Lajme Shqip Monday, 22 April 2013 18:44

Prishtinë – Në artikullin e D. Radeta Djordjevic, “Shqipëria e Madhe hyn nëpër derë të madhe” (Velika Albanija na velika vrata), të botuar në gazetën serbe ‘Veçernje Novosti’, analizohen opinionet e tre studiuesve, Dimitris Panatoyakis, Dragan Petrovic dhe Jadranka Polovic, sipas të cilëve, Shqipëria e Madhe praktikisht po funksionon. Pyetja e vetme që shtrohet është se cila do të jetë harta e saktë ballkanike, që do ta trashëgojnë gjeneratat e ardhshme.

Panatoyakis mendon se Shqipëria e Madhe mund të bëhet realitet pa konflikte të mëdha, sepse shtetet rajonale varen shumë nga ndihmat e huaja, gjë që mund t’i detyrojë ta japin pëlqimin për realizimin e saj. Petrovic ndërkaq mendon se suksesi i faktorit shqiptar varet nga ajo sesa do të ndjehen të kërcënuara dhe nga mënyra se si do reagojnë shtetet tjera ballkanike ndaj këtij projekti – gjegjësisht, nëse Serbia, Mali i Zi, Maqedonia dhe Greqia bashkëpunojnë dhe përballen me këtë problem seriozisht, përmes një qëndrimi të përbashkët.

Sipas Dragan Petrovic, historianit dhe potikologut që sapo ka promovuar librin “Gjeopolitika e Mesdheut”, ideja e Shqipërisë së Madhe nuk do të ishte asgjë më shumë se një ide ekstremiste, po qe se pas saj nuk do të qëndronte mbështetja politike e SHBA’ve, Britanisë së Madhe dhe e një pjese të Gjermanisë, megjithëse, në këtë mes, ai përmend edhe mbështetjen e qarqeve të caktuara islamike në botë.

“Faktori shqiptar nuk do të kishte asnjë gjasë, nëse Beogradi, Podgorica, Shkupi dhe Athina, do të bashkëpunonin strategjikisht ndaj kësaj çështjeje, duke u mbështetur tek fuqitë e mëdha, të cilat nuk e pranojnë një gjë të tillë, si për shembull e gjithë aleanca BRIC, por edhe shtetet e BE’së të cilat nuk i mbështesin konceptet kaq ekstremiste, si Franca, Spanja, Italia, Sllovakia, Rumania. Politika amerikane, si sponsoruese kryesore e revizionizmit shqiptar, ka ndikim të fuqishëm në vendet ballkanike, ndërkohë që disa nga qeveritë e këtyre vendeve po veprojnë drejtpërsëdrejti kundër interesave të tyre afatgjata”, thekson në artikull Petrovic. A nuk ishin qeveritë e Podgoricës e të Shkupit ato që e njohën shtetin fantazmë të Kosovës, përderisa zyrtarët e Beogradit, në vitin 2008, bënë një seri gabimesh të papranueshme në raport me Kosovën e Metohinë, madje duke vepruar kundër kushtetutës së vetë, thekson Petrovic, i cili sqaron se, “nëse nuk e respekton vetë kushtetutën e vendit, atëherë mos prit respektim të saj nga të tjerët”.

Analisti grek, Panatoyakis, ndërkaq pohon se “shqiptarët shpresojnë që ëndrra për Shqipërinë e Madhe të realizohet në të ardhmen e afërt, në vitin 2016″. Sipas tij, Washingtoni e Brukseli deri më tani kanë shpenzuar shuma të konsiderueshme parash për këtë qëllim, andaj s’e kanë ndërmend që këto para t’u shkojnë huq. Madje, pas njohjes së Kosovës projekti për Shqipërinë e Madhe është edhe më i realizueshëm sesa në fillim të Luftës së Dytë Botërore, thekson ai.

“I ashtuquajturi shteti kosovar e deklaroi pavarësinë, por me kusht që mos ketë të drejtë bashkimi me ndonjë shtet tjetër. Por, të gjithë e kanë të qartë se është vetëm çështje kohe kur provinca jugore e Serbisë të bashkohet me Shqipërinë. Sepse, kemi një komb të ndarë në dy shtete fqinje, dhe fuqitë e mëdha që mbështesin bashkimin e tyre”, nënvizon Panatoyakis.

Pas bashkimit me Kosovën, thotë Panatoyakis, skenari është i qartë: fillimisht do të iniciohet çështja e perëndimit të “IRJ të Maqedonisë”, e pastaj edhe e pjesëve të tjera të Ballkanit me popullatë shqiptare.

“Shqipëria e Madhe ndoshta nuk ekziston formalisht, por ajo që tani funksionin juridikisht dhe praktikisht, sepse kufiri mes Kosovës e Shqipërisë sikur nuk ekziston, ndërsa ai mes Kosovës dhe IRJ të Maqedonisë është më shumë imagjinar sesa real”, pohon analisti grek.

Përveç territorit aktual të Shqipërisë, në shtetin e madh shqiptar do të duhej të hynin edhe Kosova, Lugina e Preshevës, pjesa perëndimore e IRJ së Maqedonisë, pjesët jugore dhe lindore të Mali të Zi – pra Ulqini dhe disa pjesë të komunave Plavë dhe Rozhajë, si dhe Epiri jugor grek, edhe pse grekët ka kohë që po luajnë me kartën e Epirit verior, ku kryesisht jeton pakica kombëtare greke. Por, shqiptarët gjithçka punojnë në afat të gjatë, sqaron Panatoyakis.

“Vizita e Hillary Cliton rajonit, vitin e kaluar (në Bosnje e Hercegovinë, Serbi, Kosovë, Shqipëri dhe Kroaci), gjatë së cilës ajo nuk udhëtoi fare në Maqedoni, për mendimin tim ishte një ‘dënim me vdekje’ për këtë shtet, ku më parë ushqeheshin ndjenja pozitive ndaj Amerikës. Pra, Shqipëria e Madhe do ta nisë shtrirjen e saj nga Maqedonia”, shprehet politikologjia kroate, Jadranka Polovic, e cila ka mbrojtur doktoraturën me temë ndikimin amerikan në rajon.

Edhe Polovic thekson se, kufiri mes Shqipërisë dhe Kosovës nuk ekziston, ndërkohë që thotë se u beson krerëve të lëvizjes nacionaliste shqiptare, sipas të cilëve, fuqitë e mëdha kanë janë pajtuar për një hartë të re gjeopolitike të Europës, pjesë e të cilës është edhe Shqipëria e Madhe.

“Mendoj se në të ardhmen ka shumë gjasa që Serbia dhe Kroacia ta ndajnë BeH’në, edhe pse ato gjithsesi do të mbeten shtete të vogla krahasuar me Shqipërinë e Madhe, e cila do të funksionojë nën ombrellën e BE’së”, sqaron tutje Polovic.

