Lajme Shqip Thursday, 11 April 2013 19:16

BERLIN – Gjermania ka disa muaj që po ngul këmbë për pezullimin e lëvizjes së lirë pa viza në vendet e Shengenit për qytetarët e Serbisë dhe të Maqedonisë dhe tani po merr edhe mbështetjen e BE-së për këtë.

Siç raporton “Deutsche Welle”, Shtetet e BE-së së shpejti mund të kërkojnë përsëri viza për qytetarët që vijnë nga vendet e Ballkanit. Komisioni përgjegjës i Parlamentit Evropian votoi në Bruksel pro idesë që vendet e BE-së mund ta pezullojnë për një kohë të kufizuar të drejtën e udhëtimit pa viza për qytetarët e vendeve të caktuara që nuk janë anëtare të BE-së, p.sh. Serbia apo Maqedonia.

Për shkak të rritjes së numrit të azilkërkuesve nga vendet e Ballkanit komunat gjermane kanë kërkuar rifutjen e detyrimit të vizave dhe përshpejtimin e procedurave të azilit. Vetëm në janar të këtij viti në Gjermani kërkuan azil 7.000 vetë. Kjo qe një rritje me rreth 50 për qind më shumë se muajin e kaluar dhe rreth 60 për qind më shumë se e njëjta periudhë e vitit të kaluar. Ministri i Brendshëm gjerman Hans-Peter Friedrich kërkoi për këtë shkak një ndryshim të rregullit për vizat në nivelin e BE-së.

Për shkak të numrit në rritje të azilkërkuesve gjashtë shtete anëtare, ndër to dhe Franca e Gjermania, kanë kërkuar nga BE-ja që të miratojë një klauzolë për rastet e jashtëzakonshme, e cila mundëson pezullimin për një kohë të kufizuar të së drejtës së udhëtimit pa viza. Parlamenti i BE-së, Komisioni i BE-së dhe Këshilli ka disa muaj që po diskutojnë për këtë dhe tani pritet që rregullat e BE-së të plotësohen shtuar me këtë klauzolë.

Sipas vendimit të komisionit shtetet e BE-ja mund ta anulojë qarkullimin pa viza në qoftë se ka një “rritje të konsiderueshme dhe të papritur” të numrit të emigrantëve të paligjshëm ose të kërkesave të pabazuara për azil – gjithsesi vetëm si “mjet i fundit”.

Shumë azilkërkues nga Serbia dhe Maqedonia janë romë. Ata konsiderohen si emigrantë ekonomikë që nuk janë të persekutuar politikisht. Autoritetet gjermane e refuzojnë shumicën e kërkesave të tilla. Si arsye për rritjen e kërkesave vitin e kaluar qe vendimi i Gjykatës Kushtetuese Gjermane i verës së vitit 2012, sipas së cilës përfitimet për azilkërkuesit duhet të rriten.

Të Gjelbrit në Parlamentin Evropian e kritikuan idenë e klauzolës për pezullimin për një kohë të kufizuar të së drejtës së udhëtimit pa viza si një masë, e cila do të diskreditojë të drejtën e azilit. Për më tepër, numri i kërkesave për azil nga vendet e Ballkanit Perëndimor në Gjermani ka rënë ndjeshëm kohët e fundit.(LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Saturday, 29 December 2012 15:09

SHBA – Ish-zëvendës shefi i CIA-s për Ballkanin, Stiven Majer ka deklaruar se kufijtë në Ballkan akoma janë çështje të hapura, por nuk ka vend më për krijimin e shteteve të mëdha etnike.

“Gjithsesi se janë të mundshme ndryshime të kufijve, por kjo duhet të jetë me marrëveshje, patjetër duhet të jenë pjesë e ndonjë pakoje. Nuk ka asgjë të shenjtë sa i përket kufijve. Megjithatë, tanimë nuk është e mundshme që të kemi Shqipëri të Madhe apo Serbi të Madhe. Kur flasim për ndryshimin e kufijve, nuk mendoj se Ballkani mund të përjetojë ndryshime të mëdha”, ka deklaruar Majer në një intervistë për agjencinë shtetërore maqedonase të lajmeve MIA. 

