Lajme Shqip Wednesday, 04 April 2012 09:04

Frenk Riberi ka qenë një nder lojtarët vendimtarë për kualifikimin e Bajern Mynih në gjysmëfinalet e Ligës së Kampioneve, ku bavarezët duket se do të presin Real Madrid. Spanjollët kanë fituar 3-0 sfidën e parë me APOEL në Qipro dhe pritet që sonte të kalojnë qetësisht ndeshjen e kthimit në fushën e tyre.

“Mendoj se do të përballemi në gjysmëfinale me Real Madrid dhe kjo do të jetë fantastike për ne. Aktualisht po luajmë shumë mirë. Reali është një klub i madh dhe besoj se do të jenë dy ndeshje të shkëlqyera për ne”, ishin fjalë e Riberi për “Sky” pas përfundimit të ndeshjes.

Ai ka vlerësuar shumë paraqitjen e shokut të skuadrës, David Alaba, i cili dhuroi një paraqitje mjaft të mirë ndaj Olimpikut të Marsejës.

“Nuk është asnjëherë e lehtë kur luan te Bajern Mynih. Duhet të fitosh çdo ndeshje dhe kjo nuk është aspak e lehtë. Por Alaba është një djalosh i shkëlqyer, vetëm 19 vjeç por shumë lojtar i mirë. Nuk e kupton që është një djalosh 19 vjeçar që po luan përkrah teje”. (LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Tuesday, 03 April 2012 22:37

Bajern Mynih ka treguar se e ka seriozisht dhe se këtë vit është pretendent për të fituar Ligën e Kampioneve, ashtu siç është në garë edhe për Kampionatin dhe Kupën e Gjermanisë. Pas fitores 2-0 në ndeshjen e parë në Francë ndaj Olimpikut të Marsejës, bavarezët kanë përsëritur të njëjtin rezultat edhe në shtëpi, duke zhvilluar një lojë spektakolare dhe duke dominuar që nga minuta e parë në të fundit, ndonëse trajneri Heinkes kishte lënë pushim Gomez, Roben e Shvajnshtajger. 

Ekipit gjerman i mjafton një paraqitje spektakolare e Frenk Riberi dhe e Ivica Oliç, me të parin që ndërton aksione dhe të dytin që finalizon në mënyrë perfekte. Kroati shënon dy herë në portën e Mandanda, në minutat 13 dhe 37, për të treguar se nuk ka humbur nuhatjen para porte, ndonëse ka shumë kohë që ngroh stolin.

Pjesa tjetër e ndeshjes është një dialog i Riberi me Mandanda, ku portieri i ekipit francez tregohet heroik duke evituar gola të sigurt në katërkëndorin e tij.

Mbyllet 2-0 mes duartrokitjeve të publikut vendas që pret me padurim sfidën ndaj Real Madrid, me shpresën që të eliminojë spanjollët dhe të luajë për herë të parë një finale të Ligës së Kampioneve në shtëpi. (LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Monday, 02 April 2012 19:23

Trajneri i Olimpikut të Marsejës, Didier Deshamps, ka pranuar se shanset e skuadrës së tij për të kaluar në gjysmëfinalet e Ligës së Kampioneve pas humbjes 2-0 në shtëpi përballë Bajern Mynih janë minimale.

Marsejezët mbërritën vetëm në darkë në Mynih, arena e suksesit të tyre më të madh ndërkombëtar në vitin 1993, ku u shpallën Kampionë Evrope pikërisht me Deshamps si kapiten.

“Do të kemi kundër shumë cilësi por në fund nuk dëshirojmë të na mbetet asgjë pishman dhe do të shohim se çfarë del nga kjo sfidë. Por shanset tona janë minimale”, pranoi trajneri Deshamps.

Marseja nuk po kalon një sezon të mirë dhe aktualisht ka humbur 8 nga 9 ndeshjet e tyre të fundit në të gjitha turnetë. Kjo është arsyeja pse trajneri i marsejezëve beson se skuadra nuk mund të bëjë një lojë ofensive në këtë sfidë.

“Duhet të bëjmë maksimumin tonë në të gjitha pjesët e lojës, nuk mund të hidhemi tërësisht para që në fillim. Ne do të na duhet të mbrohemi, ashtu siç bëmë në 43 minutat e para në takimin e parë”.

“Kjo vazhdon të jetë një çerekfinale e Ligës së Kampioneve. Duhet të jemi realistë, por të paktën duhet të hyjmë me një mentalitet fituesi. Dua t’i tregoj lojtarëve se është privilegj që jemi këtu, por ky privilegj vjen bashkë me përgjegjësi”, përfundoi Deshamps. (LajmeShqip.com)