Lajme Shqip Thursday, 08 March 2012 10:37

Rudi Fëler, ish-Kampion Bote me Gjermaninë dhe tani në rolin e drejtorit të përgjithshëm te Bajer Levrkusen, ka parë nga afër se si Mesi shpërbeu ekipin e tij në ndeshjen e Ligës së Kampioneve. Për këtë arsye, legjenda e futbollit gjerman nuk ngurron të bëjë një krahasim mes argjentinasit dhe dy legjendave të futbollit botëror, Maradona e Pele.

“Nuk është vetëm për pesë golat që na shënoi sot, ai ka vite që tregon këtë nivel. Ai tashmë është në të njëjtin nivel me Pele dhe Maradonën”, tha gjermani që kundër “Pibe D’Oro” ka luajtur në finalet e Botërorëve 1986 dhe 1990.

Që pas natës së mbrëmshme, Lionel Mesi ka marrë një tjetër nofkë që është shfaqur në faqet e para të të gjitha gazetave spanjolle, “Manita de Dios”, duke bërë lojë fjalësh me pesë golat e tij dhe nofkën “Dora e Zotit” që iu vu golit të Maradonës përballë Anglisë.

Por Paolo Rosi, një lojtar që e njeh mirë Maradonën pasi ka luajtur shpesh kundër tij, është i bindur se Mesi është më i mirë se ish-rivali i tij në kampionatin italian dhe me kombëtaren.

“Ndoshta mund të cilësohet herezi por sipas meje, Mesi mund të cilësohet më i mirë se Maradona. Diego kishte goditje të ndryshme, ishte një gjeni, shpikte lëvizje e veprime, por në nivelin realizues Mesi është i pabesueshëm. Sigurisht që duhet të plotësojë udhëtimin e tij duke fituar me kombëtaren por jam i bindur se ka shumë kohë në dispozicion për ta bërë një gjë të tillë”, tha ish-kampioni i Botës me Italinë në vitin 1982.

Por vetë Mesi vazhdon të shfaqet modest në deklaratat e tij. “Është gjithmonë bukur kur shënon 5 gola, por tani për tani, për ne ishte e rëndësishme të kalonim turin pasi në këtë pikë çdo ndeshje ka vështirësinë e saj. Duam të fitojmë përsëri Ligën e Kampioneve dhe Kupën e Mbretit, ndërsa në kampionat do të luftojmë deri në fund”, ishin fjalët e argjentinasit i cili është larguar nga fusha e “Kamp Nou” duke marrë si dhuratë topin e ndeshjes. (LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Thursday, 08 March 2012 09:05

Trajneri i Barcelonës, Pep Guardiola, parashikon se ai nuk do të shohë më një futbollist të kalibrit të Lionel Mesit, pas ndeshjes ku ky i fundit shënoi 5 gola për të gjunjëzuar Bajer Leverkusenin me rezultatin 7-1 në Ligën e Kampioneve. 

Talenti argjentinas dhuroi spektakël duke shënuar në mënyra të ndryshme, por goli i tij i parë dhe ai i tretë ishin kryevepra pasi kaloi me lehtësi topin mbi portierin kundërshtar Leno, fillimisht me të majtën e pastaj më të djathtën.

“As unë dhe as ju nuk do të shihni më një lojtar të tillë në jetën tuaj”, tha Guardiola në konferencën për shtyp pas ndeshjes. Ne dëshmuam një nga netët speciale të Mesit sonte, është një dhuratë për ne dhe gjithmonë do të mburrem duke thënë se e kam stërvitur unë”.

“E vetmja kredo që mund të marr është se e vendos gjithmonë në formacionin titullar dhe ne sigurohemi që topi të përfundojë në këmbët e tij. Pas kësaj, detyra jonë ka përfunduar. Froni i futbollit botëror i përket atij dhe vetëm ai mund të vendosë kur të heqë dorë”, tha Guardiola që ka mbetur i mahnitur me aftësitë e futbollistit.

Mesi tashmë ka shënuar 12 gola në 7 ndeshje në Ligën e Kampioneve, duke barazuar rekordin që mbahej nga Rud van Nistelroi, ndërsa ka shënuar në total 49 gola në këtë turne, ndonëse është vetëm 24 vjeç.

Edhe numri i golave për Barcelonën në total ka arritur shifra të frikshme, pasi ai ka shënuar 228 gola me këtë skuadër, vetëm 7 më pak se legjenda Sezar Rodriguez që mban rekordin e katalanasve në 17 sezonet që ka luajtur me ta.

“Do të organizojmë një festë të veçantë kur të arrijë rekordin e Sezar. E meriton dhe gjithë “Kamp Nou” duhet të festojë me të”, ishin fjalët e Guardiolës. (LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Wednesday, 07 March 2012 23:17

Nuk ka më fjalë për të përshkruar Lionel Mesin, i cili vazhdon e mahnit gjithnjë e më shumë me bëmat e tij në fushën e blertë. Ndonëse në një moshë të re, ai vazhdon të regjistrojë rekorde pas rekordeve, disa prej tyre shumë të rrallë, si ai i regjistruar në fitoren e thellë 7-1 të Barcelonës ndaj Bajer Leverkusen. 

Mesi ka qenë i papërmbajtshëm para portës kundërshtare, duke dhuruar perla të njëpasnjëshme të repertorit të tij, duke gjetur 5 herë rrugën e rrjetës në këtë sfidë, si askush tjetër para tij në këtë turne. Loja spektakolare e katalanasve është kurorëzuar me paraqitjen e jashtëzakonshme të “Topit të Artë” të trefishtë, i cili ka hedhur kandidaturën edhe për një të katërt, ndërsa bën që ekipi i tij të vazhdojë të jetë pretendenti kryesor për fitimin e Ligës së Kampioneve.

Në këtë natë magjike për Mesin ka festuar edhe i riu Tejo, i cili ka shënuar dy gola në portën e gjermanëve, që largohen të turpëruar nga Spanja dhe nga ky kompeticion, ku do të kujtohen gjithmonë për magjitë e Mesit dhe dëshirën e lojtarëve të kësaj skuadre për të patur fanellën e tij. (LajmeShqip.com)