12
 
Lajme Shqip Monday, 11 February 2013 19:14

Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga priti të hënën në një takim Kryeministrin e Kosovës, Hashim Thaçi, të shoqëruar nga koordinatori politik në dialogun për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, Blerim Shala.

Thaçi e informoi Jahjagën për raundin e ardhshëm të dialogut që do të zhvillohet në Bruksel më 19 shkurt, për temat që do të diskutohen, për marrëveshjet që synohen të arrihen, si dhe për delegacionin e ekspertëve nga Kosova që do të marrin pjesë.

“Presidentja Jahjaga dhe kryeministri Thaçi biseduan edhe për manifestimet me rastin e pesëvjetorit të shpalljes së pavarësisë së Republikës së Kosovës dhe për përgatitjet që janë duke u bërë që ky përvjetor të organizohen dhe ta prezantojë shtetin në mënyrë dinjitoze”, thuhet në një njoftim të Presidencës.

Presidentja dhe kryeministri i Kosovës biseduan edhe për rrjedhat e reformës zgjedhore, si dhe për miratimin e ligjeve në Kuvendin e Kosovës të rëndësishme për plotësimin e kritereve nga agjenda evropiane për Kosovën.(LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Wednesday, 06 February 2013 17:20

Bruksel – Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga ka takuar në Bruksel sekretarin e Përgjithshëm të NATO-së, Anders Fogh Rasmussen, me të cilin, sipas një njoftimi për media të kabinetit të saj, ka diskutuar zhvillimet e fundit në Kosovë, për proceset demokratike nëpër të cilat po kalon Kosova dhe i gjithë rajoni në përgjithësi.

Jahjaga gjendet në Bruskel, ku do të takojë gjatë ditës për herë të parë presidentin e Serbisë, Tomisllav Nuikolliq.

Ajo edhe në takimin me Rasmusesin ka dhënë mbështetje dialogut që po zhvillohet mes dy vendeve në Bruksel.

“Presidentja Jahjaga shprehu përkushtimin e institucioneve dhe shoqërisë së Republikës së Kosovës për t’u integruar në strukturat veriatlantike dhe në BE, duke nxitur inicimin e marrëdhënieve kontraktuale, sidomos Programin Partneriteti për Paqe, dhe duke siguruar përkushtim për përmbushjen e kritereve të nevojshme për të përshpejtuar proceset integruese”, thuhet në njoftim.

Në po të njëtën komunikatë, thuhet se sekretari i Përgjithshëm, Rasmussen vlerësoi përmirësimin që Kosova ka bërë në fushën e sigurisë, duke shprehur përkushtimin e NATO-s ndaj Kosovës.

Ai tha se forcat e KFOR-it do të vazhdojnë të qëndrojnë në Kosovë si garantuese të paqes dhe stabilitetit dhe ofrimin e asistencës në trajnimin dhe transformimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës.

Rasmussen thuhet se e ka vlerësuar procesin e dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja, të zhvilluar në mes të dy kryeministrave të Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë, duke inkurajuar arritjen e marrëveshjeve të qëndrueshme dhe tejkalimin e problemeve.

Ai theksoi rëndësinë e integrimit të komunitetit serb nga institucionet e Kosovës, krijimin e kushteve të nevojshme për zhvillim ekonomik dhe theksoi rëndësinë e shpërbërjes së strukturave paralele në veri të Kosovës. (LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Wednesday, 06 February 2013 15:09

Bruksel – (E plotësuar)  Presidentja e Kosovës është takuar para disa çastesh me shefen për politikë të jashtme dhe siguri të BE-së, Catherine Ashton. Parapraksiht, Ashton ka pritur presidentin serb Nikoliq në një takim të ndarë, transmeton KTV. Më vonë, në mbrëmje ajo do t’i bëjë bashkë të dy presidentët për një darkë pune, siç e ka bërë më herët edhe me kryeministrat Thaçi e Daçiq. Në fund të takimit, pritet të dilet me një komunikatë zyrtare. (K.N/LajmeShqip.com)
***************************************************
Jahjaga: Takimi-hapje e kapitullit të ri

