Lajme Shqip Wednesday, 05 February 2014 12:30

Ashtu sikundër me kandidaturën e Gjinishit për në Arabinë Saudite, deputeti socialist Ben Blushi ka shprehur sërish rezerva ndaj kandidaturës së propozuar nga qeveria për ambasador në Vatikan. Kritikat e 

tij kanë qenë për përdorimin e dialektit geg në shkrimet e botuara në media apo publicistikë nga kandidati Ndreca.

 “Në këtë CV që keni, ka mundësi që të votoj pozitivisht për zotin Ndreca si ambasador në Vatikan. Kemi folur herën e kaluar për parimet e laicitetit.

 Kemi folur sot për flamurin. Kushtetuta e ka të sanksionuar që bashkë me flamurin shteti shqiptar ka edhe 

disa simbole të tjera. Një nga këto është edhe gjuha letrare. E shoh në CV tuaj, ju e konsumoni veprimtarinë tuaj në gegërisht nëse s’e kam gabim?!

 Unë shkruaj vetë zoti Ndreca dhe kur je mendimtar i lirë mund të shkruash nga të gjitha dialektet e shqipes. Por, jo kur je zyrtar i shtetit, sepse shteti ka disa parime si gjuha, flamuri, simbolet kombëtare janë ta  pacenueshme.

 Të mos paragjykohem se jam kundër gegërishtes, por të paragjykohem si njëri i cili beson se gjuha letrare, laiciteti i shtetit janë thelbi i një kombi”, deklaroi Blushi. Kandidati Ndreca theksoi se shkrimet janë jo zyrtare 

dhe se në punën zyrtare do të përdorë gjuhën zyrtare, madje pa gabime, jo siç mund të ketë ndodhur me ndonjë dokument zyrtar që kam marrë në të shkuarën. 

“Të gjitha shkrimet që flitet këtu janë shkrime jozyrtare, shkrime letrare ose ese. Për sa kohë që standardi i vitit 1972 është dhe do të jetë gjuha zyrtare e Republikës së Shqipërisë, unë në gjuhën zyrtare do të përdor 

këtë standard, ashtu siç e kam përdorur deri tani. Madje, e përdor me më pak gabime se letrat shqiptare që kam marrë ndonjëherë prej administratës shtetërore”, theksoi Ndreca, raporton Shekulli.

Ndërsa deputeti Dokle vlerësoi tre kandidaturat dhe theksoi se “diplomati duhet të njohë mirë vendin ku shkon dhe z. Ndreca do ta bëjë shumë mirë punën në Selinë e Shenjtë, duke qenë se e njeh shumë mirë atë vend”. 

 
Lajme Shqip Monday, 13 January 2014 22:39

Deputeti i Partisë Socialiste, Ben Blushi, në një intervistë për Gazetën Panorama, ka folur për arsyet se pse Shqipëria nuk e mori statusin e vendit të kandidatit për BE.

Blushi godet Edi Ramën, sipas të cilit, statusi nuk u dha për shkak se Shqiptarët janë shumica myslimanë.

Deputeti i PS, për ta kundërshtuar Ramën në këtë pikë, merr si shembull Kosovën.

“Europa kishtare nuk është Europa politike. Dhe Europa e ditëve tona nuk është Europa e kryqëzatave dhe inkuizicionit të Mesjetës. Pa ndërhyrjen e Europës, Kosova myslimane do të ishte ende nën Serb”.

Ne po sjellim të plot përgjigjen e Ben Blushit.

 

Z.Blushi, Shqipëria nuk e mori dot statusin kandidat në BE me gjithë rekomandimin pozitiv të Komisionit Europian. Kryeministri Rama fajësoi forcat ekstremiste brenda BE që na shohin si vend mysliman dhe jo mosarritjen e standardeve të brendshme, siç pretendon opozita. Cilat mendoni se janë arsyet e refuzimit dhe a kemi shanse ta marrim statusin në qershor?

Blushi: Shqipëria fatkeqësisht nuk e mori statusin e vendit kandidat, çka nuk ishte një gjë e papritur jo vetëm duke njohur Europën e ditëve tona, por mbi të gjitha duke njohur Shqipërinë.

