Lajme Shqip Wednesday, 18 April 2012 12:02

Humbja 2-1 përballë Bajern Mynih duket se nuk ka tronditur shumë futbollistët e Real Madrid të cilët janë të sigurt se do të arrijnë të fitojnë ndeshjen e kthimit në Spanjë dhe të kualifikohen në finalen e Ligës së Kampioneve.

Mesut Ozil, autori i golit të madrilenëve në këtë sfidë, mendon se rezultati është i mjaftueshëm që skuadra e tij të kthehet përsëri në Mynih me 19 maj.

“Të vjen keq për rezultatin 2-1 por unë jam i bindur se në fushën tonë do të fitojmë. Besojmë te forcat tona dhe jam i bindur se do të shkojmë në finale. Ndonëse humbja të trishton, kam një ndjenjë pozitive. Do të kthehemi në Mynih!”, ishin fjalët e mesfushorit gjerman të Realit.

Më i mërzituri është shfaqur Iker Kazijas, i cili ka pësuar një gol të cilin ai e mendon të parregullt, si dhe një tjetër në minutat e fundit të ndeshjes.

“Pozicioni i Luis Gustavos ishte shqetësues për mua gjatë aksionit. Ai pengoi shikimin e topit. Ndoshta nuk është dalluar menjëherë por ai ishte pozicion jashtë loje. Të vjen keq për këtë rezultat, pasi pësuam gol në aksionin e fundit. Por e rëndësishme është që ne kemi shënuar në portën kundërshtare, ndaj gjithçka do të vendoset në stadiumin tonë”, ishin fjalët e kapitenit të Realit.

Një pjesë e opinionistëve kanë fajësuar mbrojtësin Kontreao për gabimet e tij gjatë ndeshjes, e sidomos gjatë golit të dytë të gjermanëve, kur la t’i ikte Filip Lahm. Por Serxho Ramos ka bërë të qartë se fitoret dhe humbjet janë të grupit dhe jo të individëve.

“Kur fitojmë, fitojmë të gjithë. Kur humbim, humbim të gjithë. Do të jetë një gabim shumë i madh i yni nëse fajësojmë një lojtar të veçantë për këtë humbje në minutat e fundit”, tha ai, një mendim që u nda edhe nga futbollisti tjetër i repartit të mbrojtjes, portugezi Pepe, në një deklaratë të bërë në faqen zyrtare të klubit. (LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Wednesday, 18 April 2012 10:25

Bajern Mynih ka fituar 2-1 ndaj Real Madrid por në fund të ndeshjes, është parë qartë që shumë prej futbollistëve bavarezë kanë qenë të zemëruar me gjyqtarin kryesor të ndeshjes, anglezin Hauard Ueb. Sipas tyre, ky i fundit ka lejuar shumë ndërhyrje të parregullta të madrilenëve duke mos i ndëshkuar, ku kulmi u mbush me shkelmin e Marselos ndaj Myler që ishte i ndëshkueshëm me karton të kuq.

“Ishte një ndeshje emocionuese që meritonte një gjyqtar më të mirë. Evropa ka gjyqtarë më të mirë se ky”, ishte komenti i shefit të bordit drejtues të klubit gjerman, Karl Hainc Rumenige.

Vetë Myler ka qenë shumë i zemëruar me vendimin e Ueb, pasi e cilëson ndërhyrjen e Marselos të qëllimshme për ta dëmtuar. “Nuk e kam parë përsëritjen e aksionit por në fushë kisha ndjenjën që Marselo thjesht dëshironte të më godiste dhe ia arriti qëllimit. Do më duhet të bëj një kontroll pasi ndjej dhimbje”, the ai dhe këtë gjë ia kishte thënë edhe gjyqtarit Ueb në përfundim të sfidës.

