Lajme Shqip Friday, 29 July 2011 10:58

Bajram Curri – Brenda gushtit të këtij viti do të nisin punimet në ndërtimin e shkollës së re 9-vjeçare në qytetin e Bajram Currit, me çka edhe do të zgjidhen përfundimish problemet në arsimin parauniversitar të kësaj ane. “Procesi është në fazën e tenderimit, ndërsa pas kryerjes së procesit, firma fituese do të nisë menjëherë punën me synimin që i gjithë procesi ndërtimor të përfundojë  brenda muajit korrik të vitit të ardhshëm”, tha  kryetari i bashkisë së Bajram Currit, Agron Demushi.

Ndërtimi i një shkolle 9 – vjeçare në qytetin e Bajram Currit do të zgjidhë përfundimisht problemet që hasen aktualisht në këtë qytet në lidhje me ecurinë normale të mësimdhënies së nxënësve. Për këtë qëllim është akorduar nga BB-ja fondi prej 150 milion lekësh.

Aktualisht, në qytet funksionojnë 2 shkolla 9 -vjeçare, “Beslidhja e Malësisë” dhe “Konferenca e Bujanit”. Por, duke qenë se numri i nxënësve është në rritje, aktualisht në këtë qytet zhvillojnë mësimin 18 klasa mbasdite, një fenomen mjaft shqetësues, veçanërisht në periudhën e dimrit, gjë që e ka bërë të domosdoshme ndërtimin e një shkolle të re 9 – vjeçare.

Ndërkohë, fenomeni i rritjes së numrit të nxënësve ka tendencë rritjeje si rrjedhojë e ardhjes në qytet të shumë banorëve nga zonat rurale të rrethit. Është një fenomen tashmë i pranuar, ndërsa shihet se shumë fshatra thuajse janë zbrazur tërësisht, ndërsa banorët e tyre kanë zbritur ose në qytetin e Bajram Currit, ose janë larguar në zonën fushore. Kjo ka sjellë që popullsia e rrethit të Tropojës të zbresë në 31 mijë banorë, nga 51 mijë banorë që ishte në fillim të viteve ’90.