Lajme Shqip Friday, 03 May 2013 08:45

Euforia e Bajern Mynih për fitoren ndaj Barcelonë dhe kalimin në finalen e Ligës së Kampioneve ishte e dukshme. Në fakt, entuziazmi ishte aq i madh sa askush mes bavarezëve nuk e kuptoi se autobusi i skuadrës ishte larguar nga stadiumi “Kamp Nou” pa pasur të gjithë lojtarët me vete.

“I harruari” ishte mesfushori spanjoll Havi Martinez, i cili pas përfundimit të takimit u rrethua nga mediat vendase në zonën miks duke dhënë intervista të njëpasnjëshme.

Por drejtuesit bavarezë nuk e vunë re që lojtari vazhdonte të jepte intervista dhe dhanë urdhrin që autobusi të nisej, duke marrë të mirëqenë faktin se çdo lojtar ishte brenda.

Ndaj ishte shumë qesharake kur Martinez doli nga ambientet e stadiumit dhe mbeti i shtangur kur pa se kishte mbetur praktikisht në këmbë dhe se autobusi ishte larguar pa të. Pasi kontaktoi drejtuesit e klubit dhe u tregoi se kishte mbetur në stadium, u detyrua të merrte taksi për të shkuar në hotelin ku e priste pjesa tjetër e ekipit. (LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Thursday, 02 May 2013 10:48

Arjen Roben ka mbetur i çuditur mbi lehtësinë me të cilën Bajern Mynih ka fituar kundër Barcelonës në fushën e këtyre të fundit. Lojtari holandez ishte ai që hapi serinë e golave në suksesin 3-0 me një gjuajtje perfekte me të majtën në fillimin e pjesës së dytë.

“U çudita që arritëm të dominonim ndeshjen sot, por e meritojmë të vlerësohemi për një gjë të tillë. Prisnim një ndeshje të vështirë, por ajo nuk ishte e tillë. Nuk më takon mua ta them se jemi superiorë ndaj Barcelonës, por fituam të dy ndeshjet falë stilit tonë të lojës”, tha ai.

“Mendoj se është një paraqitje e jashtëzakonshme, është pak histori. Të shfaqesh në këtë mënyrë, ndaj skuadrës që ka dominuar Evropën në 5 vitet e fundit, që ka kaq shumë cilësi në përbërje, është fantastike”, shpjegoi ai.

Lojtari tani ka vënë sytë te medalja e fituesit, pasi dy herë ka përfunduar në vendin e dytë me bavarezët.

“Menjëherë pas ndeshjes i thamë njëri-tjetrit se tani duhet të fitojmë. Kemi kaluar një sezon të shkëlqyer, por tani duket ta kompletojmë atë me një paraqitje të madhe më 25 maj”, deklaroi Roben. (LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Thursday, 02 May 2013 10:45

Zakonisht, tifozët që hyjnë nga shkallët e stadiumit në fushën e lojës, kanë kohë vetëm sa për të takuar një apo dy lojtarë dhe më pas shoqërohen jashtë fushës nga përgjegjësit e sigurisë. Por një tifoz i Bajern Mynih ka qenë me shumë fat pasi ka arritur të takojë idhujt e tij dhe të festojë me ta në fushën e lojës, i mbrojtur nga lojtarët bavarezë që nuk kanë lejuar rojet ta largojnë pa mbaruar festimet. Për më tepër, ai ka arritur të marrë dhuratë edhe fanellën e Riberi, personin të cilin shkoi ta takonte të parin sapo bëri “pushtimin e fushës”. (LajmeShqip.com) 

 
Lajme Shqip Thursday, 02 May 2013 10:25

Mbrojtësi i Barcelonës, Zherard Pike, ka pranuar se superioriteti i Bajern Mynih ndaj katalanasve ishte i padiskutueshëm dhe se këta të fundit nuk duhej të cilësoheshin më si ekipi më i fortë në Evropë.

