12
 
Lajme Shqip Thursday, 11 April 2013 10:27

Kualifikimi në gjysmëfinalet e Ligës së Kampioneve ka bërë që Bajern Mynih të cilësohet një prej favoritëve të këtij turneu, por kapiteni i bavarezëve, Filip Lahm, mendon se skuadra që duhet mundur vazhdon të mbetet Barcelona. Sipas tij, katalanasit janë ekipi favorit i turneut.

“Mendoj se nuk ka kundërshtarë të lehtë në gjysmëfinale, të gjithë e meritojnë të jenë atje pasi të katër skuadrat e kualifikuara janë elitare. Mendoj se favorite vazhdon të jetë Barcelona, ndonëse skuadrat e tjera i janë afruar”, tha Lahm që mesa duket kërkon një ndeshje me katalanasit.

Vetë trajneri Heinkes nuk dëshiron që të ketë përballë në gjysmëfinale ekipin e Borusia Dortmund, duke preferuar një ekip spanjoll në sfidën që luhet me sistem vajtje-ardhje.

“Kemi marrë shumë merita në ditët e fundit, por nuk kemi ulur përqendrimin. Jemi kampionë të Bundesligës por i kemi vënë vetes objektiva të tjerë. Tani do të shohim nëse jemi në të njëjtin nivel me Realin dhe Barcelonën”, tha ai.

I të njëjtit mendim është edhe Roben, që preferon një prej skuadrave spanjolle në gjysmëfinale. “E gjithë Gjermania ëndërron një gjysmëfinale pa përplasje me Dortmundin. Këtë do të preferoja edhe unë, ndonëse është në dorë të shortit, jo në dorën tonë”. (LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Thursday, 11 April 2013 10:18

Antonio Konte ka pranuar superioritetin e dukshëm të Bajern Mynih ndaj Juventusit të tij. Sipas trajnerit të bardhezinjve, nuk kishte diskutim për meritën e skuadrës gjermane që fitoi të dy ndeshjet me rezultatin 2-0 nëpërmjet një prove të shkëlqyer.

“Mendoj se është kualifikuar skuadra më e mirë, e ka treguar si në ndeshjen e parë, ashtu edhe në fushën tonë. Kjo është një skuadër e përgatitur, që luan në këtë turne prej shumë vitesh dhe ka zhvilluar dy finale të Ligës së Kampioneve. Ajo është ndërtuar për të fituar. Ndërsa ne kemi bërë një gjë të jashtëzakonshme duke ardhur deri këtu dhe tani duhet të kthehemi të mendojmë për kampionatin, Liga e Kampioneve ishte një objektiv aspak real”, deklaroi trajneri italian.

“Mua nuk më duket absurditet ta cilësoj këtë si Bajernin më të fortë të të gjitha kohëve. Janë të fortë fizikisht, kanë cilësi dhe vrapojnë. Për ne ky aktivitet ishte një mundësi të shihnim ku qëndronim realisht, por është e drejtë që t’i bësh komplimente kundërshtarit kur ke përballë një skuadër më të fortë. Kur ndeshesh me një skuadër që ka në dispozicion cilësitë e Roben, Riberi, Manxhukiç e Myler të cilët të ikin edhe kur kanë dy lojtarë para, bëhet shumë e vështirë t’i ndalësh pa lënë hapësira. Në bëmë çfarë ishte e mundur, tani duhet të fillojmë të pajisemi edhe ne për mrekullitë”.

“E vërteta është se në Itali mund të luajmë si të barabartë ndaj Milanit e Interit, skuadrave më të mira, por në Evropë, skuadrat italiane nuk janë konkurruese. Kjo është e vërteta, çfarëdo që të thuhet tjetër është gënjeshtër”, ishte pohimi i trajnerit të Juventusit. (LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Wednesday, 10 April 2013 22:48

Bajern Mynih ka fituar 2-0 edhe në Itali përballë Juventusit duke konfirmuar se është një pretendent shumë serioz për të fituar Ligën e Kampioneve, pasi është kualifikuar në gjysmëfinalet e turneut duke kaluar kampionen e Italisë. Bavarezët kanë treguar cilësitë e tyre edhe në këtë ndeshje, duke vërtetuar se meritonin më shumë gjysmëfinalen përballë italianëve që rezistuan vetëm një pjesë loje. 

