Lajme Shqip Tuesday, 05 March 2013 16:52

Prishtinë – Këshilli i Sigurimit i OKB-së do të diskutojë më 22 mars raportin e fundit të sekretarit të përgjithshëm Ban Ki Moon për Kosovën.

Lajmin e bën të ditur “RTK”, sipas të cilës Kosova do të përfaqësohet në këtë takim nga vetë kryeministri Hashim Thaçi, ndërkohë që i pranishëm është planifikuar të jetë edhe ai serb, Ivica Daçiç.

Gjatë muajit mars organi ekzekutiv i Kombeve të Bashkuara drejtohet nga presidenca ruse dhe ka qenë pikërisht ambasadori rus Vitalij Churkin që ka bërë të ditur axhendën e tij.

Raporti i fundit i hartuar nga sekretari Ban Ki Moon përfshin periudhën 16 tetor-15 janar dhe trajton zhvillimet në Kosovë, mes të cilave edhe dialogun që po zhvillohet me Serbinë, që sipas “RTK konsiderohet “një progres i rëndësishëm”.

“Rivendosja e bisedimeve përbën një sinjal të fuqishëm se të dyja palët po angazhohen në një dialog paqësor për tejkalimin e peshës së konfliktit të kaluar”, thotë raporti.

I pyetur rreth mundësisë së anëtarësimit të Kosovës në OKB, ambasadori Churkin ka vlerësuar se, Kosova ende nuk është njohur nga numri i duhur i shteteve, përfshirë këtu ato “të rëndësishme” që bëjnë pjesë në Këshillin e Sigurimit.

Diplomati rus i është referuar këtu vendit të tij dhe Kinës, pa rekomandimin e të cilave Asambleja e Përgjithshme nuk mund të votojë për pranimin e një vendi të ri.(LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Friday, 25 January 2013 17:34

Beograd – Kryeministri i Serbisë, Ivica Daçiq, ka deklaruar sot se çështja e karriges për Kosovën në Kombet e Bashkuara është e tejdimensionuar dhe asnjëherë nuk është përmendur në bisedimet Beogard – Prishtinë.

“Çështjen e karriges së Kosovës në OKB e vendos pushteti në Prishtinë, pasi e dinë se procesi i pavarësisë pa këtë nuk është rrumbullaksuar”, tha Daçiq sot në qytetin Vërshac, dhe shtoi se “kjo çështje nuk mund të zgjidhet, nëse nuk diskutohet për pakon e tërë të zgjidhjes së çështjes së Kosovës”.

Daçiq tha se “tash për tash, kjo temë nuk është përmendur në asnjë bisedë”.

Sipas tij, Serbia nuk është e gatsme të bisedoj për këtë temë “kalimthi” dhe se për Serbinë është e papranueshme që ajo të paraqitet në atë formë.

“Ne qëndrimin për Kosovën nuk do ta ndryshojmë”, tha Daçiq, dhe shpjegoi se “kjo është e vetmja gjë që Kosova nuk mund ta fitoj, ndërsa, me shumë gjasë, të gjitha të tjerat mund t’i fitojë” dhe Serbia nuk mund ta pengojë.(LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Tuesday, 25 September 2012 12:54

OKB – Sekretari i përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Ban Ki-mun, ka thënë se OKB do t’i përmbahet parimit të neturalitetit të statusit në Kosovë.

Këto komente ai i bëri gjatë takimit me presidentin e Serbisë, Tomisllav Nikoliq, thuhet në faqen në Internet të OKB-së.

Mëtutje theksohet se, gjatë takimit të mbrëmshëm, ata kanë shkëmbyer pikëpamje për bashkëpunimin rajonal në Ballkanin Perëndimor dhe rolin e Serbisë në inkurajimin e pajtimit, përfshirë edhe atë nëpërmjet dialogut me Prishtinën, të udhëhequr nga Bashkimi Evropian.

