12
 
Lajme Shqip Sunday, 20 May 2012 14:43

Dhoma e konferencave “Laurel Cabin”, në Kemp Devid është kthyer për pak orë në një sallë ku liderët botërorë të pranishëm për Samitin e G8, kanë ndjekur si tifozë finalen e Ligës së Kampioneve.

Në fotot e shpërndara, bie në sy ajo ku presidenti i SHBA, Barak Obama, gjendet mes kancelares gjermane Angela Merkel dhe kryeministrit britanik Devid Kameron.

Presidenti i sapoemëruar francez, Fransua Holland dhe presidenti i BE, Hoze Manuel Barroso, janë të pranishëm gjithashtu, duke ndjekur momentin e penalltisë së Drogba.

Mjafton të shohësh fytyrën e zymtë të Merkel dhe entuziazmin e shfrenuar të Kameron për të kuptuar pse Obama ka zgjedhur të qëndrojë mes tyre… (LajmeShqip.com) 

 
Lajme Shqip Sunday, 20 May 2012 11:40

Zhgënjimi ka mbretëruar mes lojtarëve të Bajern, të cilët kanë humbur një rast të shkëlqyer për të marrë një sukses të rëndësishëm para tifozerisë së tyre, duke humbur finalen e Ligës së Kampioneve me penallti përballë Çelsit.

“Ky është futbolli, e kemi parë edhe në të kaluarën. Nuk është gjithmonë skuadra më e mirë që merr kupën në fund”, tha autori i golit për Bajernin, Tomas Myler. “Kur shënon para tifozëve të tu, kaq pranë fundit dhe pastaj sheh Çelsin të ngrejë trofeun, e kupton që shumë gjëra kanë ndodhur. Është shumë e vështirë të gjesh fjalë për të përshkruar gjendjen tonë, por futbolli nuk është gjithçka”, është munduar të gjejë ngushëllim futbollisti i përfaqësueses gjermane.

Një nga lojtarët më të trishtuar ka qenë Arjen Roben, i cili ka humbur një penallti vendimtare gjatë kohëve shtesë. “Nuk mund ta përshkruaj me fjalë, po ka qenë një natë e tmerrshme. Dy-tre herë gjatë ndeshjes e ndjen se ke kupën në dorë, por në fund nuk ke asgjë. Penalltia ime nuk ishte e mirë. Desha të gjuaja fort dhe lart, por nuk e ngrita topin sa duhej. Ishte një penallti e tmerrshme. Fakti që Drogba dhe Platini u munduan të më ngushëllonin ishte diçka e bukur, por pa vlerë. Desha trofeun por përsëri nuk e mora”, tha ai.

Ky sezon ka qenë “tragjik” për Bajern Mynih që ka përfunduar i dyti në Bundesligë, Kupën e Gjermanisë dhe tashmë në Ligën e Kampioneve, ndonëse në të tre rastet ka patur mundësi të arta për të fituar trofeun (LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Sunday, 20 May 2012 10:00

Didier Drogba ka përshëndetur të gjithë shokët e tij të skuadrës për suksesin e jashtëzakonshëm në finalen e Ligës së Kampioneve, sidomos pasi treguan se nuk dorëzohen kurrë.

“Çelsi nuk u dorëzua asnjëherë. Kjo skuadër është fantastike. Mendoj se ka qenë e shkuar diku që më përpara që ne të fitonim këtë ndeshje. Dua t’ia dedikoj këtë sukses të gjithë trajnerëve që kemi patur më parë, të gjithë lojtarëve më të cilët kam luajtur”.

Sulmuesi kujton se kjo është një hakmarrje për finalen e humbur me penallti katër vite më parë në Moskë përballë Mançester Junajtid.

“Në Moskë ishte shumë e vështirë. Ishte shumë e dhimbshme për lojtarët, klubin dhe tifozët. Sot arritëm të ndryshonim fatin dhe ishte një ndeshje e jashtëzakonshme, një ndeshje e çmendur. Pësuam gol 10 minuta para fundit dhe barazuam në minutën e fundit, e më pas koha shtesë. Ne kemi dhënë gjithçka, nuk mendoj se kemi energji për të festuar”, ishin fjalët e sulmuesit nga Bregu i Fildishtë.