Juventusi shpresonte te mrekullia por ka bërë shumë pak për ta arritur atë. Ndonëse pjesa e parë e ndeshjes mund të cilësohet si e barabartë, bardhezinjtë janë shfaqur rrallëherë para portës së Nojer, ndërsa edhe Bajern është përpjekur më shumë të kontrollojë lojën, i qetë falë avantazhit të dy golave të ndeshjes së parë.

Por në pjesën e dytë, bavarezët kanë hyrë në fushë me mendjen për të fituar takimin dhe ia kanë arritur qëllimit. Pas zhvillimit të një goditje dënimi, në minutën e 64-t, është Manxhukiç që dërgon topin në rrjetë, duke bërë mision të pamundur kualifikimin e Juventusit. Bardhezinjtë nuk bëjnë as tentativa për të marrë të paktën një rezultat pozitiv nga kjo ndeshje, duke lënë lojën në duart e bavarezëve. Këta të fundit, pasi krijojnë disa raste radhazi, arrijnë të shënojnë edhe golin e dytë në minutën e 91-të me anë të Pizarro, për të përsëritur rezultatin 2-0 si në sfidën e parë dhe por të shkuar të qetë në gjysmëfinale, të ndërgjegjshëm se tani të gjithë i shohin si favoritë. (LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Tuesday, 09 April 2013 10:10

Portieri i Bajern Mynih, Manuel Nojer, ka pranuar se të gjithë në klub do të mbeteshin shumë të zhgënjyer nëse ky sezon do të mbyllej vetëm me trofeun e kampionatit të fituar që të shtunën. Bavarezët janë në rrugë të mbarë për të fituar gjithçka në këtë sezon, pasi po ecin drejt gjysmëfinaleve të Ligës së Kampioneve si dhe luajnë në gjysmëfinalen e Kupës së Gjermanisë ndaj Volfsburgut në javën e ardhshme.

“Ka qenë një sezon shumë i mirë për ne, deri tani. Mund të jemi krenarë për paraqitjen që kemi bërë në kampionat”, tha 27 vjeçari. “Megjithatë, nëse mbetemi vetëm me këtë trofe të fituar në fund të sezonit, do të jemi shumë të zhgënjyer. Ne kemi pretendime shumë të mëdha dhe e dimë nga sezoni i kaluar se çfarë do të thotë të mbetesh me duart bosh”.

“Motivimi ekstra që morëm nga një eksperiencë e tillë na motivoi më shumë. Solidariteti që u zhvillua brenda skuadrës ishte i mirë për ne. Kuptohet që mund të gëzojmë për atë që kemi arritur në kampionat, por për mua është thelbësore që tani të përqendrohemi plotësisht në dy turnetë e tjerë për t’i fituar ato”, deklaroi Nojer. (LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Monday, 08 April 2013 19:15

Marçelo Lipi dhe Xhovani Trapatoni kanë ide krejtësisht të ndryshme mbi sfidën e të mërkurës në Ligën e Kampioneve mes Juventusit dhe Bajern Mynih. Pas rezultatit 2-0 të sfidës së parë në favor të skuadrës gjermane, Lipi beson se bardhezinjtë mund të përmbysin rezultatin, siç ka ndodhur shpesh në kohët e arta kur ai drejtonte këtë skuadër.

“Në atë ndeshje në fushë nuk ishte Juventusi i vërtetë. Këtë e kuptuan të parët vetë lojtarët bardhezinj dhe shumë prej tyre do të udhëhiqen nga dëshira për përmbysje e shpagim, për të treguar se në të vërtetë nuk janë ata futbollistët që u shfaqën në Mynih. Nuk më pëlqejnë përqindjet, por në teori, rezultati 2-0 është i rikuperueshëm, nëse shënon shpejt ndeshja merr një rrjedhë tjetër. Nëse Juventusi jep maksimumin, përmbysja është e mundshme”, tha Lipi që ka marrë pjesë në katër finale të Ligës së Kampioneve me bardhezinjtë duke fituar një të tillë.

Ndërsa Trapatoni, i cili ka drejtuar si Juventusin, ashtu edhe Bajern Mynih, mendon se skuadra gjermane është shumë e fortë për ekipin aktual të drejtuar nga Konte.