Zoti Ban Ki-mun e ka uruar Serbinë për zgjedhjen e ish ministrit të jashtëm, Vuk Jeremiq, si president të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara. (LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Tuesday, 21 August 2012 16:42

Washington (PLOTESUAR  21 GUSHT, 20:00)- Në mbledhjen e Këshillit të Sigurimit, pas fjalës së kryeministrit të Serbisë, Ivica Daçiq dhe kryeministrit të Kosovës, Hashim Thaçi, kanë marr fjalën edhe përfaqësuesit e tjerë të Këshillit të Sigurimit. Me këtë rast Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Mbretërisë së Bashkuar dhe Gjermanisë, kanë kërkuar shuarjen e strukturave ilegale në veri të Kosovës, ndërkohë Rusia ka shpreh shqetësimin për hapjen e Zyrës Administrative në veri të Kosovës.

Ambasadorja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Rosemary DiCarlo ka theksuar edhe një herë mbështetjen e saj për Kosovën. Ajo ka mbështet fuqishëm progresin në Kosovë, duke thënë që strukturat serbe në veri nuk kanë kurrfarë leje në Kosovë, dhe se ato është dashur të hiqen shumë herët, bazuar në Rezolutën 1244.

DiCarlo theksoi se SHBA-të, mbështesin dialogun që do të jetë në të mirë të integrimit evropian për të dyja vendet. Gjithashtu ajo përshëndeti përfundimin e pavarësisë së mbikëqyrur, duke thënë se më këtë dëshmohet për aftësinë e Kosovës për të ndërtuar një shtet demokratik.

Nga ana tjetër përfaqësuesi i Mbretërisë së Bashkuar, ka thënë se Mbretëria e Bashkuar mirëpret progresin e arritur në Kosovë, ndërkohë duke folur për situatën në veri, ka thënë se Prishtina dhe Beogradi duhet të angazhohen për çështjet e mbetura.

“Mbretëria e Bashkuara mbetet e përkushtuar dhe falënderon EULEX-in për angazhimin në atë pjesë, ndërkohë përpjekjet për të penguar lëvizjen e lirë të qytetarëve janë të papranueshme për Mbretërinë e Bashkuar. Pritet përkushtim i të dyja palëve për të hequr strukturat paralele në veri dhe kërkoi nga Qeveria e Kosovës të përcaktojë strategjinë për veriun dhe mirëpresim hapjen e Zyrës Administrative në veri nga ana e Qeverisë së Kosovës”, ka thënë ai.

Edhe përfaqësuesi i Gjermanisë ka kërkuar shuarjen e strukturave ilegale.

Ndërkohë përfaqësuesi i Rusisë ka thënë se Rezoluta 1244 duhet të mbetet bazë për zgjidhjen e çështjes së Kosovës. Ai ka shprehur shqetësimin me vendimin e Këshillit të Sigurimit për themelimin e Zyrës Administrative në veri. (LajmeShqip.com)

**********************************************

Washington (PLOTESUAR  21 GUSHT, 17:10)- Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara nisi sot diskutimin për situatën në Kosovë, ndërsa raporti tremujor për gjendjen në vend u paraqit para anëtarëve të këshillit nga Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Ban Ki-Mun.

Kryeministri i Serbisë, Ivica Daçiç ka kërkuar publikisht të mos njihet pavarësia e Kosovës. Ai akuzoi qeverinë e Kosovës se ka penguar zhvillimin e diskutimeve mes dy vendeve, ndërsa ka thënë se në jug e veri të Kosovës popullata serbe diskriminohet e vritet. “Ka kërcënime të komunitetit serb, qoftë në jug dhe veri të Kosovës. Nuk kanë tolerancë ndaj besimit tonë fetar, incidente me kishat tona. Ka heshtje të institucioneve nga ana tjetër”, tha Daçiç.