“E vërteta e pamohueshme është që 45 minutat e dyta kanë qenë shumë të vështira. Kur një ekip është kaq superior ndaj teje, thjesht duhet ta përgëzosh. Mendoj se ishte e drejtë kështu. Tani na duhet të përgatitemi që të mbyllim sa më parë kampionatin dhe të fillojmë të mendojmë se në vitin e ardhshëm duhet të marrim disa vendime të rëndësishme”, tha ai duke iu referuar ndryshimeve të mundshme në skuadër dhe në mënyrën e lojës të katalanasve, që tani nuk bindin më dhe u mungon qartësisht diçka për t’u cilësuar përsëri mes ekipeve elitare.

Futbollisti ka shpjeguar se edhe prania e Mesit në fushë nuk do të kishte ndryshuar sjelljen e ekipit dhe se gjërat mund të kishin rrjedhur në të njëjtën mënyrë.

“Kuptohet që kur nuk luan Leo, nuk është e njëjta gjë. Por mendoj se kemi bërë një pjesë të parë të mirë edhe pa të në fushën e lojës dhe në sjelljen e ekipit nuk ndikoi aspak mungesa e tij në fushë”.

Mbrojtësi më pas ka hedhur poshtë idenë se katalanasit ishin të qetë pasi të paktën në finale nuk kishte shkuar as Real Madrid.

“Për ne, dhimbja e eliminimit është e njëjtë, si të humbte, ashtu edhe të fitonte Real Madrid”, tha Pike. (LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Wednesday, 01 May 2013 22:49

Bajern Mynih ka vërtetuar përsëri se është superior ndaj Barcelonës, duke turpëruar edhe një herë katalanasit, këtë radhë në tempullin e tyre, “Kamp Nou”, falë fitores 3-0 që ka mbyllur çdo diskutim të mundshëm se kush është skuadra më e mirë. Ekipi i Jup Heinkes triumfon në total me rezultatin 7-0, duke shkuar në finalen përballë Borusias si favorite kryesore.

Dihej që Barça kishte një detyrë të vështirë, por dukej qartë se askush prej katalanasve nuk besonte në një përmbysje të mundshme, aq sa edhe trajneri Vilanova vendos të mos rrezikojë Lionel Mesin, duke lënë në stol argjentinasin. Katalanasit shfaqen pa fantazi dhe shumë të parashikueshëm, aq sa në pjesën e parë, lojtari më i mirë i tyre është Zherard Pike, i cili shpëton portën e tij në dy raste të pastra të Myler e Roben.

Në pjesën e dytë, me Mesin që vazhdon të qëndrojë në pankinë, pritet një reagim i katalanasve, por Bajerni përfiton nga çekuilibrimi i vendasve për të shënuar golin që i jep fund dyshimeve që në minutën e 49-të. Roben merr një pasim të gjatë dhe pas një kontrolli perfekt, kryen lëvizjen e tij të zakonshme, me depërtim nga e djathta në qendër, duke gjuajtur me të majtën i pashqetësuar për të dërguar topin në rrjetë. 1-0 për Bajernin dhe “Kamp Nou” është në heshtje, pasi tifozeria vendase ka kuptuar se ëndrra mbaroi dhe 6 gola ndaj këtij Bajerni janë të pamundur të bëhen. Edhe Vilanova dorëzohet, duke hequr nga fusha Ksavin, për të mos e rrezikuar më shumë pas dëmtimit të kohëve të fundit. Ndonëse në fushë hidhet Sançez, një sulmues tjetër, është Bajerni që vazhdon të sulmojë dhe të krijojë rrezikshmëri, duke gjetur golin e dytë në minutën 72, me Pike që dërgon në portën e vet topin që po mundohej të largonte pas një harkimi të Riberi.

Kapitullimi total i Barcelonës firmoset në minutën e 76-të, kur përsëri Riberi lëshon një top perfekt për Myler, i cili me kokë dërgon sferën në rrjetë dhe feston bashkë me shokët e tij këtë fitore bindëse. Skuadrat thjesht shtyjnë minutat e mbetura në fushë, ndërsa me vërshëllimën përfundimtare të gjyqtarit Skomina, katalanasit largohen kokulur, duke kuptuar se vitet e tyre kur cilësoheshin si skuadra më e fortë në botë kanë mbaruar dhe për më tepër, ai që i bëri ata më të fortët, vitin tjetër do të ulet pikërisht në stolin e këtij Bajerni, që për momentin duket i pandalshëm.