Është e vërtetë që në Europë ka një hezitim të madh sa i takon zgjerimit. Europa nuk po kalon ditët e veta më të mira. Ndryshimi i balancave politike në botë, gjermanocentrizmi i theksuar i Bashkimit Europian, kriza financiare dhe pasiguria e tregjeve kanë ndryshuar Europën gjatë viteve të fundit. Pesimizmi është tipari kryesor i europianëve sot, pavarësisht ku jetojnë ata. Europa nuk është më një kontinent entuziast. Ka shumë papunësi, ka rënie të nivelit të shkollave të veta, ka dobësim të partive tradicionale politike, ka fragmentarizmin dhe pamundësi për qeverisje të forta dhe plane afatgjata zhvillimi.

Tani që flasim suksesi i zgjerimit e ka konsumuar efektin e vet mbi tregjet dhe sidomos mbi ekonominë. Europa ka më pak arsye të zgjerohet shpejt duke marrë përsipër ekonomitë e paqëndrueshme dhe defektet e vendeve përreth, përfshi këtu edhe Shqipërinë. Sikur Europa sot ta kishte në dorë, ndoshta nuk do të përfshinte Greqinë në Bashkimin Europian, vendim i cili me shumë sesa ekonomik rezultoi të ishte politik. Këto arsye sot kanë rënë, çka ndikon edhe mbi fatin e Shqipërisë, e cila nuk është gati të hyjë në Europë. Për këdo që njeh Shqipërinë, refuzimi nuk ishte dhe nuk do të jetë habi edhe në të ardhmen.

Shqipëria nuk ka kryer reformat e duhura në 20 vitet e fundit.Në përgjithësi ajo perceptohet si një vend ku krimi dhe korrupsioni janë aleatë dhe ushqim i klasës politike pa dallim. Ky është perceptimi i përgjithshëm. Prandaj, besoj se në vend që të fajësojmë Europën duhet ta kthejmë Shqipërinë në një vend të gatshëm për t’u anëtarësuar. Sado që gjuha e disa grupeve anti-europiane brenda Bashkimit Europian është e hidhur dhe jo gjithmonë e merituar, nuk janë ata fajtorë për Shqipërinë që kemi.

Në Holandë, në Francë, në Angli apo në Greqi sigurisht që ka parti që besojnë se Europa është një projekt i dështuar, të cilit i ka ardhur fundi, por ky ekstremizëm që do të shtohet në vitet që vijnë, ende nuk i ka bërë asnjë dëm Shqipërisë, sepse ai nuk e ka qeverisur këtë vend. Pra, të thuash se është faji i ekstremistëve në Europë për refuzimin e statusit nuk është realiste.

Kush më bind se është faji i ekstremistëve holandezë që në Shqipëri janë vrarë me armë mbi 6 mijë veta në 20 vjet. A janë përgjegjës ekstremistët francezë që Shqipëria është në vendin më të ulët në Europë sa i takon korrupsionit? A mund të bëhen me faj ekstremistët grekë që 1 milion shqiptarë e braktisën Shqipërinë në 20 vjet? A mund të fajësojë dikush ekstremistët europianë për vitin 1997, apo për vrasjet e 21 janarit? Jo. Pa dyshim që jo. Këto krime janë produkt direkt i ekstremistëve shqiptarë. Kjo është e vërteta. Shqipëria është qeverisur nga shqiptarët dhe europianët nuk kanë mundur dot, me gjithë kushtëzimin e tyre shpesh romantik dhe të pafrytshëm, ta fusin këtë vend në normalitet, megjithëse shqiptarët janë një nga kombet më pro-europianë.

Sondazhi i fundit pohonte se 87 për qind e shqiptarëve besojnë se Shqipëria duhet të anëtarësohet në Bashkimin Europian. Por, nëse ne u tregojmë shqiptarëve vetëm periferinë ekstremiste të Europës, kjo mbështetje për integrimin do të bjerë. Si pasojë, në Shqipëri do të ulet besimi se duke u anëtarësuar vendi do të ndryshojë për mirë. Nëse Shqipëria duhet mbrojtur nga ndonjë sëmundje, ky është pesimizmi europian. Pesimizmi nuk duhet të shtohet, por të kurohet, sepse nëse brezat e rinj të Shqipërisë nuk kanë besim se vendi i tyre mund të modernizohet, atëherë pasojat do të jenë të pallogaritshme. Shqipëria do të varfërohet dhe emigracioni do të rritet. Nga ana tjetër gjuha që fajëson Europën mund t’ia shtojë pengesat Shqipërisë në të ardhmen.

