Lajme Shqip Thursday, 10 May 2012 09:21

Trajneri i Atletik Bilbaos, Marcelo Bielsa, ka marrë përsipër të gjitha përgjegjësitë për humbjen e thellë 3-0 të skuadrës së tij përballë Atletiko Madrid në finalen e Europa League në Bukuresht.

Skuadra baske kishte shkëlqyer këtë sezon në arenën evropiane duke eliminuar kundërshtarë si Mançester Junajtid apo Shalke falë lojës së saj në stilin e Barcelonës, me kontroll topi dhe shumë pasime.

Por ata nuk arritën të shfaqnin asgjë nga kjo lojë cilësore përballë Atletiko Madrid që i fundosi me dy golat e Falkao në pjesën e parë dhe golin e Diego në fundin e ndeshjes.

“Ndjehem tmerrësisht i zhgënjyer. Nuk luajtëm mirë. Luajtëm ashtu siç deshi Atletiko që të luanim, duke i lejuar ata që të bënin çfarë të dëshironin. Qartësisht, jam unë personi përgjegjës për mënyrën se si luan skuadra dhe ne nuk arritëm objektivin që i kishim vënë vetes”.

“Kundërshtarët tanë fituan me meritë. Kishte një diferencë të dukshme mes dy skuadrave”, ishte komenti i argjentinasit Bielsa pas ndeshjes ku u mund nga një prej “nxënësve” të tij, Diego Simeone, të cilin e ka drejtuar në kombëtaren argjentinase.

Atletik Bilbao shpresonte që merrte trofeun e parë ndërkombëtar, pasi i kishte shkuar shumë afër suksesit në Kupën UEFA, duke arritur në finalen e vitit 1978. (LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Wednesday, 09 May 2012 22:17

Atletiko Madrid ka fituar për herë të dytë në tre edicionet fundit turneun e Europa League, duke treguar një lojë të jashtëzakonshme dhe duke marrë një sukses mëse të merituar. Skuadra e Diego Simeones ka mundur me rezultatin 3-0 Atletik Bilbaon, duke konfirmuar se është kthyer tashmë në një eksperte të këtij aktiviteti. 

Gjithçka ka qenë më e thjeshtë seç pritej për madrilenët, të cilët kanë gjetur golin e avantazhit që në minutën e 7-të me kolumbianin Falkao, pas një gjuajtje mjeshtërore të këtij të fundit. Bilbao provonte reagojë, por pa arritur të shfaqë ato cilësi loje që e çuan deri në këtë pikë të turneut duke eliminuar disa nga skuadrat më të forta të Evropës.

Në momentin më të mirë të ekipit të Bielsës, vjen edhe goli i dytë i Atletiko Madrid, me të njëjtin autor në minutën e 34-t. Këtë radhë Falkao përfiton nga një përgjumje e mbrojtjes për të dërguar topin në rrjetë, duke u bërë golashënuesi më i mirë i aktivitetit për të dytin vit radhazi, si askush tjetër para tij.

Pjesa e dytë zhvillohet tërësisht në gjysmëfushën e Madridit, por Bilbao nuk gjen rrugën e rrjetës pavarësisht tentativave të shumta. Orientimi drejt sulmit total krijon hapësira në prapavijë dhe 5 minuta para fundit, me një kundërsulm të shpejtë, janë përsëri madrilenët që shënojnë me brazilianin Diego, duke mbyllur diskutimet për fituesin e trofeut të dytë për nga rëndësia në arenën evropiane. (LajmeShqip.com)