Lajme Shqip Wednesday, 25 April 2012 10:46

Pep Guardiola ka treguar se është shumë i zhgënjyer për këtë eliminim të pamenduar nga Liga e Kampioneve, pas dy ndeshjesh ku skuadra e tij bëri maksimumin, por nuk arriti të shënojë golat që duheshin për të kaluar në finalen e turneut.

“Ky është një trishtim shumë i madh, kemi bërë gjithçka për të kaluar në finale. Përgëzoj Çensin për punën e mirë mbrojtëse që ka bërë. Mendoj se e vetmja gjë që kemi gabuar është se nuk shënuam. Kemi bërë ndeshje shumë të mira por nuk ka qenë e mjaftueshme. Ashtu si kundër Interit, na kushtoi shumë, bëmë gjithçka por nuk mundëm ta dërgonim topin në rrjetë. Shpesh futbolli i ka këto gjëra, ky nuk ishte viti ynë!”, deklaroi ai menjëherë pas përfundimit të ndeshjes.

“Sot tifozeria na ka mbështetur dhe këtë e vlerësoj jashtëzakonisht shumë. Mesi? Jemi këtu falë tij. Përveç vlerësimit për të, admirimi për të është edhe më i madh për atë që bën çdo ditë, ashtu si kur më kërkoi të luante në Pamplona kur temperatura ishte -10 gradë Celcius, ai është një shembull për të gjithë ne. Nuk e vë në dyshim që ai do të kalojë një orë të keqe pas kësaj ndeshje, por kjo është e bukura e këtij sporti. Ka raste ku qeshën, ka raste kur je kështu”.

“Kjo nuk është nata më e trishtuar për mua pasi shoh ekipin dhe kërkoj t’u them diçka që e kanë bërë gabim por nuk e gjej një gjë të tillë. Asnjëherë nuk kam guxuar të mendoj se kjo nuk ishte pjesë e lojës, bëmë gjithçka për t’ia arritur qëllimit por nuk ia dolëm. Së shpejti, do të ulem me presidentin Rosell për të diskutuar se cila është më e mira që mund të bëjmë për klubin”, ishin fjalët e trajnerit të katalanasve, i cili nuk ka rinovuar ende kontratën e tij me Barcelonën. (LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Wednesday, 25 April 2012 09:20

Fernando Torres ka pranuar se Çelsi ka hequr dorë nga futbolli dhe se Barcelona është ekipi më i mirë në botë. Por ai ka thënë me sinqeritet se kjo ishte mënyra e vetme për të kaluar katalanasit dhe për të siguruar një rezultat e një finale historike për klubin.

“Futbolli është i tillë. Nuk fiton gjithmonë skuadra më e mirë. Ne e dinim që kjo ishte ajo që duhej bërë ndaj Barcelonës, edhe pse në pjesën më të madhe të kohës nuk është gjëja më e bukur. Ne përdorëm armët tona dhe dolëm me sukses të dy ndeshjet kundër tyre. Ata krijuan rastet ndërsa ne shënuam golat”, tha autori i golit të dytë për ekipin anglez.

“Ne kemi respekt të madh për Barcelonën pasi e dimë se ata janë më të mirët në botë. Për ata lojtarë që u mundën 3 vite më parë, kjo ishte mënyra e duhur për t’u hakmarrë”.

“Unë kam ardhur te ky ekip për të luajtur ndeshjet tilla, për të shkuar në finale të Ligës së Kampioneve. Tani duam të fitojmë, kushdo qoftë në finale, Reali apo Bajerni, edhe pse do të kemi shumë mungesa. Kemi patur një sezon të keq në kampionat por mund ta kthejmë këtë në një sezon të paharrueshëm”, deklaroi spanjolli. (LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Wednesday, 25 April 2012 08:40

“Futbolli nuk ka qenë i drejtë me ne”, ishin fjalët e Andres Iniesta pas përfundimit të sfidës së Ligës së Kampioneve. Një mendim i ndarë me shokun e tij të skuadrës, Çesk Fabregas: “Kjo ishte mizore, por nëse ekziston mënyra e duhur për të humbur, ishte kjo!. Kemi luajtur pa hequr dorë nga mënyra se si luajmë futboll ne!”.

