Lajme Shqip Thursday, 12 June 2014 14:22

Presidentja Atifete Jahjaga ka uruar qytetarët e Kosovës me rastin e Ditës së Çlirimit dhe është shprehur se shteti i ri po ndërtohet mbi parime të shëndosha demokratike ku sundon rendi e ligji. 

Urimi i Presidentes 

Sot shënojmë 15 vjetorin e ditës më të rëndësishme të historisë më të re për Kosovën, ditën kur përfundimisht iu dha fund shtypjes, dhunës dhe gjenocidit dhe ditën kur u hap një kapitull i ri për popullin e Kosovës, një epokë e zhvillimit dhe përparimit për vendin dhe dinjitetit e barazisë ndërmjet qytetarëve, pa dallim.

Në këtë ditë, më respekt të thellë kujtojmë të gjithë ata që bënë sakrificën sublime që ne sot të jemi të lirë dhe të pavarur, të gjitha gjeneratat që punuan për lirinë e vendit, që kulmoi me luftën e popullit për çlirim nën udhëheqjen e Ushtrisë së lavdishme Çlirimtare të Kosovës.

Jemi krenarë dhe shprehim falënderim të thellë për angazhimin në Kosovë të burrave dhe grave, të ushtarëve dhe eprorëve të Aleancës Veriatlantike të NATO-s, të vendeve të Bashkimit Evropian dhe sidomos të ndihmës së pakursyer të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në misionet e ndryshme në Kosovë. Kosova sot është rrëfim suksesi i përbashkët i të gjithë neve, qytetarëve, i institucioneve dhe i bashkësisë ndërkombëtare.

Ne po ndërtojmë një shtet qytetar, shtet gjithëpërfshirës, që bazohet në rend dhe sundim të ligjit, një shtet ku të gjithë i gëzojnë të drejtat dhe liritë e barabarta pa asnjë dallim. Kosova sot është dëshmi e një shoqërie të pjekur, të mundësive të barabarta, të një shoqërie demokratike dhe tolerante, që diversitetin e saj e ka shndërruar në vlerë të saj.

Liria, pavarësia dhe demokracia e Kosovës është vullnet dhe angazhim i popullit të Kosovës dhe i ndihmës së miqve tanë ndërkombëtar dhe me këtë rast falënderojmë Misionin e NATO-s, të EULEX-it dhe misionet tjera ndërkombëtare që po kontribuojnë në konsolidimin demokratik të vendit tonë.

Pesëmbëdhjetë vjet më pas, Kosova qëndron më e fuqishme se ndonjëherë, duke ndërtuar një të ardhme të sigurt në gjirin e popujve të lirë dhe të barabartë të Evropës, një shtet që kontribuon në paqen dhe sigurinë e përgjithshme, duke qenë një vend i përparuar për gjenerata e tashme dhe për brezat që vijnë./express/

 
Lajme Shqip Wednesday, 26 March 2014 13:32

Rreth orës 10:00 ka nisur të zhvillohet ceremonia e rivarrimit të 46 personave të zhdukur pas masakrës së Suharekës.

Me këtë rast Presidentja e Kosovës Atifete Jahjaga, ka bërëhomazhe pranë 27 personave tëzhdukur gjatë luftës së fundit në Suharekë. 24 prej tyre janë të familjes Berisha, ndërsa të tjerët nga familjet Bytyqi dhe Krasniqi.

jahjaga është shprehur se kjo ditë është ditë e dhimbshme për Kosovën, por familjarët do ta kenë më lehtë pasi eshtrat e këtyre martirëve tashmë do të prehen në dheun e Kosovës.

Qytetarë të shumtë nga Suhareka por edhe nga vende të tjera kanë bërëhomazhe për personat që po rivarrosen.

Nga Krusha e Vogël vazhdojnë të llogariten si të zhdukur 66 persona. Ndërsa në nivel vendi ende mbesin të pagjetur edhe mbi 1,700 persona të zhdukur që nga viti 1999. /albeu.com/

 
Lajme Shqip Saturday, 09 November 2013 12:22

Prishtinë- Presidentja Atifete Jahjaga e kishte hequr nga dokumentet zyrtare vulën e ish-pararendësit të saj tashmë të ndjerë, Ibrahim Rugova. Dëshmi për këtë, ka ofruar deputetja e LDK-së, Vjosa Osmani, ditën kur është atakuar nga Zyra e Presidentit, për gjoja shpifjet që i ka bërë në gazetën Tribuna, me qëllim të përfitimeve politike.

