Lajme Shqip Wednesday, 29 January 2014 10:42

Policia e Gjirokastrës ka ndaluar sot 4 persona të dyshuar për të shtënat me armë ndaj autobusit të linjës Tiranë-Athinë, 2 ditë më parë në Memaliaj. Burime zyrtare nga policia rajonale bëjnë me dije se janë ndalur  shtetasit Klejdi Tringa 20 vjeç, Besmir Ruçi 23 vjeç, Jurgen Lola 22 vjeç dhe Gentian Beqiraj 29 vjeç, që të katërt nga Memaliaj.

Ngjarja e rëndë u shënua rreth orës 1:00 pas mesnate të datës 27 janar në Mogila të Tepelenës, pjesë e aksit Gjirokastër- Fier, ku 22 pasagjerë të cilët po udhëtonin me autobusin e linjës Tiranë-Athinë janë terrorizuar, kur persona të armatosur i kanë prerë rrugën automjetit me qëllim grabitje. Nga ngjarja e rëndë mbeti i vdekur një 25-vjeçar, pasagjer i autobusit, si dhe u plagos një vajzë e re. 23-vjeçari Laurent Tabaku ndërroi jetë në spitalin e Fierit, një ditë pas ngjarjes.