Ndërkohë, mesfushori Frenk Lampard ka falënderuar pikërisht Drogba për këtë triumf të jashtëzakonshëm të ekipit londinez.

“Ky trofe do të thotë gjithçka, ka shumë vite që mundohemi ta fitojmë. Ishte trofeu që dëshironim në të vërtetë dhe ia arritëm qëllimit. Nuk më besohet se si fituam. Drogba na nxori përsëri nga telashet. Ai është një hero dhe pa të nuk do të ishim këtu. Ai shënon golat në ndeshjet e rëndësishme. Do të dëshiroja shumë që të qëndronte”, ishte ftesa e mesfushorit që mbajti shiritin e kapiteni në këtë sfidë.

Një lojtar që i ka shprehur dashurinë e tij Çelsit është portieri Peter Çeh, i cili rezultoi vendimtar me pritjen e penalltisë që i bëri Arjen Roben.

“E kam studiuar mënyrën se si gjuan dhe kjo është arseja pse u ndjeva i çliruar në momentin kur ai gjuajti. Sot kemi parë shumë lojtarë të qajnë, por këtë e kam provuar edhe unë disa vite më parë ndaj nuk di si t’ua shpjegoj atë që ndjej në këto momente. E ardhmja? Dua të qëndroj edhe për shumë vite te Çelsi”, tha portieri i cili pak orë pas finales mbushi 30 vjeç. (LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Sunday, 20 May 2012 08:40

Trajneri i Bajern Mynih, Jup Heinkes, i ka bërë thirrje pronarit të Çelsit, Roman Abramoviç, t’i ofrojë një kontratë trevjeçare Roberto Di Mateos, i cili udhëhoqi londinezët drejt triumfit në Ligën e Kampioneve.

“Unë përgëzoj Çelsin për suksesin e tyre në këtë finale. Nëse dëshironi që të them diçka për Di Mateon, mendoj se Çelsi duhet t’i bëjë atij një kontratë trevjeçare”, ishin fjalët e teknikut gjerman që është shfaqur shumë i zhgënjyer pas përfundimit të sfidës.

Vetë tekniku italian i skuadrës angleze ka preferuar që të lërë gjithçka enigmë dhe ka treguar se për momentin po mendon vetëm për pushimet.

“Çfarë diskutoj me pronarin nuk është çështje publike. Por kjo nuk ka rëndësi, e kam thënë prej tre muajsh. Jam i lumtur me rolin që më është dhënë dhe do të pranoj çfarëdo gjëje që do të më sjellë e ardhmja. Do të respektoj çfarëdo që të vendosë klubi. Plani im më i afërt? Pushimet!”, u shpreh me humor trajneri italian që ka meritën se ka ringjallur këtë skuadër në dy muajt e fundit.

Por ai mendon se meritë të madhe për këtë sukses duhet të marrë edhe Andre Vijas Boas, i cili e nisi projektin në fillimin e sezonit.

“Mendoj se duhet të marrë merita edhe ai, pasi e nisi vitin me këtë skuadër dhe hodhi themelet e këtij suksesi. I jam shumë mirënjohës që më thërriti që të punoja me të. Kemi një marrëdhënie fantastike”, ishin fjalët e Di Mateos. (LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Saturday, 19 May 2012 23:18

Veteranët e Çelsit kanë përmbysur të gjitha parashikimet duke fituar Ligën e Kampioneve, për të bërë realitet një ëndërr disavjeçare të këtij klubi. Londinezët e kanë bërë një gjë të tillë duke merituar nofkën “surpriza e sezonit”, pasi në vitin e tyre më të dobët në kampionat, mes shumë problemesh, kanë arritur fillimisht të eliminojnë gjigandët e Barcelonës, e tani të mundin në fushën e tyre Bajern Mynih. 

Në një finale me mjaft tension, ashtu siç pritej ka qenë Bajern që ka patur iniciativën që në minutat e para duke kërkuar më me ngulm golin, ndërsa Çelsi ka përdorur taktikën e saj mbrojtëse duke mos lënë shumë hapësira në prapavijë. Kur mbrojtja e improvizuar e londinezëve nuk funksionon, mendon Peter Çeh të ruajë portën e tij me ndërhyrje të sigurta, duke ndalur tentativat e Gomez, Roben, Myler apo Riberi.