Pavarësisht humbjes, lojtarët kanë diçka të qartë: vitin e ardhshëm duhet të provojnë të fitojnë përsëri gjithçka. “Do të kthehemi me më shumë forcë. Kjo skuadër vjen pas humbjeve të rëndësishme si ajo ndaj Interit apo finalja e Kupës ë Mbretit të humbur kundër Real Madrid dhe gjithmonë ka ditur të ngrejë kokën de të fitojë përsëri”, tregon Fabregas, i cili më pas u ka kërkuar falje tifozëve.

“Kërkoj falje para të gjithëve për rastet që kam humbur në ndeshjen e parë në “Stemford Brixh”. Asnjëherë në 24 vitet e mia nuk kam parë tifozët të duartrokasin dhe të këndojnë kështu pas një disfate. Jam më krenar se kurrë që jam katalanas”.

I të njëjtit mendim është edhe Andres Iniesta. “Ne na vjen keq që nuk u kualifikuam si lojtarë, por sidomos për këto njerëz që na mbështetin gjithmonë dhe vuajnë po aq sa ne”.

Në fund, futbollistët kanë bërë të qartë se askush nuk duhet të fajësojë Mesin për penalltinë e humbur dhe as argjentinasi vetë nuk duhet të ndjehet përgjegjës për këtë gjë. “Leo nuk duhet të fajësojë veten për asgjë. Ai është një fitues i lindur dhe kur nuk fiton, ndjehet keq, ashtu si të gjithë në dhomat e zhveshjeve”, deklaroi Iniesta. (LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Tuesday, 24 April 2012 22:23

Çelsi është finalistja e parë e Ligës së Kampioneve, pasi ka eliminuar në gjysmëfinale skuadrën e Barcelonës, mbajtëse në fuqi e trofeut. Ekipi anglez i ka kthyer reston katalanasve që i eliminuan 3 vite më parë në këtë fazë të turneut, ndërsa i kanë mbijetuar edhe kartonit të kuq të pakuptimte të Xhon Territ që në pjesën e parë. 

Ndeshja, ashtu siç pritej, ishte tërësisht në dorën e Barcelonës, ndërsa Di Mateo konfirmon plotësisht parashikimet duke përdorur skemën “parkim autobusi”, ku vetëm Drogba ka lejen të kalojë në gjysmëfushën tjetër. Si rrjedhojë, është Barça që provon në të gjitha mënyrat të gjejë rrugën e rrjetës dhe ia del manë në minutën e 35-të të ndeshjes, kur Buskets dërgon në portë një pasim të saktë të Kuenka. Vetëm 2 minuta më vonë, Xhon Terri bën një idiotësi pasi vështirëson punët e ekipit të tij, duke u ndëshkuar me karton të kuq pas një goditje të pashpjegueshme me gju larg lojës ndaj Aleksis Sançez. Barcelona përfiton nga pasiguria e londinezëve dhe shënon golin e dytë me Andres Iniestën që gjen rrugën e rrjetës pas një pasimi të shkëlqyer të Mesit.

Por kur pritej përfundimi i pjesës së parë, Ramires arrin të shënojë në kundërsulm në minutën e parë shtesë, falë një goditje spektakolare që kalon mbi portierin Valdes dhe ndalet në rrjetë. Falë fitores minimale 1-0 në sfidën e parë, ky gol është i artë për skuadrën e Di Mateos, që kthehet edhe më shumë në mbrojtje, duke rreshtuar tashmë 7 lojtarë brenda zonës së rreptësisë.

Barça ka mundësinë të shënojë përsëri , pasi në minutën e 49-të, Fabregas fiton 11-metërsh pas faullit të Drogba, i kthyer në një mbrojtës të mirëfilltë. Por rregulli i pashkruar i futbollit thotë që në këto rase vendimtare, lojtari më i mirë i humbet gjithmonë gjuajtjet nga pika e bardhë. Mesi e respekton këtë traditë, duke goditur traversën dhe duke mos i dhënë mundësinë ekipit të shënojë një gol që do ta çonte para në turne.

Barcelona provon në të gjitha mënyrat të shënojë, ndërsa Buskets e dërgon topin shumë mbi traversë nga një pozicion i favorshëm. Më pas, Mesi tregon se nuk është nata e tij, pasi godet shtyllën në minutën e 82-të.