Daçiç ka kërkuar një zgjidhje politike dhe gjithëpërfshirëse për cështjen e Kosovës.
“Dialogu duhet të vazhdojë, por kjo nuk varet nga ne, cështjet e mbetura të pazgjedhura nuk duhet të anashkalohen. Beogradi nuk mund të qendrojë duke dhënë dhe Prishtina duke marrë. Duhet zgjidhje gjithpërfshirëse për të gjitha palët, për sa i përket statusit të Kosovës.

Ai përmendi më tej cështjen e trafikut të organeve, duke akuzuar UCK-në se ka kryer trafik organesh në territorin e Kosovës, në dëm të popullatës serbe, sic përmendi ai.
Ndër të tjera Daçiç tha se “Prishtina e anashkalon juridiksionin e Këshilli të Sigurimit”.

Thaci: Statusi i Kosovës u zgjidh më 17 shkurt 2008
Kryeministri kosovar Hashim Thaci gjatë fjalës së tij reagoi duke iu kundërpërgjigjur kryeministrit serb Ivica Dacic që fliste për Kosovën me status të pazgjidhur dhe si krahinë e Serbisë. Thaci deklaroi se pavarësia e Kosovës është zgjidhur me 17 shkurt të vitit 2008.

“Statusi i Kosovës është zgjidhur me 17 shkurt 2008 një herë e përgjithmonë. Është fakt që nga shkurti i vitit 2008 Kosova ka forcuar institucionet. Jam i nderuar t’ju informoj për procesin e fundit për ti dhënë fund mbikqyerjes së pavarësisë . 5 vite më parë shpallën pavarësinë. Miratimi dhe zbatim i Kushtetutës, decentralizimi i Komunave, krijimi i 6 komunave me përbërje serbe dhe zgjedhja e deputetëve serb janë shembuj të transformimit dhe demokratizmit të vendit. Esenciale kanë qënë të dejtat e minoriteteve. E gjithë korniza ligjore garanton të drejta të barabarta për grupet etnike në Kosovë”,- theksoi Thaci.

Thaci duke theksuar rëndësinë e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë për stabilitetin e rajonit të Ballkanit, ka ripërsëritur qëndrimin e qëverisë që ai drejton për mosprekjen e shtetësisë dhe integritetit territorial të Kosovës.  “Serbia refuzon marrëveshjen për bahkëpunimin rajonal. Besueshmëria e këtij dialogu teknik është ne rrezik dhe i bëjëmë thirje që të pranojmë ato që kemi rënë dakort. Mungesa e dialogut është problem për stabilitetin e gjithë rajonit të Ballkanit. Përderisa ne jemi të përkushtuar ne shtetësinë dhe integritetin territorial nuk do e diskutojmë kurrë. Besojmë se dy kombet të mos mbeten peng”,- deklaroi Thaci.

Duke iu referuar cështjes së veriut të vendit, Thaci nënvizoi se tashmë është gati zyra administrative që do të operojë në këtë pjesë të vendit, pasi sic tha ai ‘ Kosova është kundër ndarjes dhe shkëmbimit të territoreve”,- duke shtuar se qeveria e Kosovës ka plan të integrojë këtë pjesë. (LajmeShqip.com)

***************************************

Prishtinë – Këshilli i Sigurimit  i OKB, nën udhëheqjen e Francës presidente e radhës, sapo ka nisur një seancë për shqyrtimin e raportit periodik për Kosovën të Sekretarit të Përgjithshëm, Ban Ki-moon, rreth të cilit vendet anëtare do të reflektojnë qëndrimet e tyre për zhvillimet tremujore.

Kryeministri i Kosovës Hashim Thaçi dhe kryeministri i Serbisë Ivica Daçiq po marrin pjesë në seancë, e cila po mbahet pas një vizite në korrikun e kësaj vere të Ban Ki-moon në Kosovë dhe Serbi, ku ka takuar autoritetet më të larta të dy vendeve.

Raporti i Ban Ki-moon u bënë thirrje Prishtinës dhe Beogradit të jenë më konstruktivë në tejkalimin e dallimeve dhe të vëjnë në jetë marrëveshjet e arritura përmes dialogut teknik.