Studiuesja kroate mendon se ky rikonfigurim i Ballkanit të ndodhë pa konflikte të mëdha (eventualisht, me pak rezistencë në Maqedoni e Greqi), Ajo sqaron se Mali i Zi, Kosova e Maqedonia varen së tepërmi nga ndihma dhe ndikimi i SHBA’ve, ndërkohë që Beogradi, Shkupi, Podgorica dhe Athina do të jenë të detyruar të japin pëlqimin.

“Një rezultat i tillë nuk është fare i papritur, në një rajon ku mbizotëron mentaliteti i të qenit nën mbrojtje të fuqive të mëdha. Të mëdhenjtë arrijnë të merrem vesh më së miri me njëri-tjetrin, ndërkohë që ne të vegjëlve na mbeten inatet e motivuara nga nacionalizmi”, përfundon Polovic.

Nga ana tjetër, Panatoyakis mendon se, Shqipëria e Madhe nuk mund të bëhet realitet përmes rrugëve demokratike.

“Në Kosovë e arritën qëllimin e tyre me luftë, ndërkohë që në IRJ të Maqedonisë atë mund ta arrijnë përmes konflikteve të vogla. Por, kur bëhet fjalë për Greqinë, gjërat ndryshojnë, sepse, pavarësisht problemeve ekonomike, ajo mbetet një shtet serioz dhe i fuqishëm”, mendon Panatoyakis. Andaj, sipas tij, Lëvizja për Shqipërinë Natyrale le të kuptohet se rruga drejt qëllimit përfundimtar do të bëhet përmes mjeteve demokratike, por duke shmangur termin “Shqipëri e Madhe” – gjegjësisht, që projekti të mos asociohet me idenë fashiste të “Shqipërisë së Madhe”, të Luftës së Dytë Botërore. Megjithatë, Panatoyakis thekson se ata po iu referohen gjithnjë e më shumë ushtarëve çlirimtarë si në Maqedoni, ashtu edhe në Luginën e Preshevës.

I pyetur nëse është i mundur bashkimi paqësor i shqiptarëve të Maqedonisë, Malit të Zi, Greqisë, Kosovës e jugut të Serbisë, Petrovic thotë:

“Në rast se këto vende, viktima të Shqipërisë së Madhe – të përgjumura e në disa raste, kukulla të politikave amerikane – pranojnë që të ndodhë kjo gjë, atëherë kjo do të thotë vetëvrasje. Për këtë duhen shfrytëzuar zhvillimet shumë-polëshe botërore, për të dobësuar ndikimin e SHBA’ve dhe të fuqive tjera që e mbështesin idenë e Shqipërisë së Madhe”, përfundon ai.(LajmeShip.com)

 
Lajme Shqip Sunday, 24 March 2013 18:29

Durrës – Ka ardhur koha që të bashkohet kombi shqiptar i ndarë në 6 shtete, por pa pranuar asnjë kompromis në kurriz të lirisë”. Kështu ka deklaruar nga Durrësi, shkrimtari Adem Demaçi, i cili ndodhej në këtë qytet për promovimin e vëllimit poetik “Tung vargu im”. Klubi letrar i Shkrimtarëve dhe Artistëve të Durrësit, ka nderuar shkrimtarin, politikanin e disidentin, me titullin e mirënjohjes, me motivacionin “Për kontributin e dhënë në çështjen kombëtare dhe në letrat shqipe”.

Shkrimtari mori pjesë në promovimin e veprave të tij të plota, në një takim të përbashkët me shkrimtarë, artistë, dashamirës, të organizuar nga Lidhja e Shkrimtarëve të Kosovës dhe Klubi i Shkrimtarëve dhe i Artistëve Durrës. “Fjala e lirisë është fjala e parë”. Kështu thotë shkrimtari Adem Demaçi, i cilësuar si “Mandela i Kosovës”, i cili ka kaluar një kalvar mundimesh prej 29 vjetësh në burgjet politike të Serbisë.

Gjatë fjalës së tij përshëndetëse, Demaçi deklaroi se ka ardhur koha që të bashkohet kombi shqiptar i ndarë në 6 shtete, por pa pranuar asnjë kompromis në kurriz të lirisë. “Unë vdiqa për Kosovën, po s’më deshti vdekja. Ishalla do të rrojmë bashkë për të ecur përpara. Jam i bindur që çlirimin e tokës sonë, Çamërisë, do ta gëzojmë shumë shpejt.

Edhe ne jemi duke punuar, duke pasur parasysh rrethanat, kohën, mundësitë në të cilat po jetojmë. Po jetojmë në një kohë të favorshme për kombin tonë, por edhe në një kohë të dallavereve të mëdha që bëjnë shtetet e fuqishme, e jo vetëm kombet që na rrethojnë”, – tha Demaçi. Ai solli në kujtesë çështjen çame, për të cilën nënvizoi se nuk do të bëhet asnjë kompromis, ashtu si edhe për veriun e Kosovës.

“Këto shtete të mëdha dallaveresh, bënë që të vendosej kufiri në Lumin e Bardhë. Lejuan që të na serbizonin një të katërtën e Kosovës. Ata që e bënë këtë punë, prej nesh kërkojnë zgjidhje për të bërë kompromis, por kompromis nuk ka”, – ka deklaruar shkrimtari e politikani kosovar. Sipas tij, po vjen koha kur çamët do të kthehen në tokat e veta, atje ku u shkrua historia me gjak e me qëndresë.

“Jam i gatshëm që të vdes me çamët. Ta dinë grekët që kjo lëvizje është e drejtë dhe buron nga vendi, nga ata që janë përzënë nga tokat e tyre. Detyra jonë është që të ndihmojmë me çdo mënyrë”, – ka theksuar Demaçi. Duke u ndalur tek krijimtaria e tij, Demaçi tha se letërsia e tij është politikë artistike e përkthyer në ndenja. Më tej ai ka folur për taksat doganore midis dy vendeve, që nuk kursejnë as librat dhe që nuk lejojnë faktorizimin e Kosovës.

“Letërsia e Kosovës nuk njihet në Shqipëri dhe taksat për librat janë njësoj si taksat doganore për mallrat. Më dhemb zemra kur kujtoj që letërsia jonë ende nuk trajtohet në Shqipëri. Ne jemi të penguar, jo vetëm nga grekët e serbët për të mos u faktorizuar, por edhe nga doganat tona”, – u shpreh shkrimtari i njohur Adem Demaçi.(BW/LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Friday, 01 March 2013 16:41

TIRANE – Kryeministri i Kosovës Hashim Thaçi u ndal sot për një vizitë zyrtare në Tiranë.
Thaci u prit nga kreu i qeverisë së Shqipërise, Sali Berisha, me te cilin pas takimit dolen para medias ne nje konference te perbashket per shtyp.