I të njëjti mendim është edhe Filip Lahm. “Ndërhyrja e Marselos ishte për karton të kuq, sidomos po ta krahasosh me ndërhyrjen për të cilën unë mora një karton të verdhë”, ishin fjalët e tij duke iu referuar pabarazisë në trajtim që u ishte bërë nga gjyqtari anglez. (LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Wednesday, 18 April 2012 08:40

Zhoze Murinjo është shfaqur më i qetë se zakonisht pas një humbje, në përfundimin e sfidës kundër Bajern Mynih në Ligën e Kampioneve. Trajneri i madrilenëve ka bërë të qartë se shpreson te përmbysja e rezultatit të kësaj sfide në përballjen e javës së ardhshme në Madrid.

“Nuk e di nëse ka patur faull te goli i Mario Gomez, pasi isha larg dhe nuk mund ta shihja. Por Koentrao ka bërë një ndeshje të mirë. Ka patur lojtarë të tjerë që kanë gabuar dhe nuk është thënë asgjë për ta”, ishte mbrojtja që Murinjo i ka bërë bashkëkombësit të tij, i cili nga mediat është cilësuar si lojtari më i dobët në fushë dhe fajtor kryesor për golin e pësuar në minutën e fundit të ndeshjes.

“Jam optimist që do të shkojmë në finale. Kemi aftësi të bëjmë 1-0, 2-0, 3-1 apo edhe 2-1 me shtesa në ndeshjen e kthimit. Përmbysja është normale nuk do të jetë një rezultat historik. Kuptohet që humbja nuk është një rezultat që kërkoja, por të mos harrojmë që kjo është gjysmëfinalja e Ligës së Kampioneve”.

Murinjo mendon se skuadra e tij nuk e meritonte ta humbte këtë sfidë, për më tepër për faktin që Bajerni shënoi një gol në mënyrë të parregullt. “Është humbja e parë por nuk më jep ndjesi negative. Ndeshja që humbëm vitin e kaluar e dimë të gjithë se pse u humb. Këtë të sotmen mendoj se nuk meritonim ta humbnim, por kjo gjë ndodhi. Nuk kam asnjë dyshim, në golin e tyre të parë kishte pozicion jashtë loje, por janë gabime që i cilësoj të pranueshme nga gjyqtarët. Epërsia e kundërshtarëve? Jemi në prill, jemi një skuadër që ka ardhur deri këtu duke luajtur shumë ndeshje, e detyruar gjithmonë të fitojë dhe është normale që disa futbollistë të mos jenë në maksimumin e tyre”.

Në fund, nuk mund të mungonte batuta e radhës kundër Pep Guardiolës që sot luan në “Stemford Brixh”, ish-stadiumin e tij. “Ai është një djalë inteligjent dhe e di mirë se si i ka fituar shumë ndeshje në kampionat dhe Ligën e kampioneve. E di në mënyrë perfekte si e ka bërë”, deklaroi Murinjo, duke iu referuar ndihmave të gjyqtarëve në favor të kalatanasve. (LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Tuesday, 17 April 2012 22:17

Bajern Mynih vazhdon të jetë skuadra që i krijon më shumë probleme Real Madrid në arenën ndërkombëtare. Bavarezët kanë fituar raundin e parë të duelit të tyre gjysmëfinal përballë madrilenëve me rezultatin 2-1, falë një goli pikërisht në minutën e fundit të sfidës. 

Që në minutat e para të ndeshjes janë bavarezët që imponojnë ritin e lojës, por gjuajtja e parë në portë vjen nga madrilenët, ndërsa Nojer devijon në goditje këndi një tentativë të Benzema. Megjithatë, vendasit shënojnë që me gjuajtjen e parë në portë. Është minuta e 16-të kur pas një goditje këndi, topi përfundon te Riberi, i cili e dërgon atë në rrjetë, ndërsa Kazijas nuk ka kohë të reagojë, i mbuluar edhe nga Luis Gustavo në një pozicion jashtë loje. Prite reagimi i Realit por ai vjen shumë vonë, vetëm në minutat e fundit të pjesës së parë, kur Ozil e Benzema provojnë të vënë në vështirësi Nojer. Rreziku më i madh është përsëri në portën tjetër, ku Kazijas detyrohet të bëjë mrekullinë ndaj gjuajtjes së fortë të Mario Gomez.