Si mundësi për ndryshime të mundshme të kufijve ai ka përmendur Bosnjë – Hercegovinën dhe Kosovën, si mundësi për të bërë ndryshime të vogla të kufijve dhe ndarjen e territoreve. Ai ka folur edhe për Maqedoninë dhe mundësinë e ndarjes së saj. “Të gjitha duan copë nga Maqedonia. Bullgarët vlerësojnë se Maqedonia është Bullgari Perëndimore, shqiptarët duan pjesën e tyre, dhe në të kaluarën këtë e bëri Serbia. Por, Maqedonia tani është një vend që vepron shumë me përgjegjësi” , deklaroi ish-zyrtari i lartë i CIA-s për Ballkanin.(B.W/LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Thursday, 25 October 2012 19:39

LUKSEMBURG – Ministrat e Brendshëm të disa vendeve të Bashkimit Evropian janë takuar sot në Luksemburg, për të diskutuar mundësinë e pezullimit të liberalizimit të vizave për disa vende të Ballkanit. Ministrat e BE-së kanë argumentuar se pezullimi i përkohshëm i vizave është i nevojshëm, për të frenuar kërkesat e pabaza për azil.

Komisionarja për Çështje të Brendshme e BE-së, Cecilia Malmstrom, deklaroi se keqpërdorimi i sistemi të azilit “është rritur në mënyrë të konsiderueshme” që kur Shqipërisë, Bosnjës, Maqedonisë, Malit të Zi dhe Serbisë u është dhënë e drejta e udhëtimit pa viza në zonën e Schengenit.

Në konferencën për shtyp, që u zhvillua pas takimit, Malmstrom bëri të ditur se brenda 10 ditësh do të vizitojë Tiranën, ku do të diskutohet rreth masave për parandalimin e azilkërkuesve.

“Shumë vende të BE-së janë të shqetësuar. Ky proces është shumë i rëndësishëm për të rritur kontaktet mes njerëzve. Eshtë një proces që duam ta zgjerojmë dhe ta vazhdojmë. Numri i azilkërkuesve është rritur me 75% që nga viti i kaluar. Do ta diskutojmë këtë në Tiranë, në nëntor. Do tu kërkojmë vendeve të Ballkanit perëndimor që të bashkëpunojnë me ne përveç përmirësimit të rregullave të brendshme.”- deklaroi Malmstrom.

Ministrat e BE-së thonë se shumica e azil-kërkuesve nxiten nga motivet ekonomike. Sipas ministrit suedez për Emigracionin, rreth 15 mijë kërkesa për azil politik janë të pabaza, ndërsa vendi më problematik është Serbia.

Belgjika, Luksemburgu, Gjermania, Franca, Austria dhe Holanda i kanë dërguar një letër Brukselit, për t’i kërkuar një përshpejtim të aktivizimit të mekanizmit të sigurisë, që u propozua fillimisht nga Komisioni Evropian dhe që lejon rivendosjen e përkohshme të vizave në rrethana të jashtëzakonshme. Megjithatë kjo çështje ka qenë temë debati mes shteteve anëtare dhe Parlamentit e Komisionit Evropian.(LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Saturday, 13 October 2012 08:23

Berli – Pas rritjes së kërkesave për azil nga shtetasit e Serbisë e Maqedonisë Gjermania kërkoi kthimin e vizave. Kërkesa për pezullim është bërë sot në BE nga Ministri i brendshëm i Gjermanisë, Hans-Peter Friedrich.

Sipas të dhënave zyrtare, serbët dhe maqedonasit përbëjnë gati një të tretën e të gjitha kërkesave për azil politik në Gjermani, muajin e kaluar, megjithatë të dy vendet janë kandidatë për integrim në Bashkimin Evropian.

“Rritja e keqpërdorimit të sistemit të azilit është i papranueshëm…fluksi i madh i shtetasve serbë dhe maqedonas duhet të ndalet menjëherë”, deklaroi ministri Friedrich.

Regjimi i udhëtimit pa viza në hapësirën Shengen për Serbinë dhe Maqedoninë filloi në vitin 2009, ndërsa për Shqipërinë dhe Bosnjën në vitin 2010. (LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Thursday, 27 September 2012 08:38

Prishtinë – Bashkimi Evropian ka njoftuar zyrtarisht Qeverinë e Kosovës se Qeveria e Serbisë ka nënshkruar protokollin teknik për zbatimin e marrëveshjes së menaxhimit të integruar të kufirit. Marrëveshja do të vendosë në pikëkalimet kufitare me Serbinë prezenca të përbashkëta të autoriteteve të Serbisë dhe të Kosovës e që do të ndihmohen nga EULEX-i, qe vlerësuar si njëra nga konkluzat më të rëndësishme të arritura në dialogun teknik mes Kosovës dhe Serbisë.

Të dyja palët, Kosova dhe Serbia, pritet që brenda pak javësh të krijojnë grupin e përbashkët punues që do të merret me zbatimin e marrëveshjes.