“I informova kryeministrin Thaci për përpjekjet që po bëhen në Shqipëri për një proces zgjedhor të ndershëm e të lirë. Vendosmërinë e qeverisë për një proces të denjë, e njoha dhe me reformat. Gjithahstu e njoha me reformat që po ndërrmer qeveria në mënryë që të përballojë krizën dhe të garantojë rritje ekonomike dhe punësimin e qytetarëve” tha Berisha”, tha Berisha ne nisje te konferences per shtyp.

Kryeministri shqiptar risolli në vëmendje marrëveshjen që ka premtuar për shtetësinë shqiptare për qytetarët e Kosovës. Sipas Berishës, në këtë pikë duhen saktësuar disa pika, sidomos ato për vizat.
“Lidhur me vizat duhet të bëj një saktësi. Për qytetarët e kosovës qëndrimi është njësoj. Kjo do zgjidhet me një marrëveshje me qeverinë e Kosovës në një kohë të përshtatshme. Natyrisht është interesi kombëtar i shqiptarëve, qëllimi kryesor. Por nuk duhet, këtej negociojnë kosovarët me Brukselin me vizat këtej t’u them unë hajde se ua zgjidh unë. Kjo nuk mund të ndodhë. Dëshira ime është nesër që tju akordojë lëvizjen e lirë, por hapa të cilat ndërhyjnë në një proces si ai me Brukselin, këto nuk mund të ndodhin nga Shqipëria”.
Berisha shtoi se “pasi të arrihet ky proces për liberalizmin e vizave ne negociojmë për problemin, ne jemi 1 komb, dy vende, 2 administrata. Ne do bëjmë gjithçka që shqiptarët të jenë një kudo që janë. Do bëjmë cmos që të bashkohen me Europën, sikundër ka hapësirë shumë të madhe që të bëjnë tejet të parëndësishëm kufijtë”.

Lidhur me procesin e liberalizimit të vizave, Thaci theksoi se, Kosova është në rrugën e sigurt për të ardhmen evropiane, porse vonesa po ndodh padrejtësisht nga Brukseli.
“Kthehem nga Brukseli dhe Kosova them me bindje është në rrugin e sigurt për të ardhmen evropiane. E kam ritheksuar se Kosova para 2 vitesh ka kërkuar liberalizimin e vizave. Por duhet të them përsëri se vonesa për liberalizimin e vizave po ndodh padrejtësisht nga mosuniteti i vendeve të BE. Por i mirëpresim të gjitha kriteret e tjera që po vijnë, të gjitha obligimet që bëhen para saj. Në Kosovë ekziston një unitet i gjerë politik qytetar për liberalizimin e vizave”

Dialogu Kosova-Serbi, Thaci: E rëndë të takohem me Dacic, por e bëj për atdheun
“Takimi është i rëndë dhe për mua si Hashim Thaci, për personin tim, por duhet të ulemi dhe të tejkalojmë problemin”, deklaroi sot Thaci nga Tirana gjatë një konference për shtyp me kryeministrin Sali Berisha.

Sic bënë të ditur të dy personalitetet, pikë e takimit të përbashkët ka qenë edhe dialogu që po zhvillohet mes Kosovës dhe Serbisë. Kryeministri i Kosovës Thaçi tha se informoi Berishën për dialogun me Daçiç në Bruksel.
“Informova Berishën për procesin e bisedave që po zhvillohen në Bruksel mes Kosovës e Serbisë, në nivelin më të lartë. Theksova se Serbia është dakorduar më në fund që sistemi i drejtësisë të funksionojë sipas ligjeve të Republikës së Kosovës. Diskutuam se këto takime për normalizimin e plotë e përfundimtar të marrëdhënieve janë në një frymë konstruktive e pozitive deri tani janë zhvilluar 5 takime. Arritën disa pajtueshmëri verbale. Serbia është pajtuar për shpërbërjen e strukturave ilegale që punojnë për destabilitetin e Kosovës” tha Thaçi.

Dialogun Kosovë-Serbi, Berisha e cilësoi si shumë të rëndësishëm, jo vetëm për të dyja vendet por edhe për të gjithë rajonin.

“Progresi në dialogun Kosovë-Serbi është shumë i rëndësishëm për të gjithë rajonin tonë, pasi zgjidhja e një problematike të shumtë të trashëguar nga e shkuara është një arritje e rëndësishme për këto dy vende të pavarura dhe për mbarë rajonin” tha Berisha.

Ai shtoi se nuk duhet të ketë dyshime për zbatimin e marrëveshjeve të arritura në Bruksel mes kryeministrave të të dyja vendeve
“Marrëveshjet që arrihen në dialogun mes Kosovës dhe Serbisë kanë fuqinë politike të Bashkimit Europian. Ato po ndërmjetësohen nga baronesha Ashton e cila është përfaqësuesja më e lartë në politikën e jashtme në Bashkimin Europian. Nuk është mirë që të lihen dyshime për vendosshmërinë e BE-së për të parë këto marrëveshje të zbatuara. Unë jam optimist dhe besoj që ajo që do të arrihet në Bruksel mund të bëhet e prekshme nga qytetarët e të dyja vendeve. Çështjet për të cilat është rënë dakort janë shumë të rëndësishme” shtoi Berisha.

Kryeministri Berisha tha se pavarësia e Kosovës është interesi i mirë i paqes në rajon dhe shprehu mbështetjen e plotë për përpjekjet për integrimin e Kosovës në BE e NATO, si proces tërësisht i mbështetur në meritë.

Nacionalizmi, Berisha: Shqipëria nuk ka pretendime territoriale
Ndërsa mbi deklaratat e tij për kombin shqiptar dhe shqiptarët e bashkuar, të cilësuara nga faktori ndërkombëtar si nacionaliste, Berisha theksoi se do mbrojë interesat e shqiptarëve kudo ndodhen, por pa shkelur të drejtat territoriale.
“Shqipëria nuk ka pasur, nuk ka dhe nuk do të ketë pretendime territoriale. Shqipëria ka qenë e angazhuar në interesin më të mirë të kombit shqiptar, në ruajtjen respektimin e kufijve ekzistues në ballkanin perëndimor dhe në ballkanin në tërësi. Shqipëria bazohet në të gjithë të drejtën kombëtare, konventat që ajo ka vendosur dhe kushtetutën e vendit. Do qëndrojë e palëkundur në mbrojtje të lirive dhe të drejtave të shqiptarëve aty ku ndodhen, që përbëjnë njëkohësisht vlera të sigurta euroatlantike. I tërë qëndrimi i Shqipërisë është ky. Të gjitha përpjekjet për të intimizuar shqiptarët, për të bërë presion mbi ta, për të theksuar më tepër ata, janë të destinuara të dështojnë, e kam fjalën në vende të tjera. Shqiptarët duhet të jetojnë të lirë e të barabartë, aty ku janë. Nqs kjo quhet nacionalizëm, mbetem krenar dhe i vendosur në të”.