Si për ironi të fatit, katalanasit nuk mund t’i gëzohen as të paktën një fitoreje në këtë sfidë, pasi në minutën e 92-të, Fernando Torres shënon golin e dytë për anglezët duke shfrytëzuar faktin që e gjithë skuadra e Barcelonës ishte në portën kundërshtare.

Me këtë rezultat,  Çelsi vulos praninë e dytë në finalen e Ligës së Kampioneve, ku do të jetë pa tre lojtarë kryesore si Terri, Ramires e Meireles, të cilët janë të pezulluar për shkak kartonësh. (LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Tuesday, 24 April 2012 17:01

“Nëse Barcelona do të luante përballë Milanit apo Arsenalit, për mua do të ishin njëlloj, por kur bëhet fjalë për Çelsin apo Interin, e ndjej ndeshjen në një mënyrë tjetër. Nuk e fsheh, shpresoj që fati t’i buzëqeshë Çelsit”. Kjo ishte deklarata e Zhoze Murinjos që në fillimin e konferencës për shtyp para ndeshjes mes Real Madrid dhe Bajern Mynih.

Më pas, ai ka folur për eksperiencat e veta, duke thumbuar përsëri trajtimin që merr nga gjyqtarët me çdo ekip që ai drejton. “Nuk kam patur shumë fat në gjysmëfinale. Jam eliminuar nga një gol që nuk ishte, pasi topi nuk kaloi vijën fatale, një herë tjetër u eliminova nga penalltitë që është thjesht fat i keq, ndërsa vitin e kaluar e patë të gjithë pse u eliminuam në gjysmëfinale”.

“Këtë herë shpresoj të kaloj, edhe pse në ndeshjen e parë u mundëm nga një gol në pozicion jashtë loje. Shpresoj të kalojmë pasi këto lojtarë e meritojnë”, tha trajneri portugez.

“Nuk dua të them se Champions është më e rëndësishme se çdo ndeshje kampionati. Unë mendoj se kampionatet i fitojnë gjithmonë më të mirët, ndërsa në Champions nuk ndodh kështu. Lojtarët e mi i shoh të qetë, nuk më pëlqejnë pa emocion dhe nuk më pëlqejnë shumë të emocionuar, lojtarët e mi janë të ekuilibruar”.

Më pas ai iu kthye ndeshjes së fundjavës kundër Barcelonës, duke thënë se asgjë nuk kishte përfunduar dhe të gjithë nuk duhej të ishin euforikë.

“Fitorja ndaj Barcelonës nuk ka asnjë vlerë nëse nuk fitojmë kampionatin. Kjo është një maratonë që vrapohet shumë shpejt, me ritmin e një gare të 1500 metrave. Nëse shpallemi kampionë, fitorja në “Kamp Nou” do të vlejë shumë, nëse jo, nuk do të ketë asnjë vlerë”.

“Të njëjtën energji dua që ta japim kundër Bajernit, pasi e meritojmë të jemi në finalen e Ligës së Kampioneve”, deklaroi trajneri portugez, i cili përsëriti se ishte shfaqur në konferencë për shtyp vetëm sepse ishte i detyruar nga UEFA. (LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Tuesday, 24 April 2012 10:01

Zhoze Murinjo nuk dëshiron një finale të mundshme të Ligës së Kampioneve kundër Barcelonës dhe për këtë arsye shpreson që ish-ekipi i tij, Çelsi, të arrijë të kalojë katalanasit dhe mundësisht të përballet me madrilenët në ndeshjen e 19 majit.

Në konferencën për shtyp para ndeshjes Barcelona-Çelsi, portieri i londinezëve Peter Çeh u ngacmua nga gazetat që e pyetën nëse kishin folur me Murinjon. “Po, kishim një mbledhje taktike pak orë më parë. Na prezantoi të gjithë dosjen e ndeshjes dhe në u munduam ta vinim në zbatim”, ishte batuta e portierit ndaj kësaj pyetje.

Por ai ka patur pak të drejtë kur i ka thënë këto fjalë. “The Sun” ka bërë të ditur se Murinjo fillimisht u ka dërguar disa mesazhe urimi katër prej ish-lojtarëve të tij: Peter Çeh, Eshli Kol, Frenk Lampard dhe Didier Drogba.

