Lajme Shqip Saturday, 26 January 2013 14:00

Bjellorusja Viktoria Azarenka arriti të mbronte titullin e Australian Open në takimin e sotëm pas një suksesi mjaft emocionues në tre sete (4-6, 6-4, 6-3) ndaj kinezes Na Li, e cila pësoi dëmtime të njëpasnjëshme në këtë ndeshje duke ndrydhur dy herë kyçin e këmbës dhe duke përplasur kokën në tokë.

Li dominoi në setin e parë por Azarenka arriti të siguronte në avantazh 3-1 në setin e dytë, para se kundërshtarja e saj të rrëshqiste dhe të ndrydhte kyçin e këmbës së majtë. Mjekët i lidhën kyçin e këmbës tenistes kineze, por pas pushimit, ajo shfaqi vështirësi të dukshme në shpejtësinë e saj, ndërsa Azarenka fitoi me rezultatin 6-4.

Li, fituese e Roland Garros në vitin 2011, kryesoi 2-1 në setin e tretë, para se takimi të ndërpritej përsëri, këtë radhë për shkak të fishekzjarrëve që po hidheshin në Melburn për festimet e Ditës së Australisë, të cilët zgjatën për rreth 10 minuta. Pas rifillimit të ndeshjes, Li ndrydhi përsëri kyçin dhe këtë radhë, duke u rrëzuar, përplasi edhe kokën.

Pas ndalesës së radhës për t’iu nënshtruar ndihmës mjekësore, Azarenka ishte shumë më e qetë se rivalja e saj dhe arriti ta mposhte pa vështirësi, duke arritur të përsëritë suksesin e një viti më parë, por edhe duke ruajtur vendin e parë në renditjen botërore për femra. (LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Thursday, 24 January 2013 09:05

Finalja e Australian Open për femra do të diskutohet mes bjelloruses që mban numrin 1 në botë, Viktoria Azarenka dhe kinezes Na Li, të cilat siguruan pjesëmarrjen e tyre në finalen e parë madhore të vitit falë dy paraqitjeve të shkëlqyera në gjysmëfinale.

Azarenka kaloi jo pa vështirësi zbulimin e turneut, amerikanen 19 vjeçare Slon Stefens, e cila vetëm një ditë më parë mundi Serena Uilliams. Tenistja bjelloruse fitoi në dy sete, 6-1 dhe 6-4 përballë Stefens e cila dukej se kishte humbur shumë energji në ndeshjen përballë bashkëkombëses të saj. Por Azarenka kaloi një krizë paniku në setin e dytë që nuk po mundej ta mbyllte, pavarësisht tentativave të njëpasnjëshme dhe u desh një ndërprerje e gjatë e takimit që ajo të qetësohej, siç pranoi edhe vetë pas ndeshjes.

Bjellorusja pritet të ketë një detyrë edhe më të vështirë në finale, ku ka përballë kinezen Na Li, numri 6 i botës, që mundi lehtësisht 6-2, 6-2 pretendenten për fitoren e turneut, rusen Maria Sharapova. Edhe pse numri 2 i botës kishte treguar gjatë javës së fundit se ishte në një formë të shkëlqyer, ajo nuk i rezistoi lojës së 30 vjeçares kineze që tregoi forcën e saj me gjuajtjet që nga fundi.

“Mendoj se Li bëri një lojë shumë më të mirë se unë, u tregua më agresive dhe ka mundësi reale për të fituar këtë trofe”, u shpreh pas ndeshjes Sharapova që humbi mundësinë për të rifituar vendin e parë në renditjen botërore. (LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Wednesday, 23 January 2013 09:24

Slon Stefens ka arritur të dhurojë surprizën më të madhe të turneut të Australian Open për femra, pasi eliminoi idhullin e saj të fëmijërisë, Serena Uilliams, për t’u kualifikuar në gjysmëfinalen e këtij turneu.

Ndonëse Serena Uilliams fitoi setin e parë me rezultatin 6-3, shanset e saj për një sukses u reduktuan pasi pësoi një dëmtim muskulor në shpinë gjatë setit të dytë. Kjo solli edhe shpërthimin e Stefens që shumëkush e ka cilësuar pikërisht si pasardhësen e Serena Uilliams, për mënyrën e lojës agresivë që bën në rrjetë. 19 vjeçarja arriti të merrte setin e dytë me rezultatin 7-5, duke treguar edhe forcë psikologjike pasi kishte humbur fillimisht avantazhin e dy pikëve, nga 5-3 në 5-5.

Në setin e tretë, Uilliams provoi të kthehej në ndeshje, por Stefens kishte fituar një avantazh të ndjeshëm psikologjik dhe nervozoi tenisten numër 3 në renditjen e turneut, e cila ishte në avantazh 4-3, por humbi setin me rezultatin 6-4 dhe i dha lamtumirën turneut.

Në gjysmëfinale, Stefens do të ndeshet me numrin 1 të botës, Viktoria Azarenka, e cila mundi lehtësisht Svetlana Kuznetsova me rezultatin 7-5, 6-1. (LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Saturday, 19 January 2013 13:09

Huan Martin Del Potro është “viktima” e parë e madhe e turneut të Australian Open për meshkuj, pasi argjentinasi humbi në 5 sete përballë Zheremi Shardi të Francës.

Fituesi i US Open në vitin 2009, kishte humbur vetëm 13 pikë në total në dy ndeshje, më pak se të gjithë tenistët meshkuj deri tani në këtë turne, para se të përballej me Shardi, i cili e mundi me rezultatin 3-2 (6-3, 6-3, 6-7 (3), 3-6, 6-3).

Francezi që renditet i 36-ti në listën e pretendentëve të turneut, fitoi dy setet e para dhe pasi Del Potro arriti të barazonte, ruajti qetësinë në setin e pestë për të marrë një fitore historike për të.

Del Potro shihej si një rival i mundshëm për titullin në Australian Open, por eliminimi i tij favorizon britanikun Endi Marrei, i cili pritej të përballej me argjentinasin në çerekfinale, por tani ka një rrugëtim më të lehtë drejt këtij trofeu që e kërkon prej shumë kohësh. (LajmeShqip.com)