Shton Thaci: “Sa i përket opinioneve që ekzistojnë aty-këtu, kur nisëm autostradën, u tha është nacionalizëm, gabohen. Duhet ta modernizojmë hapësirën tonë kudo që jetojmë, Apo magjistralen prej nga nga Prizreni në Tetovë, gabim. E ardhmja e jonë është autostrada evropiane dhe të ketë vlera evropiane për shtete moderne”.(LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Wednesday, 27 February 2013 18:57

Beograd – Ish-presidenti i Serbisë, Boris Tadic, deklaroi se krijimi i “Shqipërisë së Madhe” do të nxiste destabilizim të menjëhershëm të Ballkanit.

Në debatin e organizuar nga grupi socialist në Parlamentin e Evropës, Tadic theksoi se ka qenë kundërshtar i Serbisë së Madhe” dhe “Kroacisë së Madhe” dhe se për këtë arsye kundërshton edhe planet për krijimin e “Shqipërisë së Madhe”, duke shtuar se vetëm përmendja e “Shqipërisë së Madhe” menjëherë shkakton destabilizim.

“Ballkani është një rajon kompleks kur bëhet fjalë për popujt që jetojnë aty, ndërsa shqiptarët nuk jetojnë vetëm në Shqipëri, por edhe në Greqi, Maqedoni, Mal të Zi dhe Serbi”, tha Tadic.

Ai më tutje shtoi se edhe serbët jetojnë në të gjitha shtetet tjera të rajonit, njëjtë sikur edhe boshnjakët dhe kroatët.

Tadic kërkoi nga deputetet e Parlamentit të Evropës që t’ia tërheqin vërejtjen politikanëve dhe udhëheqësve shqiptarë, me qëllim që ata të ndalin “retorikën nacionaliste”.(LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Saturday, 23 February 2013 14:45

Tiranë – Në një kabllogram të faqes Wikileaks që mban datën 15 tetor 2009, ambasadori amerikan në Shqipëri, John Widhers shpreh shqetësim për deklaratat e kryeministrit, Sali Berisha për Shqipërinë e Madhe. Kabllogrami mban titullin: Berisha po flirton me Shqipërinë e Madhe?

Në fillim të gushtit Berisha bëri testin e parë në ujërat e politikës kosovare kur u takua me dy liderë të partive kosovare e nënshkroi me ta memorandume bashkëpunimi. Disa kritikë u tërbuan e fajësuan Berishën se po mbante krah në politikën e Kosovës, nis kabllogrami. Megjithatë tensioni u bë shumë më i lartë kur Berisha në një intervistë foli për bashkimin e kombit shqiptar, raporton gazeta “Shqiptarja”.

Këshilltarët e kryeministrit na thanë se Berisha e sheh veten si një tip këshilltari si një burrë i urtë shteti për politikanët shqiptarë në Kosovë e Maqedoni, thuhet në kabllogram. Qeveria serbe reagoi menjëherë ndaj kësaj deklarate, duke e quajtur dhunim të sovranitetit të Serbisë. Ish- ministri i Jashtëm Lulzim Basha u përgjigj duke thënë se komentet nuk kishin lidhje me bashkimin territorial Shqipëri-Kosovë, por me bashkimin në idealet e BE.

Por tensioni nuk u ul dhe ambasada amerikane mbeti e shqetësuar, sidomos kur Fevziu, që ambasada e quan një analist shumë pranë Berishës, publikoi editorial tek Panorama, që cilësohet si një e përditshme pranë qeverisë. Fevziu shkruante se nuk duhet të ketë askush frikë nga bashkimi mes Kosovës e Shqipërisë. Në këto kushte, Uidhers e thirri Berishën në zyrën e tij duke i thënë se deklaratat e tij komplikojnë përpjekjet e SHBA për të avancuar paqen e stabilitetin në rajon Ambasadori i kërkoi Berishës që të përdorte udhëtimin e tij në Kosovë për të qartësuar qëndrimin e Shqipërisë për sovranitetin e Kosovës, thuhet në kabllogram. Dhe Berisha u soll si një nxënës i mirë. Në kabllogram thuhet se ai tha se komentet e tij ishin keqkuptuar, se kishte bërë kurrë thirrje për unifikimin e dy shteteve.

Një e mirë e këtij keqkuptimi ishte se Ilir Meta realizoi një vizitë në Serbi, thuhet në kabllogram.(LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Friday, 22 February 2013 13:55

TIRANE– Ministri i Jashtëm gjerman Guido Westerwelle mbërriti dje në Tiranë, ndërsa paraditen e sotme nisi takimet me krerët më të lartë të shtetit shqiptar.

Ministri Westerwelle pritet të ketë një axhendë të ngjeshur takimesh sot. Dita nisi me takimin mes tij dhe homologut shqiptar, Edmond Panariti, ku do të diksutohet për marrëdhëniet bilaterale mes Shqipërisë dhe Gjermanisë për një sërë projektesh të përbashkëta.

Vizita e tij në Tiranë do të vijojë me takimet me kreun e shtetit Bujar Nishani, kryeminstrin Berisha dhe kreun e opozitës Edi Rama. Vizita e Westerwelle, vjen pas nje shtyrje të asaj të planifikuar më 14 shkurt, për shkak të një fatkeqësie familjare. 

NISHANI TAKON WESTERWELLE: DO ARRIJMË STANDARTET E KËRKUARA NGA BE 
ORA 13:00-
Presidenti i Republikës, Bujar Nishani priti sot në një takim Ministrin e Punëve të Jashtme të Republikës Federale të Gjermanisë, zotin Guido Westerwelle, i cili po zhvillon një vizitë zyrtare në Tiranë. 

Në vijim të shkëmbimit të mirëseardhjes, Presidenti Nishani shprehu mirënjohjen ndaj popullit gjerman dhe qeverive të tij për mbështetjen që i kanë dhënë Shqipërisë në fushën ekonomike, për anëtarësimin në NATO, lëvizjen e lirë të qytetarëve të saj dhe për mbështetjen e vazhdueshme në udhëtimin europian. Integrimi Europian mbetet objektivi prioritar dhe Shqipëria do të vazhdojë angazhimin e saj për arritjen e standardeve të kërkuara me qëllim që jo vetëm të jetë një kontributore në Bashkimin Europian, por që qytetarët shqiptarë të përfitojnë nga këto standarde.

