Lajme Shqip Sunday, 06 April 2014 15:27

Ish-presidenti i Shqipërisë Bamir Topi, nuk mendon se përkatësia kombëtare e popullatës shumicë ka bërë që Kosova dhe Shqipëria të jenë vendet e vetme në rajon që kanë ngelur shumë mbrapa anëtarësimit në Bashkimin Evropian. Në një intervistë për gazetën Tribuna, ish-presidenti që tash ka bërë subjektin e tij politik në Shqipëri, Frymën e Re Demokratike, ka thënë se rruga e integrimit të Kosovës në BE është më e vështirë për shkak të specifikave politike, derisa ajo e Shqipërisë, sipas tij, do të duhej të ishte më e lehtë.

“Nëse në rastin tuaj ka edhe elemente të tjera, në Shqipëri fajtori i vetëm që vendi nuk është kandidat për anëtarësim në BE, janë politikanët shqiptarë. Nëse do të demonstronim një politikë më të matur dhe më të kujdesshme, standardet do të ishin realizuar më shpejt. Duhet ndarë sa i përket integrimit ndonëse fizionomia e politikanëve është deri diku e ngjashme”, – ka thënë Topi. 

Ngjashmëria e politikanëve në Kosovë e Shqipëri, sipas tij, ka të bëjë me përpjekjen e secilit për të tërhequr gjithçka kah “parcela e tij politike”, shpesh edhe duke harruar se janë disa çështje të interesit kombëtar, që janë më të rëndësishme se këto parcela.

“Në përgjithësi shoh shumë ngjashmëri. Ka dhe elementë pozitivë por ka edhe shumë negativë, thënë të drejtën. Me sa duket, kemi huazuar shumë ndaj njëri-tjetrit kulturën e të bërit politikë dhe të prezantimit të saj në institucione”,  ka thënë Topi. 

Ai ka folur me rezerva për suksesin e qeverisë Rama dhe nuk ka kursyer kritikat për qeverisjen e kaluar të Sali Berishës.

 
Lajme Shqip Tuesday, 28 January 2014 10:04

Shërbimi Informativ Shtetëror vazhdon të jetë në shërbim të ish-kryeministrit Sali Berisha për të përgjuar kundërshtarët e tij politikë. Alarmi-akuzë vjen nga ish-Presidenti, Bamir Topi. Në një intervistë për gazetën “Shekulli”, Topi shprehet se kreu i SHISH-it, Visho Ajazi Lika duhet të thirret patjetër në Kuvend që të japë shpjegime mbi mospërmbushjen e detyrimeve kushtetuese për garantimin e sigurisë publike. Topi demaskon ish-Kryeministrin, Sali Berisha, i cili, sipas tij, vijon të jetë ende lideri real i PD-së dhe përjashton çdo mundësi bashkëpunimi me selinë blu, duke pohuar se: “Për sa kohë që PD-ja shfaqet me të njëjtën filozofi arkaike dhe sjellje primitive të ish-kryetarit të saj, i cili de facto vazhdon të jetë turbulluesi i jetës politike dhe institucionale në Shqipëri, ne nuk e gjejmë terrenin e përshtatshëm për bashkëpunim”. Ish-Kreu i Shtetit, ndërsa komenton për darkën me Kryeministrin Edi Rama, nuk përjashton një marrëveshje bashkëpunimi PS-FRD. Sipas tij nuk është e gabuar të bashkëpunohet dhe të mbështeten qëllimet e mira të qeverisë, ashtu sikurse bëhet opozitarizëm kur gjërat nuk shkojnë mirë. Sa i përket nismave të qeverisë së re, Topi pohon se Policia e Shtetit ka nevojë për mbështetjen e politikës, ndërsa shëndoshja e financave të shtetit nuk mund të vijë thjesht nga gjobat e qytetarëve apo rritja drastike e taksave.