Emocionet më të mëdha të sfidës janë në 10 minutat e fundit të kësaj ndeshje, ku fillimisht është Tomas Myler që në minutën e 83-të kalon në avantazh ekipin bavarez me një gjuajtje me kokë. Duket se Bajern ka vënë duart mbi trofeun, por ka ide të tjera Didier Drogba, i cili me rastin e parë të rrezikshëm që i shfaqet, pas një goditje nga këndi në minutën e 88-të, barazon rezultatin me një gjuajtje me kokë.

Ndeshja shkon në kohët shtesë, ndërsa Bajern ka mundësi përsëri të kalojë në avantazh me penallti, pasi Drogba shkakton faull në zonë ndaj Riberi. Por nga pika e bardhë gabon Arjen Roben, me portierin Çeh që ndalon gjuajtjen e tij dhe mban në lojë ekipin e Çelsit.

Pas 30 minutave të tensionuara për të dy palët, skuadrat shkojnë në gjuajtjet nga pika e bardhë. Dukej se Bajern do të merrte këtë trofe nga penalltitë, pasi që në gjuajtjen e parë është Mata që hipnotizohet nga Nojer. Por Çeh gjen krahun e goditjes së Oliç dhe vendos përsëri barazinë. Vendimtare bëhen gjuajtjet e fundit të serisë. Shvajnshtajger gabon duke goditur shtyllën, ndërsa Drogba dërgon topin në rrjetë, duke i dhënë suksesin e parë evropian klubit të Çelsit.

Fitorja duket e pabesueshme edhe për faktin se vetëm 2 muaj më parë, kjo skuadër drejtohej nga një trajner tjetër, i cili ishte punësuar me qëllimin që të largonte të gjithë veteranët. Por pikërisht këta të fundit, tashmë nën drejtimin e trajnerit të përkohshëm Di Mateo, kanë përmbysur çdo parashikim të mundshëm duke fituar Ligën e Kampioneve, për t’i dhënë fund në mënyrë të shkëlqyer një cikli të filluar 8 vite më parë. (LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Friday, 18 May 2012 15:55

Rud Gulit mendon se Roman Abramovic ëndërron që Çelsi të humbë finalen e Ligës së Kampioneve përballë Bajernit.

Ish-trajneri i ekipit londinez mendon se fitorja përballë bavarezëve, për më tepër në fushën e këtyre të fundit, do t’i jepte një grusht të rëndë planit të miliarderit rus për pasardhësin e Roberto Di Mateos, që do të kthehej menjëherë në një legjendë për klubin.

Gulit, trajneri i parë i huaj në historinë e Çelsit, ishte ai që mori në skuadër Di Mateon në vitin 1996. Por tani, holandezi është i bindur se Abramoviç ka bërë zgjedhjen e tij për sezonin ardhshëm dhe aty nuk përfshihet tekniku italian që arriti të çonte klubin deri në finale kundër të gjitha parashikimeve.

“Unë mendoj se ka që tani një pasardhës të qartë për postin e trajnerit. Por a do ta dëshirojë më ai këtë detyrë nëse Çelsi fiton Ligën e Kampioneve? Edhe vetë Zhoze Murinjo, a do të dëshironte të vinte e të zëvendësonte Robin, duke e ditur se nuk mund të bëjë kurrsesi më mirë se paraardhësi i tij?”.

“Nëse Robi fiton Ligën e Kampioneve, ai do t’i shkaktojë shumë probleme atij që do të vijë pas tij, ndaj pronari mund të shpresojë që në këtë rast të mos e fitojë këtë finale”, ishin fjalët e Rud Gulit. (LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Friday, 18 May 2012 10:00

Mesfushori i Çelsit, Frenk Lampard, është gati të mbyllë ashtu siç duhet një sezon ku fillimisht ka qenë në prag të largimit nga skuadra, ndërsa tani është shumë pranë lavdisë së suksesit në Ligën e Kampioneve.