Kreu i Shtetit nënvizoi faktin se Shqipëria ka kapacitete dhe infrastrukturën e nevojshme për të zhvilluar zgjedhje të lira dhe të ndershme, por sfida e vetme mbetet kultura politike e aktorëve dhe shprehu bindjen se klasa politike shqiptare do ta kalojë këtë sprovë me sukses. Presidenti Nishani e siguroi ministrin Westerwelle se “Shqipëria ndonëse një vend i vogël ka luajtur dhe do të vazhdojë të luajë rolin e saj si kontribuese thelbësore e paqes, sigurisë dhe stabilitetit në rajon duke forcuar marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë, bashkëpunimin rajonal dhe duke inkurajuar shqiptarët që të mbështesin zhvillimin e demokracisë dhe prosperitetin ekonomik në vendet ku ata jetojnë. E gjitha kjo bazohet në një traditë sipas të cilës shqiptarët u kanë ofruar fqinjëve miqësi dhe paqe”.

Në përgjigje Kryediplomati gjerman u shpreh se vjen me një mesazh shumë të qartë e të thjeshtë se “Gjermania do të jetë në anën tuaj sidomos gjatë udhëtimit tuaj europian. Për ne nuk është një çështje kombëtare apo ekonomike, por një qëndrim politik dhe strategjik që të gjithë vendet e rajonit të Ballkanit Perëndimor duhet të jenë anëtarë të Bashkimit Europian”.

Në këtë kuadër, Ministri i Jashtëm Westerwelle veçoi se kriteret janë kërkesa objektive duke vlerësuar për momentin si shumë të rëndësishme përgjegjësinë e faktorëve politikë në zgjedhjet e ardhshme parlamentare dhe realizimin e kritereve të Komisionit Europian. 

Presidenti Nishani dhe Ministri Westerwelle shprehën bindjen se Shqipëria dhe Gjermania mbeten partnerë seriozë në bashkëpunimin dypalësh, shumëpalësh dhe në procesin e integrimit europian.

WESTERWELLE: KUJDES ME NACIONALIZMIN, MBANI ZGJEDHJE ME STANDARTE
ORA 10:23- Ministri i Jashtëm gjerman Guido Westerwelle në konferencën e përbashkët me homologun e tij shqiptar, Edmond Haxhinasto vlerësoi se Shqipëria është një vend që ka para shumë sfida por edhe shanse.

Ai nënvizoi se Gjermania e mbështet perspektivën evropiane të Shqipërisë, ndërsa i bëri apel politikës për konsensus e bashkëpunim, duke hequr dorë nga retorikat e ashpra. Sipas, Westerwelle Shqipëria duhet të fokusohet edhe tek zgjedhjet, të cilat duhet të jenë sipas standardeve evropiane.

“Kjo është vizita ime e parë, deri tani kam fituar një përshtypje mjaft të mirë për vendin tuaj dhe ju. Ju jetoni në një vend që ka sfida të mëdha, por edhe shanse të mëdha. Arsyeja e vizitës sime është që të thelloj marrëdhëniet e vendeve tona. Gjermania është një partner i rëndësishëm tregtar i Shqipërisë, por edhe qeveria federale është e angazhuar këtu me një numër të madh projektesh. Që prej vitit 1998 Gjermania i ka dhënë mbështetje Shqipërisë me 1 miliardë euro. Shqipëria e përqendron vështrimin e saj drejt Europës dhe ne këtë e përshëndesim. Por për këtë duhen plotësuar disa kritere. Ekziston konsensus në shoqëri për perspektivën evropiane, ky konsensus duhet të gjejë vend edhe në politikë. Demokracia, sundimi i ligjit, pavarësia e gjyqësorit, por mbi të gjitha zgjidhja e mosmarrëveshjeve nëpërmjet dialogut dhe jo polemikave të ashpra. Prandaj është e rëndësishme që zgjedhjet të zhvillohen mbi bazën e parimeve evropiane”, nënvizoi ministri gjerman. 

Ministri gjerman konfirmoi edhe njëherë mbështetjen e plotë të Gjermanisë për integrimin e Shqipërisë në BE, ndërsa shtoi se ky proces varet mbi të gjitha nga plotësimi i kritereve.

“Nënvizoj edhe njëherë qëndrimin gjerman, është në një linjë me miqtë dhe partnerët në Europë. Ne duam perspektivën evropiane për Shqipërinë, por secili hap varet nga plotësimi i kritereve. Për këtë kanë rëndësi jo vetëm të drejtat por edhe zbatimi. Pasi të kemi marrë raportin, atëherë do marrim vendimin tonë. Për sa i përket Gjermanisë nuk ka as lëshime, as vështirësime artificiale. Ne këtë proces e vlerësojmë drejt, ashtu sic duhet”, shtoi ai.

Ministri Westerwelle theksoi ndër të tjera se, “Fakti që sot jemi një shtet i fortë dhe i suksesshëm varet ngaqë Gjermania ka nxjerrë mësime nga e kaluara, ne mendojmë që bashkëpunimi është gjithnjë më i mirë se konfrontimi. Ne nuk bëjmë premtime të shumta, por ato që bëjmë i mbajmë”, shtoi ai më tej.

Kreu i diplomacisë gjermane, i pyetur nga gazetarët ka komentuar edhe deklaratat e fundit nacionaliste të politikës shqiptare. Duke apeluar të kihet kujdes me to, Westerwelle tha se as në Evropë, e as në Ballkan, Gjermania nuk lejon ndryshime kufijsh.

“Emocionet dhe ndjenjat nacionaliste duhen trajtuar me shumë kujdes sidomos në kohën e një fushate elektorale. Qëllimi i përbashkët duhet të jetë që një ditë të bukur të gjitha vendet e rajonit të jenë pjesë e BE dhe qytetarët të lëvizin lirisht. Për ne ndryshimet e kufijve nuk lejohen, as në Ballkan. Sipas mendimit tonë kufijtë në Evropë nuk hiqen dhe ndryshohen, thjesht humbasin rëndësinë kur je në Evropë”, shtoi ai. 

PANARITI: NUK KEMI PRETENDIME TERRITORIALE ME FQINJËT
Duke iu përgjigjur interesit të gazetarëve mbi marrëdhëniet e me fqinjët, Panariti ritheksoi qëndrimin se “Shqipëria as nuk ka patur, as nuk ka as nuk do të ketë pretendim territorial ndaj fqinjëve.

“Të theksoj edhe një herë qëndrimi ne qeverisë shqiptare në vullnetin e palëkundër për të patur marrëdhënie të fqinjësisë së mirë dhe bashkëpunim konstruktiv me vendet e rajonit. Shqipëria do vijojë të luajë si më parë rolin në Ballkan si stabilizuese e paqes dhe prosperitetit. Shqipëria as nuk ka patur as nuk ka dhe as nuk do këtë ketë pretendime territoriale ndaj fqinjëve. Ne jemi të angazhuar që të plotësojmë rolin tonë nëpërmjet grupeve të kontaktit”, ritheksoi Panariti.

