Lajme Shqip Wednesday, 22 February 2012 23:06

Bazeli tregon dhe një herë se është skuadra e minutave të fundit, duke arritur të marrë një fitore të luftuar 1-0 kundër Bajern Mynih, skuadër që të gjithë mendonin e do të kalonte lehtësisht turnin. Zviceranët nuk kanë luajtur si skuadër “e vogël” dhe nuk janë frikësuar përballë gjigandëve bavarezë, duke luftuar që nga minuta e parë për të kërkuar me ngulm golin. 

Nëse miqtë kanë patur rastet e tyre me Gomez e Riberi, edhe zviceranët nuk kanë patur më pak, duke goditur dy herë shtyllën e portës së mbrojtur nga Nojer. Falë insistimit në pjesën e dytë dhe zëvendësimeve të sakta të Vogël, në minutën e 84-t, Bazeli ka kaluar në avantazh. I sapofuturi në lojë Zoua kalon kundërshtarët pa vështirësi dhe jep një pasim në diagonal për Shtoker, një tjetër zëvendësues, ndërsa ky i fundit dërgon topin mes këmbëve të Nojer. 1-0 dhe tashmë zviceranët mund të vazhdojnë të ëndërrojnë, pasi në ndeshjen e kthimit mund t’u mjaftojë edhe një barazim për të bërë të pamenduarën, duke u ngjitur mes 8 skuadrave më të mira të kontinentit. (LajmeShqip.com)