Lajme Shqip Tuesday, 28 May 2013 10:18

Jurgen Klop sheh me pozitivistet paraqitjen e Borusia Dortmund në finalen e Ligës së Kampioneve, ku pavarësisht humbjes, ekipi i tij u paraqit në mënyrë mëse dinjitoze.

“Londra ishte qyteti olimpik dhe ne arritëm të ktheheshim nga atje me një medalje të argjendtë. Kam dëgjuar për rezultate më të dobëta se kaq”, ishte komenti ironik i trajneri të Borusias për të gjithë ata që e cilësuan një dështim vendin e dytë.

“Ka zhgënjim, ka edhe mërzi për një ndeshje të tillë, por kjo është normale. Të vjen keq sepse na u dha mundësia por nuk e shfrytëzuam. Megjithatë së shpejti do të vijë edhe ndjesia se sa fantastike ishte të shkonim deri në atë pikë falë asaj që kemi bërë në tre sezonet e fundit, ku jemi përmirësuar vazhdimisht”.

“Ishte një goditje për ne por do të menaxhojmë situatën. Unë e kam varur medaljen e argjendte përkrah atyre të kampionateve dhe Kupave të fituar”, ishte mesazhi i qartë i tij, duke e vlerësuar si sukses pjesëmarrjen e Borusias.

Në fund, trajneri ka deklaruar se duhet t’i jepen fund spekulimeve rreth Levandovskit, për sa kohë nuk ka asnjë ofertë zyrtare për të.

“Deri më sot nuk ka asnjë ofertë zyrtare nga Bajern Mynih ndaj unë vazhdoj të mendoj se Robert do të luajë me ne edhe në sezonin e ardhshëm. Do të shohim në ditët në vazhdim se si t’i japim fund këtyre spekulimeve. A më mërzit fakti nëse ai ikën te Bajern? Nuk përbën problem, pasi jemi profesionistë dhe ai është sjellë si i tillë. Unë për vete mund të punoj në cilëndo lloj situate. Por gjëja e çuditshme është se të gjithë e quajnë marrëveshjen të mbyllur, edhe pse nuk ka asnjë ofertë”, deklaroi Klop. (LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Monday, 27 May 2013 10:57

Mesfushori i Bajern Mynih, Frank Riberi, ka zbuluar se ka kaluar natën pas fitores së Ligës së Kampioneve ndaj Borusia Dortmund duke fjetur me trofeun e fituar pas suksesit 2-1 në “Uembli”.

Skuadra bavareze ka shkuar në finale në 3 nga 4 edicionet e fundit, por arriti të fitonte trofeun vetëm falë një goli në minutën e 89-të nga Arjen Roben, që e bëri këtë suskes edhe më të jashtëzakonshëm.

“Unë kam qëndruar zgjuar deri në orën 5 a 6 të mëngjesit. Por kur shkova të flija diku para orës 6, mora trofeun me vete. Natën e kaluar, në shtrat kisha gruan time dhe trofeun e Ligës së Kampioneve”, tregoi Riberi para gazetarëve.

Francezi ishte një prej protagonistëve absolutë të këtij suksesi, pasi mori pjesë në aksionet e dy golave të shënuar nga skuadra bavareze në finale. (LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Sunday, 26 May 2013 11:22

Trajneri i Bajern Mynih, Jup Heinkes, pas finales së Ligës së Kampioneve ka lënë të nënkuptohet se kjo mund të isha ndeshja e fundit e Robert Levandovskit si rival i bavarezëve, pasi ai mund t’i bashkohet kësaj skuadre gjatë merkatos verore. Për më tepër, pas fitores së Ligës së Kampioneve, trajneri është tallur se të gjithë lojtarët e Borusia Dortmund do të ishin gati të ndërronin skuadër për t’iu bashkuar fituesve.

“E dimë që tani se Mario Gëtze do të bashkohet me ne dhe mendoj se edhe Levandovski nuk do të vonojë shumë. Në fakt pres që një gjë e tillë të ndodhë në vazhdim edhe me Gyndogan, Rois, Humels, Pishzhçzhek dhe Subotiç… edhe Shiber po deshi”, ishte komenti ironik i Heinkes.

Konfirmimin për largimin e Levandovskit e ka dhënë edhe Mats Humels, i cili bëri të qartë se klubi tani duhet të fillojë të mendojë për një zëvendësues të polakut.

