Lajme Shqip Tuesday, 27 December 2011 11:51

Klubi i 1. FC Këln, duket se ka në plan të kthehet një”strehë” për futbollistët e talentuar shqiptarë. Pasi ka afruar Odise Roshin gjatë merkatos së verës, skuadra që bën pjesë në Bundesligën 1, po mendon t’i japë shansin një tjetër talenti shqiptar, mesfushorit të kombëtares U-19 të Shqipërisë, Mërgim Bajraktari.

Sipas gazetës prestigjioze “Bild”, lojtari ka deklaruar për mediat shqiptare se do të jetë në provë te Këlni gjatë muajit janar dhe se shpresonte që gjithçka të shkonte mirë. Gazeta gjermane ka arritur të konfirmojë interesimin e klubit të Bundesligës për mesfushorin shqiptar nëpërmjet vetë drejtorit sportiv të klubit në fjalë, Volker Finke.

Mërgim Bajraktari, ndonëse vetëm 18 vjeçar, është nën vëzhgimin e shumë klubeve të tjera si në Gjermani (Fraiburg, Karlsruhe), Zvicër (Bazel, Grasshopers, Sant Galen) apo Itali (Lacio, Vareze). Futbollisti me origjinë kosovare, i cili është pjese ekipit të dytë të FC Thun, shpërtheu në arenën ndërkombëtare falë ndeshjeve të tij të shkëlqyera me kombëtaren U-19.

Në 3 ndeshjet e luajtura me përfaqësuesen, mesfushori realizoi një gol dhe dha një asist, duke treguar një cilësi të lartë loje dhe duke marrë vlerësimet e ekspertëve të futbollit. Pavarësisht moshës së tij të re, ai vlerësohej nga ish-trajner i përfaqësues Josip Kuzhe, si një nga futbollistët më të talentuar të këtij brezi. Për këtë arsye, pritet që ai së shpejti të aktivizohet  edhe me kombëtaren U-21 të Shqipërisë.  (LajmeShqip.com)