Tre muaj më parë, karriera e mesfushorit të Anglisë dukej drejt një kthese aspak të lumtur, pasi ai u la në stolin e rezervave ndërsa shihte skuadrën e tij teksa mundej 3-1 në Napoli në 1/16 e finaleve të Ligës së Kampioneve. Kjo situatë vinte si rrjedhojë e muajve radhazi me tensione të shkaktuara nga Andre Vijas Boas, trajneri portugez që ishte emëruar me qëllimin e vetëm të rindërtonte nga e para ekipin, duke larguar veteranët.

Por shkarkimi i portugezit ishte shkëndija që ndihmoi Çelsin të kthente fatin në mënyrë të pabesueshme dhe me kthimin në formacionin titullar nën drejtimin e trajnerit të përkohshëm Roberto Di Mateo, Lampard u bë përsëri vendimtar për skuadrën e tij.

“Mendoj se askush nuk e kishte parashikuar se do të vinim deri këtu, dukeshim sikur ishim të eliminuar nga Napoli, pastaj na ra në short Barcelona. Nuk është se kemi çuditur veten, por kur diçka vjen e papritur, sjell më shumë kënaqësi fakti kur je në finale. Sigurisht që na duhet të luajmë në këtë ndeshe për ta fituar, por thjesht mendimi ka qenë një ndjesi e bukur gjatë këtyre javëve të fundit”.

“Me Napolin po vuanim. Jo vetëm se unë isha ulur në stolin e rezervave, por situata dukej qartë. Kemi eksperiencën për të ditur se gjërat mund të ndryshojnë shpejt në futboll, por atë natë në dhomat e zhveshjeve nuk kishim asnjë përgjigje. U desh një përpjekje e madhe në javët deri në takimin e kthimit për të ndryshuar gjërat. Ndeshja që luajtëm në fushën tonë ishte pika e kthesës e të gjithë sezonit”.

“Për Çelsin ky do të ishte suksesi më i madh. Kemi katër lojtarë që na mungojnë në finale, disa nga lojtarët më të mirë gjatë sezonit. Mendoj se çdo hap që kemi hedhur në Ligën e Kampioneve është një arritje e madhe: ndeshjet me Barcelonën, përmbysja me Napolin. Por arritja më e madhe e historisë së Çelsit padyshim do të ishte fitorja e Ligës ë Kampioneve”, tregoi mesfushori që do të mbajë shiritin e kapitenit në finale dhe mund të ketë mundësinë të ngrejë i pari trofeun në rast suksesi. (LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Friday, 18 May 2012 08:02

Presidenti i Bajern Mynih, Uli Hënes, ka sulmuar ashpër pronarin  Çelsit, Roman Abramoviç. Ai e etiketoi Abramoviç si pjesëtar të “mafies së naftës” që merr paratë e publikut nga pompat e karburantit për të financuar klubet e futbollit. Ai e cilësoi këtë si një prej arsyeve pse Bajern duhej të mundte Çelsin të shtunën dhe bëri një krahasimin mes mënyrës sesi vetëfinancohen bavarezët, me varësinë që ka klubi anglez ndaj pronarit miliarder.

“Unë zemërohem çdo javë kur shkoj të blej karburant. Mafia e naftës merr para nga xhepi im për t’i investuar në futbollistë. Për mua, kjo situatë mban erë të keqe, ndërsa përfshij edhe Z. Abramoviç në këtë mes. Ne duhet të mundim klube si Çelsi në fushën e lojës. Ata janë një klub me shpinën në mur si rrjedhojë e sezonit të tyre me luhatje. Nëse humbin, nuk janë në këtë turne vitin e ardhshëm”.

“Nëse Bajerni e fiton aktivitetin, përfitojmë rreth 20 milionë paund. Ky është qëllimi: sukses sportiv i bazuar në sensin logjik ekonomik. Z. Abramoviç ka investuar 900 milion paund te Çelsi. Nëse ai vendos të heqë spinën, mund ta blesh këtë klub me çmimin e një gazete fjalëkryqesh”.

