Lajme Shqip Wednesday, 27 July 2011 14:41

Ulqin – Bajram Kosumi, ish kryeministër i Kosovës, i konsideruar poliedrik në fushën e letrave dhe të filozofisë, ishte i ftuari special në panairin e 11 të Librit Shqip, i cili që nga e hëna e kësaj jave po zhvillohet në qytetin e Ulqinit, i banuar nga shumica shqiptarë, dhe që i përket republikës së Malit të Zi.

Në prani të njerëzve të njohur të letrave, pjesëmarrës në këtë panair, ku marrin pjesë botues nga e gjithë hapësira shqiptare, Irena Toçi, botuese e Toenës, prezantoi historikun e jetës dhe veprës të Kosumit. Zonja Toçi e cilësoi veprën e tij të formuar, filozofike, politike, letrare, duke arritur të sjellë një thesar të çmuar në letërsinë shqipe.

Botuesja e Toenës kujtoi për të pranishmit jetën e vështirë që ka kaluar Bajram Kosumi në burgjet e ish-Jugosllavisë, ashtu sikundër dhe qëndresën e tij në luftën për çlirimin e Kosovës, të cilën ai me shumë përkushtim e ka rrëfyer edhe në veprat tij.

Bajram Kosumi gazetar, albanolog dhe politikan nga Kosova, duke marrë fjalën në promovimin e veprës së tij tha se letërsia është një instrument që e ndryshon njeriun në një kohë më të gjatë, me një qëndrueshmëri më të lartë.

Kosumi vlerësoi dhe shkrimet nga burgu, të cilat sipas tij janë tepër aktuale dhe të vlefshme për të rinjtë e ditëve të sotme.

I njohur si politikan, duke qenë se prej vitit 1981 ka qenë pjesëmarrës në të gjitha lëvizjet apo rastet kur janë marrë vendime të rëndësishme për Kosovën, Bajram Kosumi ka studiuar për letërsi, ndaj në intervistat e tij nuk ngurron ta theksoj këtë fakt. “Kam hyrë në politik si studiues i letërsisë, pra në origjinë jam letrar. Nuk mund të them se e kam zgjedhur politikën me dëshirë. Momentet kur jam angazhuar, nuk kanë qenë politike, por lëvizje për lirimin e Kosovës dhe për mua ka qenë një detyrë që duhej kryer, një detyrë që do ta përmbushte çdo intelektual, pjesëtar i elitës, inteligjencës apo çdo qytetar i Kosovës. Kam hyrë për ta kryer atë detyrë, por prej letërsisë nuk kam hequr dorë asnjëherë”, tha Kosumi.

Ai ka treguar se ka pasur momente kur i ka mbyllur librat në rafte, në kuti apo i ka lidhur me spango e nuk ka besuar se mund t’i hap më. Kështu ndodhi në fillim të luftës në Kosovë, por më pas i është rikthyer letërsisë. “Kam ecur në këta dy binar prej vitit 1981 dhe besoj se do ta vazhdoj akoma”, tha ai.

Si politikan, Bajram Kosumi njihet edhe si anëtar i delegacionit të Kosovës në Konferencën e Rambujesë (1999) dhe pas luftës kreu funksionin e ministrit te informimit në qeverinë e perkohshme të Kosovës, gjatë viteve 1999-2000. Gjatë viteve 2001-2004 ka qenë anëtar i Kryesisë së Kuvendit të Kosovës, ndërsa më pas minister i Mjedisit dhe Planifikimit Hapsinor. Pas parabugimit të Kryeminstrit të Qeverisë së Kosovës, Ramush Hajredinaj emërohet si Kryeministër i Qeverisë së Kosovës.

Si studiues dhe shkrimtar, Bajram Kosumi numëron një sërë publikimesh si “Koncept për subpolitikën”, botuar në Prishtinë më 1995, “Fjalor i barbarëve”,  Prishtinë, 2000, “Koncept për mendimin e ri politik”, “Lirika e Fishtës (studim)”, i botuar ne Tiranë, më 2004. Ai është bashkeautorë i publikimeve “Libri i lirisë”, Prishtinë, 1991 dhe librit te censurar “Letra nga burgu” Prishtinë, 2004.