Ndërsa Rui Faria, një prej ndihmësve më besnikë të Murinjos që ka punuar me portugezin edhe te Çelsi, i ka dhënë ndihmësit të Di Mateos, Stiv Holand, një analizë të plotë taktike se si Real Madrid shfrytëzoi pakujdesitë mbrojtëse të Barcelonës në ndeshjen e të shtunës.

Murinjo shpreson që në finale të ketë ish ekipin e tij dhe këtë ua ka bërë të qartë futbollistëve me SMS që ka dërguar. “Ju mund t’ia dilni mbanë, ashtu si ne. Shihemi në Mynih”. (LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Tuesday, 24 April 2012 08:40

Çelsi do të bëjë maksimumin për të shpërqendruar dhe frikësuar Barcelonën në ndeshjen e sotme kundër katalanasve që do të sigurojë edhe pjesëmarrjen në finalen e Ligës së Kampioneve. Një nga taktikat përfshin edhe kamuflimin si Real Madrid, pasi londinezët do të përdorin kompletin e tyre të bardhë për këtë sfidë.

Skuadra e Zhoze Murinjos ndërpreu në fundjavë serinë prej 54 ndeshjesh pa humbje në shtëpi të ekipit të Pep Guardiolës dhe drejtuesit e Çelsit mendojnë se të vishen si madrilenët mund t’u sjellë fat.

Fanella e parë e Çelsit që është tërësisht blu, është në kontrast me fanellën klasike të katalanasve që është kuqeblu. Por në vend që të veshin fanellat e dyta që janë krejtësisht të zeza, londinezët kanë vendosur që të veshin ato të bardhat.

Në këtë mënyrë, ata do t’i ngjajnë krejtësisht Real Madrid, pasi fanellat e tyre janë thuajse të njëjta me të madrilenëve, sepse janë të prodhuara nga e njëjta firmë materialesh sportive.

Por kjo taktikë mund të rezultojë disi e dëmshme për londinezët, të cilët do të kenë kundër jo vetëm lojtarët në fushë që kërkojnë hakmarrje të dyfishtë, por edhe 90 mijë të pranishmit në “Kamp Nou” të cilët do ta përjetojnë këtë si një sfidë tjetër ndaj rivalëve historikë. (LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Monday, 23 April 2012 21:24

Në konferencën për shtyp para ndeshjes mes Barcelonës dhe Çelsit, të vlefshme për gjysmëfinalet e Ligës së Kampioneve, Pep Guardiola ka treguar se nuk vë në dyshim asnjëherë cilësitë e Lionel Mesit, edhe pse argjentinasi është dukur i lodhur dhe jashtë forme në dy ndeshjet e fundit.

“Asnjëherë nuk do të shqetësohem për Mesin, edhe nëse do të kishte 27 ndeshje pa bërë gol. Ky djalë ka një problem të madh: është i mësuar të shënojë tre gola dhe të japë tre pasime për ndeshje. Ka ardhur koha t’i japim atij qetësinë dhe besimin që vazhdon të jetë i rëndësishëm edhe nëse nuk shënon. Ka bërë një numër të pabesueshëm golash këtë vit dhe është i rëndësishëm në fazën ofensive me praninë e tij edhe nëse nuk shënon. Mjafton që ai të jetë i lumtur në fushë. Ambiciet e tij na ndihmojnë edhe ne për të arritur objektivat tanë”, ishin fjalët e trajnerit të katalanasve.

Guardiola ka bërë të qartë se mendon që ekipi i tij do të arrijë në finalen e turneut. “Sigurisht që mendoj se do të kalojmë në finale, e kam menduar gjithmonë që në ditën e parë. E di mirë që këto lojtarë mund të eliminojnë Çelsin. E di që ekziston një dyshim që mund të mos jetë kështu, por unë si trajner mendoj se do t’ia arrijmë, pasi këta lojtarë kanë fitua me dhjetëra ndeshje të vështira të këtij lloji”.

“A firmos për një fitore me lojë të keqe? Sigurisht, por vazhdoj të jem i mendimit që të fitosh duhet të luash mirë, ashtu si në ndeshjen e parë, ku pësuam gol me një kundërsulm. Për ne, topi është qendra e lojës. Për sa kohë që unë të jem trajner, kjo gjë nuk do të ndryshojë”, deklaroi Guardiola i cili refuzoi t’i përgjigjej pyetjeve për të ardhmen e tij. (LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Monday, 23 April 2012 12:15

Trajneri i Arsenalit, Arsen Venger, është i bindur se Çelsi mund të realizojë një nga rezultatet më të pamenduar në historinë e Ligës së Kampioneve duke eliminuar Barcelonën nga ky turne.

