Lajme Shqip Tuesday, 03 December 2013 19:22

Mitrovicë- Kandidati i PDK-së për kryetar të Mitrovicës, Avni Kastrati ka thënë se nuk e pranon rezultatin e zgjedhjeve të 1 dhjetorit. Ai ka thënë se në këtë komunë duhet të përsëriten zgjedhjet meqë, sipas tij, ka pasur manipulim të votave.

Kastrati ka treguar se për këto parregullsi kanë bërë ankesë në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP). “Në zgjedhjet e 1 dhjetorit ka pasur fletëvotime false që kanë ndikuar në rezultat, bile dukshëm kanë ndikuar në rezultat, sepse është përdorur sistemi i ‘Trenit bullgar’. Ne kemi bërë ankesë në afatin ligjor në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa, që të përsëriten zgjedhjet në Mitrovicë”, ka thënë Kastrati. 

Ai ka thënë se kur të shfrytëzohen të gjitha mjetet juridike, atëherë mund ta pranojnë rezultatin. “Aktualisht jo”, ka thënë për “Epokën e re” Kastrati. 

Ai ka thënë se pas këtij manipulimi të votave, Komuna e Mitrovicës duhet të shkojë në rivotim. “Duke i marrë parasysh faktet, jam shumë i sigurt se Komuna e Mitrovicës do të shkojë në rivotim. Është zbuluar fletëvotimi fals dhe kjo flet shumë”, ka thënë Kastrati.

I pyetur se, a mjafton vetëm ky fakt që Mitrovica të shkojë në rivotim, Kastrati ka thënë se kjo është vetëm njëra prej dëshmive të mjaftueshme për t’u përsëritur zgjedhjet në Mitrovicë. “Unë mendoj se po. Kjo duhet të bëhet duke e zbatuar ligjin”, ka thënë Kastrati. 

Ai ka kërkuar nga PZAP-ja dhe KQZ-ja që qytetarëve të Mitrovicës t’ju mundësohet dalja e sërishme në zgjedhje. “Duhet sjell vendimin që të na mundësojnë të dalim në rivotim”, ka thënë Kastrati, duke përsëritur se manipulimet e votave kanë ndikuar në përmbysjen e thellë të rezultatit të arritur në zgjedhjet e 3 nëntorit.   

 

 

 
Lajme Shqip Tuesday, 03 December 2013 15:33

Prishtinë- Kreu i listës “Srpska”, Krstimir Pantiq, nuk vonoi shumë, menjëherë pasi u zgjodh kryetar i veriut të Mitrovicës dërgoi mesazh për Qeverinë e Kosovës, duke u bërë me dije se tashmë kjo listë ka nëntë prefektë që e mbështesin qeverinë e Serbisë dhe nuk e njohin pavarësinë e Kosovës.

Është renditur e 6-ta si më e votuara nga gjitha partitë në Kosovë, fitoi 9 komuna, aq sa fituan edhe partitë më të mëdha, PDK dhe LDK. Kreu i listës “Srpska” tha se tani janë më të fortë se asnjëherë, ku bashkë me 9 komunat e fituara do të punojnë për Serbinë dhe kundër Kosovës.

Ai e tha qartë se kryetarët e rinj të komunave që kanë fituar nuk do të njohin institucionet e Kosovës dhe se veprojnë nën direktivat direkte që vijnë nga Beogradi.

“Kemi fituar 9 komuna, ku qytetarët e tyre serbë nuk do të njohin kurrë pavarësinë e Kosovës”, ka thënë Pantiq për gazetën “Zëri”. I bindur për shtrirjen shumë të shpejtë jo vetëm në komunat veriore por edhe në pjesën jugore, ai tha: “Tani jemi më të fortë se asnjëherë gjatë këtyre 14 viteve të fundit, për të përfaqësuar politikat e Serbisë në hapësirat ku kemi fituar”, u deklarua Pantiq për “Zërin”.

Ndonëse e certifikuar vetëm pak ditë përpara zgjedhjeve, lista “Srpska” ka fituar bindshëm në krahasim me kandidatët tjerë serbë në garë. Nga dhjetë komuna me shumicë serbe Pantiq ka fituar nëntë prej tyre.