Pjesa e dytë fillon ashtu si ishte mbyllur e para, me dy skuadrat e zgjatura në fushë që i krijojnë mundësinë njëra-tjetrës të rrezikojnë portën kundërshtare. Në minutën e 52-të vjen edhe goli i barazimit pas një aksioni mjaft rokambolesk. Fillimisht Ronaldo gjuan topin në trupin e Nojer, pastaj mbrojtja vendase nuk largon sferën që kalon nga këmbët e Benzema përsëri te Kristiano Ronaldo e pastaj te Ozil, me këtë të fundi që arrin ta dërgojë atë në rrjetë.

Që nga ai moment, Bajerni mbyll Realin në gjysmëfushën e vet duke kërkuar me çdo kusht të shënojë një gol tjetër, pas sheh se madrilenët tashmë mendojnë më shumë të mbrohen. Gomez humb raste të njëpasnjëshme si me këmbë, ashtu edhe me kokë para portës së Kazijas, ndërsa gjyqtari Ueb gabon disa herë duke mos ndëshkuar faullet e ashpër të madrilenëve. Por gjithsesi, sulmuesi i kombëtares gjermane shlyen gabimet e të gjithë ndeshjes duke devijuar saktësisht në rrjetë një pasim të Lahm në minutën e 90-të të takimit, për t’i dhënë një sukses shumë të rëndësishëm ekipit të tij.

Tashmë mbetet për t’u parë në ndeshjen e kthimit se çfarë do të shpikë Murinjo për të përmbysur situatën, pasi te paktën në këtë ndeshje të parë, ky Real dukej qartësisht më inferior se Bajerni. (LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Tuesday, 17 April 2012 21:02

Gjashtë palë këpucë sportive dhe tre fanella loje janë zhdukur nga dhoma e zhveshjes të Realit të Madridit në “Allianz Arena” pak orë para zhvillimit të takimit mes madrilenëve dhe Bajern Mynihut vendas.

Reali ka bërë të ditur lajmin pas ka mbërritur në stadiumin gjerman, ndërsa futbollistët kanë zbuluar atë që ka ndodhur. Më i godituri ka qenë Kristiano Ronaldo, të cilit i mungonin 3 palë këpucë dhe fanella e lojës. 3 palët e këpucëve dhe 2 fanellat e tjera i përkitnin Karim Benzema dhe Mesut Ozil.

Reali ka bërë menjëherë një ankim zyrtar te UEFA për këtë çështje, po Bajerni është mbrojtur, pasi ka bërë të qartë se kamerat e vëzhgimit nuk lejohen në dhomat e zhveshjeve që në momentin kur atë e merr në dorëzim ekipi mik.

Materialet sportive kishin ardhur në stadium gjatë mëngjesit, siç ndodh zakonisht në raste të tilla, në mënyrë që kur të mbërrinin lojtarët gjatë pasdites të gjenin gjithçka gati. Po këtë radhë gjërat nuk kanë shkuar siç shpresohej pasi materialet janë vjedhur gjatë kohës kur përgjegjësit e materialeve të Realit janë kthyer në hotel.

Kuptohet që Krstiano Ronaldo, Ozil e Benzema nuk kanë luajtur zbathur, pasi kanë patur këpucë të tjera rezervë, gjithsesi lajmi ka shkaktuar shumë bujë, pasi bëhet fjalë për një prej stadiumeve më moderne dhe më të sigurt në botë. Jo rastësisht, ky stadium do të jetë arena e finales së Ligës së Kampioneve. (LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Tuesday, 17 April 2012 11:04

Arjen Roben tani do të ketë mundësinë të kryejë dy hakmarrje të vogla. Fillimisht do të mundohet të mposhtë Real Madrid, që e largoi disa vite më parë, duke e cilësuar një lojtar të mbaruar. Ndërsa hakmarrja e dytë është më personale, kundër Iker Kazijas, i cili i hoqi atij mundësinë e festimit të titullit kampion bote me Holandën.