Francezi mendon se katalanasit nuk janë më ai ekipi i pandalshëm i viteve të fundit dhe kjo është kuptuar mirë që në ndeshjen e javës së kaluar kur u mposhtën 1-0 në “Stemford Brixh”.

“Për Çelsn nuk është e pamundur të dalë me sukses nga kjo ndeshje. Barcelona që pamë natën e kaluar nuk është e njëjta skuadër me atë të vitit të kaluar dhe Çelsi shkon në “Kamp Nou” në një pozicion më favorshëm sesa shkuam ne një vit më parë”.

“Rezultati 1-0 është fantastik dhe nëse ata arrijnë të shënojnë një tjetër gol, kjo do të ishte një goditje shumë e rëndë për Barcelonën. Kur në shënuam një gol me fat në fushën e tyre, e pamë që ata u bënë menjëherë nervozë”, ka treguar ai duke kujtuar përballjet e Arsenalit me katalanasit një vit më parë.

Arsyeja tjetër pse Venger mendon se Çelsi ka avantazhin në këtë sfidë, është lodhja fizike e ekipit të drejtuar nga Pep Guardiola.

“Çelsi ishte në gjendje të linte pushim 8 lojtarë kundër nesh,ndërsa Barça luajti me skuadrën e plotë kundër Realit. Lionel Mesi duket pak i lodhur. Ai mbetet i rrezikshëm, por Çelsi arriti të ndalte disa nga gjuajtjet e tij në ndeshjen e parë. Kjo do të thotë se ai nuk është formën maksimale, ndaj në rast se Çelsi arrin të mbrohet si në ndeshjen e parë, ka shanse reale për të kaluar në finale”.

“Di Mateo bëri prova për ndeshjen kundër nesh, pasi luajmë me të njëjtin sistem si Barcelona. Çelsi do të luajë me shumë futbollistë pas linjës së topit, me vetëm tre lojtarë të shpejtë që avancojnë në kundërsulm. Nëse do të luante kështu gjatë të gjithë vitit, askush nuk do ta pranonte, por ndaj Barcelonës nuk ke shanse nëse luan në një mënyrë tjetër”, shpjegoi trajneri francez i Arsenalit. (LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Saturday, 21 April 2012 13:52

Ish-trajneri i Anglisë, Terri Venebëlls, ka vlerësuar taktikën e zgjedhur nga Çelsi në ndeshjen e parë kundër Barcelonës dhe punën e bërë nga Roberto Di Mateo, që ka siguruar një rezultat perfekt për sfidën e parë.

“Taktika e zgjedhur ishte shumë efektive. Çelsi luajti me fatin, por u soll në mënyrë të organizuar, ata kishin një plan që e ekzekutuan me sukses, pasi e dinin se me futboll nuk e mundnin dot Barcelonën. Ata bllokuan tërësisht korsinë e qendrës, ku vijnë aksionet më të rrezikshme të katalanasve. Mu kujtuan kohërat e sjelljes së famshme “Ti nuk do të kalosh” të mbrojtjes së kësaj skuadre në kohën e Murinjos. Mosshënimi i golit në transfertë nga Barça mund të jetë jetësor”.

Por Venebëlls paralajmëron Di Mateon se londinezët do ta kenë shumë më të vështirë në “Kamp Nou” dhe duhet të mendojë se si të dalë më shpesh nga mbrojtja.

“Edhe në ndeshjen e dytë do të shohim skena si në ndeshjen e parë. Por kur të parkojë autobusin para portës në “Kamp Nou”, Di Mateo duhet të kujtohet që të mos mbeten frenat e shtypura. Ata duhet të mbrojnë deri në vdekje, por nuk duhet të mendojnë se goli i Drogba do t’i çojë në finale. Duket e pamundur që Barça të mos gjejë rrugën e rrjetës. Ndaj Çelsi duhet të kërkojë disi golin në transfertë që do të detyrojë katalanasit të shënojnë 3”, deklaroi Venebëlls. (LajmeShqip.com)