Sipas rezultateve preliminare të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në Kosovë, lista “Srpska”, është renditur partia e 6-të më e votuara në Kosovë, nga gjithsej 43 parti të certifikuara garuese në zgjedhjet lokale të 3 nëntorit.

 

Brukseli të reagojë ndaj Pantiqit

 

Analisti dhe drejtues i KIPRED, Ilir Deda, tha thënë se lista “Srpska” e dalë dhe përkrahur si listë nga bisedimet në Bruksel, atëherë të njëjtit edhe duhet të reagojnë ndaj deklaratave e qëllimeve të tilla.

“Me vetë faktin që jep këso deklarata konfliktnxitëse shihet se roli i ‘Srpskas’ është i prirë të jetë negativ. E thënë nga Pantiq i cili flet në emër të Beogradit, duhet të reagojë Bashkësia Ndërkombëtare, shtetet perëndimore duhet të dalin me qëndrime e mesazhe të qarta në drejtim të Serbisë lidhur me rolin e kësaj liste”, tha Deda.

Sipas tij, është vetë Bashkësia Ndërkombëtare që ka lejuar instalimin e kësaj liste, të cilët më me rëndësi e kanë pasur arritjen e marrëveshjeve në Bruksel se sa stabilitetin në Kosovë.

Analisti Shenoll Muharremi, thotë se është absurde që BE si lehtësuese e dialogut të pranojë zgjedhje të tilla si kjo e listës “Srpska” me karakter etnik kur dihet mirë që parimet e BE-së janë plotësisht në harmoni me shumetnicitetin dhe diversitetin.

“Padyshim që kjo është një ngjarje me ndikim ndërsa tani Qeveria e Serbisë ka ndikim drejtpërdrejt në 9 komuna si dhe së shpejti do të kontrollojë Asociacionin e Komunave Serbe”, tha Muharremi.

Sipas tij, edhe pse Asociacioni ka status të organizatës joqeveritar, grupimi i 10 komunave serbe, si tërësi do ketë peshë shumë më të madhe dhe ka mundësi ta fragmentojë sistemin e qeverisjes lokale në Kosovë me potencial negativ që këto 10 komuna të duken si rajon apo grup në veti.

 

Kuçi: Pantiq mund të flasë çfarë të dojë

Zëvendëskryeministri Kuçi tha se ai është i lirë të flasë çfarëdo, por në fund veprimet duhet t’i ketë në përputhshmëri me Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës.

“Çdokush që vepron dhe jeton në Kosovë duhet të respektojë Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës. Pantiq mund të flasë çfarëdo se jetojmë në vend që respektohet liria e fjalës, por çdo veprim jashtë Kushtetutës dhe ligjit është i sanksionuar”, shtoi ai.

Për ndikimin direkt që ka Beogradi në këto komuna flet edhe Oliver Ivanoviq nga iniciativa qytetare, kundërkandidati që humbi kundrejt Krstimir Pantiq për vetëm 300 vota.

Ai nuk pajtohet me deklaratën e Pantiqit se si komuna do të jenë krejtësisht të pavarura nga Prishtina, ashtu siç nuk do të jenë të pavarura as nga Beogradi.

Sipas tij, nga vetë fakti që si asociacion ka dalë prej bisedimeve ndërmjet Prishtinës e Beogradit me ndërmjetësimin e BE-së, pritet të ketë bashkëpunim mes këtyre tri palëve.
“Aktiviteti i asociacionit definohet në Bruksel mes Prishtinës dhe Beogradit dhe këtu nuk mundet Serbia të ketë rolin si i vetëm”, tha Ivanoviq.

 

 
Lajme Shqip Monday, 02 December 2013 12:13

Prishtine- Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, pas mesnatës, ka dhënë rezultatet preliminare për 25 komunat ku u votua për balotazh. Sipas KQZ-së, votues të regjistruar kanë qenë 1 milion e 371 mijë e 524 votues, dhe kanë qenë 1816 vendvotime. Kryetarja e KQZ-së, Valdete Daka, ka thënë se fletëvotime të vlefshme janë 532 mijë e 935, ndërsa përqindja e daljes në votime në këto komuna është 39. 87 për qind. 