Lojtari është i sigurt se ndeshja do të jetë entuziazmuese, ndonëse Reali është pak më i favorizuar pasi ka në drejtim një trajner të madh.

“Ndeshja me Mainc nuk ishte aq e mirë por me Realin është diçka krejtësisht ndryshe. Ju siguroj që do të shihni një Bajern të madh. Reali nuk ka sekrete. Potenciali i tyre është i jashtëzakonshëm, por më e rëndësishmja është që kanë trajnerin më të mirë, i cili e di se si duhen luajtur ndeshje të tilla. Nga ana jonë, do të na duhet të japim 120%, duhet ndeshja perfekte”.

Megjithëse është larguar i zhgënjyer nga Reali, Roben tregon se nuk mban mëri kundër këtij klubi, pasi transferimi te Bajern e ka kthyer përsëri në skenë si një lojtar të rëndësishëm të futbollit botëror.

“Nuk është një ndeshje e veçantë për mua. Në Madrid kalova një sezon shumë të mirë, është një klub i madh dhe më vjen mirë që do të takoj disa nga shokët e mi. Por kur u largova nga atje, erdha te Bajern dhe këtu jam i lumtur. Nuk mendoj për gjëra të tjera, përveç mënyrës për të shkuar në finale”, tha holandezi. (LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Monday, 16 April 2012 20:35

Zhoze Murinjo mendon se ndeshja mes Real Madrid dhe Bajern Mynih është një sfidë e re dhe se statistikat e hershme mes dy skuadrave legjendare të futbollit evropian nuk i bëjnë aspak përshtypje.

“Për mua nuk kanë asnjë vlerë shifrat mes Realit dhe Bajernit. Nesër nuk luan historia. Nuk më intereson asnjë lloj rezultati i mëparshëm, nesër është një gjysmëfinale dhe si e tillë, ata që e luajnë duan ta fitojnë. Ata duhet të kenë motivimin ekstra se e luajnë finalen në shtëpi dhe ne se luajmë për të dytin vit radhazi në gjysmëfinale”.

Ai nuk i ka rezistuar tundimit për të thumbuar në distancë Barcelonën, i pyetur rreth gjyqtarit të kësaj ndeshje, anglezit Hauard Ueb. “Nuk kam asnjë lloj problemi me këtë zgjedhje, ka eksperiencë në këto nivele. Lojtarët e Realit do të bëjnë si gjithmonë  maksimumin për të ndihmuar gjyqtarin që të kryejë sa më qetësisht punën e tij. E dimë që ka raste kur një gjyqtar gabon dhe ka raste kur jep një penallti të dyshimtë që të jep tri pikët”, ishin fjalët e tij duke nënkuptuar fitoren e Barcelonës në këtë fundjavë.

“Ne këtë sezon vetëm mund të fitojmë, pasi e kemi humbur atë turne ku ishim mbajtës të trofeut, Kupën e Mbretit. Kampionatin dhe Ligën e Kampioneve mund t’i humbin vetëm ata që ishin fitues në fuqi”.

“Bajerni është një ekip i mirë me një trajner fantastik dhe shumë lojtarë të zotë. Ai është një klub i fortë që do të jetë një rival i madh. Ka lojtarë që janë pak më të veçantë se të tjerët, ndaj është një ekip i mirë”, tha Murinjo duke iu referuar kundërshtarëve.

