Lajme Shqip Thursday, 19 July 2012 08:10

Prishtinë – Qendrës Klinike Universitare e Kosovës (QKUK) ka bërë të ditur emrat e barnave të produkteve të kompanisë farmaceutike serbe Hemofarm që ndodhen në këtë klinikë, një ditë pasi një institut amerikan përi të ditur se bimët farmaceutike të kësaj kompanie përmbajnë bakterje të rrezikshme, të cilat shkaktojnë ndërprerjen e punës së mushkërive dhe vdekjen.

“QKUK njofton opinionin publik se bazuar në furnizimin e bërë nga ana e Ministrisë së Shëndetësisë, nuk figurojnë prodhime të kompanisë ‘Hemofarm’ dhe nuk ka nevojë të krijohen shqetësime dhe panik në mesin e pacientëve që trajtohen në QKUK”, thuhet fillimisht në komunikatë.

Por, më pastaj thuhet po ashtu se bazuar në Memorandumin që ka me Doganat e Kosovës dhe me AKPM, e që parasheh që barnat e konfiskuara të dorëzohen në QKUK në formë të donacionit. Në këto produkte që QKUK ka në dispozicion nga Hemofarm thuhet se përfshihen barnat si vijon:

Propafen 150 mg tableta;
Hidroklortiazid Amilorid 50 mg tableta;
Sinelip Gemfibrozil 450 mg tableta;
Redrirork ( dehidroergotoksinë) 1.5 mg tableta;
Diklofen retard 100 mg tableta;

“Këta artikuj janë përdorur që nga momenti i fillimit të zbatimit të Memorandumit dhe nga ana e mjekëve nuk janë vërejtur efekte anësore gjatë përdorimit tek pacientët”, thuhet në fund të komunikatës.

Bazuar në disa analiza që i ka bërë agjencia amerikane për ushqim dhe ilaçe FDA, është zbuluar se bimët e kompanisë farmaceutike serbe Hemofarm, kanë baktere të rrezikshme, të cilat shkaktojnë ndërprerjen e punës së mushkërive dhe vdekjen.

Autoritetet nga fusha e shëndetësisë kanë thënë se nuk duhet krijuar panik në lidhje me këto barna, pasi që ato nuk importohen në Kosovë që nga dhjetori i vitit të kaluar. Por, të njëjtit e kanë konfirmuar se nëpër barnatore ka ende barna të Hemofarm-it, ndërkaq nuk kanë paralajmëruar masa për tërheqjen apo konfiskimin e tyre. (LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Tuesday, 17 July 2012 15:45

Prishtinë – Agjencia Kosovare për Produkte Medicinale ende nuk ka marrë ndonjë vendim për largimin nga tregu të produkteve mjekësore të kompanisë farmaceutike të Serbisë, Hemofarm.

Produktet e kompanisë farmaceutike serbe Hemofarm, për shkaqe dokumentacioni jo të rregullt, që nga janari i këtij viti janë ndaluar të importohen në Kosovë. Prandaj, përfaqësues të Agjencisë Kosovare për Produkte Medicinale nuk shohin ndonjë rrezik tani për tani nga ilaçet e kësaj kompanie. Kryeshefi Ekzekutiv i kësaj Agjencie, Ilir Dushi në një konferencë për media, tha se janë marrë të gjitha masat e duhur për ta pasur situatën nën kontroll.

 “Masa e parë është që të vazhdohet bllokimi i importit të kompanisë deri në momentin që të sqarohet gjendja. Masa e dytë është që t`ju rekomandohet të gjithë qarkulluesve si me shumicë ashtu edhe me pakicë që të kenë kujdes më produktet e kompanisë dhe të raportojnë për ndonjë problem që shfaqet nga ana e produktit”.

Dushi tha Kosova është i vetmi vend në rajon që ka reaguar rreth këtij problemi duke shtuar se presin vendimin e Agjencisë Amerikane për Ushqim dhe Ilaçe dhe nëse ata vërtetojnë se prodhimet e tilla janë të dëmshme atëherë do të ndalohet rreptësishtë. Agjencia amerikane për ushqim dhe ilaçe FDA, në një raport të saj, thotë se ka zbuluar në bimët e kompanisë Hemofarm, baktere që shkaktojnë ndërprerjen e punës së mushkërive dhe vdekjen. (LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Monday, 16 July 2012 17:17

ShBA – Agjencia amerikane për ushqim dhe ilaçe, FDA thotë se ka zbuluar në bimët e kompanisë farmaceutike serbe, Hemofarm, bakterie që shkaktojnë ndërprerjen e punës së mushkërive dhe vdekjen, shkruajnë mediat serbe.

Agjencia në fjalë para dy javësh iu ka dërguar letër udhëheqësve të Hemofarmit dhe kërkon kontroll të cilësisë përmes trajnimit të ri të të punësuarve, pastaj ridizenjimin e hapësirave të caktuara, rritjen e pastërtisë etj.

Prodhimet e Hemofarmit gjenden në shumicën e farmacive të Kosovës. Ndërkohë që kontrolli i barnave në Kosovë është në nivele të ulëta, atëherë këto barna të rrezikshme janë lehtësisht të përdorshme nga popullsia në Kosovë, por të transportueshme edhe në Shqipëri.