Në konferencën e fundit që është mbajture në orën 24:30 minuta, kryetarja e KQZ-së, Valdete Daka, ka thënë se këto rezultate preliminare janë aprovuar nga të gjithë anëtarët e KQZ-së, me konsensus. Por, ajo ka bërë me dije se në këto rezultate nuk përfshihen edhe votat me kusht dhe votat me nevoja të veçanta dhe ato nga jashtë Kosovës.

Po ashtu, kryetarja Daka ka thënë se para se të fillojë numërimi i votave në një vendvotim në komunën e Parteshit, pasi janë mbyllur vendvotimet, kanë hyrë disa persona dhe kanë dëmtuar tri kuti me fletëvotime, derisa një kuti ka arritur të shpëtoj.

“Këto janë rezultatet ku mungon komuna e Parteshit, pasi që janë mbyllur vendvotimet në një qendër të votimit në Pasjan ka ardhur deri tek një incident dhe me atë rast janë dëmtuar tri kuti, ndërsa, një kuti nga kjo qendër e votimit ka mbetur pa dëmtuar dhe është në duart e Policisë. Ndërsa, dy persona janë arrestuar nga Policia e Kosovës dhe janë duke u marr në pyetje”, ka thënë Daka.
 

Prishtinë, 2 dhjetor – Zgjedhjet lokale dhe balotazhi i zhvilluar për zgjedhjen e kryetarëve në 25 komuna të Kosovës, sipas rezultateve preliminare  të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, kanë prodhuar disa përmbysje të rezultateve nëpër komuna. Rezultatet preliminare të KQZ-së:

Prishtinë, Shpend Ahmeti (VV)

Gjakovë, Mimoza Kusari – Lila (AKR)

Prizren, Ramadan Muja (PDK)

Pejë, Gazmend Muhaxheri (LDK)

Gjilani, Lutfi Haziri (LDK)

Ferizaj, Muharrem Svarça (LDK)

Lipjan: Imri Ahmeti (LDK)

Malishevë: Ragip Begaj (IQM)

Rahovec: Idriz Vehapi (PDK)

Dragash: Selim Jenuzi (PDK)

Mitrovicë e Jugut, Agim Bahtiri (AKR)

Mitrovicë e Veriut, Kërstimir Pantiq nga Iniciativa Qytetare ”Srpska”

Graçanicë: Branimir Stojanoviq (GIS)

Junik: Agron Kuçi (AAK-LDD)

Kamenicë: Begzad Sinani (PDK)

Klinë: Sokol Bashota (PDK)

Novobërdë: Svetislav Ivanoviq (GIS)

Obiliq: Xhafer Gashi (AAK-LDD)

Suharekë: Sali Asllanaj (LDK)

Viti: Sokol Haliti (LDK)

Vushtrri: Bajram Mulaku (PDK)

Partesh: Dragan Nikoliq (GIS)

Ranillugë: Gradimir Mikiq (GIS)

Shtërpcë: Bratislav Nikolliq (SLS)

Kllokot: Sreçko Spasiq (GIS)

Pa balotazh garën për kryetar komune e kanë fituar që në rrethin e parë të votimeve:

Deçan: Rasim Selmanaj, (AAK- LDD)

Fushë Kosovë: Burim Berisha (LDK)

Gllogovc: Nexhat Demaku, (PDK)

Han i Elezit: Refki Suma – kandidat i pavarur

Istog: Haki Rugova (LDK)

Kaçanik: Besim Ilazi (PDK)

Mamushë: Arif Bytyq (KTAP)

Podujevë: Agim Veliu (LDK)

Shtime: Naim Ismajli (PDK)

Skënderaj: Sami Lushtaku (PDK)

Leposaviq: Dragan Jabllanoviq (GIS)

Zubin Potok: Stevan Vuloviq (GIS)

Zveçan: Vuçina Jankoviq (GIS)/koha/

 

 

 
Lajme Shqip Sunday, 01 December 2013 22:21

Prishtinë- Deri tash në komunën e Prishtinës janë numëruar gati 40 për qind të votave të hedhura në balotazh. Gara për kryetar të Prishtinës është shumë e fortë, kurse diferenca ndërmjet Isa Mustafës, kandidat i LDK-së, dhe Shpend Ahmetit, kandidat i Lëvizjes Vetëvendosje, është vetëm rreth 0.5 për qind.

