Lajme Shqip Wednesday, 04 April 2012 09:40

Pep Guardiola më në fund ka vendosur të kundërsulmojë dhe ka mbrojtur fuqimisht ekipin e tij përballë sulmeve që i janë bërë për ndihma nga gjyqtari në ndeshjen kundër Milanit.

“Kanë qenë të dyja penalltitë, në televizor duken kështu, tamam si ata të ndeshjes së parë, por ne atëherë nuk ankuam në të njëjtën mënyrë. Me sa di unë, mbajtjet në zonë ndëshkohen, nuk e di në kampionatet e tjera, por në përgjithësi ndëshkohen. Penalltia e dytë? Mua që të vogël më kanë mësuar që të mos tërheq kundërshtarin në zonë se shkaktoj penallti. Nëse ndokush dëshiron të thotë se na kanë dhuruar gjëra, është problemi i tyre, por ne nuk thamë gjë për një penallti të Sançez dhe karton të kuq të Abiatit në ndeshjen e parë”, ishte komenti i tij.

Trajneri i katalanasve ka vendosur të kundërpërgjigjet pjesërisht edhe ndaj Ibrahimoviç që kishte shprehur “solidaritet” me Murinjon përsa i përket ndihmës së gjyqtarëve ndaj Barcelonës. “Është puna e tij nëse e mendon kështu. Ndeshjen e tij e vlerëson trajneri i tij, jo unë. Unë mund të vlerësoj vetëm dy ndeshjet që ka bërë në gjysmëfinalet kundër Interit dy vite më parë”.

“Skuadra ime është përgjigjur në fushën e lojës dhe e meriton kualifikimin. Në këtë ndeshje kemi gjuajtur 21 herë në portë, ata vetëm 3. Kemi gjuajtur 35 herë në portë në dy sfidat ndaj një skuadre si Milan, që ka fituar 7 herë Ligën e Kampioneve. Njerëzit mund të thonë çfarë të duan, por kemi arritur 5 gjysmëfinale radhazi, duke luajtur me futbollistë si Kuenka i cili një vit më parë ishte në kategorinë e dytë spanjolle”, ishte komenti i Guardiolës pas përfundimit të ndeshjes. (LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Wednesday, 04 April 2012 08:35

Zlatan Ibrahimoviç ka qenë shumë i qartë në fjalët e tij, duke fajësuar gjyqtarin holandez Kuijpers për eliminimin e Milanit nga Liga e Kampioneve përballë Barcelonës. Sipas tij, kishte të drejtë Murinjo kur mërzitej sa herë që luante në “Kamp Nou”, pasi aty favorizohej gjithmonë ekipi vendas.

“Nuk e kuptoj përse u dha penalltia e dytë, por e kuptoj më shumë përse inatoset Murinjo kur vjen të luajë në “Kamp Nou”. Të eliminohesh kështu të heq qejfin të flasësh, e panë të gjithë. Ata janë skuadra më e fortë në botë, por mund të luash dhe luftosh. Deri te goli i tyre i dytë po luanim mirë. Nëse gjyqtari jep atë penallti atëherë duhej të jepte edhe një të tillë në favorin tim”, tha sulmuesi suedez i Milanit.

“As vetë lojtarët e Barcelonës nuk e prisnin një penallti të tillë”, ishin fjalët e portierit Abiati i cili në dy ndeshjet kundër Barcelonës ka dhuruar pritje spektakolare për të shpëtuar portën e tij nga gola të sigurt.

Vetë protagonisti i penalltisë të dytë, Alesandro Nesta, ka qenë dukshëm i mërzitur me atë që ka ndodhur në fushën e lojës. “E tërhoqa Buskets nga fanella pasi Pyjol më kishte bllokuar dhe gjyqtari gaboi duke dhënë penallti. Në Itali vërshëllejnë më shumë, por jo për këto tërheqje, në Evropë ndodh e kundërta”.

Klarens Sedorf, i bashkohet shokëve të skuadrës duke kritikuar një gjykim aspak korrekt të kësaj ndeshje. “I kërkova shpjegime gjyqtarit sepse nuk pashë çfarë kishte ndodhur. Më dha karton të verdhë, por pas ndeshjes më tha vetëm që po mbaheshin që më përpara dhe prandaj jam i nxehur. Personalisht preferoj të humbas më mirë 7-1 sesa kështu”.

Vulën këtyre deklaratave ua ka venë trajneri Alegri, i cili bëri të qartë se Barcelona e meritonte kalimin, por jo në këtë mënyrë. “Kishte dy penallti, një të dhuruar nga ne dhe një thuajse të dhuruar nga gjyqtari”, ishte batuta e tij me ironi rreth gjykimit të Kuijpers. (LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Tuesday, 03 April 2012 22:23

Barcelona kalon në gjysmëfinalen e Ligës së Kampioneve për të pestin edicion radhazi duke mundur Milanin 3-1 dhe eliminuar kuqezinjtë. Por në këtë kualifikim do të kujtohet gjatë fakti se gjyqtari holandez Kuijpers ka dhënë dy penallti për katalanasit, ku e dyta ishte për një faull që ndodh në zonë sa herë që ka goditje këndi, por që zakonisht nuk ndëshkohet. 