“Deklarata e Vjosa Osmanit se Presidentja Jahjaga ka hequr vulën e Presidentit nga përdorimi zyrtar, është shpifje, sepse vula e Presidentit nuk është hequr nga dokumentet e Zyrës së Presidentes së Republikës së Kosovës dhe në manifestimet ‘Darka e Lamës’, të organizuar nga presidentja Jahjaga, ka qenë e vendosur në banerat e këtij manifestimi.

Kjo mund të dëshmohet shumë lehtë përmes fotografive të publikuara në faqen zyrtare të presidentes www.president-ksgov.net”, është thënë në reagimin e Zyrës së presidentes Jahjaga.

Por Osmani e ka argumentuar atë që ka thënë duke u befasuar nga një reagim i tillë i Presidencës. Ajo ka ofruar së paku dy lëndë të protokolluara nga Presidenca e Kuvendi, në të cilat nuk është vendosur “vula e Rugovës”. /Tribuna/

 
Lajme Shqip Thursday, 24 October 2013 19:19

Prishtinë- Ka reaguar edhe Bashkësia Islame e Kosovës ndaj deklaratës së presidentes së vendit, Atifete Jahjaga, në emisioni Rubikon të Kohavizionit, duke e cilësuar atë të papërgjgjshme.“ Qëndrimi i Presidentes së Kosovës, znj. Atifete Jahjaga, i shprehur në një intervistë televizive, ku shprehet kundër të drejtës së shkollimit të nxënëseve kosovare që mbajnë shami në shkollat publike të vendit, për Kryesinë e BIK dhe besimtarët është i habitshëm, i papranueshëm, i papërgjegjshëm dhe  kundërkushtetues.

Presidentja e vendit si simbol i unitetit, mbrojtëse e Kushtetutës dhe përfaqësuese e qytetarëve të vendit, në asnjë variant nuk do të duhej të kishte një qëndrim të tillë çfarë e shprehu në atë intervistë ku presidentja përkrah dhe angazhohet për të mohuar të drejtën e shkollimit të nxënëseve kosovare vetëm pse ato bartin mbulesën islame.

Zonja Presidente! Përkufizimi i Kosovës si shtet laik a shekullar ka të bëjë me marrëdhënien e shtetit me bashkësitë fetare, por kjo në asnjë mënyrë nuk i jep të drejtë as Ministrisë së Arsimit, as drejtorive komunale, e as drejtorive të shkollave të vendit që t’ua mohojnë të drejtën e arsimimit nxënëseve tanë në shkollat publike, sepse e drejta e arsimimit është e garantuar me Kushtetutën e Kosovës për të gjithë qytetarët e vendit.

Pra, e ritheksojmë shekullariteti, ku ju thirreni, rregullon marrëdhëniet e shtetit dhe të bashkësive fetare, por kjo nuk prek të drejtën e lirisë së besimit, të shkollimit a punësimit, e që janë të drejta të njeriut, të garantuara jo vetëm me Kushtetutën tonë, por edhe me akte e Konventa Ndërkombëtare.

E nderuar! Ju me qëndrimin e shprehur nuk e keni mbrojtur Kushtetutën e vendit, nuk e keni ruajtur unitetin e popullit, dhe nuk keni prezantuar në mënyrë dinjitoze qytetarët e Kosovës, por keni mbrojtur një Vendim Administrativ të Ministrisë së Arsimit, i cili bie ndesh me kushtetutën, ka frymë antievropiane, prodhon diskriminim në baza fetare, si dhe bie erë nga sistemet ideologjike të shkollës ateiste -komuniste.

Bashkësia Islame e Kosovës, fton presidenten e vendit që të përmbush detyrave të saja kushtetuese, pra të mbroj Kushtetutën e vendit, të mbrojë të drejtat e qytetarëve, të mbroj e të promovoj të  drejtën e shkollimit të nxënëseve tanë  pa marrë parasysh cilës fe, cilës etni apo cilës kategori shoqërore i përkasin ata.