PANARITI: GJERMANIA MBËSHTETJE PËR INTEGRIMIN
ORA 09:55
Shefi i diplomacisë shqiptare Edmond Panariti gjatë konferencës së përbashkët për shtyp me homologun gjerman Guido Westerwelle u shpreh se Shqipërinë e Gjermaninë e pret një e ardhme premtuese bashkëpunimi. Panariti bëri me dije se gjatë takimit ka falënderuar ministrin gjerman për mbështetjen që Gjermani i jep vendit tonë në integrimin Evropian.

“Ne konfirmuam nivelin e shkëlqyer të marrëdhënieve mes dy vendeve tona. Ne diskutuam mbi forcimin e partneritetin midis dy vendeve tona, zhvillimin e marrëdhënieve dy paleshe në të gjitha fushat me interes të ndërsjelltë, sidomos në procesin e integrimit Evropan të Shqipërisë. Sidomos në problemet në Ballkanin Perëndimor. E falënderova për mbështetjen që gjermania ka dhënë në procesin e integrimit evropian të Shqipërisë. Ministri më shprehu mbështetjen për marrjen e statusit kandidat të Shqipërisë. Nga ana tjetër e sigurova për përkushtimin e autoriteteve shqiptare dhe popullit shqiptar për tu integruar BE”, u shpreh Panariti. 

Situata në Ballkanin Perëndimor ishte një tjetër cëshjte në tryezën e diskutimit mes ministrit të jashtëm shqiptar dhe atij gjerman. Panariti bëri me dije se i konfirmoi homologut të tij angazhimin e Shqipërisë në forcimin e fqinjësisë së mirë dhe rolit bashkëpunues në rajon.

“Diskutuam mbi marrëdhëniet dhe situatën e Ballkanit Perëndimor. Vlerësove rolin konstruktiv të Gjermanisë në rajon dhe e sigurova që jemi të angazhuar për forcimin e marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë dhe do të luajmë një rol bashkëpunues në rajon. Kjo vizitë siguron vazhdimësinë e marrëdhënieve shqiptare gjermane’”, tha Panariti. 

Panariti falënderoi ministrin gjerman për mbështetjen që vendi i tij ka dhënë ndër vite si partner strategjik i Shqipërisë teksa theksoi se “e ardhmja e bashkëpunimit mes dy vendeve është premtuese”. 

NISI TAKIMI I MINISTRIT TE JASHTEM GJERMAN ME PANARITIN
Ora 09:14
Ministri i Jashtëm gjerman Guido Westerwelle u prit paraditen e sotme në ambientet e ministrisë së Jashtme, ku u prit nga kreu i këtij institucioni Edmond Panariti.

Pas takimit pritet që dy homologët të mbajnë një konferencë të përbashkët shtypi për mediat.(LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Saturday, 16 February 2013 13:10

Agjencia e lajmeve Reuters citon letrën e Departamentit amerikan të Shtetit, drejtuar Ministrisë së Jashtme në Tiranë, e cila thotë se liderët shqiptarë janë duke u hedhur në “territor potencialisht të rrezikshëm”, marrë parasysh historinë e konflikteve etnike në Ballkan.

“Deklaratat e tilla, jo vetëm se nxisin sjellje të zjarrtë dhe shmangie nga prioritetet e këtij rajoni, por edhe dhunë potenciale, ashtu si edhe shkatërrim të paqes dhe stabilitetit dhe ndikim në marrëdhëniet tona”, thuhet në letrën e DASH-it, citon Reuters.

Po sipas kësaj agjencie ndërkombëtare, letra u bën thirrje politikanëve shqiptarë që të qëndrojnë “jashtë punëve të Serbisë”, e cila “ndodhet në bisedime delikate për normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën”.

Zëdhënësi i Ambasadës së Shteteve të Bashkuara në Tiranë nuk ka pranuar të komentojë letrën.

Kryeministri shqiptar, Sali Berisha, ka folur disa herë për bashkimin e Shqipërisë dhe të Kosovës në një shtet.

Ai po ashtu ka paralajmëruar shqyrtim të marrëdhënieve me Serbinë, pas heqjes në Preshevë të lapidarit të ushtarëve të rënë të UÇPMB-së, nga ana e xhandarmërisë serbe.(LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Thursday, 14 February 2013 13:28

Prishtinë –  Kreu i qeverisë së Kosovës, Hashim Thaçi duke kritikuar ashpër Brukselin sa i përket raporteve me Kosovën, ka paralajmëruar mundësinë e bashkimit kombëtar si përgjigje ndaj politikave të BE-së, që i ka quajtur të padrejta.

“Nëse vazhdon të sillet kështu Brukseli sa i përket liberalizimit të vizave, atëherë shqiptarëve nuk iu mbetet tjetër hapësirë, vetëm të akomodohen si një shtet i vetëm në Bruksel”, ka deklaruar kryeministri Hashim Thaçi në Kuvend, në përpjekje për të larguar përgjegjësin e Qeverisë për mosarritjen e liberalizimin e vizave.

Thaçi ka deklaruar se ka shumë burokratë në Bruksel që e trajtojnë Kosovën me nostalgjinë e ish-Jugosllavisë, duke shtuar se problemi i liberalizimit të vizave nuk qëndron në Prishtinë, por te mosuniteti i vendeve të BE-së. Kryeministri Thaçi ka thënë se kriteret janë plotësuar në afat rekord nga ana e Prishtinës.

Por lëvizja Vetëvendosje thotë se raporti i dytë për liberalizimin e vizave nuk është vetëm një dokument më shumë që evidenton ngecjet dhe regresin nëpër të cilin po kalon vendi ynë, por është certifikatë e dështimit të Hashimit dhe njoftim për izolim.

“BE-ja, përmes Komisionit Evropian dhe përmes Raportit të fundit mbi liberalizimin e vizave e tha fjalën e vet, dhe është e qartë: Qytetarët e Kosovës duhet të zgjedhin në mes të qeverisjes së Hashimit dhe liberalizimit.

Ky pasqyrim përmban fakte për korrupsion, krim të organizuar, sistem të munguar gjyqësor, stagnim në të drejta të njeriut, më pak fjalë tregon se kjo qeverisje ka dështuar për të ndërtuar shtet funksional”, thuhet në reagimin e VV-së.

Në kuadër të pikës Deklarime të lira jashtë rendit të ditës, deputeti i AAK-së, Ardian Gjini u shfaq kritik ndaj dukurisë së braktisjes së mbledhjeve të Kuvendit, edhe pse në mbledhjen e fundit Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës vetë e braktisi sallën, duke mos u pajtuar me propozimin e Qeverisë së Kosovës për anëtarët e Bordit të Bankës Qendrore.

