Lajme Shqip Wednesday, 28 March 2012 08:53

Fitorja minimale 1-0 ndaj Benfikës në ndeshjen  parë çerekfinale të Ligës së Kampioneve nuk ka qetësuar Roberto Di Mateon, i cili insiston se sfida është e hapur dhe se ekipi portugez mund të përmbysë gjithçka në ndeshjen e kthimit.

“Kemi vënë veten në një pozicion komod, por ky nuk është një rezultat tek i cili mund të mbështetesh pasi është vetëm një gol. Nëse sheh rezultatet e tyre në Ligën e Kampioneve, nuk është se fle i qetë pas këtij rezultati”, tha ai.

Di Mateo çuditi të gjithë duke lënë jashtë formacionit shumë nga titullarët si Lampard, Drogba e Kahill, për t’i bërë vend Torres, Kalu e Ferreira, me këtë të fundit që luajti ndeshjen e tij të 6-të në këtë sezon.

“Është thjesht çështje freskimi e skuadrës. E dinim që Benfika luante me një ritëm të lartë dhe zgjodhëm lojtarë të freskët të cilët mund të vraponin. Po përdor rotacionin pasi na nevojitet çdo lojtar në këtë fund sezoni. Nuk mund të luajmë vetëm me 11 lojtarë”, tha ai.

Nga ana tjetër, trajneri i Benfikës, Horge Hezus, ka qenë shumë i pakënaqur me rezultatin e kësaj ndeshje. “Ishim superior ndaj Çelsit, por ata thjesht patën fat në një moment të vetëm. Nuk e meritonim të mundeshim, krijuam më shumë raste por në fund ishte Çelsi që mori rezultatin”, ishte zhgënjimi i tij. (LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Tuesday, 27 March 2012 22:17

Çelsi ka siguruar një pozicion mjaft të favorshëm për kalimin në gjysmëfinalet e Ligës së Kampioneve pas suksesit 1-0 në “Estadio da Luz” ndaj Benfikës vendase. Londinezët ishin cilësuar si “jo aq të mirë sa më parë” nga Frenk Lampard para ndeshjes dhe ky i fundit e pësoi duke përfunduar në stolin e rezervave, bashke me një tjetër të paprekshëm, Didier Drogba. Pikërisht zëvendësuesit e tyre, Torres e Kalu, ishin ata që bënë diferencën duke i dhënë suksesin skuadrës së drejtua nga Roberto Di Mateo. 

Ndeshja nuk ka dhuruar shumë emocione dhe në pjesën e parë mund të mbahen mend vetëm një gjuajtje e Kardozos që përfundon jashtë në minutën e 19-të dhe një gjuajtje e Meireles e pritur nga Artur në minutën e 40-të.

Në pjesën e dytë, skuadra shfaqur më shumë aktive dhe vetëm një pozicionim vendimtar i David Luiz ka shpëtuar skuadrën e tij nga goli pas gjuajtjes së Kardozos. Ndërkohë, Huan Mata i shkoi më pranë golit në minutën e 61-të, kur gjuajtja e tij u ndal nga shtylla pasi kishte kaluar portierin e vendasve.

Gjithsesi, goli erdhi në minutën e 75-të kur Torres shpërtheu në krahun e djathtë dhe dha një pasim në qendër për Kalu, i cili nuk mund të gabonte nga ai pozicion dhe e dërgoi sferën në rrjetë.

Ku sukses i jep një avantazh të rëndësishëm Çelsit që ka ndryshuar tërësisht që pas largimit të Vijas Boas, duke u bërë përsëri një skuadër rezultative. (LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Tuesday, 27 March 2012 08:37

Mesfushori i Çelsit, Frenk Lampard, ka treguar tronditur ambientin e skuadrës londineze me një deklaratë që nuk do të kënaqë drejtuesit dhe tifozët në ditën kur ekipi përballet me Benfikën në Ligën e Kampioneve.

“Rezultatet dhe vendi që mbajmë në tabelë nuk gënjejnë – nuk jemi aq të mirë sa ishim mësuar të jemi. Ne kishim një fortesë këtu, por për arsye të ndryshme nuk arrijmë të përsëritim atë formë. E dinim që derbi ndaj Totenhem është i vështirë. Por unë mendoj se nuk ishim mjaftueshëm të fortë ndaj tyre. Duhej të luanim si ndaj Napolit”, tha mesfushori për televizionin e klubit.

Sipas tij, skuadra duhet të bëjë maksimumin për t’u ngjitur mes 4 më të mirave në kampionat, aty ku ka përfunduar 9 sezonet e fundit radhazi. “Çelsi duhet të jetë mes katër më të mirave. Nuk dua t’i mungoj në respekt 5 klubeve të tjera në vendet e para por ne e meritojmë të jemi aty me aftësitë që kemi. Janë 5 pikë diferencë dhe ka shumë ndeshje për t’u luajtur për të kapur Totenhemin. Por tani duhet të luajmë çdo ndeshje si finale, nuk ka më vend për gabime”, tha ai.

Edhe trajneri Di Mateo është detyruar të pranojë se mesfushori kishte pjesërisht të drejtë. “Statistikat e tregojnë, ndaj është e vështirë ta refuzosh një gjë të tillë. Por jemi në çerekfinalet e Ligës së Kampioneve dhe në gjysmëfinalen e Kupës FA. Ka ende ndeshje deri në fund të sezonit dhe mund të kthejmë gjithçka në favorin tonë”. (LajmeShqip.com)