“Ne e dimë se Levandovski kërkon të largohet dhe na vjen keq që një gjë e tillë po ndodh. Kur ai erdhi te ne tre vite më parë ishte një lojtar pak i njohur dhe ne jemi krenarë dhe të lumtur për të. Tani shpresojmë që një Levandovski i ri të vijë në Dortmund”. (LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Sunday, 26 May 2013 11:20

Mario Manxhukiç mund të kishte përfunduar pa medalje pas finales së Ligës së Kampioneve po të mos ishte për Frank Riberi. Menjëherë pasi bavarezët filluan festimet me trofeun, kroati që shënoi golin e parë të ndeshjes, humbi medaljen e tij, e cila u shkëput nga varësja. Por fatmirësisht, Riberi e pa këtë skenë dhe i ktheu shokut të skuadrës medaljen, ndërsa ky i fundit dukej shumë i çuditur që një gjë e tillë i kishte ndodhur atij, duke shikuar me shumë kuriozitet francezin që po i rregullonte përsëri varësen. (LajmeShqip.com) 

 

 
Lajme Shqip Sunday, 26 May 2013 11:17

Më në fund Arjen Roben ka thyer mallkimet e finaleve të rëndësishme duke fituar një të tillë pas dy dështimeve të mëparshme në Ligën e Kampioneve me Bajern Mynih dhe një më Holandën në Kupën e Botës 2010. I ashtuquajturi “holandezi fluturues” u shpall “Lojtari më i mirë i ndeshjes” pasi dha asistin për golin e parë dhe shënoi të dytin, duke i dhënë Bajern Mynih këtë sukses dramatik në minutën e 89-të.

“Nuk më besohet, nuk më besohet. Është një gëzim fantastik, një emocion i jashtëzakonshëm. Një nga emocionet më të mëdha në jetën time”, ishin fjalët e futbollistit pas ndeshjes.

“Nuk më besohet ende. Ende nuk e besoj atë që ka ndodhur, pasi shumë njerëz e kishin parashikuar një gol timin para kësaj ndeshje, gjë që tashmë ndodhi”, tha futbollisti që më parë në karrierën e tij ka luajtur edhe me klube si PSV, Çelsi e Real Madrid.

Megjithatë, ai ka ndarë meritat e suksesit me Frank Riberi, protagonist në aksionet e të dy golave. “Jemi në qiellin e shtatë, sigurisht që jemi shumë të lumtur. Dua të falënderoj të gjithë, e sidomos Riberi për atë top fantastik që më kaloi, duke më dhënë mundësinë që të shkoja drejt portës. E merituam këtë fitore”, ishte komenti i lojtarit holandez. (LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Sunday, 26 May 2013 10:01

Xherdan Shaqiri ka ngjitur Kosovën në majën e futbollit evropian, duke vendosur të hedhë mbi krahë flamurin e vendlindjes së tij gjatë festimeve të fitores së Ligës së Kampioneve pas suksesit me Bajern Mynih. Ndonëse mesfushori kosovar nuk u aktivizua në këtë sfidë, ai qëndroi në pankinë gjatë finales, ndërsa në fund iu bashkua pjesës tjetër të skuadrës për të festuar në fushë. Shaqiri hodhi mbi krahë flamurin e Kosovës dhe atë zviceran gjatë festimeve, duke valëvitur me krenari sidomos flamurin kosovar gjatë festës në tribunë dhe më pas në fushën e lojës. (LajmeShqip.com)

 

 

 
Lajme Shqip Sunday, 26 May 2013 09:51

Jurgen Klop e ka pritur me sportivitet humbjen në finalen e Ligës së Kampioneve dhe ka preferuar të mos bëjë polemika rreth momentit të diskutueshëm të penalltisë për skuadrën e tij, ku Dante duhej ndëshkuar me kartonin e dytë të verdhë dhe të largohej nga fusha e lojës.

“A duhej përjashtuar Dante? Po, por kam parë gjyqtarë më të dobët në historinë e futbollit dhe nuk është e thënë se në superioritet numerik do të fitonim ne. I bëj komplimente Bajernit që fitoi këtë ndeshje. Kemi bërë një ndeshje të madhe dhe lojtarëve të mi u kam thënë se do të kthehemi përsëri në një finale të tillë”, ishte premtimi i trajnerit të Borusia Dortmund.

“Të them të drejtën nuk e pashe golin që vendosi ndeshjen, ai erdhi nga një goditje dënimi ku ne nuk ishim vendosur në mënyrën e duhur. Por në atë pikë, pastaj ishte shumë vonë për të reaguar. Për ne ka qenë një sezon mjaft i vështirë dhe kjo u pa shumë mirë në minutat e fundit të ndeshjes ku nuk kishim më energji”.