Zoti Topi, para pak ditësh në një dalje televizive latë të hapur mundësinë e bashkëpunimit me Partinë Demokratike të drejtuar tashmë nga z. Basha, ndërkohë pak ditë më parë, ju pamë në një darkë me Kryeministrin Rama. Është ky një afrim me Partinë Socialiste?
Çdo shprehje, aq më tepër ku bëhet fjalë për gjëra të rëndësishme, duhet të vendoset dhe interpretohet në kontekstin e duhur, përndryshe gjithçka vendoset në inkoherencë të plotë. Së pari, unë jam pyetur nëse FRD-ja e njeh komunikimin dhe bashkëpunimin politik dhe unë jam përgjigjur se partia të cilën përfaqësoj është një formacion politik i ndërtuar mbi një platformë dhe mbi një vizion modern, që nënkupton çdo bashkëpunim të vendosur në principe dhe që i shërben filozofisë për forcimin e shtetit, të institucioneve të tij, gjithçka në funksion të qytetarëve.

Por, nisur nga historiku i marrëdhënieve midis dy partive tona, unë jam shprehur gjithashtu se sa kohë që PD-ja shfaqet me të njëjtën filozofi arkaike dhe sjellje primitive të ish-kryetarit të saj, i cili de facto vazhdon të jetë turbulluesi i jetës politike dhe institucionale në Shqipëri, ne nuk e gjejmë terrenin e përshtatshëm për bashkëpunim. Aq më tepër kur nga PD-ja, qysh nga fillimi i funksionimit të FRD-së si parti politike, vijnë sinjale lufte dhe veprime absolutisht armiqësore, tashmë të njohura. FRD-ja vërtetë është një parti e qendrës së djathtë, por nuk mjafton vetëm shprehja që jemi parti të të njëjtit spektër, për të bërë të mundur bashkëpunimin. Për sa i përket citimit të darkës së konsumuar me z. Rama, e konsideroj një komunikim shumë qytetar që përgjithësisht mungon në politikën shqiptare, ndryshe nga ajo evropiane. Të ndash pikëpamje për politikën dhe çështje me rëndësi për institucionet në Shqipëri, është gjëja më normale, duke u nisur nga fakti që jam, jo vetëm kryetar i një partie politike, por edhe si ish-Presidenti i Shqipërisë.

Pas darkës deklaruat që të bashkuar bëhen reformat, jo të ndarë. A ekziston mundësia e një marrëveshje bashkëqeverisëse me Kryeministrin Rama?
Besoj kam qenë mjaft i qartë në atë prononcim të shkurtër për mediat. Reformat e rëndësishme kërkojnë afrim për të bashkëpunuar, pasi edhe formalisht ndryshimet kushtetuese kërkojnë më shumë se votat e një koalicioni dhe për më tepër, kontributin edhe të atyre faktorëve politikë dhe ekspertizë, ndonëse nuk jemi pjesë e Parlamentit.

Kështu që, mendoj se nuk gabojmë që të bashkëveprojmë dhe të mbështesim qeverinë në qëllimet e mira në funksion të shtetit ligjor dhe qytetarit dhe të bëjmë opozicion kur gjërat nuk shkojnë mirë. Sot për sot, nuk ka asnjë marrëveshje. FRD-ja është deklaruar se qëndron në opozitë me qeverinë, por ndryshe nga opozita tjetër, që po e vuan shumë humbjen e pushtetit të Berishës, opozita jonë është shumë konstruktive dhe parimore.

Nëse po, çfarë kërkon konkretisht Fryma e Re Demokratike?
FRD-ja kërkon të respektohet në ushtrimin e veprimtarisë së saj politike për çështje që kanë të bëjnë me nevojën e ndryshimeve të Kushtetutës për reformën në drejtësi, për çështjet më bazike të programit të saj si pronat, të përndjekurit etj.