Fillimisht po flet shefi i UNMIK-ut, Farid Zarif. Seanca e KS të OKB po transmetohet drejtpërdrejtë nga Televizioni i Kosovës. (LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Monday, 20 August 2012 16:58

Prishtinë – Në raportin e gjerë të sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, që është publikuar në ueb-faqen në internet të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, theksohet se gjatë periudhës 16 prill – 15 korrik 2012, përgatitjet dhe mbajtja e zgjedhjeve parlamentare dhe presidenciale dhe procesi i formimit të Qeverisë në Serbi, ka çuar në një zbrazëti të vazhdueshme në dialogun e lehtësuar nga Bashkimi Evropian ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit, përderisa dallimet në interpretimin e marrëveshjeve të arritura më parë kanë krijuar tensione në rritje në terren.

Megjithëqë Qeveria e Serbisë është përmbajtur nga mbajtja e zgjedhjeve të saj lokale në Kosovë, komunat Zveçan dhe Zubin Potok, kanë vazhduar, pavarësisht vërejtjeve formale nga Beogradi, Prishtina dhe pjesa më e madhe e bashkësisë ndërkombëtare, me mbajtjen e zgjedhjeve të tyre të palejuara më 6 maj.

Në raport thuhet se veriu i Kosovës tash është i dominuar nga Partia Demokratike e Serbisë dhe Partia Progresive.

Gjatë kësaj periudhe, autoritetet e Kosovës kanë vazhduar me përgatitjet, që ata i kanë përshkruar si “përfundim i mbikëqyrjes së pavarësisë”. Rrjedhimisht, kjo nënkupton mbylljen e Zyrës Ndërkombëtare Civile, e krijuar për ta mbikëqyrur implementimin e parimeve të Propozimit për Marrëveshjen Gjithëpërfshirëse, të cilën autoritetet e Kosovës e kanë mbështetur.

Ato, po ashtu, kanë vazhduar me përgatitjet për miratimin e pakos së reformave juridike, që duket se nuk e prekin nivelin e mbrojtjes institucionale për komunitetet në Kosovë, me përjashtim të heqjes së propozimit të një neni në Kushtetutë, që u referohet refugjatëve dhe personave të zhvendosur.

Këto reforma, pritet ta heqin autoritetin ekzekutiv të organizatave ndërkombëtare në Kosovë. Më 2 korrik, Grupi Ndërkombëtar Drejtues, i përbërë nga 25 vende që e kanë njohur Kosovën, kanë konkluduar se mandati i Zyrës Ndërkombëtare Civile do të përfundojë më vonë në vitin 2012, shkruan në raportin e sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, Ban Ki-mun, që do të paraqitet në mbledhjen e Këshillit të Sigurimit për Kosovën.

Në raport vlerësohet se situata e sigurisë në Kosovën Veriore mbetet e ndjeshme. Tensionet shpërthyen kur KFOR-i ishte përpjekur ta largojë bllokadën e rrugës në komunën e Zveçanit. Protestuesit lokalë dhunshëm u konfrontuan me KFOR-in, i cili u përgjigj me forcë. Rrjedhimisht, dy ushtarë të KFOR-it dhe pesë serbë të Kosovës morën plagë nga të shtënat.

Më 4 korrik, vazhdon raporti, Komiteti i Krizës i strukturës komunale në Mitrovicën Veriore, i sponsorizuar nga Beogradi, protestoi kundër aksionit të KFOR-it dhe shpalli se anëtarët e EULEX-it nuk do të lejohen të lëvizin lirisht nëpër Mitrovicën Veriore.

Gjatë javëve në vazhdim, tensionet në mënyrë graduale u zvogëluan dhe EULEX-i ishte në gjendje ta rimarrë qasjen në këtë hapësirë dhe t’i kryejë aktivitetet e veta normale.