Zonja Presidente! Ju drejtohemi publikisht përmes këtij reagimi që të mos t’i kontribuoni  politizimit e polarizimit të një të drejte elementare të nxënëseve tona, e që  është e drejtë hyjnore, kushtetuese e ligjore.

Keni tërë kohën dhe hapësirën e duhur në dispozicion që këtë çështje ta trajtoni në përputhje me Kushtetutën e vendit dhe sipas modelit të shumicës së vendeve të BE-së”, përfundon reagimi i Kryesisë së Bashkësisë Islame të Kosovës ndaj deklaratës së residentes Jahjaga.

 
Lajme Shqip Wednesday, 23 October 2013 13:53

Prishtinë- Partia e Drejtësisë shpreh keqardhje dhe indinjatë përkitazi me deklaratën e Presidentes së Republikës së Kosovës znj. Atifete Jahjaga se në emër të laicizmit nuk do të lejojë përdorimin e mbulesës së kokës – shamisë në shkollat e vendit. Partia e Drejtësisë ia përkujton Presidentes së vendit se e drejta e manifestimit publik të bindjeve fetare është e drejtë e çdo qytetari të Kosovës, e garantuar me nenin 38 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës dhe me nenin 9 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, e drejtë kjo të cilën ajo në bazë të Kushtetutës së vendit është e detyruar ta respektojë dhe ta mbrojë, thuhet në reagimin e kësaj Partie, që iu shpërnda medieve me rrugë elektronike. Nëse zonja Presidente është kaq e pasionuar për të sanksionuar këtë shkelje të rëndë të lirive dhe të drejtave të njeriut garantuara edhe me nenin 18 të Deklaratës Universale për të Drejtat e Njeriut, Partia e Drejtësisë ia sugjeron Presidentes së vendit që të iniciojë nxjerrjen e ligjit, i cili do të ndalojë bartjen e shamisë në shkolla, deri atëherë kjo kërkesë është në kundërshtim të plotë me nenin 9 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut dhe vendimet e Gjykatës së Strasburgut për të Drejtat e Njeriut përkitazi me këtë çështje, vazhdon reagimi

Partia e Drejtësisë kërkon nga Presidentja e vendit që të mos tejkalojë kompetencat e saja kushtetuese dhe që të ketë ndjeshmëri dhe maturi shumë më të madhe kur janë në pyetje vlerat kulturore të qytetarëve të besimit Islam që paraqesin shumicën absolute të vendit tonë. Asnjëherë, në asnjë rrethanë dhe për asnjë çmim, populli i Kosovës nuk do të lëshoj pe para përpjekjeve të inxhinieringut politik dhe kulturor që ka për qëllim ndryshimin e vlerave të traditës së tij kombëtare dhe fetare.

Partia e Drejtësisë ia sugjeron Presidentes së vendit dhe të gjithë atyre të cilët në mënyrë kundërkushtetuese dhe kundërligjore janë duke penguar realizimin e lirisë dhe të drejtës elementare kushtetuese të manifestimit publik të bindjeve fetare të qytetarëve që përkitazi me këtë çështje të marrin mësim nga demokracia më e përparuar e botës bashkëkohore dhe simboli i respektimit shtetëror të lirive dhe të drejtave të njeriut, mikut të përjetshëm të popullit shqiptar dhe Kosovës, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, përfundon reagimi i Partisë së Drejtësisë.

Presidentja Jahjaga i tha mbrëmë KTV-së se nuk do të lejojë shaminë në shkolla./koha/ 

 
Lajme Shqip Saturday, 07 September 2013 15:49

Prishtinë- Vogëlushes Amsera Reka, të vetmes të mbijetuar të tragjedisë së Restelicës, i ishin bërë shumë premtime nga drejtuesit e vendit. Vetë presidentja Atifete Jahjaga deklaroi se do japë 10 mijë euro për familjet e përfshira në fatkeqësi.

Por siç raporton Koha Ditore, këto para nuk janë dhënë.

Gjyshi i Amserës, Kamber Pali, thotë se nuk ka marrë asgjë nga presidenca.

Kjo e fundit ka pranuar se paratë nuk janë shpërndarë, por fajëson autoritetet vendore se nuk kanë ngritur një fond të posaçëm për këtë rast.

