Lajme Shqip Sunday, 19 January 2014 13:35

Damask- Presidenti sirian Bashar al-Assad tha se nuk ka ndërmend të japë dorëheqjen. Agjensia e lajmeve Interfax citoi se Assad gjatë takimit në Damask me një deputet rus duke thënë se nëse do të donte të dorëzohej do t’a kishte bërë që në fillim.

 
Ai shtoi se kjo çështje nuk do të diskutohej as në bisedimet e paqes në “Geneva 2”. Qeveria Siriane së bashku me grupet e opozitës dhe diplomatët nga vendet e ndryshme të perëndimit do të marrin pjesë në bisedimet e paqes në Zvicër, javën e ardhshme, shkruan shqiptarja.
 
Grupet e opozitës kanë kërkuar më parë largimin e Assad si kusht për çdo diskutim mbi një qeveri të përkohshme.

 
Lajme Shqip Tuesday, 03 September 2013 11:22

Washington – Ndërsa Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë duke përgatitur një sulm të mundshëm mbi Sirinë, ekziston një imazh të cilin administrata e Obamës nuk do të dëshironte që të publikohej kurrë.

Sekretari Amerikan i Shtetit, John Kerry, i cili ka krahasuar Bashar al-Assadin me Hitlerin dhe Saddam Hussein në një fjalim të gjatë gjatë së dielës, shfaqet në këtë foto duke darkuar me presidentin e Sirisë, në vitin 2009.

Assad dhe Kerry, në atë kohë një ish-kandidat për president i SHBA-së dhe një prej senatorëve me më shumë ndikim në Senat, duken tepër të përfshirë në bisedë, ndërsa gratë e tyre i qëndrojnë nga pranë.

Një kamarier me veshje popullore siriane i qëndron pranë, ndërsa Kerry dhe Assad shijojnë darkën, e cila nuk mund të konsiderohet si një pritje diplomatike, por një kortezi personale e Presidentit të Sirisë. Për ironi të fatit, pas atij takimi, Kerry deklaroi në mediat amerikane se ishte takuar me “partnerin” al-Assad, me qëllim që të diskutonte mbi mbarëvajtjen e procesit të paqes në Lindjen e Mesme.

Imazhet e këtij takimi, u publikuan të hënën nga “Daily Mail” dhe disa rrjete të tjera mediatike botërore./topchannel/