“Jemi njoftuar se Serbia e ka nënshkruar protokollin teknik. Ne e mirëpresim këtë veprim, por presim që marrëveshja të zbatohet”, ka thënë për “Kohën Ditore” zëvendëskryeministrja e Kosovës që pati përfaqësuar palën kosovare në dialogun teknik, Edita Tahiri.

I emëruari i Qeverisë së re serbe për dialogun teknik, Dejan Paviçeviq, ka thënë në një intervistë për REL se Qeveria e Serbisë do të kërkojë rol ekzekutiv të EULEX-it në pikat e përbashkëta doganore me Kosovën, që, sipas tij, nuk do të jenë pika doganore. Deklarata e Paviçeviqit është interpretuar nga mediet në Beograd si përpjekje e Serbisë që të ndryshojë konkluzionin e arritur mes palëve. Zëdhënësja e përfaqësues së BE-së, Maja Kocijancic, ka përsëritur për “Kohën Ditore” se marrëveshjet e arritura duhet të zbatohen dhe se BE-ja nuk negocion përmbajtjen e tyre.

Sidoqoftë, pikëkalimet problematike në Bernjak e Jarninjë do të kenë status të veçantë, si rezultat i një marrëveshjeje të shtatorit të vitit të kaluar të Qeverisë së Kosovës me KFOR-in e EULEX-in. Qeveria e Kosovës ka marrë për obligim që të respektojë marrëveshjen e 9 shtatorit, që pati mundësuar vendosjen e doganierëve kosovarë nga  KFOR-i dhe EULEX-i në pikëkalimet kufitare 1 dhe 31. Ajo parasheh që Kosova në të dy pikëkalimet të ketë vetëm nga tre zyrtarë: nga një përgjegjës për pikëkalimet, nga një zyrtar policor dhe një doganier.

Që të gjashtë zyrtarët kosovarë po qëndrojnë në Jarinjë dhe në Bërnjak, që nga 16 shtatori i vitit të kaluar transportohen atje nga KFOR-i dhe EULEX-i.

Sipas marrëveshjes, në pikëkalimet e përbashkëta me Serbinë do të vendosen vetëm simbolet e BE-së.(LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Thursday, 14 June 2012 11:56

Bruksel -Duke ndryshuar bazën ligjore, Parlamenti evropian u përjashtua nga vendimmarrja që mundëson rikthimin e përkohshëm të kufijve të brendshëm, duke kërcënuar seriozisht lirinë e lëvizjes.

Parlamenti i kërkoi sqarime në seancë urgjente debati Presidencës Daneze, e cila u fshikullua nga të gjitha grupet politike.

Guy Verhofstadt, president i ALDE, Belgjikë:
“Për fat të keq zoti Ministër, pak minuta para nisjes së debatit, ju publikuat një deklaratë për shtyp në gjuhën daneze, por i kemi ca anëtarë danezë që lexojnë, ku thuhet se kjo marrëveshje është e mirë për Europën, është produkt i një dialogu të thellë me Komisionin dhe Parlamentin. Zoti Ministër, ne nuk jetojmë në Mesjetë më. Sot jetojmë në shekullin e 21, ku baza nuk është dialogu, por vendim-marrja e përbashkët në një shoqëri moderne dhe në një Parlament modern”.

Hannes Swoboda, President S&D, Austri:
“Ju e bëtë shumë të lehtë për ne zoti Ministër. Gjithçka ju thoni shkon fiks në të kundërtën e asaj çfarë ne besojmë, dhe ne jemi tërësisht kundër këtij vendimi. Grupi i socialistëve e demokratëve shprehet i prerë kundër vendimit tuaj. Ju jeni në rrugë të gabuar e të rrezikshme”.

Joseph Daul, president i PPE, Francë:
“Duke vendosur njëanshmërisht, kundër opinionit të Komisionit, Ministrat e Brendshëm morën një vendim tërësisht të papranueshëm për  grupin e PPEsë, e falenderoj zonjën Malmstrom për kurajon.Ajo nuk u gjunjëzua para Këshillit. Ju keni shkatërruar metodën komunitare. Ju nuk mund t’a bëni këtë kështu”.