Kurse kryetari i komunës thotë se mund të flasë vetëm për premtimet e institucionet e tij, jo për institucionet e tjera.

Kurse ministri i Brendshëm, Bajram Rexhepi pati deklaruar se do ndërtojë një shtëpi për Amserën. Natyrisht premtim në ajër.

 
Lajme Shqip Tuesday, 03 September 2013 16:59

Prishtinë – Shkrimtari shqiptar me përmasa botërore Ismail Kadare bashkë me bashkëshorten e tij Helena Kadare është pritur sot nga Presidentja Atifete Jahjaga.

” Në një bisedë shumë miqësore, Presidentja Jahjaga dhe shkrimtari Ismail Kadare biseduan për çështje të ndryshme politike, shoqërore e kulturore dhe për proceset demokratike nëpër të cilat po kalon Kosova sot” thuhet në një njoftim të Presidencës.

Sipas Jahjagës, Kadare vazhdon ti frymëzojë gjeneratat me veprat e tij.

“Duke i uruar mirëseardhje në Kosovë dhe duke e përgëzuar për marrjen e çmimit ndërkombëtar “Ali Podrimja”, Presidentja Jahjaga theksoi se është një nder i madh për gjithë Kosovën vizita e shkrimtarit të madh shqiptar Ismail Kadare, vepra e të cilit vazhdon të jetë frymëzim për të gjitha gjeneratat” thuhet në njoftim.

Ndërkohë në njoftimin nga Zyra e Presidencës, thuhet se Kadare e ka lavduar Jahjagën

“Shkrimtari Ismail Kadaree përgëzoi Presidenten Jahjaga për punën dhe angazhimin e saj, me theks të veçantë në kontributin që ajo ka dhënë në ngritjen e imazhit të Kosovës në botë. Shkrimtari Ismail Kadare foli edhe për perspektivën evropiane të Kosovës, të Shqipërisë dhe të gjithë Ballkanit, duke theksuar se kjo është zgjidhja e natyrshme për secilin vend të rajonit”, theksohet në njoftim./express/ 

 
Lajme Shqip Sunday, 18 August 2013 23:29

Prishtinë – Presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga, ka marrë pjesë në hapjen zyrtare të festivalit për film dokumentar “Dokufest” në Prizren, ku sivjet mbahet edicioni i XII i këtij festivali.
Jahjaga ka mbajtur edhe një fjalë rasti në hapjen zyrtare të “Dokufest”, ku ka vlerësuar festivalin si një ngjarje të veçantë kulturore.
Mirëpo në fotografitë që janë publikuar në faqen zyrtare të “Dokufest” në rrjetin social, Facebook, Presidentja Jahjaga duket me një fustan tejet transparent ose një arsye tjetër mund të ketë qenë edhe që Presidentja e “ka zënë keq fustanin”. Por fotografitë ku ajo shihet ulur, tregojnë një pakujdesi të Presidentes apo ndoshta edhe një harresë për llojin e fustanit që ka veshur, pasiqë në një nga fotot, fustani i saj ka zbuluar edhe pjesë intime.
Kjo nuk është hera e parë që Presidentja është e vetmja që zgjedhë të thyej “rregullat e veshjes”. Vizita e saj në Abu Dhabi në fillim të këtij viti, gjithashtu ishte “karakterizuar” me një veshje që sipas protokollit, nuk i shkonte edhe aq shumë asaj vizite, pasiqë presidentja kishte zhvilluar takim me princin e Abu Dhabit, Sheikun Muhammed Bin Zayed Al Nahyan, ku edhe burrat ishin “më të veshur”.
Por duket se Zonja e Parë nuk është e vetmja në këtë “lojë gafash”. Ishte edhe vet Zotëriu i Parë, bashkëshorti i presidents, ai që ishte kritikuar për veshje jo serioze gjatë pjesëmarrjes në samitin e presidentëve të Evropës Qendrore dhe Juglindore.
““Bashkëshorti i presidentes është pjesë e delegacionit zyrtar dhe duhet ra respektoj protokollin. Ai nuk po shkon të luaj golf. Ky është samit zyrtar dhe duhet ta di këtë. Edhe presidentja është dashur ta dijë”, shkruante kohë më parë tabloidi sllovak, Topky.

