mos thellohet.

“Ne nuk dëshirojmë që ta thellojmë hendekun me autoritetet në Beograd, të cilët e gëzojnë mbështetjen e shumicës. E kuptojmë situatën e vështirë edhe në Kosovë, por edhe në Serbi. Megjithatë, ne kemi disa qëndrime dhe vija të kuqe tona, përtej të cilave nuk mund të kalojmë. Ne, pavarësisht dallimeve që kemi në interpretimin e marrëveshjes, ne duhet, duam dhe mundemi të punojmë me Beogradin dhe institucionet tona”, tha Ivanovic.

Ndryshe, liderët serbë të veriut të Kosovës kanë dhënë për të kuptuar se nuk do të pajtohen me marrëveshjen e Brukselit edhe kur plani për zbatimin e saj do të bëhet i ditur në detaje.

 
Lajme Shqip Monday, 20 May 2013 11:43

Westervelle do të jetë në Prishtinë ku do të takojë Thaçin e Hoxhajn pas përfundimit të vizitës së tij në Beograd.

Ai aktualisht është duke qëndruar në Beograd ku po takon kryeministrin serb Ivica Daçic si dhe presidentin Tomislav Nikoliq. 

Të dielën ai takoi zv/kryeministrin serb Aleksander Vuçic. 

 “Dakordimi për të zbatuar Marrëveshjen e Brukselit është kushti kryesor për përparimin e mëtejshëm të Serbisë në rrugën evropiane”, ka thënë Westervelle pas këtij takimi.