  Siç u shprej ai, AAK-ja është zotuar se nuk do ta lëshojë më sallën e Kuvendit, cilido qoftë emër i propozuar nga Qeveria për çfarë do problemi.(LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Sunday, 03 February 2013 15:07

MYNIH – Gjatë fjalës së tij në ditën e dytë të punimeve të Konferencës së 49 të Sigurisë në Mynih, Kryeministri Berisha theksoi se albanofobia është e gjallë dhe përbën një kërcënim për stabilitetin në rajon.

Ndërsa nënvizoi se kufijtë mbeten të parëndësishëm nëpërmjet procesit të integrimit evropian, shefi i qeverisë shqiptare e cilësoi të papranueshme që shqiptarët e copëtuar në 5 shtete të shndërrohen në 5 kombe të ndryshme.

“Nëse ju shihni hartën e Europës nuk gjeni vend tjetër të rrethuar nga bashkëkombas dhe deti, siç janë sot shqiptarët të ndarë në 5 shtete.E rrezikshme është ideja, sipas të cilës meqënëse shqiptaret janë të coptuar në 5 shtete, duhet të shndërrohen në 5 kombe të ndryshëm nga njëri-tjetri. Kjo është tërësisht e papranueshme. Kjo do te prodhonte dhe provokonte reagimin e kundërt.”- deklaroi Berisha.

Kryeministri e konsideroi vendimtare për rajonin respektimin e plotë dhe implementimin e marrëveshjeve dhe refuzimin e çdo ideje se shqiptarët për aq kohë sa jetojnë në 5 shtete duhet të kthehen në 5 kombe.

“Në rajon situata më delikate është ajo e shqiptarëve. Kur flas me miqtë e mi kroat, slloven dhe madje edhe me ndonjë serb, ata më pohojnë me sinqeritet se çfarë ‘baruti” urrejtje dhe përbuzje është akumuluar gjatë një shekulli për shqiptarët Kjo është e vërteta. Dhe kjo është e shprehur duke vonuar zbatimin e marrëveshjeve, duke përkujtuar fillimin e fushatave të asgjësimit masiv të shqiptarëve. Ne kemi menduar se ne duhet të adaptojmë modelin e BE, të bazuar në pajtimin midis Francës dhe Gjermanisë. Por kjo ne rajon nuk po ndodh. Prandaj unë këmbëngul në implementimin e marrëveshjeve dhe refuzimin e çdo ideje se shqiptarët për aq kohë sa jetojnë në 5 shtete duhet të kthehen ne 5 kombe, sepse nuk do te pranohet nga shqiptarët. Kjo do të ketë për alternativë bashkimin e tyre kombëtar.”- deklaroi kryeministri. 

Më pas, deputeti gjerman Rainer Stinner pyeti se cili ishte mesazhi i kryeministrit Berisha për ta?
Ndërsa kryeministri iu përgjigj: “Ju lutem përpiquni të kuptoni më mirë, me drejt këto që unë paraqita këtu, të njiheni më mirë me realitetin në rajonin tonë. Dua ta ilustroj këtë me një shembull; Në vitin 1992 unë kam qenë këtu ne Mynih në të njëjtën Konferencë. Një gazetar italian i Corriere della Sera më pyeti se çfarë mendoja unë si zgjidhje për konfliktin në rajon. Unë ju përgjigja se zgjidhja qëndronte për mendimin tim në bombardimin e instalimeve dhe bazave ushtarake në Serbi. Ai të nesërmen hapi gazetën me lajmin: Berisha kërkon që NATO të bombardojë Beogradin. Por kjo nuk ishte vërtetë. Unë isha shprehur për bombardimin e bazave ushtarake të Serbisë dhe kjo 7 vjet më vonë ndodhi. Ndofta do kishte qenë më mirë të mos ishte vonuar. Edhe sot pas 21 viteve, e vetmja gjë që unë sërish kërkoj nga ju është një analizë më realiste dhe më të vëmendshme për zhvillimet në rajon. Sepse në rast se nga njëra anë tjetri flet për perspektivën e marrëdhënieve bilaterale dhe nga ana tjetër feston datat e fillimit të fushatave të shfarosjes së kombit shqiptar, imagjinoni vetë se çfarë mesazhi fqinjësie është ky. Prandaj e konsideroj të domosdoshme të zbatohen marrëveshjet, të punohet për klimën e pajtimit. Duhet të hiqet dorë nga albanofobia dhe përpjekjet për të klonuar 5 kombe shqiptare të veçanta nga një komb i cili në të vërtetë është një dhe në shekuj e mijëvjeçarë ka qenë vetëm një. Unë shpresoj se perspektiva europiane do të jetë ajo që do të sigurojë një zgjidhje. Kur gjermanët dhe francëzët u bashkuan ne BE ata u bashkuan me një frymë të fortë pajtimi dhe ata u udhëhoqen prej saj dhe frymëzuan kombet e tjera në Europë. Por në të vërtetë kjo nuk po ndodh në rajonin tonë.”- deklaroi kryeministri.(B.W/LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Friday, 01 February 2013 18:12

Konfigurimi i hapësirës gjeostrategjike në Ballkan. Si po përgaditet projekti i ashtuquajtur i “Shqipërisë së Madhe” sipas gazetës kroate “Slobodna Dalmacija”.

E përditshma kroate “Sllobodna Dalmacija”, e datës 31 janar 2013, ka publikuar një artikull, “Amerikanët vite me radhë pregatisin projektin e Shqipërisë së Madhe”
që ka të bëjë me bashkimin e shqiptarëve, duke iu referuar deklaratave dhe informacioneve e njohurive që ka mbledhë gazetarja Lola Wright.
“Është proces i pandalshëm bashkimi i shqiptarëve”, ka deklaruar në Tiranë kryeministri shqiptar Sali Berisha, deklaratë që është transmetuar në disa media regjionale  si paralajmërim për projektin “Shqipëria e Madhe”. Sipas gazetës, për këtë ide në të vërtetë është biseduar edhe gjatë shënimit të 100 vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë, që shumë zëshëm dhe zhurmshëm është festua në Tiranë, por edhe në Prishtinë e Shkup.

Që nga fundi i vitir 2010, Koço Danaj, drejtor i Institutit për parashikime rajonale dhe këshilltar i tre kryeministrave të Shqipërisë, ka thënë se viti 2013 duhet në mënyrë paqësore dhe të qetë të formohet shteti shqiptar, që do të përfshinte të gjitha territoret shqiptare. Përderisa disa analist pohojnë se shteti i ri shqiptar është projekt real, i cili tek disa zgjon frikë dhe panikë  dhe mund të sjellë deri në tensionime të reja, të tjerët theksojnë se fjalët e Berishës janë keqinterpretuar.
 