“Gjermanët janë favoritë në këtë sfidë, edhe pse në këtë fazë mund të thuhet vetëm 51%. Bajerni ka futbollistin më të mirë francez, futbollistin më të mirë holandez dhe futbollistin më të mirë gjerman në përbërje, ndaj janë një ekip shumë i fortë”, deklaroi trajneri italian. (LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Saturday, 06 April 2013 09:19

Legjenda e futbollit gjerman, Franc Bekenbauer, duket se e ka kuptuar që e ka tepruar me komentin e tij ndaj portierit të Juventusit, Xhanluixhi Bufon, të cilin e ka krahasuar me një pensionist pas ndeshjes së Ligës së Kampioneve kundër Bajern Mynih.

“Pësoi gol nga 120 metra, Bufon dukej si pensionist”, ishte komenti i Bekenbauer pas sfidës, duke iu referuar golit të Alaba që në sekondat e para të ndeshjes me një gjuajtje nga distanca që gjeti të papërgatitur portierin e bardhezinjve.

“Më vjen keq nëse Bufon është ndjerë i ofenduar nga fjala pensionist. Nuk kisha si qëllim ta fyeja. Por unë vazhdoj t’i qëndroj mendimit tim se Bufon duhej të kishte ndalur topin si në golin e parë, ashtu edhe në golin e dytë të shënuar nga Bajern”, ishte deklarata e Bekenbauer për gazetën “Bild”.

Ndonëse vetë Bufon ka pranuar me sportivitet batutën e presidentit të nderit të Bajern Mynih, administratori sportiv i Juventusit, Bepe Marota, e ka cilësuar si mungesë respekti deklaratën e “Kaizerit” dhe ka kërkuar publikisht që ai të kërkonte ndjesë ndaj portierit italian, që mbahet ndër më të mirët e historisë së futbollit botëror. (LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Wednesday, 03 April 2013 21:13

Fitorja e Bajern Mynih ndaj Juventus është shoqëruar me thumbimet e zakonshme të një sfide mes një skuadre gjermane dhe një skuadre italiane. Por këtë radhë pjesë e debatit historik është bërë edhe Franc Bekenbauer, i cili nuk ka ngurruar të tallet me portierin e Juventusit, Xhixhi Bufoin.

“Ka pësuar një gol nga 120 metra, çfarë ishte ai pozicionim? Dukej si një pensionist. Të mos nervozohet por atë gjuajtje duhej ta kishte pritur…”, ishte komenti i presidentit të nderit të Bajern Mynih.

“Ndoshta Xhixhi nuk mendonte se Alaba mund të gjuante nga aq larg. Bajerni u përqendrua në ndeshje nga minuta e parë deri në të fundit, ndërsa Juventusi thuajse nuk gjuajti asnjëherë në portë. Rezultati nuk është ai i duhuri, ndeshja duhej të përfundonte me të paktën tre apo katër gola diferencë”, deklaroi ai.

Përballë një deklarate të tillë, pritej një reagim i portierit juventin, por ky i fundit, për kamerat e emisionit satirik italian, “Striscia la Notizia”, ka pranuar me sportivitet gabimin dhe fjalët e Bekenbauer.

“Më vjen keq pasi komprometova ndeshjen. Ndodh në këto lloj aktivitetesh që të bësh gabime. Më vjen keq për veten, për skuadrën dhe për të gjithë familjarët e mi. Nuk kam asgjë për të kundërshtuar atë plakun e mençur”, tha ai duke iu referuar fjalëve të Bekenbauer. (LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Wednesday, 03 April 2013 14:34

Trajneri i Bajern Mynih, Jup Heinkes, mendon se skuadra e tij ishte me meritë fituese në sfidën përballë Juventusit dhe ka bërë një hap para me suksesin 2-0 ndaj bardhezinjve në “Allianz Arena”. Sipas tij, gjithçka është meritë e një përgatitje perfekte për këtë sfidë.

“Ne ishim shumë të përgatitur për këtë takim. Mund ta shihje qartësisht në taktikën e lojës që përdorëm. Ne i sulmuam shumë shpejt dhe në mënyrë kolektivë bëmë të mundur që Pirlo të dilte nga loja. Goli i shpejtë na dha siguri dhe luajtëm në mënyrë të shkëlqyer pas tij”.

“Unë e kam studiuar Juventusin gjatë të gjithë kohës. Jemi të lumtur që fituam këtë ndeshje kundër një skuadre italiane pa pësuar gol. Luajtëm një futboll të nivelit shumë të lartë, kontrolluam dhe dominuam ndeshjen përballë kampionëve të Italisë ndaj më duhet t’i bëj komplimente skuadrës time”, shpjegoi Heinkes.