Në kapitullin Observimet, sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, pos tjerash, shkruan se me kënaqësi i shikon rezultatet konkrete që kanë dalë nga marrëveshjet e arritura në dialogun ndërmjet Prishtinës e Beogradit deri tash. Megjithatë, “jam i shqetësuar me vështirësitë, në të cilat ka hasur implementimi i disa prej tyre”, thekson Ban Ki-mun.

Rrjedhimisht, ai i fton palët të demonstrojnë qëndrim konstruktiv në kapërcimin e problemeve të këtilla dhe u bën thirrje ndërmjetësuesve që t’i kushtojnë kujdes më të madh dhe burime detajizimit të çështjeve të implementimit. Ban Ki-muni, në fund të raportit të tij të gjatë, i falënderon partnerët e Kombeve të Bashkuara në Kosovë, KFOR-in, NATO-n, Bashkimin Evropian, OSBE-në dhe agjencitë e OKB-së, për mbështetjen e tyre dhe për bashkëpunimin me misionin e OKB-s në Kosovë, UNMIK. (LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Sunday, 19 August 2012 16:44

Prishtinë – Nën udhëheqjen e Francës, presidente e radhës për këtë muaj, Këshilli i Sigurimit në një seancë të paraditës të martën do të shqyrtojë raportin periodik për Kosovën të Skeretarit të Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara, Ban Ki-moon.

Vendet anëtare do të reflektojnë qëndrimet e tyre për raportimin për zhvillimet tremujore.

Raporti i Sekretarit Ban u bënë thirrje Prishtinës dhe Beogradit të jenë më konstruktiv në tejkalimin e dallimeve dhe të zbatojnë në jetë marrëveshjet e arritura përmes dialogut teknik, transmeton RTK.

Kosovën edhe kësaj radhe pritet ta përfaqësojë shefi i diplomacisë, ministri i Jashtëm Enver Hoxhaj, ndërsa Serbia ka paralajmëruar një delegacion nën udhëheqjen e kryeministrit të ri, Ivica Daçiq.

Mediat raportojnë se në këtë mbledhje do të merr pjesë kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi.

Sekretari Ban flet në raport për përmbushjen e pjesshme dhe të munguar të marrëveshjeve të arritura në dialogun e deritashëm dhe vëren se në bashkëpunimin rajonal ”marrëveshja nuk ka përcaktuar në mënyrë precize përdorimin e fusnotës të cilës palët i kanë bërë interpretime të ndryshme që ka çuar në probleme pjesëmarrjeje të Prishtinës dhe Beogradit në një seri takimesh rajonale”.

“Jam i shqetësuar për vështirësitë që po dalin në zbatimin e marrëveshjeve”, shkruan Ban.

Ai thotë se shumë vështirësi në Kosovë nuk janë vetëm pasojë e dallimeve midis palëve, por edhe rezultat i mungesës së konsensusit ndërkombëtar. (LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Wednesday, 08 August 2012 12:36

New York – Sekretari i përgjithshëm i OKB-së, Ban Ki Moon, ka bërë vërejtje për mungesë uniteti brenda bashkësisë ndërkombëtare lidhur me Kosovën.
Kështu thuhet në raportin e tij të përgatitur për mbledhjen e radhës të Këshillit të Sigurimit kushtuar Kosovës që do të zhvillohet me 21 gusht.

Vërejtja më serioze bëhet, për shkak të mungesë së një konsensusi të gjerë brenda bashkësisë ndërkombëtare dhe ky fakt sipas raportit, vështirëson shumë arritjen e kompromiseve të domosdoshme mes palëve në procesin e zgjidhjes së problemeve midis Kosovës dhe Serbisë, citohet Ban Ki Moon.

Sipas mediave serbe të Beogradit të cilat thonë se kanë siguruar raportin e Ban Ki Moon-it, ky i fundit bën vërejtje edhe për politikat për kthimin e minoriteteve në Kosovë.