 
Lajme Shqip Monday, 22 July 2013 16:40

Prishtinë – Ljubjana dhe Zagrebi zyrtar ftojnë presidentët e Kosovës dhe Serbisë që të marrin pjesë në samitin e Procesit të Bërdos, në Slloveni.
Me nismë të presidentëve Borut Pahor dhe Ivo Josipoviq, presidentja e Republikës Atifete Jahjaga dhe ai i Serbisë Tomisllav Nikoliq, pritet të marrin pjesë të enjten në këtë konferencë, e cila mbledh tetë presidentë të rajonit të Ballkanit Perëndimor.
Lajmin e ka konfirmuar për Radion Evropa e Lirë edhe shefi i kabinetit të presidentes së Kosovës, Arbër Vllahiu.
“Me ftesë të presidentëve të Sllovenisë [Borut] Pahor dhe të Kroacisë [Ivo] Josipoviq, presidentja Jahjaga do të marrë pjesë në takimin e presidentëve të vendeve të rajonit të Ballkanit, i cili do të mbahet në Bërdo të Sllovenisë”, i tha Vllahiu Radios Evropa e Lirë.
Në takimin e 25 korrikut praninë e tij e ka konfirmuar edhe presidenti i Francës François Hollande, i cili do t’iu drejtohet të pranishmëve me një fjalim.
Presidentët e Sllovenisë dhe Kroacisë, shihen si promoter të zgjerimit të mëtejmë të Bashkimit Evropian dhe të raporteve të mira ndërfqinjësore në rajon.
Konferenca e Bërdos në Kranj, shihet si një forum i nivelit të lartë që do të forcojë bashkëpunimin ndërshtetëror mes vendeve të rajonit, e që është edhe kriter bazë për integrimin evropian të këtyre shteteve.
“Presidentja [Atifete Jahjaga], si edhe të gjithë presidentët e tjerë pjesëmarrës në takim do të mbajë një fjalë rasti, në takimin e inicuar nga presidenti sloven dhe ai kroat, si nismë për të ndihmuar integrimin e ballkanit perëndimor në Bashkimin Evropian”, tha të hënën për Radion Evropa e Lirë, shefi i kabinetit të presidentes së Kosovës Arbër Vllahiu.
Radio Evropa e Lire merr vesh se në takim, përveç presdientit francez Hollande, ka mundësi të marrë pjesë edhe Perfaqesuesja e Lartë e BE-së për politikë të jashtme e siguri Catherine Ashton.

 
Lajme Shqip Friday, 05 July 2013 13:17

Prishtinë – Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, ka pritur të premtën në një takim zëvendës- ndihmës sekretarin e shtetit të SHBA-së, Philip Reeker.

Në takim, është biseduar për proceset në Kosovë, për marrëveshjen e arritur për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, si dhe për praninë e Kosovës në nismat rajonale dhe ndërkombëtare.
Duke folur për marrëveshjen e arritur në Bruksel për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet shtetit të Kosovës dhe atij të Serbisë, Presidentja Jahjaga, sipas një komunikate për media, ka thënë se zbatimi i saj është i një rëndësie të veçantë dhe e siguroi Reekerin se institucionet e Kosovës janë të përkushtuara për të zbatuar atë dhe për të marrë përgjegjësitë që u takojnë.
Sipas saj, me shpalljen e datës së zgjedhjeve për 3 nëntor të këtij viti, në gjithë territorin e Kosovës, njëkohësisht, është dhënë një mesazh i mirë për të gjithë qytetarët dhe vlerësoi se tani duhen përgatitje të mira për të pasur zgjedhje të lira, të drejta dhe demokratike.
Kurse, zëvendës-ndihmës sekretari amerikan i Shtetit, Philip Reeker, sipas të njëjtës komunikatë, ka folur për rëndësinë e arritjes së marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe gjithashtu rëndësinë e zbatimit të saj.
Reeker ka thënë po ashtu se Kosova dhe rajoni i Ballkanit kanë shënuar përparime në rrugën e integrimeve duke e vlerësuar rëndësinë e pjesëmarrjes së Kosovës në nismat rajonale.