“Kemi humbur, por sot kemi treguar se meritonim të mbërrinim deri këtu, që të luanim për këtë trofe të rëndësishëm. Ndoshta nuk është gjëja më e rëndësishme në këtë moment, por te ne duhet të ekzistojë një ndërgjegjësim i tillë”, tha Klop. (LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Saturday, 25 May 2013 23:13

Bajern Mynih ka fituar Ligën e Kampioneve duke mundur Borusia Dortmund me rezultatin 2-1 në ndeshjen e luajtur në stadiumin “Uembli” të Londrës. Bavarezët, ndonëse nuk kanë shkëlqyer ashtu si në ndeshjet e mëparshme të këtij edicioni, kanë realizuar me sukses objektivin e tyre duke u treguar cinikë atëherë kur duhej, për të evituar një surprizë nga rivalët e tyre. 

Në fakt ndeshja në fillimet e saj ka folur më shumë për Borusian e cila krijoi disa raste të njëpasnjëshme me anë të Rojs e Levandovski, por Nojer shfaqet i gatshëm dhe devijon saktësisht gjuajtjet e tyre. Më pas e kanë radhën bavarezët të rrezikojnë, me Manxhukiç që godet në mënyrë perfekte me kokë, por Vaidenfeler devijon topin në traversë duke shpëtuar portën. Më pas, kapiteni i Borusias shpëton përsëri portën nga një gol i sigurt me një ndërhyrje vendimtare ndaj Arjen Roben, i cili ishte shfaqur i vetëm para tij.

Holandezi është personazhi negativ i kësaj pjese të parë, pasi edhe në dy raste të tjera ka mundësinë të dërgojë topin në rrjetë, por fillimisht vonohet duke i dhënë kohën mbrojtësve kundërshtarë të largojnë topin, e më pas godet Vaidenfeler në fytyrë, duke humbur një rast të mrekullueshëm për të mbyllur pjesën e parë me avantazhin e bavarezëve.

Pjesa e dytë fillon si e para, me Borusian në sulm, por Bajerni godet me kundërsulm dhe në minutën e 60-të të ndeshjes kalon në avantazh. Është një kombinim Riberi-Roben, me këtë të fundit që pason në qendër duke kaluar Vaidenfeler dhe duke i krijuar mundësinë Manxhukiç që vetëm të dërgojë topin në rrjetë.

Por avantazhi bavarez zgjat vetëm 8 minuta, pasi është Dante që i jep një ndihmë të madhe Borusias, duke shkaktuar një 11-metërsh qesharak ndaj Rojs, për më tepër i falur nga gjyqtari Ricoli që mund ta kishte larguar me karton të kuq. Nga pika e bardhë gjuan Gundogan që barazon rezultatin, duke kthyer edhe një herë buzëqeshjen në fytyrat e “kanarinave”, të cilët në fakt nuk kishin shfaqur inferioritet ndaj Bajernit.

Por duket se skuadra e Klop kishte shpenzuar shumë deri në këto momente dhe bie në minutat e fundit, duke i lënë iniciativën bavarezëve. Myler sheh Subotiç të shpëtojë portën me një ndërhyje vendimtare dhe më pas gjuajtja e Alaba gjen reagimin e Vaidenfeler, i cili përsërit veten pak minuta më vonë pas gjuajtjes së Shvajnshtajger.

Por as kapiteni i Borusias nuk mund të bëjë asgjë ndaj depërtimit dhe gjuajtjes së Roben që dërgon topin në rrjetë në minutën e 89-të, duke shlyer të gjitha gabimet e pjesës së parë të ndeshjes dhe finaleve të kaluara duke i dhënë trofeun Bajernit. (LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Saturday, 25 May 2013 18:03

Ethet e finales së Ligës së Kampioneve mes dy skuadrave gjermane kanë bërë që të gjithë forcat e ruajtjes së rendit në Gjermani të aktivizohen dhe të jenë në gjendje të lartë gatishmërie. Nuk bëhet fjalë për të evituar përplasje të mundshme mes tifozëve të Bajern Mynih dhe Borusia Dortmund, por frikës për sulme terroriste në sheshet e qyteteve.

Sipas “Spiegelonline”, Jorg Zirke, presidenti i Zyrës së Anti-krimit në Gjermani, ka vënë në gatishmëri të lartë Ministrin e Brendshëm si dhe guvernatorët e krahinave, pasi i frikësohet sulmeve të mundshme terroriste gjatë natës. Për këtë arsye, masa të rrepta policore janë vendosur në çdo shesh të Gjermanisë ku ka ekrane gjigande dhe ku planifikohet të grumbullohen një numër i madh tifozësh.