Sipas reporteres se klankosoves në selinë e VV, Shpend Ahmetit i’a  janë mbushur sytë me lotë nga ky rezultat./klankosova/ 

 
Lajme Shqip Sunday, 01 December 2013 21:00

Prishtinë- Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka njoftuar se në Qendrën e Numërimit dhe të Rezultateve në Fushë Kosovë mungon një nga disqet e arkivuara, në të cilin kanë qenë të ruajtura imazhet e kamerave, që kanë regjistruar hapësirat e brendshme dhe të jashtme të QNR-së.

Por, sipas KQZ-së, serverët ku janë të ruajtura të dhënat e tabelimit të rezultateve janë të paprekur dhe të sigurt, raporton koha.

“Dëshirojmë t’ju bëjmë të njohur se kjo nuk ka asnjë ndikim në procesin e punës në Qendrën e Numërimit dhe të Rezultateve dhe sidomos jo në procesin e  përgatitjes dhe përpunimit të rezultateve. Po ashtu, ju informojmë se KQZ ka informuar organet përkatëse të rendit dhe të drejtësisë, të cilat edhe janë duke u marrë me këtë rast”, thuhet në komunikatën e KQZ-së.

 
Lajme Shqip Sunday, 01 December 2013 11:03

Prishtinë- ( E plotësuar) Prokuroria e Shtetit dhe Policia e Kosovës kanë bërë të ditur se janë arrestuar gjashtë persona për tentim të pengimit të procesit zgjedhor. 

Koordinatorja për zgjedhje nga Prokurorja e Shtetit, Laura Pula ka deklaruar se kanë pasur shumë informacione, të cilat janë verifikuar nga Policia e Kosovës.
“Kemi një rast të hapur në Gjilan (Tërpezë të Vitrisë), me një person të arrestuar për 48 orë për veprën penale keqpërdorim i detyrës zyrtare. Ky person është komisionar nga një parti politike, i cili ka votuar në emër të një personi tjetër. Në Lipjan një vëzhgues është arrestuar dhe ndalur për vepër penale, armëmbajtje pa leje, po ashtu në Mitrovicë është arrestuar një person për armëmbajtje pa leje”, bëri të ditur Pula.
Sipas Prokurorisë, në Mitrovicë dy komisionarë janë arrestuar për pengim të procesit të votimit, ndërkaq në Prizren një zyrtar i lartë i KQZ-së është ndaluar nga policia, raporton koha.
Zëdhënësi i PK-së, Baki Kelani, ka theksuar se përveç këtyre rasteve ka pasur edhe informacione për të tjera raste që kanë pasur për qëllim prishjen e rendit dhe qetësisë publike .
“Vlen të theksohet se në aspektin e sigurisë situata është e qetë në tërë territorin e Kosovës dhe nuk ka asnjë rast që të pengojë procesin zgjedhor”, ka thënë Kelani.
Policia dhe Prokuroria e Shtetit kanë bërë thirrje për raportim të rasteve që kanë të bëjnë me keqpërdorim të votës.
Në anën tjetër, Driton Selmanaj nga koalicioni i OJQ-ve “Demokracia në Veprim”, në një konferencë për media para pak minutave theksoi se janë shënuar raste të reja të fotografimit të votës, si dhe disa raste të votimit me dokumente që nuk parashihen me Ligjin mbi zgjedhjet. 
Sipas DnV-së deri në orën 17 kanë votuar rreth 32 për qind e zgjdhësve të regjistruar në listat votuese. 

 

KQZ: Deri në orën 15 votuan 27,92 % e qytetarëve

 

Prishtinë- (E plotësuar)  Sipas të dhënave të KQZ-së, deri në orën 15 në raundin e dytë të zgjedhjeve lokale në Kosovë kanë votuar gjithsej 27,92 për qind e qytetarëve, ose 328.971 votues.

Siç u tha, deri në orën 15, dalja më e madhe në votime ka ndodhur në komunën e Parteshit, ku kanë dalë 51,52 për qind e votuesve, ndërsa dalja më e vogël e votuesve është shënuar në Klinë – 15,26 për qind.
Në Prishtinë kanë dalë deri në orën 15, 28.14 për qind e votuesve.

 

Në Kosovë mbahet balotazhi

 

Prishtinë- Në 25 komuna të Kosovës ka nisur sot, që nga ora 7 e mëngjesit, raundi i dytë i zgjedhjeve lokale. Këto zgjedhje legjitimojnë kryetarët e rinj të komunave të Kosovës.