Debatit i parapriu mbledhja e jashtëzakonshmë e Komitetit parlamentar për çështjet e brendshme, të drejtësisë dhe lirive civile, e cila vendosi të shfrytëzojë të drejtën për të paditur Këshillin para Gjykatës Europiane të Drejtësisë, siç paralajmëroi Martin Shulc pas konferencës së kryetarëve të PE. Me shumicë votash, Komiteti përgjegjës parlamentar miratoi ndryshimet e veta ligjore si për mekanizmin vlerësues, ashtu dhe mbi rivendosjen e përkohshme të kufijve, duke injoruar vendimin e 7 qershorit të Këshillit të Ministrave te Brendshëm të BEsë.

Carlos Coelho, raportues i LIBE, PPE, Portugali:
“Unë akuzoj Këshillin se ka qënë i fiksuar nga dëshira për të shtuar kontrollet në kufijtë e brendshëm. Unë e akuzoj Këshillin se nuk do në të vërtetë një përcaktim vlerësimi për sistemin shengen”.

Morten Bodskov, ministër i Drejtësisë, Presidenca Daneze e BE:
“Do të ishte e gabuar t’a kthenim këtë në një sherr mes Këshillit dhe Parlamentit, sepse të nderuar anëtare, asgjë nuk mund te jetë më gabim e më e dëmshme, sepse ne duam forcimin e bashkëpunimit në Shengen dhe Këshilli shpreson për dialog të mëtejshëm mbi tërësinë e paketës shengen, jo vetëm për propozimin mbi kontrollet kufitare, por edhe mbi çështjen e mekanizmit të vlerësimit”.

Rebecca HARMS, bashkëkryetare për Të gjelbërit, Gjermani:
“Ne do t’i drejtohemi gjykatës. Kjo nuk është një ditë e mirë për Danimarkën apo Europën siç ju thoni në raportin tuaj. Është dita më e trishtë e gjithë presidencës suaj të Këshillit”.

Kjo shënon seancën e fundit plenare për Presidencën Daneze të BEsë, e cila u mbyll njësoj si seanca e janarit, në nisje të mandatit, me debatin për marrveshjen Shengen.  (TCh)

 
Lajme Shqip Friday, 08 June 2012 18:10

Luksemburg – Vendet e Bashkimit Evropian kanë rënë dakort dje që të rivendosin përkohësisht kontrollet kufitare brenda zonës Shengen në rast rritje të numrit të emigrantëve të paligjshem ose në rast se ekziston një kërcënim serioz për rendin publik e sigurinë e brendshme.

Vendimi është marrë dje nga Ministrat e Brendshëm të 27 vendeve anëtare të BE te mbledhur në Luksemburg. Rregulli i ri parashikon një “mekanizëm emergjence”, sipas të cilit vende të veçanta anëtare mund të mbyllin kufijtë e tyre “si rruga e fundit”, në rast se një tjetër shtet i BE-së nuk kontrollon si duhet kufijtë e tij të jashtëm dhe në rast se “kërcënohet në mënyrë të rëndë” siguria e brendshme e shteteve të tjera, që do të thotë: në rast se si pasojë hyjnë në BE një numër i madh migrantësh të paligjshëm. Koha maksimale për këtë masë do të jetë jo më shumë se dy vjet.

Danimarka e cila mban Presidencën e rradhës së BE e ka përkrahur këtë vendim. Ndërsa Komisionerja për Punë të Brendshme në BE, Sesilia Malmstrom, e ka kundërshtuar vendimin duke shprehur zhgënjim. Kundër ka qënë edhe Presidenti i PE Martin Shulz që e cilësoi vendimin e BE kundërproduktiv duke premtuar se do ta kundërshtojë këtë vendim në PE.

“Lëvizja e lirë brenda një zone pa kufij të brendshëm është shtyllë e Bashkimit Evropian”, tha ai. “Parlamenti Evropian nuk do të pranojë asnjë arsye për kontrollet kufitare pa një mekanizëm të duhur, ku të vlerësohet dhe monitorohet nëse kjo masë është e nevojshme ose jo” është shprehur Shulz.

Ministrat e Brendshëm të Francës dhe Gjermanisë ishin mes zyrtarëve që insistuan për këtë vendim.  “Ne jemi të gatshëm për të vepruar aty ku siguria e qytetarëve tanë është në rrezik”. Është shprehur Ministri i Brendshëm i Gjermanisë Hans-Peter Friedrich. Marrëveshja mundëson që vendet e BE-së të rikthejnë kontrollet kufitare deri në një vit, në rast të “rrethanave të jashtëzakonshme.

Vendimi i Minstrave të Brendshëm të BE vjen në një kohë kur shumë vende evropiane përballen me krizën ekonomike dhe rrezikun e një emigracioni të paligjshëm që mund të vijë nga vende jashtë Shengen. (LajmeShqip.com)