Bruksel – (E plotësuar) Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga tashmë gjendet në ndërtesën ku do të zhvillohet takimi me presidentin serb, Tomislav Nikoliq. Jahjaga, e veshur kuq e zi, para hyrjes në ambientet ku paraprakisht do të takohet me kryediplomaten e BE-së, Catherine Ashton e më pas takimin e përbashkët edhe me presidentin serb, Nikoliq, e ka quajtur ballafaqimin me homologun serb si hapje të një kapitulli të ri.
Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga e ka vlerësuar takimin e sotëm me presidentin serb, Tomisllav Nikolliq, si një takim të parë dhe të barabartë në marrëdhëniet shtetërore në mes të dy shteteve.
“Është hapje e kapitullit të ri në rrugën tonë drejt integrimeve evropiane”, ka thënën gjuhën shqipe para gazetarëve, Jahjaga.

*******************************************************

Prishtine – Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga dhe presidenti i Serbisë, Tomislav Nikoliç, takohen sot në Bruksel në një takim të ndërmjetësuar nga shefja e politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Catherine Ashton.
 
Takimi që pritet të zhvillohet rreth orës 18 do të pasojë takimet e vecanta me zonjën Ashton si dhe një varg takimesh të presidentes Jahjaga me zyrtarë amerikanë, të Bashkimit Evropian dhe të NATO-s.
 
Takimi i sotëm shënon edhe takimin e nivelit më të lartë ndërmjet dy vendeve që kur Kosova shpalli pavarësinë, pesë vjet më parë. Ai shihet si mbështetje për bisedimet që po zhvillojnë kryeministrat e Kosovës dhe Serbisë, Hashim Thaçi e Ivica Daçiç për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet dy palëve dhe zyrtarë të Bashkimit Evropian thonë se ky është një takim i rëndësishëm për të diskutuar hapat e nevojshëm në kuadër të këtij procesi.
 
Serbia vazhdon të kundërshtojë pavarësinë e Kosovës, që është njohur nga mbi 90 vende të botës, por është pajtuar të angazhohet në bisedime për normalizimin e marrëdhënieve meqë kjo është kusht për rrugëtimin e saj drejt integrimeve evropiane.
 
Në Prishtinë partitë politike thonë se nuk ka asgjë të keqe nga takimi, përveç lëvizjes Vetëvendosje e cila kundërshton takimin sikundër edhe bisedimet e pakushtëzuara me Serbinë. 
 
Analistët politik thonë se takimi është më tepër i karakterit simbolik dhe nuk pritet të sjell ndonjë risi në kuadër të bisedimeve që tashmë po zhvillojnë kryeministrat e të dyja vendeve.
 
Në Beograd ndërkaq pati protesta kundër takimt të sotëm. Përfaqësuesit e Partisë Radikale të Serbisë, e akzuan presidentin serb për, sic thuhet, tradhëti të qartë, ndërsa borhoritën kundër Bashkimit Evropian.
 
Në mars të vitit 2011 të dyja vendet filluan një seri bisedimesh pë zgjidhjen e cështjeve teknike të interesit të përbashkët, ndërsa në tetor të vitit 2012 në bisedime u përfshinë kryeministrat e të dyja vendeve duke ngritur nivelin e tyre.
 
Prishtina zyrtare e cila synon integrimet evropiane, shpreson që në fund të marrë datën për fillimin e negociatave për stabilizim asocim me Bashkimin Evropian dhe nëpërmjet bisedimeve, të zgjidhë edhe situatën në veriun e Kosovës të banuar me shumicë serbe ku nuk njihen dhe nuk pranohen institucionet e saj.
 
Çështja e veriut pritet të mbizotërojë bisedimet ndërmjet kryeministrave, që do të vazhdojnë në pjesën e dytë të këtij muaji.
 
Vëzhguesit thonë se zgjidhja do të mund jetë diç ndërmjet ofertës së Prishtinës të bazuar në planin e kryenegociatorit të Kombeve të Bashkuara Martti Ahtisaari dhe kërkesave të Beogradit për autonomi territoriale të komunave veriore të Kosovës.(VOA/LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Wednesday, 06 February 2013 12:58

Bruksel – Presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga, u takua sot me presidentin e Këshillit Evropian, Herman van Rompuy, të cilin e falënderoi për mbështetjen e tij dhe të institucioneve të Bashkimin Evropian për perspektivën e qartë evropiane të Kosovës dhe të gjithë rajonit.