Kushdo qofshin ekstremistët europianë, ata janë dhe do të mbeten europianë dhe nesër disa prej tyre mund të jenë në koalicione qeverisëse, sepse europianët nuk do t’i lënë shtetet e tyre pa qeveri për hatër të Shqipërisë. Së fundi nuk besoj se është parimore të fajësojmë ekstremistët në Europë, kur jo më larg se një vit më parë edhe shumica që fitoi zgjedhjet iu lut një partie ekstremiste të hynte në koalicion me të. Ajo parti, pra AK, në atë kohë ishte ksenofobe, raciste dhe fetarisht e njëanshme, megjithëse kishte më pak arsye se shumë parti politike në Europë për të qenë e tillë. Nëse do thoshte po sot, do ta kishim në koalicion dhe nuk besoj se do na ndihmonte shumë për të zbutur ekstremizmin europian. Shqipëria ka vuajtur nga shumë paragjykime gjatë historisë së vet. Disa prej tyre janë ende të gjalla dhe ndikojnë jo pak mbi mendimin e europianëve për ne. Si zakon, paragjykimin e vuan më shumë ai të cilit paragjykimi i drejtohet.

Por, t’u thuash shqiptarëve se nuk po ju pranojnë në Europë sepse jeni myslimanë, kjo është e tepërt. Çdo ekstremist holandez apo danez mund ta thotë, por kushdo që e përsërit ia shton kompleksin popullit të vet. Europa kishtare nuk është Europa politike. Dhe Europa e ditëve tona nuk është Europa e kryqëzatave dhe inkuizicionit të Mesjetës. Europa i ka kapërcyer paragjykimet fetare me kohë dhe me prova, sepse pa europianët Bosnja myslimane do të ishte ende një thertore. Në luftën e Bosnjës janë vrarë me qindra europianë. Çfarë ishin këta? Ekstremistë?! Për cilën fe luftuan dhe vdiqën këta njerëz?

Pa ndërhyrjen e Europës, Kosova myslimane do të ishte ende nën Serbi. Nëse do të niseshin nga feja, europianët do duhet të ishin pro-serbë, por historia e re dëshmon të kundërtën dhe këto akte janë prova se për fatin tonë të mirë jetojmë në një kontinent që udhëhiqet nga drejtësia dhe jo nga feja, nga e vërteta jo nga raca, nga solidariteti dhe jo nga ngjyra. Ky është fati ynë. Jemi evropianë, por nuk e shijojmë dot. Të pretendosh se jemi jashtë Europës sepse jemi myslimanë, është e pavërtetë. E vërteta është se ne nuk jemi ende anëtarë të BE-së jo sepse jemi një vend mysliman, por sepse jemi një vend i pareformuar.  

 

 
Lajme Shqip Monday, 11 November 2013 18:26

Mazhoranca miratoi vetëm me votat e saj projektligjin për asistencë në shërbimin doganor nga kompania “Crown Agents”.

Komisioni i Integrimit megjithatë u përfshi nga debate të shumta.

Opozita tha se kontrata nuk është transparente.

 

Deputeti Genc Ruli përmendi edhe rastet e dështimit të kësaj kompania, ndërsa tha se në kontratë nuk ka asnjë penalitet për kompaninë nëse ajo nuk përmbush kërkesat.

Edhe deputeti socialist, Ben Blushi, e kishte një rezervë ndaj kontratës. Ai tha se është absurde që kjo kompani të mos paguajë taksat.

Kurse deputeti Taulant Balla tha se kontrata do të sjellë 90 milion euro më shumë në dogana që në vitin e parë.

 

Zëvendësministri i Financave, Ervin Mete tha se kontrata nuk cenon asnjë ligj.

Ai shtoi se kjo kompani ka realizuar me sukses projekte të tilla në rajon, duke rritur të ardhurat në arkën e shtetit.

Kjo nuk është hera e parë që deputeti i PS, Ben Blushi, thumbon qeverinë e re.

Pak ditë më parë ai kritikoi punën që po bën Ministria e Jashtme.