Lajme Shqip Tuesday, 03 December 2013 19:22

Mitrovicë- Kandidati i PDK-së për kryetar të Mitrovicës, Avni Kastrati ka thënë se nuk e pranon rezultatin e zgjedhjeve të 1 dhjetorit. Ai ka thënë se në këtë komunë duhet të përsëriten zgjedhjet meqë, sipas tij, ka pasur manipulim të votave.

Kastrati ka treguar se për këto parregullsi kanë bërë ankesë në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP). “Në zgjedhjet e 1 dhjetorit ka pasur fletëvotime false që kanë ndikuar në rezultat, bile dukshëm kanë ndikuar në rezultat, sepse është përdorur sistemi i ‘Trenit bullgar’. Ne kemi bërë ankesë në afatin ligjor në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa, që të përsëriten zgjedhjet në Mitrovicë”, ka thënë Kastrati. 

Ai ka thënë se kur të shfrytëzohen të gjitha mjetet juridike, atëherë mund ta pranojnë rezultatin. “Aktualisht jo”, ka thënë për “Epokën e re” Kastrati. 

Ai ka thënë se pas këtij manipulimi të votave, Komuna e Mitrovicës duhet të shkojë në rivotim. “Duke i marrë parasysh faktet, jam shumë i sigurt se Komuna e Mitrovicës do të shkojë në rivotim. Është zbuluar fletëvotimi fals dhe kjo flet shumë”, ka thënë Kastrati.

I pyetur se, a mjafton vetëm ky fakt që Mitrovica të shkojë në rivotim, Kastrati ka thënë se kjo është vetëm njëra prej dëshmive të mjaftueshme për t’u përsëritur zgjedhjet në Mitrovicë. “Unë mendoj se po. Kjo duhet të bëhet duke e zbatuar ligjin”, ka thënë Kastrati. 

Ai ka kërkuar nga PZAP-ja dhe KQZ-ja që qytetarëve të Mitrovicës t’ju mundësohet dalja e sërishme në zgjedhje. “Duhet sjell vendimin që të na mundësojnë të dalim në rivotim”, ka thënë Kastrati, duke përsëritur se manipulimet e votave kanë ndikuar në përmbysjen e thellë të rezultatit të arritur në zgjedhjet e 3 nëntorit.