Lajme Shqip Thursday, 26 January 2012 13:49

Rafael Nadal realizoi një përmbysje spektakolare pas humbjes së setit të parë duke triumfuar 3-1 përballë Roxher Federer në gjysmëfinalet e Australian Open.

Federer ishte fituesi i setit të parë me tie-break, por tenisti spanjoll fitoi lehtësisht 6-2 në setin e dytë për të rivendosur barazinë mes të dyve. Më pas ishte spanjolli që fitoi setin e tretë me tie-brak, ndërsa arriti të merrte edhe setin e katërt 6-4 dhe të fitonte takimin.

Dy tenistët priteshin të dhuronin emocione dhe ashtu ka qenë që në setin e parë i cili zgjati 56 minuta. Federer u shkëput 3-0, por Nadal rifitoi terren me lojën e tij të shpejtë duke arritur ta çonte setin deri në tie-break, ndonëse suksesi i shkoi zviceranit.

Më pas, spanjolli vendosi diktatin duke dominuar dhe duke e detyruar Federer të bënte gabime që për të nuk janë të zakonshme dhe duke dorëzuar me radhë të tre setet e tjera. Falë këtij dominimi, Nadal arriti të shkojë për herë të katërt në finalen e turneut, ku do të kërkojë suksesin e dytë ndaj fituesit të çiftit Xhokoviç-Mërrei. (LajmeShqip.com)