Si po qeveris mazhoranca e majtë?
Qeveria aktuale duhet thënë që trashëgoi një situatë të rëndë në ekonomi dhe institucione. Sigurisht ka përpjekje për të stabilizuar situatën, por fatkeqësisht situata me rendin publik vazhdon të mbetet problematike. Sipas meje, rendi nuk mund të vendoset vetëm me masat policore dhe me zërin e fortë dhe të ashpër të politikës dhe të policisë. “Të fortët”, gjithmonë kanë dështuar. Kjo ka qenë çështje kohe. Ka ardhur koha që të vëmë në “shënjestër” punën skandaloze të Shërbimit Informativ Shtetëror, që mendjen e ka si të përgjojë kundërshtarët politikë të ish-Kryeministrit, në vend që t’i kthehet misionit për t’i paraprirë ngjarjeve kriminale që po bëhen refren i jetës sonë. Është e patolerueshme që nuk thirren në Parlament për të dhënë shpjegime, për përmbushjen e detyrimeve kushtetuese që të garantojnë sigurinë publike. Policia e Shtetit nuk mund ta realizojë e vetme misionin. Ajo ka nevojë për mbështetjen e politikës dhe sidomos, të Shërbimeve Inteligjente. Për sa i përket ekonomisë, kam mendimin se shëndoshja e financave të shtetit nuk mund të vijë thjesht nga gjobat e qytetarëve apo rritja drastike e taksave, por urgjentisht duhet të kthejmë sytë nga prioritetet e ekonomisë kombëtare, që qeveria e kaluar e ka lënë në mëshirë të fatit.

Opozita akuzon se vendi po keqqeveriset për shkak të të paaftëve, çfarë konsiderate keni për ministrat e qeverisë “Rama”?
Periudha e provës për ta ka mbaruar. Tani presim rezultate konkrete, pavarësisht problemeve të shumta që po përballojnë.

Reformimi i PD-së, së pari duhet të largohet ‘plaku’ i asaj partie

E djathta është përdorur në mënyrën më të keqe, nga komunisti me jetëgjatësinë më të madhe në politikën postkomunite

Si i konsideroni lëvizjet e fundit të opozitës dhe pse vazhdoni të rrini larg saj, kur thoni që jeni parti e spektrit të djathtë?
Në këndvështrimin tonë opozita në Parlament, ka një stil dhe mënyrë sjellje tashmë plotësisht të vjetëruar, që nuk e çon askund. Ajo ka një filozofi negativiste dhe të dhunshme. Lideri real, këtu e kam fjalën për ish–Kryeministrin, është totalisht i papranueshëm nga bota perëndimore, pasi askush nuk e përdor fjalorin e tij dhe për më tepër, protagonizmin e tij të përçartur, duke vazhduar t’i bëjë dëme të pallogaritshme partisë së tij, pasardhësit dhe kauzës të së djathtës në Shqipëri.

A ka nevojë e djathta për një reformim dhe në çfarë mënyre duhet të bëhet?
Absolutisht po. E djathta duhet të kuptojë se ka shkuar në kuotat më të ulëta të të gjithë periudhës së tranzicionit politik shqiptar. E djathta shqiptare është e përçarë, e përdorur në mënyrën më të keqe, nga komunisti me jetëgjatësinë më të madhe në politikën postkomunite në Evropën Lindore. Mjafton kaq për të kuptuar nevojën imediate për çlirimin e së djathtës nga kjo psikologji dhe fillimin e një epoke të re, pasi demokracia në Shqipëri, si kudo, ka nevojë për opozitën qytetare dhe kontribuese për problemet madhore të vendit.

A ka njerëz brenda spektrit të djathtë që punojnë kundër të djathtës?
Tashmë diagnoza është vendosur. Prej dy dekadash, njerëzit që kanë punuar kundër të djathtës janë ende aty. Sjellja me ish–të përndjekurit, me ish-pronarët, me institucionet e shtetit si dhe përjashtimi i të gjithë elementëve të kulturuar të së djathtës, janë tregues i qartë.