“Mendoj se është e rëndësishme që të gjithë te Bajern ta ndjejnë se klubi u përket atyre. Tifozët nuk duhet të kenë ndonjë frikë se ne do ta shesim klubin te ndonjë grup rus apo arab. Kur rregullorja e fair play financiar të hyjë në fuqi, atëherë do të fillojë epoka e artë për klubet gjermane”, ishte parashikimi i Hënes. (LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Thursday, 17 May 2012 15:45

Sulmuesi i Çelsit, Ddier Drogba, mendon se ka ardhur koha që skuadra e tij të hakmerret për dëshpërimin e përjetuar disa vite më parë në Moskë, duke triumfuar në finalen e Ligës së Kampioneve kundër Bajern Mynih të shtunën.

34 vjeçari nga bregu i fildishtë prite të jetë titullar në këtë ndeshje që mund të jetë e fundit për të në klubin anglez. Ai mendon se kjo sfidë është perfekte për të harruar përfundimisht atë që ndodhi katër vite më parë, kur Çelsi u mund me penallti nga Mançester Junajtid në finalen e këtij turneu.

“Pas Moskës, menduam se vitin pasardhës do të shkonim përsëri në finale. Por kjo është Liga e Kampioneve, është shumë e vështirë të arrish në finale dhe kjo mjafton për të treguar se sa shumë e meritojmë ne të jemi këtu”.

“Nuk është gjë e mirë të flasësh për të kaluarën, pasi e tashmja jonë është shumë e mirë. Unë do të bëj maksimumin që e tashmja të jetë e shkëlqyer për mua dhe për shokët e skuadrës”.

“Kam luajtur shumë ndeshje të mëdha me Çelsin, por kjo do të jetë e veçantë pasi është vetëm hera e dytë që arrij në finalen e Ligës së Kampioneve. Do të bëjmë maksimumin për të marrë një fitore ndaj kësaj skuadre gjermane që luan në fushën e vet”, tha futbollisti i cili në ndeshjen e Moskës nuk mori pjesë në gjuajtjet e penalltive pasi ishte ndëshkuar me karton të kuq 4 minuta para përfundimit të kohëve shtesë. (LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Thursday, 17 May 2012 08:40

Kapiteni i Bajern Mynih, Filip Lahm, mendon se ekipi i tij duhet të mundë Çelsin në finalen e Ligës së Kampioneve të së shtunës nëse dëshiron të cilësohet si pjesë e “brezit të artë”.

Lahm ka qenë pjesë e ekipit në ndeshjen finale të dy viteve më parë, kur skuadra e tij u mund nga Interi me rezultatin 2-0. Por ai mendon se ekipi aktual ka forcën për të fituar dhe për të krijuar një cikël, që ka si synim të arrijë atë të presidentit Uli Hënes dhe shefit të klubit Karl Hainc Rumenige, të cilët kanë fituar tre trofe radhazi në vitet 1974, 1975 dhe 1976.

“Të duhet një titull ndërkombëtar nëse dëshiron të cilësohesh si “brezi i artë”. Kërkon gjithmonë të ngresh kupën kur shkon në finale dhe kuptohet që është diçka e bukur të jesh i pari që e ngre atë në qiell. Nuk do të kem edhe shumë vite si futbollist në nivele të larta”, u shpreh mbrojtësi 28 vjeçar.

Sipas tij, Çelsi është një skuadër frikshme edhe për shkak të objektivave të dyfishtë që ka në këtë ndeshje.

“Çelsi është një skuadër me shpinën pas murit, pasi kanë patur një sezone me ulje-ngritje në kampionat. Nëse ata e humbin finalen, nuk do të marrin pjesë në Ligën e Kampioneve dhe të gjithë e dimë se çfarë do të thotë një gjë e tillë për një skuadër si Çelsi. Çdokush që mendon se e kemi fituar këtë ndeshje, e ka shumë gabim”.

Lahm ka qenë protagonist në finale e Ligës së Kampioneve edhe në vitin 1997, por atëherë ka qenë thjesht një prej djemve që mblidhnin topat pas porte në ndeshjen që Borusia Dortmund fitoi 3-1 kundër Juventusit në “Olimpiashtadion” të Mynihut. (LajmeShqip.com)

12