Megjithatë, në një finale gjermane gjithçka mund të ndodhë, sidomos duke parë bilancin e viteve të fundit të bavarezëve me Borusia Dortmund, e cila i ka krijuar gjithmonë vështirësi. Gjithçka do të zbulohet në finalen e 25 majit, kur futbolli gjerman do të përjetojë një nga netët më të shndritshme të viteve të fundit në nivel klubesh. (LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Wednesday, 01 May 2013 15:41

Pep Guardiola është i bindur se të gjithë duhet të përgatiten sot për një ndeshje të madhe, ku mund të ndodhë gjithçka pasi luajnë Barcelona dhe Bajern Mynih, dy ekipe shumë të mëdha. Këtë deklaratë, trajneri spanjoll e ka lëshuar në Bogota të Kolumbisë ku ka marrë pjesë në një konferencë në një sallë me 10 mijë persona të pranishëm.

“Luajnë dy skuadra fantastike, gjithçka mund të ndodhë. Janë dy ekipe që kanë pasur një dominim të jashtëzakonshëm në kampionatet e tyre. Ajo që kanë arritur në këtë sezon është shumë e merituar. Ndaj po pres me padurim të shoh këtë ndeshje”, ishin fjalët e ish-trajnerit të katalanasve që ulet në stolin e skuadrës bavareze që në sezonin e ardhshëm.

Ai ka komentuar edhe ndeshjen e mbrëmshme mes Real Madrid dhe Borusia Dortmund, duke e cilësuar atë si mjaft emocionuese deri në sekondën e fundit.

“Jam një tifoz i madh futbolli dhe e pashë atë ndeshje pasi ndoqa edhe taktikat që përdorën dy skuadrat… ishte një ndeshje shumë emocionuese. Rezultati në ndeshjen e parë ishte i thellë, por me Real Madrid, në “Santiago Bernabeu”, nuk mund të thuash kurrë se ka mbaruar gjithçka deri në momentin kur gjyqtari vërshëllen për fundin e ndeshjes. Këtë e them nga eksperienca personale”, deklaroi Guardiola.

“Mendoj se këtë vit futbolli gjerman ka qenë shumë interesant. Por futbolli spanjoll, falë personave si Luis Aragones dhe Vicente Del Boske, ka arritur nivele shumë të larta”, tha ai, duke kundërshtuar opinionin se tashmë futbolli spanjoll nuk duhej cilësuar më si elita e futbollit evropian. (LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Tuesday, 30 April 2013 19:16

Futbollistët e Bajern Mynih e dinë shumë mirë se fitorja 4-0 e ndeshjes së parë nuk mjafton për të garantuar kalimin në finalen e Ligës së Kampioneve, pasi do të duhet mbrojtur ky rezultat në një sfidë shumë të vështirë në “Kamp Nou”.

“E dimë që do të përballemi me një skuadër që do të japë 100% të mundësive të saj dhe nuk na lejohet një rënie përqendrimi”, tha Tomas Myler, autori i një dygolëshi në sfidën e parë. “Të jeni të sigurt se përballë do të jemi një Lionel Mesi tjetër nga ai i ndeshjes së parë. Por ne jemi një grup i madh në të cilin 11 lojtarët punojnë gjithmonë për skuadrën”.

Edhe Bastian Shvajnshtajger është i ndërgjegjshëm për vështirësinë e kësaj sfide, ndonëse është optimist se bavarezët do të kalojnë përsëri në finale.

“Kemi ardhur këtu që t’i shkojmë deri në fund turneut. Kemi derën e hapur për në finale falë rezultatit të ndeshjes së parë, por nuk kemi përfunduar, kemi ende punë për të bërë. Për të kaluar turin, sidomos ndaj Barcelonës, duhet të djersitim dhe të impenjohemi deri në fund. Të gjithë ëndërrojmë të shkojmë përsëri në finale”, tha mesfushori bavarez. (LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Tuesday, 30 April 2013 19:10

Të fitosh me 5 gola diferencë një ndeshje gjysmëfinale të Ligës së Kampioneve nuk duket si një objektiv i realizueshëm, sidomos kur përballë ke një skuadër të një cilësie të jashtëzakonshme si Bajern Mynih. Por mbrojtësi i Barcelonës, Zherard Pike, beson se katalanasit mund të kthejnë rezultatin 4-0 të sfidës së parë dhe të shkojnë në finalen e “Uemblit”.