Po sipas informacioneve të mediave serbe, me 21 gusht në mbledhjen e Këshillit të Sigurimit pritet që Rusia të akuzojë Kosovën se është përzier në çështjet të brendshme të Libisë dhe Sirisë, siç thuhet aty, për te ashtuquajturin trajnimin e rebelëve opozitarë nga këto dy vende. (LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Sunday, 05 August 2012 16:16

Prishtinë – Zëvendëskryeministri dhe ministri i Drejtësisë, Hajredin Kuçi, ka mohuar zërat se në dialogun për veriun do të përfshihet edhe gjashtëpikëshi i Ban Ki-moonit, duke thënë se informatat e tilla janë vetëm pjesë e debateve mediatike.

Kuçi ka deklaruar se zgjidhja e vetme e pranueshme për veriun do të jetë në kuadër të Kushtetutës aktuale të Republikës së Kosovës.

“Çdo zgjidhje për pjesën veriore do të jetë në kuadër të kushtetutës aktuale të Republikës së Kosovës. Nuk do të ketë zgjidhje tjetër. Çdo ide tjetër dhe spekulim lidhur me veriun është i paqëndrueshëm dhe të njëjtat mund të jenë vetëm pjesë e debateve mediale”, ka thënë Kuçi për RTV21.

Kuçi ka shtuar se Qeverisë së Kosovës askush nuk ia ka vënë në tavolinë një çështje të tillë, duke shtuar se për një plan të tillë është informuar vetëm nga mediat. Ai ndër të tjera ka shtuar se për veriun e vendit nuk do të ketë më kompromise. (LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Tuesday, 24 July 2012 20:44

Prishtinë – Sekretari i Përgjithshëm i Organizatës së Kombeve të Bashkuara, Ban Ki-moon, gjatë qëndrimit në Prizren, të martën, ka vizituar bashkësitë më të mëdha fetare, ku gjatë bashkëbisedimit me liderët religjiozë ka bërë thirrje për tolerancë ndëretnike dhe ndërfetare, si çelës për arritjen e paqes jo vetëm në Kosovë por edhe në rajon dhe më gjerë.

I ulur këmbë kryq në mes të Xhamisë së Sinan Pashës, pranë udhëheqësve të Këshillit të Bashkësisë Islame të Prizrenit, sekretari i organizatës më të madhe botërore ka theksuar se dëshiron që të shoh në vepër ndërveprimin e bashkëjetesës fetare dhe etnike, e që sipas tij është parim i veprimit të OKB-së.”Njerëzit janë të lirë të besojnë siç kanë dëshirë. Vizita ime në Prizren është bërë me qëllim që të shoh ndërveprimin e bashkëjetesës fetare dhe etnike. Kosova është një shoqëri shumë etnike dhe shumë fetare dhe në kuadër të kësaj njerëzit duhet ta gjejnë harmoninë dhe gjuhën e përbashkët të komunikimit. OKB-ja gjithnjë angazhohet për avancimin e kësaj bashkëjetese”, ka thënë Ban Ki-moon.

Gjatë paraqitjes që ka bërë në xhaminë më të bukur të Prizrenit, Ban ka cilësuar se liderët fetarë mund të luajnë rol të rëndësishëm në avancimin e procesit të paqes dhe mirëkuptimit mes njerëzve pavarësisht nga dallimet që ekzistojnë mes tyre.

Para se të jepte mesazhin e tij, Ban ka vizituar klerin katolik në Katedralen e Zonjës Ndihmëtare dhe atë ortodoks në Kishën e Shën Gjergjit. Vizita e shefit të OKB-së ka zgjatur rreth një orë. Gjatë kësaj kohe shiu ka rënë pandërprerë. Ai ka zbritur me helikopter në bazën e KFOR-it gjerman në Prizren, ku nën përcjellje të forcave të shumta të rendit është ndalur së pari në Kishën Katolike. Aty është pritur nga kancelari i Kishës Katolike, Don Shan Zefi. Ky i fundit i ka shprehur “mirëseardhje të madhe sa vet Kisha” e Zonjës Ndihmëtare. Kleriku katolik ka përkujtuar se vizita e Ban-it ka nderuar shqiptarët dhe gjithë etnitë tjera që jetojnë në Kosovë.

