Lajme Shqip Friday, 26 July 2013 14:50

Tiranë – Nëpërmjet një deklarate për mediat Avokati i Popullit Igli Totozani shpreh shqetësimin e tij në lidhje me arratisjen e disa shtetasve shqiptar nga burgu i Trikallës, në Greqi, ndërsa shton se po shqyrton ankesën e familjarëve të njërit prej të arratisurve.

“Bazuar në ankesën e depozituar në institucion nga familjarët e një prej personave të arratisur, por edhe nga lajmet e publikuara në media, Avokati i Popullit është duke ndjekur me vëmendje e shqetësim të veçantë situatën e krijuar rreth arratisjes së disa shtetasve shqiptarë që vuanin dënimin penal në burgun e Trikallës, në Greqi, ende në kërkim nga autoritetet greke. Sipas informacioneve zyrtare të botuara në media, rezulton që deri tani 3 prej personave të arratisur kanë humbur jetën gjatë shkëmbimit të zjarrit me forcat e policisë greke, si dhe kanë humbur jetën një polic dhe një shtetase e këtij vendi”, shprehet AP.

Teksa shpreh keqardhjen për humbjen e jetëve njerëzore, Totozani i bën apel të arratisurve nga burgu të vetëdorëzohen me qëllim që të shmanget përdorimi i forcës që ka cuar në humbjen e jetës së 3 prej tyre.

“Avokati i Popullit i bën thirrje shtetasve shqiptarë dhe autoriteteve për një zgjidhje të shpejtë të problemit duke shmangur përdorimin e mëtejshëm të forcës. Pavarësisht arsyeve dhe rrethanave në të cilat kanë ndodhur humbja e jetëve, Avokati i Popullit vlerëson se është e një rëndësie primare që e drejta e jetës të ketë përparësi ndaj çdo lloj mase e cila sjell pasoja fatale për humbjen e saj. Në këto kushte ne mendojmë se: vetëdorëzimi i shtetasve shqiptarë të arratisur nga burgu do të shmangte përdorimin e mëtejshëm të forcës, i cili pa dyshim do të sillte humbjen e jetëve të tjera dhe do të bënte që trajtimi i problemit t’u kthehej organeve të drejtësisë. Dhe në të njëjtën kohë i kërkojmë Ministrisë së Punëve të Jashtme e Republikës së Shqipërisë dhe strukturave të saj në shtetin Grek që të luajnë një rol aktiv negociues në funksion të dorëzimit të shtetasve shqiptarë dhe garantimit të jetës së tyre”, përfundon deklarata e tij.