“Skuadra ndjehet mirë dhe do të bëjmë maksimumin për të kaluar turin. Është shumë e komplikuar kur nisesh nga një rezultat i tillë, por ne jemi e vetmja skuadër që mund t’i përmbysë një 4-0 Bajernit. Mund të mposhtim këdo, por duhet të jemi vetvetja, tani më shumë se kurrë”, ishte mesazhi mëse optimist i Pike para kësaj sfide.

“Ne jemi Barça, përfaqësojmë një klub që ka fituar shumë dhe ka një histori të madhe pas shpatullave. Më shumë se një herë kemi treguar se çfarë jemi në gjendje të bëjmë, diçka që do të mbetet, pavarësisht asaj që ndodh në këtë ndeshje”.

Të njëjtin mesazh optimist e ka dhënë edhe Tito Vilanova, i cili ashtu si mbrojtësi mendon se skuadra e tij është në gjendje të bëjë një ndeshje të madhe.

“Pres që ekipi im të luajë siç di. Duhet të shënojmë shumë gola dhe të bëjmë një futboll të bukur. Nuk mund të dorëzohemi, edhe pse Bajerni ka një avantazh të ndjeshëm”. (LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Tuesday, 30 April 2013 12:03

Franc Bekenbauer është detyruar të lëshojë një deklaratë për shtyp, duke dashur të sqarojë komentet e bëra një ditë më parë rreth Barcelonës, ku paralajmëroi Bajernin se katalanasit do të luanin “lojë të pisët”.

Në deklaratën e lëshuar për “Bild” një ditë më parë, presidenti i nderit i bavarezëve mes të tjerave tha se “Barcelona do të provojë çdo metodë për të realizuar përmbysjen, metoda të ligjshme dhe të paligjshme”.

Por dje, në faqen zyrtare të internetit të Barcelonës është publikuar një përgënjeshtrim i Bekenbauer, në të cilin ai kërkon falje për keqkuptimin e fjalëve të tij.

“Unë thashë vetëm se Barça do të bëjë çdo gjë që ka në mundësi për të shkuar në finale, por jo nëpërmjet rrugëve të paligjshme. Kur them se ato do të përdorin çdo gjë që kanë në dispozicion, i referohem vënies nën trysni të rivalëve, diçka që është e ligjshme në fushën e lojës, është diçka që unë e kam bërë si lojtar dhe si trajner gjatë karrierës time”.

“Barça është një prej klubeve më të mëdha dhe të ndershme që ekzistojnë në botë dhe unë i admiroj. Jam i bindur se loja e ndershme do të mbizotërojë në ndeshjen e të mërkurës. Dy skuadrat do të bëjnë maksimumin për të shkuar në finale dhe kjo është ajo që kisha si qëllim të thosha me fjalët e mia”, shpjegoi Bekenbauer. (LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Tuesday, 30 April 2013 12:00

Trajneri i Bajern Mynih, Jup Heinkes, ka treguar se ekipi i tij nuk do të ndryshojë identitet gjatë ndeshjes së kthimit kundër Barcelonës, ndaj askush të mos presë se bavarezët do të adaptojnë taktikën e quajtur “parkim autobusi” ndaj katalanasve.

Bajern ka një avantazh të thellë prej 4 golash para ndeshjes së kthimit, por Heinkes mendon se për të siguruar finalen, gjithçka do të bëhet më e thjeshtë nëse ekipi i tij vazhdon të sulmojë dhe të shënojë, siç ka bërë edhe më parë.

“Do të mbajmë mbrojtjen sa më lart që të jetë e mundur dhe të mundohemi t’u imponojmë atyre stilin tonë ofensiv të lojës. Ne duhet të mundohemi të shënojmë një apo dy gola, ndërsa ato do të përpiqen të na vënë në trysni që nga minuta e parë”, shpjegoi Henikes.

“Barcelona është një skuadër me një klas të jashtëzakonshëm, do të provojë gjithçka për të kthyer ndeshjen”, ishte bindja e tij për këtë sfidë. “Kjo është arsyeja pse ne duhet medoemos që të mbajmë mbrojtjen sa më larg portës tonë”. (LajmeShqip.com)