“Projekti amerikan i krijimit të Shqipërisë së Madhe në të vërtetë në mënyrë të ngadalshme rrugëve dhe me mjete diplomatike dhe ushtarake po realizohet tashmë vite me radhë. Ekziston një histori e angazhimit amerikan në regjion, por kur është fjala për këtë projekt, duhet rikujtuar  për disa pika kyçe. Këto janë: bombardimi i Serbisë më 1999 që i bënë amerikanët  përmes NATO-së, pas së cilave bombardime NATO hyri në Kosovë dhe vendosi 50.000 trupa mirë të armatosura”, shkruan gazeta “Slobodna Dalmacija”.
Dr. Jadranka Poloviç, politikogole nga Spliti thekson se në kuadër të projekteve amerikane është edhe Marrëveshja e Ohrit, projekt amerikan, me të cilin ka filluar procesi i reformimit të Maqedonisë, përmes ndryshimeve kushtetuese, miratimit të një sërë ligjeve  që u sigurojnë shqiptarëve të Maqedonisë më shumë të drejta.

“Pika e tretë kyçe është mbështetja e SHBA-ve pavarësisë së Malit të Zi dhe Kosovës, që ka dobësuar Serbinë dhe Serbia ashtu e dobësuar është dekompozuar ndaj në atë mënyrë është vendosur një ekuilibër në regjion. Politika amerikane me këtë angazhim diplomatiko-ushtarak ka përgatitur projektin e Shqipërisë së Madhe”, ka theksuar  Poloviç.

Rëndësia e Kosovës si pjesë e Evropës juglindore
 
“Slobodna Dalmacija” shkruan më tej se Evropa juglindore, njësoj si në të kaluarën edhe sot  ka rëndësi të posaçme dhe të veçantë  gjeopolitike, gjeoekonomike dhe gjeostrategjike, që përcaktojnë ardhmërinë politike të regjionit.  Është e lidhur me Mesdheun (Mediteranin), Lindjen e afërt, rajonin e Kaukazit dhe të Azisë së mesme, por edhe në rajonin e Danubit dhe Evropën e mesme, që gjithmonë ka qenë interes i fuqive të mëdha.
“Në të vërtetë, Evropa juglindore është rruga më e shkurtë e kah Evropa Perëndimore  për rajonet e Azisë së mesme të pasur mjaft me gaz dhe naftë si dhe basenit të Kaspikut dhe si rajon i tillë, po bëhet pjesë e ‘lojës së re gjeopolitike’, respektivisht hapësirë  në të cilën rivalizohen interesat e SHBA-ve, Evropës, Rusisë dhe Turqisë”, ka shtuar Dr. Poloviç.

Ajon analizon se projekti i vendosjes së dominimit amerikan në Evroazi fillon në të vërtetë në Evropën juglindore duke filluar me Shqipërinë dhe përfundon me Kinën.  SHBA-të gjeostrategjinë e vet ndaj Azisë së mesme e mbështesin  në vendet proamerikane në Evropën juglindore-Maqedoninë, Shqipërinë, Rumaninë, Bullgarinë, Turqinë dhe Greqinë dhe në kontekstin më të ri edhe në Kosovë dhe vendet e regjionit të Kaspikut si Azerbejxhani, dhe Uzbekistani, por edhe Gjeorgjia dhe Ukraina, në të cilat siç thuhet zgjerohet strategjia e unifikimit dhe amerikanizimit të botës.

“Pikërisht kryeministri i Kosovës, si shtet i ri të krijuar me përdorimin e instrumenteve politike amerikane është bërë tregues i vazhdimësisë së dominimit amerikan në regjion  dhe përpjekjet që të ruhet dominimi unipolar  jo vetëm në Evropën juglindore, por edhe më gjerë në Evroazi”, ka vlerësuar Poloviç, duke shtuar se Kosova mbetet “suksesi” amerikan në përvetësimin e rregullave  të demokracisë, miratimit të dhe mësimit të leksionit të tregtisë së lirë dhe hapjen për investitorët e huaj. Sipas saj, politika amerikane tundë dhe dridh me të gjitha projektet në Kosovë.

A mund të priten trazira?

“Nuk presim trazira. Në të vërtetë, udhëheqësit e Lëvizjes kombëtare shqiptare  këto ditë kanë deklaruar  se SHBA-të dhe Rusia janë marrë vesh për ridefinimin e kufijve, në atë mënyrë që Presheva, Kosova, por besoj se edhe pjesë të Maqedonisë  dhe të Malit të Zi, do ti bashkëngjiten Shqipërisë, në kuadër të Shqipërisë së Madhe. Unë vërtetë u besoj, sepse që moti konfigurimi i hapësirës së ish-Jugosllavisë po bëhet përmes proceseve integruese: bashkërenditjen  dhe bashkëngjitjen regjionit të NATO-së dhe Unionit Evropian. Shtetet nacionale humbin kuptimin, aktorët global avancohen përmes projekteve të zgjerimit  të demokracisë, të drejtave të njeriut dhe tregtisë së lirë, që nënkuptojnë globalizimin e mjerimit në regjion. Shtetet e reja janë tërësisht dhe krejtësisht të varura nga kapitali i huaj, e për këtë këto ditë e shohim Qeverinë e  Kroacisë, që po zbatojnë si nxënës të shkëlqyeshëm të gjitha urdhrat që ua imponojnë aktorët e jashtëm”, vlerëson politikologia kroate.

Gazeta më tej nënvizon se rajonin e Ballkanit po e trand papunësia e madhe dhe e lartë, apatia e njerëzve, dallimet e paimagjinueshme sociale, ndërsa pikërisht vendet e “suksesshme” amerikane si Shqipëria, Kosova dhe Mali i Zi mund të shënohen dhe të etiketohen si vendet me kriminalitet më të lartë.

Pasojat e pavërejtura

Historiani dhe hulumtuesi ekonomik William Engdahl thekson se “pasojat e pavërejtura: të politikës amerikane pas bombardimit të Serbisë kanë qenë ndërtimi i rrjetit të gjerë të bazave të reja ushtarake amerikane. Pas luftës në Kosovë, SHBA-të kanë vendosur bazën “Bondsteel” në kufi ndërmjet Kosovës dhe Maqedonisë, si pikë e gravitacionit të shtabit që avionëve ushtarak amerikan u ka mundësua dhe u mundëson qasje në rajonet e pasura me naftë në regjionet e Lindjes së afërme dhe në rajonin e Liqenit Kaspik dhe kontrollin e plotë mbi Mesdheun.

“Në kohën kur është ndërtuar “Bondsteel”, asokohe, ajo ka qenë baza më e madhe amerikane me 7.000 ushtar, që është ndërtuar nga amerikanët pas luftës së Vietnamit,  e pas kësaj baze kanë filluar ndërtimi i bazave ne Hungari, Bosnjë e Hercegovinë, Shqipëri dhe Maqedoni”, ka përfunduar Dr. Poloviç, që e transmeton gazeta e përditshme kroate “Slobodna Dalmacija”. (INA/LajmeShqip.com)