Më pas ai nuk ka pranuar se Reali është favorit në këtë sfidë, duke iu referuar opinionit të ish-lojtarëve e drejtuesve të Bajern Mynih. “Më të rëndësishme se opinionet e mia janë ata të njerëzve të rëndësishëm që çdo ditë thonë të kundërtën. Hënes, Bekenbauer, Kahn, Hitzfeld… të gjithë mendojnë se Reali nuk është një ekip i madh, që ata janë më të fortë, janë një ekip i madh dhe që ne kemi kompleksin e “maces së zezë” ndaj tyre”, tha Murinjo i cili pranoi se kishte marrë pjesë në konferencë për shtyp vetëm se ishte i detyruar nga rregullorja e UEFA-s. (LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Monday, 16 April 2012 19:04

Jup Heinkes ka treguar se është i ndërgjegjshëm për forcën e Real Madrid dhe se ndaj tyre duhet patur shumë kujdes. Një ditë para ndeshjes me madrilenet, ai ka kujtuar se si kjo skuadër është mjaft ofensive, por që duhet të ruhet gjithashtu nga forma që po kalon ekipi i tij.

“E njoh mirë Realin, e ndjek vazhdimisht por këtë vit janë shumë më efikas se në vitet e kaluara. Kanë thyer rekordin e golave dhe kjo do të thotë se çfarë presin tifozët nga ata: spektakël dhe lojë ofensive. Kanë sulmues të jashtëzakonshëm, por edhe ata duhet të shqetësohen për lojtarët e mi, do të jetë një sfidë interesante”.

“I njoh mjaft mirë si Realin ashtu edhe lojtarët që ka, por do të jetë e rëndësishme mënyra se si do të hyjmë ne në ndeshje. Kemi treguar në Ligën e Kampioneve se mund të bëjmë gjëra të mëdha. Në fund do të jenë lojtarët që do të bëjë diferencën, ata kanë shumë klas individual, por edhe Bajerni”.

“Bajerni njihet si “macja e zezë” dhe ata na respektojnë shumë, por kjo gjë është reciproke. Ata do të luftojnë në maksimum, ndeshja do të ketë tension por nuk besoj se nuk do të kalojë sferën sportive”.

“Murinjo? Thuhet që është trajner mbrojtës por unë nuk jam i të njëjtit opinion. Ka thyer çdo rekord ofensiv dhe është mes më të mirëve në Evropë”, ishin fjalët e Heinkes në konferencën e zakonshme për shtyp. (LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Saturday, 14 April 2012 13:28

Legjenda e futbollit gjerman, Franc Bekenbauer, është i sigurt se Bajern Mynih mund të mposhtë Real Madrid në ndeshjen e parë të gjysmëfinaleve të Ligës së Kampioneve nëse ata mësojnë nga gabimet e ndeshjes me Borusia Dortmund në kampionat.

Bajern u mund 1-0 nga “kanarinat”, ndërsa Arjen Roben humbi një penallti në minutat e fundit, duke lënë bavarezët 6 pikë larg kryesuesve të Bundesligës.

Në rrugën e Bajern për finalen e Ligës së Kampioneve të 19 majit që luhet pikërisht në stadiumin e tyre “Allianz Arena”, qëndron Real Madrid dhe Bekenabauer thotë se ekipi i drejtuar nga Jup Heinkes duhet të synojë një fitore bindëse në ndeshjen në shtëpi.

“Nëse skuadra prodhon të njëjtën paraqitje si në pjesën e dytë ndaj Borusia Dortmund, ata sigurisht që kanë një shans real për të kaluar Realin”, deklaroi ai për mediat gjermane rreth kësaj sfide shumë të rëndësishme.

Edhe historia mes dy skuadrave flet në favor të bavarezëve, të cilët kanë fituar 10 nga 18 përballjet direkte me ekipin madrilen. Në katër përballjet e mëparshme në këtë pikë të aktivitetit, Bajern Mynih është kualifikuar tri herë në finale duke eliminuar Realin. (LajmeShqip.com)