Jahjaha, siç njofton kabineti i saj, theksoi se Kosova ka bërë përparime të theksuara në përmbushjen e kritereve dhe standardeve për fillimin e negociatave për Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit, si edhe në përmbushjen e kritereve për liberalizim të vizave, që qytetarët e Republikës së Kosovës të udhëtojnë lirshëm si të gjithë qytetarët e tjerë të vendeve të rajonit.

“Presidentja Jahjaga theksoi se institucionet dhe e gjithë shoqëria në Kosovë janë të përkushtuar për ndërtimin e shtetit të së drejtës ku sundon ligji dhe rendi. Ajo tha se lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar është përparësi e punës dhe Kosova ka ngritur të gjithë mekanizmat e nevojshëm për të luftuar këto fenomene negative”, thuhet në komunikatën e Presidencës.

Jahjaga theksoi se Kosova është faktor paqeje dhe stabiliteti në rajon dhe promovuese e fqinjësisë së mirë. Ajo tha se mbështet dialogun, e ndërmjetësuar nga BE-ja dhe me mbështetje të fuqishme të SHBA-së që po zhvillohet ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë, për normalizimin e marrëdhënieve dhe për lehtësimin e jetës së qytetarëve të të dyja vendeve.

Presidentja Jahjaga, siç theksohet më tej në komunikatë, tha se edhe takimi i presidentëve të të dyja vendeve, që ndërmjetësohet nga BE-ja, është në funksion të normalizimit dhe relaksimit të marrëdhënieve ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë, dy shteteve që aspirojnë anëtarësimin në BE.

Presidenti i Këshillit Evropian, Herman van Rompuy, ndërkaq, e përgëzoi presidenten Jahjaga për rolin dhe angazhimin e saj të drejtpërdrejtë në mbështetje të dialogut që po zhvillohet në Bruksel. Ai tha se dialogu është në funksion të frymës evropiane për të tejkaluar problemet e të kaluarës dhe për t’iu ofruar perspektivë të gjithë qytetarëve.

“Presidenti Rompuy theksoi se për të gjitha vendet e rajonit perspektiva evropiane është e qartë dhe e hapur dhe ato duhet të punojnë për të ndërtuar ura të bashkëpunimit të ndërsjellë”, përfundon komunikata.(Zëri/LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Tuesday, 05 February 2013 14:37

Beograd – Pjesëtarë të Partisë Radikale serbe, sot në Beograd, te ndërtesa e kryetarit të Serbisë,  kanë mbajtur protesta kundër takimit të paralajmëruar me kryetaren e Kosovës Atifete Jahjaga dhe kanë thënë se Tomislav Nikoliq me këtë takim e shkel kushtetutën e Serbisë, njoftojnë medie të Beogradit .

Me transparent “E tradhtove Sheshelin, tash po e tradhton edhe shtetin”, dhjetëra pjesëtarët të PRS-së kanë thënë se Nikoliq kur betua ishte obliguar se do të punonte në ruajtjen e integritetit territorial të vendit.

Funksionari radikal Nemanja Sharoviq ka thënë se janë përralla se “ai (Nikoliq) kurrë nuk do ta njohë Kosovën”. (LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Friday, 01 February 2013 18:27

PRISHTINE – Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga dhe homologu i Serbisë, Tomislav Nikoliç do të takohen më 6 shkurt në Bruksel, raporton agjencia serbe e lajmeve Beta, duke cituar burime brenda Bashkimit Evropian.

Takimi do të zhvillohet nën praninë e shefes për politikë të jashtme të BE-së, Catherine Ashton, ndërsa në takim do të diskutohet prespektiva dhe normalizimi i mëtejshëm i marrëdhënieve mes Prishtinës dhe Bogradit.

Ndërkaq, Presidenti i Serbisë, Tomislav Nikoliç dhe presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, nuk do të takohen në Mynih ka konfirmuar Presidenca serbe.

Disa media kanë spekuluar se dy zyrtarët mund të takohen në Gjermani, pasi të dy ata janë të ftuar në konferencën për siguri, që mbahet atje.

Ndërsa, kabineti serb ka thënë se Nikolliç nuk merr pjesë në atë konferencë dhe se takimi me Jahjagën pritet të ndodhë në Bruksel, nën praninë e shefes për politikë të jashtme të Bashkimit Evropian, Catherine Ashton.

