Lajme Shqip Sunday, 09 February 2014 23:37

Dritan Rexhepi, i akuzuar për dy vrasje dhe grabitje me armë në vitin 1999 në Shqipëri figuron ndër personat më të kërkuar në Europë. Veç Shqipërisë, Britanisë dhe Belgjikës, Rexhepin e kërkon edhe Spanja, e cila e ka listuar në listën e 10 më të kërkuarve.

Gazeta spanjolle “La Vanguardia” shkruan në një artikull të saj, se policia spanjolle ka shpërndarë me qindra foto të Rexhepit në vend dhe kërkon informacion për kapjen e tij. Mendohet se Rexhepi, i cili pak kohë më parë u arratis nga një burg i Belgjikës, fshihet në rajonin e Katalunjës.

Po për Rexhepin ka shkruar ditën e djeshme edhe britanikja e “Evening Standard”, e cila shkruan se Rexhepi figuron në listën e 17 personave më të rrezikshëm që kërkohen nga drejtësia britanike. “Dritan Rexhepi, 32 vjeç, kërkohet për vrasje dhe grabitje me armë nga autoritetet shqiptare dhe belge.

Ai njihet si person me rrezikshmëri të lartë në Britani dhe që ka lidhje të forta me trafikantë droge në Londër, Befordhire dhe Northants”, shkruan prestigjiozja britanike në artikullin e saj. Rexhepi u arrestua në vitin 2006 në Shqipëri dhe dyshohej se ishte vrasës me pagesë. Ai akuzohet për vrasjen e dy efektivëve të policisë në Fushë-Krujë.

Mirëpo, natën e arrestimit në Shqipëri, Rexhepi mundi të arratisej nga Komisariati i Durrësit, për t’u kapur më vonë në Itali. Por, i cilësuar si “mbreti i arratisjeve”, Rexhepi edhe njëherë tjetër arriti të arratisej, raporton shekulli.

Në vitin 2011 ai u arrestua në Belgjikë dhe përsëri arriti të arratisej prej andej. Tashmë, dyshohet se Rexhepi fshihet në Spanjë, përkatësisht në Barcelonë, ku akuzohet për grabitjen e një banke.

 
Lajme Shqip Tuesday, 04 February 2014 15:45

Policia e Tiranës bëri me dije se ka arrestuar gjashtë të rinj, të gjithë nga zona e Kamzës dhe Bathores, ndërkohë që ka shpallur në kërkim një tjetër, pasi akuzohen për një seri vjedhjesh me dhunë të karburanteve.

Këto pamje tregojnë momentet shokuese kur ata grabisin një pikë karburanti.

Ata akuzohen të paktën për gjashtë vjedhje./tema/

 

VIDEO: http://www.youtube.com/watch?v=_ZoaPbJjpaU

 
Lajme Shqip Tuesday, 19 November 2013 14:12

Romë- Autoritetet italiane kanë shkatërruar një organizatë kriminale, që merrej kryesisht me trafikun e kokainës në shtetin fqinj. Mediat italiane bëjnë të ditur se policia në Genova ka arrestuar 7 persona, shqiptarë e italianë, nën akuzën e trafikut ndërkombëtar të kokainës. Droga importohej nga Holanda për tu shitur më pas në provinca të ndryshme të Italisë.

Momentalisht nuk bëhen ende të ditur emrat e të arrestuarve, ndërkohë që pritet një njoftim zyrtar i policisë lidhur me këtë operacion, në të cilin është përfshirë edhe INTERPOL-i, pasi disa persona të dyshuar si anëtarë të bandës mendohet se janë fshehur në Zvicër dhe Shqipëri.

Sipas mediave italiane, në Shqipëri dhe Zvicër, policia lokale ka kryer mëngjesin e sotëm veprime të rëndësishme lidhur me këtë operacion. /ballkanweb/