Fillimi i ndeshjes ka qenë i tëri për katalanasit që kanë sulmuar duke kërkuar sa më shpejt një gol. Mesi humb një rast të artë që në minutat e para, kur shfaqet i vetëm para Abiatit por nuk arrin të dërgojë topin në rrjetë në mënyrë të pabesueshme. Argjentinasi shlyen gabimin në minutën e 11-të kur transformon në gol një penallti të fituar falë një ndërhyrje të parregullt në zonë ndaj tij të Antoninit.

Barça qetësohet dhe ul ritmin, por duke mbajtur gjithmonë kontrollin e lojës. Por në rastin e parë të vërtetë, Milani arrin të gjejë golin e barazimit me të zakonshmin Noçerino, që përfiton nga një pasim i Ibrahimoviç për të mposhtur Valdez dhe për të vendosur qetësinë në “Kamp Nou”.

Kjo sfidë e ethshme prishet disi nga vendimi për një penallti të dytë të akorduar nga gjyqtari Kuijpers në minutën e 40-të, për një mbajtje të Nestës ndaj Buskets, një faull që shihet me dhjetëra herë në çdo ndeshje kur ka goditje nga këndi. Pavarësisht protestave të kuqezinjve, Mesi shkon te pika e bardhë dhe mposht përsëri Abiatin, duke çuar në 14 numrin e golave të shënuar në këtë edicion të Ligës së Kampioneve.

Ëndrrat e kuqezinjve për një përmbysje shuhen praktikisht në minutën e 53-të, kur topi përfundon ë këmbët e Iniestës i cili nuk e ka problem të shënojë golin e tretë për skuadrën e tij. Që nga ai moment, ritmi i ndeshjes ulet, me katalanasit që kursejnë energji pa harruar të thumbojnë herë pas here, ndërsa duket se Milan nuk ka forcën e duhur për të reaguar më në këtë ndeshje falë edhe gjendjes jo perfekte fizike të disa lojtarëve.

Përfundon 3-1, me Barcelonën që pret tashmë të mësojë se kush mes Çelsit dhe Benfikës do të jetë kundërshtari i saj në gjysmëfinalet e Ligës së Kampioneve. (LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Tuesday, 03 April 2012 10:06

Disa prej futbollistëve të Milanit kanë praktikuar gjuajtjet nga pika e bardhë e 11-metërshave gjatë seancës së fundit stërvitore të kësaj skuadre në “Kamp Nou”, para sfidës së kthimit për çerekfinalet e Ligës së Kampioneve përballë Barcelonës.

Një barazim pa gola mes dy ekipeve do të sillte edhe kohët shtesë e më pas penalltitë dhe meqë Milan do të përdorë strategjinë me mbrojtje dhe kundërsulm, trajneri Alegri ka vendosur të jetë i përgatitur për eventualitetin që ndeshja të vendoset prej gjuajtjeve nga pika e bardhë.

Tre lojtarët e përzgjedhur gjatë stërvitjes ishin Zlatan Ibrahimoviç, Kevin Prins Boateng dhe Robinjo, të cilët për rreth 10 minuta kanë praktikuar gjuajtjet nga pika e bardhë përballë Abiatit.

Sfida mes Milanit dhe Barcelonës pritej të kthehej në një “festival golash” për shkak të emrave të mëdhenj që kanë në përbërje dy skuadrat, sidomos sulmuesit Ibrahimoviç dhe Mesi.

Por dy skuadrat nuk arrtën të gjenin rrugën e rrjetës në ndeshjen e parë për shkak të mbrojtjeve shumë të ngjeshura. Pritet që ekipi italian të dhurojë sonte një tjetër paraqitje mbrojtëse, duke bërë të mundur që sfida të përfundojë me pak apo asnjë gol. (LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Monday, 02 April 2012 21:40

Pep Guardiola ka treguar respekt maksimal për Milanin para sfidës që skuadra e tij ka me kuqezinjtë në ndeshjen e kthimit të çerekfinaleve të Ligës së Kampioneve. Ndonëse ndeshja e parë në “San Siro” përfundoi në barazim pa gola, trajneri i katalanasve është i sigurt se kuqezinjtë do të shënojnë në Spanjë, pasi janë më të zotë të luajnë në kundërsulm.

“Është një ndeshje e rëndësisë së veçantë, pasi duam që të mbijetojmë në këtë turne. Do të na duhet të fitojmë medoemos, por edhe të jemi të kujdesshëm ndaj Milanit, që është në gjendje të të shënojë në çdo moment”.