Kreu i PD-së, Basha ka thënë që do të riaktivizojë KOP-in. A është rruga e duhura për hapjen e të djathtës dhe kush duhet të kthehet në Partinë Demokratike?
Ky është një element infrastrukturor dhe tashmë i i ezauruar për një parti që u rrëzua nga pushteti me një votë masive, pas keqpërdorimit të këtij pushteti dhe amortizimit të moralit politik. Nga kjo pikëpamje, e djathta duhet të rikthejë standardin e humbur të moralit dhe principeve politike. Më pas mund të vlejë ekspertiza, ju duhet të kuptoni që jemi në pluralizëm dhe spektri politik është më i gjerë se binomi PS-PD. Sot jam në komunikim me ju, jo për t’ju folur për planet e PD-së por për nevojën e sensibilizimit qytetar për t’ju larguar atij modeli dhe për t’ju afruar modelit politik të FRD-së. Sot Partia Demokratike, nuk ofron më asnjë shpresë për optimizëm. Një parti ku nuk ka struktura të zgjedhura dhe për më tepër largime, që kanë bërë që ajo parti të jetë në kuotat më të ulëta të historisë.

Në PD, thuhet se do të largohen të “vjetrit” dhe do të vijnë emra të rinj. Si i shihni këto prurje në partinë, ku keni kontribuar vite me radhë?
Nëse është e vërtetë kjo, i pari duhet të largohet “Plaku” i asaj partie, sikurse kishte premtuar. Nëse të rinjtë nënkuptojnë sërish psikologjinë e tij, atëherë gjithçka është e destinuar të shkojë në dështimin final. Kam bindjen se edhe atje, do të ketë një zgjim të njerëzve me kontribute, që tashmë e shikojnë situatën mjerane. Opozita nuk realizohet duke i bërë qejfin vetes, por duke marrë përgjegjësi reale për çështjet më të rëndësishme të kohës.

“Rikthimi në pushtet, shanset e selisë blu janë zero”
Shanset e Partisë Demokratike për tu rikthyer në pushtet janë zero. Sipas ish-Presidentit Bamir Topi opozita sot është e përçarë ndërkohë që humbësit e zgjedhjeve të 23 qershorit nuk kanë ndryshuar asgjë për të sjellë një situatë të re politike.

Nëse opozita vazhdon me këtë linjë, e shikoni të largët kthimin e PD-së në pushtet?
Nuk dëshiroj që të bëhem cinik, qoftë edhe për një çast, por kjo opozitë e përçarë dhe ulja e kredibilitetit publik të ish – partisë në pushtet, e bën matematikisht zero mundësinë e rikthimit në pushtet, për një kohë të gjatë.

Vitin që vjen janë zgjedhjet lokale dhe ato do të jenë testi i së vërtetës, edhe për këto që po shpreh unë sot. Reflektimi nuk po ndodh. Analizat për humbjen katastrofike nuk u bënë. Nuk arrij të kuptoj si mund të ndryshojë situata kur te humbësit nuk ka ndryshuar asgjë.

Cilat janë prioritetet e aktuale të Frymës së re Demokratike dhe a e bën të vështirë përfshirjen në reforma, fakti që është jashtë parlamentit?
Folëm shumë, për të ardhur tek ajo që më takon më shumë për të folur. FRD-ja është ende parti e re, me një mbështetje jo të vogël në garën e parë elektorale, duke marrë parasysh që jemi dëmtuar shumë në ruajtjen e votës sonë. Ne kemi mbaruar analizën e zgjedhjeve në të gjitha qarqet dhe jemi në një fazë të rëndësishme riorganizimi që do të ndikojë në rritjen e numrit të anëtarëve e simpatizantëve për t’u prezantuar denjësisht në zgjedhjet e 2015, për të pasur përfaqësuesit tanë në të gjithë piramidën e pushtetit lokal në Shqipëri.

Gjithashtu do të jemi të pranishëm në debatin publik për të gjitha problemet madhore që lidhen me nevojën e reformave dhe perspektivën evropiane të Shqipërisë.