Hapjen e të gjitha vendvotimeve në komunat ku zhvillohet balotazhi, e ka konfirmuar edhe kryetarja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valdete Daka, në konferencën e parë për sot të orës 8, duke theksuar se nuk ka pasur asnjë problem.
“Duke u bazuar në raportet e Komisioneve Komunale të zgjedhjeve, janë hapur të gjitha vendvotimet që në orën 7 të mëngjesit”, ka thënë Daka.

Në garë janë  kandidatët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, të Partisë Demokratike të Kosovës, të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës dhe të Lëvizjes Vetëvendosje.

Partia Demokratike e Kosovës sot garon në 12, Lidhja Demokratike e Kosovës në 15, kandidatët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës që janë edhe kandidat të Lidhjes Demokratike të Dardanisë votën e kërkojnë në gjashtë komuna, Aleanca Kosova e Re në dy, ndërsa, Lëvizja Vetëvendosje sikurse edhe Iniciativa Qytetare e Malishevës garojnë vetëm në një komunë, në Prishtinë dhe në Malishevë.

Në gjashtë komuna të tjera garojnë parti të minoritarëve, kryesisht serbe. Përderisa Partia Liberale Serbe garon në pesë komuna, Iniciativa Qytetare Serbe në pesë komuna, dhe në dy komuna tjera do të garojnë kandidatët e dy subjekteve tjera, SNPK-ja dhe IQ-ja e Oliver Ivanoviqit, i cili është kandidat për kryetar të Mitrovicës veriore.

Vëmendja sot është përqendruar në Prishtinë, ku për kryetar komune garojnë Isa Mustafa i LDK-së dhe Shpend Ahmeti i Vetëvendosjes.

Në qendër të interesimit janë edhe Gjakova, përkatësisht gara ndërmjet kandidates së AKR-së, Mimoza Kusari-Lila dhe atij të AAK-së, Palë Lekaj dhe Peja ku garojnë  Gazmend Muhaxheri i LDK-së dhe Ali Berisha i AAK-së.

Të gjitha organet dhe instancat përgjegjëse janë shprehur të gatshme për organizimin dhe mbarëvajtjen e procesit zgjedhor.

Komisioni Qendror i Zgjedhje ka konfirmuar se janë bërë të gjitha përgatitjet për mbajtjen e zgjedhjeve të raundit të dytë në 25 komuna. Votime do të ketë edhe në Zveçan, ku do të përsëriten zgjedhjet në tri vendvotime.

Presidentja Atifete Jahjaga tha sot se gjatë zgjedhjeve të 3 nëntorit institucionet e drejtësisë u treguan efikase dhe të mobilizuara për të mbrojtur të drejtat dhe liritë e qytetarëve.

Jahjaga tha se pjesa tjetër e testit ka mbetur që të dëshmohet në votimet e balotazhit më 1 dhjetor.

Nga aspekti i sigurisë, Policia e Kosovës ka angazhuar 5.100 zyrtarë policorë për të siguruar mbarëvajtjen e procesit.

Zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Baki Kelani ka thënë se plani operacional parasheh krijimin e kushteve normale të sigurisë gjatë gjithë procesit.

“Prioritetet e këtij operacioni policor janë: Nën një, ruajtja e rendit dhe sigurisë publike në vend para gjatë dhe pas procesit të zgjedhjeve të balotazhit, sigurimi i qendrave të votimit, këshillave komunalë të zgjedhjeve, i depove komunale, Qendrës së Numërimit dhe depos qendrore”, tha ai.

I gjithë procesi i balotazhit do të monitorohet dhe vëzhgohet nga afër nga organizata vendase e ndërkombëtare.

Bashkimi Evropian ditën e zgjedhjeve do të ketë 71 vëzhgues.