Nuk është bërë ende e ditur se sa konkrete është hipoteza e sulmeve të tilla, por sipas Zirke, në një mbledhje që teorikisht duhej të kishte mbetur e fshehtë, ka disa “sinjalizime që duhen marrë seriozisht”.

Ndërkohë, masat e larta të sigurisë nuk kanë evituar një protestë anti-Izrael gjatë një darke të zyrtarëve më të lartë të UEFA-s në Londër. Të ftuarit në këtë darkë, mes të cilëve edhe emra si Devid Bekam e Aleks Ferguson, mbetën të çuditur kur 2 burra dhe një grua, në mes të kësaj darke zyrtare, filluan të protestonin duke hedhur slogane kundër zhvillimit të Evropianit U-21 në Izrael. Nuk është mësuar ende se si tre protestuesit kanë mundur të futen deri në sallë, por ata duket se ishin përgatitur me kohë për një gjë të tillë pasi ishin mimetizuar me turmën duke kaluar me suksese masat e rrepta të sigurisë në ndërtesën ku zhvillohej kjo darkë e UEFA-s. (LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Saturday, 25 May 2013 08:58

Arsen Venger, nëpërmjet editorialit të tij për “Eurosport”, ka parashikuar Bajern Mynih si fituesin e Ligës së Kampioneve në sfidën e sotme ndaj Borusia Dortmund.

“Nëse i shohim gjërat me qetësi, Bajern është favorit për të fituar Ligën e Kampioneve. Fillimisht eksperienca është në anën e tyre, pasi ata kanë arritur në 3 nga 4 finalet e fundit të këtij turneu. Më pas, ata kanë një armë më shumë përsa i përket pjekurisë të arritur si teknikisht, ashtu edhe taktikisht. Për të bërë një gjë të tillë të duhen lojtarë 28 apo 29 vjeçare dhe ata kanë një bazë të tillë me Shvajnshtajger, Riberi, Roben e Lahm”, shkruan Venger në editorialin e tij.

“Ata kanë vendosur një standard në futbollin evropian, jo vetëm me mënyrën se si mundën 7-0 Barcelonën në gjysmëfinale, por edhe pasi humbën finalen e një viti më parë. Ata u mundën me penallti përballë Çelsit, por mos harroni se mbajtën 70% të topit në atë ndeshje. Pastaj shihet qartë se kanë burime të jashtëzakonshme. Çelsi fitoi Ligën e Kampioneve një sezon më parë, por nuk arriti të kthehej përsëri në finale, ndërsa për Bajern kjo është finalja e tretë në 4 vite. Humbja e dy finaleve të mëparshme është një armë më shumë, pasi tani bavarezët duan të korrigjojnë gabimet e tyre”.

Por Venger ka paralajmëruar se Borusia Dormtund nuk do të dorëzohet lehtë, duke e bërë këtë skuadër shembull të suksesit të strategjisë së një klubi që nuk shpenzon shuma të çmendura dhe nuk ka pushtet të pakufizuar financiar.

“Borusia është një skuadër e shpejtë, teknike dhe që luan në kundërsulm. Ata luajnë vertikalisht me entuziazëm, paparashikueshmëri dhe një mentalitet sikur nuk kanë çfarë të humbasin. Ata janë një skuadër e vështirë për t’u mundur dhe mund t’i krijojnë probleme kujtdo, mund të bëjnë surpriza. Nëse do të luanin ndaj një skuadre të një shteti tjetër, mundësitë e tyre për të fituar do të ishin më të mëdha. Por ndaj Bajernit, që kontrollon futbollin gjerman, kjo përqindje bie, ndaj bavarezët i shoh si favoritë”.

“Bajern është një lloj përjashtim në futbollin gjerman, ata kanë fuqinë financiare më të cilin mundin rivalët e tyre, ndaj nuk përfaqësojnë realisht vendin ku luajnë. Dortmundi është shembulli më i mirë i një skuadre që ka punuar për të zhvilluar lojtarët. Por problemi i tyre është se nuk mund të mbajnë yjet, si Gëtze apo Levandovski. Kjo na kujton edhe një herë se skuadrat me fuqi të vogël ekonomike, duhet të nguten para se peshqit e mëdhenj t’i mbërthejnë”, deklaroi Venger. (LajmeShqip.com)