“Milani është një skuadër italiane, mund të mbrojë me 8 lojtarë. Por unë besoj se do të na e bëjnë një gol. Për këtë arsye, gjatë javës kam punuar për aksionet pranë zonës së rreptësisë për të patur sa më shumë alternativa. Jemi të ndërgjegjshëm që Milani është një skuadër që mund të na dërgojë në shtëpi, është një skuadër që mbron dhe niset në kundërsulm shumë shpejt, janë më të mirë se ne në këtë lloj loje”, tha ai.

Trajneri i katalanasve ka bërë një batutë rreth pyetjes që iu bë për Mesin. “Mesi nuk shënon kundër italianëve? Ju italianët jeni shumë të zotë. Por nëse vazhdon të thuash se nuk shënon mund të ketë surpriza! Ibra? Duhet të mundohemi ta mbajmë sa më larg portës tonë”, ishin fjalët e Guardiolës.

Sulmuesi suedez është shqetësimi kryesor edhe i kapitenit të katalanasve, mbrojtësit Pujol, i cili ka pranuar aftësitë e jashtëzakonshme të milanistit. “Ibrahimoviç është i vështirë për t’u mbuluar, e njoh mirë. Teknikisht është i fortë dhe fizikisht arrin të bëjë diferencën. Duhet ta mbajmë sa më larg që të jetë e mundur nga porta jonë, por këtë nuk e bën dot një lojtar i vetëm. Ndaj tij duhet punë skuadre”, ishin fjalët e Pujol në konferencën për shtyp. (LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Monday, 02 April 2012 18:50

Masimiliano Alegri është i bindur se skuadra e tij mund t’ia dalë në sfidën përballë Barcelonës që vlen kualifikimin për në gjysmëfinalet e Ligës së Kampioneve.

“Përballemi me skuadrën më të mirë në botë, por duhet të luajmë si në ndeshjen e parë dhe të bëjmë një gol. Rezultati 0-0 i sfidës së parë na jep më shumë forcë”, është komenti i trajnerit vetëm një ditë para kësaj sfide të rëndësishme.

“Lojtarët duhet të mendojnë vetëm për këtë ndeshje, kampionati mund të presë për pak kohë. Duke parë rëndësinë e asaj për të cilën luhet, një gjysmëfinale e Ligës së Kampioneve, jam i bindur se përballë do të gjejmë Barcelonën më të mirë të sezonit”.

“Rasti i jetës për Ibrahimoviç? Për të gjithë do të jetë një mundësi e rëndësishme. Nuk bëj llogari për rezultatet që kemi në dispozicion, mund të përfundojë edhe 0-0 e të shkojë me penallti, ndonëse nuk besoj se kjo sfidë mund të përfundojë në mënyrë të tillë”, u shpreh trajneri i kuqezinjve.

Megjithatë, Alegri nuk ka mbetur i kënaqur për problemet me të cilat është përballur skuadra në udhëtimin drejt Spanjës. Kuqezinjtë janë nisur me shumë vonesë nga aeroporti i Milanos për shkak të një greve të kontrollorëve ajrorë francezë.

Një grevë ishte pikërisht ajo që detyroi katalanasit të qëndronin një ditë më shumë në Milano për ndeshjen e parë, ndërsa tani duket se me të njëjtën situatë po përballen edhe kuqezinjtë e Milanit. (LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Sunday, 01 April 2012 19:45

Andres Iniesta beson se me favorin e avantazhit të të luajturit në shtëpi, Barcelona nuk do të ketë asnjë justifikim nëse dështon në eliminimin e Milanit nga çerekfinalet e Ligës së Kampioneve.

Dy skuadrat u ndanë në barazim 0-0 në takimin e parë të luajtur në “San Siro” ku skuadrat nuk i lanë shumë hapësira për të sulmuar njëra-tjetrës.

“Ne na duhet të fitojmë, ky është realiteti. Në shtëpi, përballë tifozëve tanë, ne duhet të kalojmë në turin tjetër dhe duhet të hyjmë me shumë besim në këtë sfidë. Do të shohim 90 minuta të ndezura”, tha mesfushori.

I të njëjtit mendim është edhe Pedro, i cili mendon se katalanasit do të fitojnë këtë sfidë për të shkuar mes katër ekipeve më të mira.

“Ne të gjithë besojmë se mund të kalojmë turin. Milan ka disa lojtarë të mëdhenj dhe sigurisht që nuk do të na i lehtësojë gjërat. Megjithatë, ndjehemi të bindur se mund të dhurojmë një paraqitje të mirë me ndihmën e tifozëve tanë. Ata janë një kundërshtar i vështirë dhe janë në gjendje të të shënojnë gol kurdo. Por ne kemi besimin që do të jemi ne ata që do të kalojnë në turin tjetër”, tha Pedro. (LajmeShqip.com)