Një numër të caktuar vëzhguesish do të kenë edhe ENEMO dhe organizata tjera ndërkombëtare. Kurse, me mbi 1.600 vëzhgues do t’i përcjellë votimet edhe koalicioni i organizatave joqeveritare “Demokracia në Veprim”./koha/ 

 
Lajme Shqip Thursday, 21 November 2013 11:28

Prishtinë- Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, (KQZ) i ka certifikuar të gjitha rezultatet përfundimtare për 37 komunat e Republikës së Kosovës në përjashtim të Komunës së Zveçanit, pasi që aty do të ketë përsëritje të votimeve në tri vendvotime.KQZ-ja, pas certifikimit të rezultateve përfundimtare e ka përcaktuar zyrtarisht 1 dhjetorin ditën e zgjedhjeve, ndërsa fushata për balotazh është caktuar të jetë 5 ditë nga e hëna e ardhshme deri të premten. Dita e shtunë është përcaktuar të jetë heshtja zgjedhore, kurse, e diela dita e zgjedhjeve.
Ndërsa, Florian Dushi ka thënë se mjaftojnë 5 ditë për secilin subjekt dhe kandidat.

Për 5 ditë fushatë ishte edhe anëtari tjetër i KQZ-së, Binak Vishaj, i cili tha se subjektet politike asnjëherë nuk janë ndalur duke bërë fushatë.

Më 1 dhjetor 2013 në garën për balotazh do të jetë Prishtina, Gjakova, Gjilani, Dragashi, Klina, Kamenica, Mitrovica, Lipjani, Novobërda, Obiliqi, Rahoveci, Peja, Prizreni, Shtërpca, Suhareka, Ferizaj, Vitia, Vushtrria, Malisheva, Juniku, Graçanica, Parteshi, Ranillug dhe Kllokoti.

Komunat të cilat kanë pasur fitues në raundin e parë dhe që nuk do të ketë zgjedhje janë Deçani, Skenderaj, Gllogoci, Podujeva, Shtimja, Kaçaniku, Hani i Elezit, Fushë-Kosova, Istogu dhe Mamusha./Koha/

 
Lajme Shqip Tuesday, 12 November 2013 17:45

Prizren- Bashkimi Demokratik ka vendosur që përkrahja e tyre për balotazhin e 1 dhjetorit të shkojë për kandidatin e LDK-së, Eqrem Kryeziu.

“Në rrethanat e krijuara pas zgjedhjeve të 3 nëntorit, ku garoi me kandidatin për kryetar dhe listën e kandidatëve për Kuvend me numër 74, dhe ku pretendoi ndryshime të mëdha dhe thelbësore, në mbledhjen e kryesisë vendosi duke u konsultuar edhe me Këshillin Drejtues të BD-së që të vazhdoj angazhimin e vet politik në sfidën e radhës, në përputhje me votën që ka marrë më 3 nëntor me vullnetin e qytetarëve që në garën për balotazh më 1 dhjetor të mbështes kandidatin për kryetar të Prizrenit nga LDK, z. Eqerem Kryeziu”, ka thënë Leart Batusha, asistent i Zafir Berishës.

“Ky qëndrim erdhi pas konsultimeve të gjera të BD-së, simpantizantët dhe miqtë e BD-së, shoqërinë civile dhe intelektualët e Prizrenit të cilët ishin që angazhimin politik dhe veprimet e BD-së të jenë në përputhje me qëndrimet publike që janë prezantuar nga kryesia dhe ekipi i Bashkimit Demokratik”, ka thënë Batusha në fund të njoftimit. /Zëri/

 
Lajme Shqip Tuesday, 05 November 2013 22:42

Prishtinë- Partia Demokratike dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës në nivel të degëve në Prizren kanë nënshkruar marrëveshje koalicion. AAK-ja së bashku me LDD-në do ta mbështesin kandidatin e PDK-së, Ramadan Muja, i cili shkon në balotazh me Eqrem Kryeziun e LDK-së. I pranishëm në ceremoninë e nënshkrimit ishte edhe nënkryetari i PDK-së, Enver Hoxhaj. “Sot Partia Demokratike e Kosovës në nivel dege ka arritur një marrëveshje me AAK-në dhe LDD-në për të mbështet kandidatin Ramadan Muja në rundin e dytë për të qeverisur dhe ky bashkim është bazuar në parime dhe platforma për t’i vazhduar ndryshimet në Prizren dhe për ta bërë model të zhvillimit”, i ka thënë Hoxhaj KTV-së nëpërmjet telefonit. Ai ka thënë se edhe në komuna të tjera të Kosovës mund të ketë koalicione të tilla.