 
Lajme Shqip Wednesday, 04 September 2013 12:07

Cila do të jetë marrëdhënia e Bamir Topit me lidershipin e Partisë Demokratike?
Nga burimet e gazetës Shqip pranë të dyja selive, mësohet se kreu i PD-së së fundmi ka zhvilluar takime intensive me kreun e Frymës së Re Demokratike, Bamir Topi, për të bërë të mundur afrimin e dy forcave drejt një të djathte të konsoliduar dhe të gatshme për rolin e saj opozitar.
Bëhet fjalë për një sërë takimesh në nivel kryetarësh, që nuk synojnë bashkimin e FRD-së dhe PD-së në një parti të vetme, por nisjen e një bashkëpunimi të ri mes dy forcave, pas largimit nga drejtimi i PD-së të liderit historik të kësaj partie, Sali Berisha.
Ndërkohë Shqip raporton se Topi është duke hartuar një platformë gjithëpërfshirëse për një të djathtë të riformatuar.
Të gjitha partitë e spektrit të djathtë do të ftohen për të bashkëpunuar për konsolidimin e të djathtës pas goditjes së marrë në zgjedhjet e qershorit./tema/

 
Lajme Shqip Friday, 23 August 2013 09:30

Tiranë- E djathta shqiptare pritet të bashkohet dhe të funksionojë në një Federatë, ku gjithë partitë e djathta të jenë nën një organizim të bredshëm duke sjellë dhe maksimalizimin e veprimit politik. Me të njëjtin format si e djathta e bashkuar e grumbulluar te Poli i Lirisë dhe udhëhequr nga Berluskoni, dhe kreu i ri i PD Lulzim Basha ka nisur përgatitjet për krijimin e federatës, qëllimi kryesor i së cilës është grumbullimi nën drejtimin e një kupole të përbashkët me dominancë PD, të të gjithë të djathtëve e për pasojë evitimin e mundshëm të çarjes së PD pas përplasjeve më të fundit për shkak të garës për kreun e PD mes vetë Bashës dhe rivalit të tij brenda partisë, Sokol Olldashi.

Skema ka nisur që me negociatat që ka filluar Basha me Bamir Topin kreun e FRD dhe Kreshnik Spahiun kreun e AK, për t’i afruar në një aleancë me PD dhe bllokun e djathtë opozitar në kuadrin e një opozite të bashkuar. Burimet brenda selisë blu saktësojnë se Basha ka hedhur idenë e krijimit të federatës së djathtë të ngjashme me atë që kanë bërë dhe partitë anëtare të PPE-ve dhe Berluskoni, që gjithnjë në çdo palë zgjedhje, ka arritur të marrë maksimumin, shkruan Shqiptarja.

Ndërkohë që krijimin e një federate të partive të djathta shqiptare e favorizon shumë dhe sistemi elektoral proporcional rajonal, ku partitë e vogla janë të penalizuara për shkak të rritjes së varjueshme të pragut elektoral, gjë që ka lënë jashtë Kuvendit parti që kanë marrë shumë vota. Pikërisht mbi këtë nevojë dhe për maksimalizimin e votës, lidershipi i PD po përpiqet për krijimiin e federatës së djathtë, duke parë në këtë grup Partinë Republikane, PLL, FRD, AK, dy partitë e Ballit Kombëtar, PBL, PDK, PLD dhe LZHK që janë partitë kryesore të koalicionit të djathtë shtuar këtu të gjitha partitë e spektrit të djathtë, me të cilat ka hyrë në zgjedhje.

Ndërkohë që ka ngurrim në lidhje me ftesën për PDIU të Idrizit, një parti e cila ka si kauzë të saj jo ideologjinë por zgjidhjen e çështjes çame. Federata pritet të funksionojë në bazë të një këshilli koordinues, ku të ruhet indetiteti politik, kryesisht i partive të mëdha, të ketë një seli të përbashkët përpos selive të tyre, vetëm një drejtues e nënkryetarë aq sa janë partitë që bashkohen.

Do kërkohet që krijimi dhe funksionimi i Federatës të jetë maksimumi efektiv në zgjedhjet parlamentare të vitit 2017, ndërkohë që pritet të bëhet funksionojë si projekt “pilot” që në zgjedhjet vendore të 2015. Përzgjedhja e kandidatëve për deputetë do të bëhet sipas mbështetjes nëpër rajone, ndërkohë që nuk do të ketë lista të veçanta por vetëm një listë e përbashkët për të gjithë partitë përbërëse të Federatës së Djathtë Shqiptare.