Sekretari i përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara Ban Ki -moon pasditen e së mërkurës përmes vijës ajrore,  ka ateruar në bazën e KFOR-it italian në Deçan, dhe më pas i përcjellë nën masa të rrepta sigurie, ka vizituar Manastirin e Deçanit ku u prit nga igumeni i Manastirit Ati Sava Janjiq. Kleriku serb  e njoftoi sekretarin e përgjithshëm të OKB-së për historikun e Manastirit dhe për, siç u shpreh ai, mënyrën e mbrojtjes së tij ndër shekuj.Ndërkaq Ban Ki -moon duke bashkëbiseduar me atin Janjiq gjatë vizitës që i bënin Manastirit,  ka thënë se duke parë Manastirin e Deçanit tash e tutje pas vizitës që i bëra këtij monumenti të trashëgimisë kulturore i cili është edhe nën mbrojtjen e UNESCO-s, do të ja di vlerën më shumë’.

“Unë paraprakisht tek institucionet e  Kosovës përcolla mesazhin për ruajtjen e trashëgimisë kulturore, e cila është  njëra ndër kërkesat tona”, i ka thënë ai atit Janjiq në brendinë e Manastirit. Ndërkaq pas takimit me dyer të mbyllura me klerikët e manastirit, sekretari i përgjithshëm i OKB-së nuk ka pranuar të flasë për media. (LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Tuesday, 24 July 2012 15:45

Prishtinë – Pas takimit që kishte me Sekretarin e përgjithshëm të KB-së, Ban Ki-Mun në ambientet e Aeroportit “Adem Jashari”, kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi ka thënë se OKB-ja nuk mund të marrë pjesë në dialogun teknik që ka filluar tash e dy vjet me Serbinë.

Ndërsa sa i përket bisedimeve me Serbinë të një niveli politik, kryeministri Thaçi ka deklaruar se paraprakisht duhet të zbatohen marrëveshjet e që pastaj të vazhdohet me dialog teknik.

Kryeministri ka thënë se e ka njoftuar Sekretarin e OKB-së për arritjet që kanë bërë institucionet e shtetit të Kosovës.

Kryeministri u është përgjigjur mesazheve për luftë të presidentit serb Tomisllav Nikoliq, duke thënë se janë mesazhe të mentalitetit të Milloseviqit dhe se do të dilte prapë në ballë të betejës që Nikoliq të mbetet dhe humbës nga aventurat e tij në raport me Kosovën.

“Unë sot i përgjigjem përsëri se në rrethanat çfarë ai pretendon përsëri unë do të jem në ballë të betejës për t`u larguar Nikolic humbës dhe i turpëruar nga çfarëdo aventurë e re e tij në raport me Kosovën”, ka thënë Thaçi në konferencën për shtyp.

Ai ka thënë se në rast se Serbia hynë edhe një herë në luftë, atëherë krejt shteti serb do të koncentrohet në Beograd, duke mbetur vetëm si Pashallëku i Beogradit.

“Por, çdo aventurë e tij e re në raport me Kosovën nënkupton se ai do ta harroj Kosovën por duhet të mendoj më tepër për Pashallëkun e Beogradit”, ka deklaruar ai.

Pas takimit me Sekretarin e Përgjithshëm të OKB-së, Ban Ki-Mun, kryeministri Thaçi, me ftesë të shefes së diplomacisë evropiane, Ketrin Eshton, udhëtoi për vizitë në Bruksel.

Në takimin me Ketrin Eshton do të diskutohet për ecurinë e deritashme të dialogut Prishtinë – Beograd, zbatimin e marrëveshjeve të arritura, procesin e liberalizimit të vizave për Kosovën si dhe çështje të tjera me rëndësi. (LajmeShqip.com)