Taktika e përdorur nga bavarezët është arsyeja pse edhe Tomas Myler mendon se erdhi kjo fitore.

“Kemi luajtur me intensitet të lartë në të dy drejtimet. Puna jonë mbrojtëse fillonte që me sulmuesit. Shihej qartë se sa deshëm të fitonim. Nuk është se Pirlo ishte në një ditë të keqe, ne e vumë Juventusin nën trysni që në mbrojtje ndaj i detyruam të luanin vetëm me top të gjatë”, shpjegoi autori i golit të dytë për skuadrën bavareze në këtë sfidë. (LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Wednesday, 03 April 2013 11:18

Juventusi ka pranuar publikisht superioritetin e Bajernit në sfidën e parë çerekfinale të Ligës së Kampioneve ku bavarezët fituan lehtësisht me rezultatin 2-0. I pari që është shfaqur para gazetarëve dhe ka pranuar këtë fakt ishte kapiteni i bardhezinjve, portieri Xhixhi Bufon që ka vlerësuar shumë kundërshtarët.

“E dinim që do të luanim kundër një skuadre të madhe, kishim edhe ne bindjet tona, por në fund ishin ata që e stërmerituan fitoren. Kështu shkoi kjo ndeshje. Goli i parë erdhi pas një devijimi të Vidal dhe nuk kisha shumë çfarë të bëjë në atë moment”, shpjegoi portieri i bardhezinjve sesi ishte pësuar ai gol që në sekondën e 25-të, duke ndikuar më pas gjithë ndeshjen.

Superioritetin e kundërshtarëve e ka pranuar pa probleme edhe trajneri Antonio Konte, që i sheh bavarezët mes pretendentëve për të fituar trofeun në këtë edicion.

“Janë një prej favoritëve bashkë me Barcelonën dhe Real Madrid dhe për më tepër janë egërsuar nga humbja në finalen e një viti më parë. Komplimente Bajernit që ka zhvilluar një ndeshje të madhe. Nuk kam çfarë t’u them lojtarëve të mi, dhanë 100% por ata ishin më të fortë”.

“Ndeshje të tilla duhet të na bëjnë të kuptojmë se sa larg jemi ndaj këtyre skuadrave që janë në majat më të larta të futbollit evropian. Për ndeshjen e kthimit do të mundohemi të përmirësohemi aty ku e dimë se mund të bëhet një gjë e tillë. A mund të përmbyset 2-0? Nuk është rezultati që më shqetëson, sa fakti se vihemi përballë një skuadre shumë të fortë”, pranoi trajneri i bardhezinjve. (LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Tuesday, 02 April 2013 23:32

 

Bajern Mynih ka treguar se në këtë sezon kërkon me çdo kusht të shlyejë gabimin e një viti më parë dhe të fitojë Ligën e Kampioneve. Prova e qartë ka qenë fitorja 2-0 ndaj Juventusit, në një ndeshje të dominuar tërësisht nga bavarezët përballë publikut të tyre dhe ku italianët kanë kuptuar se nuk janë ngjitur ende në nivelin për të pretenduar të ecin deri në fazën finale të turneut. 

Ekipi gjerman ka qenë edhe me fat në këtë sfidë, pasi ka gjetur golin e avantazhit që në sekondën e 25-të të takimit, me një gjuajtje nga distanca të Alaba që gjen të papërgatitur Bufon. Por ritmi i gjermanëve mbetet i lartë nuk bie dhe Juventusi mbyllet në gjysmëfushën e vet, duke u përpjekur vetëm të largojë topin, pa dhënë asnjë sinjal të lojës ofensive që ka shfaqur në dy sezonet e fundit. Vetëm pritjet e Bufon dhe gabimet e Roben para porte bëjnë që rezultati të mbetet 1-0 në përfundimin e pjesës së parë.

Në pjesën e dytë, furia e vendasve vazhdon deri në minutën e 63-të, kur Myler dërgon topin në rrjetë për herë të dytë. Në ato momente, Juventusi fillon të reagojë disi dhe të vërë në provë Nojer, ku Vidal tenton dy herë nga distanca por pa sukses. Megjithatë, italianët nuk duken në gjendje të shqetësojnë “panderin” e Heinkes që ka siguruar një avantazh të rëndësishëm para ndeshjes së kthimit të javës së ardhshme në Itali. (LajmeShqip.com)

12