Konferenca për siguri në Mynih nis punimet sot, për t’i vazhduar deri më 3 shkurt.(LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Monday, 28 January 2013 17:35

Prishtine – Përfaqësuesja e lartë e BE-së, Catherine Ashton po punon në organizimin e takimit të parë të presidentit të Serbisë, Tomislav Nikolic me presidenten e Kosovës, Atifete Jahjaga.

“Qëllimi është krijimi i kontakteve në nivel presidencial duke e forcuar dhe intensifikuar dialogun i cili momentalisht po zhvillohet ndërmjet dy kryeministrave dhe në nivel të ekspertëve”, ka thënë sot për agjencinë serbe Tanjug një zyrtar i Komisionit Evropian në kushte anonimiteti, citon ORAinfo.

Ai, megjithatë, nuk ka mundur të saktësoj datën dhe rendin e ditës të takimit, përveç që ka thënë se takimi po planifikohet në gjysmën e parë të muajit shkurt.

Zëdhënësja e përfaqësueses së lartë, Maja Kocijancic nuk ka konfirmuar por as nuk ka demantuar këtë informatë.

“Ajo çfarë mund të them është se të gjitha iniciativat të cilat kontribuojnë në normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë për ne janë të mirëseardhura dhe jemi të gatshëm t’i mbështesim”, ka thënë Kocijancic. (ORA/LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Friday, 25 January 2013 14:37

Bruksel – Burime brenda Shërbimit të Aksionit të Jashtëm Evropian, nuk e kanë konfirmuar mbajtjen e takimit ndërmjet presidentes së Kosovës, Atifete Jahjaga, dhe presidentit të Serbisë, Tomisllav Nikolliq, më 6 shkurt në Bruksel, por kanë theksuar se po punojnë që takimi të mbahet gjatë javës që fillon më 4 shkurt.

 

Mëtutje, siç raporton korrespondenti i Radios Evropa e Lirë në Bruksel, takimi Jahjaga – Nikolliq, do të shihej si hap i mëtejshëm kah procesi i normalizimit ndërmjet Prishtinës e Beogradit, dhe do të pasohej nga dialogu i rregullt politik ndërmjet kryeministrit të Kosovës, Hashim Thaçi, dhe atij të Serbisë, Ivica Daçiq, në gjysmën e dytë të shkurtit.(REL/LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Monday, 21 January 2013 12:14

Prishtinë – Takimi në mes Presidentes së Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga dhe homologut të saj serb, Tomislav Nikoliq pritet të ndodhë brenda muajit shkurt, ose në fillim të marsit. Këtë e ka konfirmuar këshilltari i presidentes Ramush Tahiri, raporton RTK.

Ai ka thënë se data është caktuar, por mund të lëvizje nga ana e ndërkombëtarëve. Sipas tij takimi do të ndodhë për ti dhenë shtytje dialogut mes Kosovës dhe Serbisë.

“Brenda muajit shkurt, ose në pjesën e parë të marsit, do të jetë takimi, por mund të ndërrohet data nga ndërkombëtaret. Do të bisedohet për pjesën e dialogut mes dy vendeve. Presidentet nuk kanë mundësi të hapin çështje të reja, por për t’i dhënë shtytje çështjeve që janë hapur”, ka thënë Tahiri.(LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Monday, 14 January 2013 12:49

Abu Dhabi – Presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga, po qëndron në një vizitë zyrtare në Emiratet e Bashkuara Arabe, për të marrë pjesë edhe në Konferencën e Pestë Ndërkombëtare për Energjinë, që mbahet nën patronazhin e Princit të Abu Dhabit, Sheikh Mohammed bin Zayed Al Nahyan.

Në një komunikatë të lëshuar nga kabineti presidentes, thuhet se “Samiti Ndërkombëtar për Energjinë mbledhë një numër të madh të udhëheqësve botërorë dhe të atyre të organizatave ndërkombëtare, dhe trajton çështjen e energjisë  dhe të ujit me qëllim të sigurimit të përparimit dhe mirëqenies njerëzore”. .

Gjatë qëndrimit në EBA, presidentja Jahjaga njoftohet se do të takohet me udhëheqësit më të lartë shtetëror të Emirateve si dhe me pjesëmarrës të tjerë, udhëheqës të delegacioneve shtetërore, në këtë konferencë ndërkombëtare.(LajmeShqip.com)

12