Lajme Shqip Sunday, 19 January 2014 13:35

Damask- Presidenti sirian Bashar al-Assad tha se nuk ka ndërmend të japë dorëheqjen. Agjensia e lajmeve Interfax citoi se Assad gjatë takimit në Damask me një deputet rus duke thënë se nëse do të donte të dorëzohej do t’a kishte bërë që në fillim.

 
Ai shtoi se kjo çështje nuk do të diskutohej as në bisedimet e paqes në “Geneva 2”. Qeveria Siriane së bashku me grupet e opozitës dhe diplomatët nga vendet e ndryshme të perëndimit do të marrin pjesë në bisedimet e paqes në Zvicër, javën e ardhshme, shkruan shqiptarja.
 
Grupet e opozitës kanë kërkuar më parë largimin e Assad si kusht për çdo diskutim mbi një qeveri të përkohshme.

 
Lajme Shqip Tuesday, 15 October 2013 21:47

Damask- Diktatori sirian, Bashar al-Assad i tha një gazete libaneze pro regjimit se Çmimin Nobel për Paqen duhet ta kishte marrë ai. 

Çmimi iu dha javën e kaluar Organizatës për Ndalimin e Armëve Kimike (ONAK).

” Ky çmim duhet të më ishte dhënë mua”, tha Assad, me shaka,  kur intervistuesi i komunikoi atij fituesin e vërtetë të Çmimit Nobel, shkruan Zeri. 

Diktatori është fajësuar gjerësisht për një sulm me armë kimike ndaj popullit të tij më 21 gusht, ku mbetën të vrarë më shumë se 1.400 njerëz.

Inspektorët e armëve të OKB-së kanë konfirmuar se ka patur një sulm kimik, por nuk kanë qenë në gjendje të përcaktojë përfundimisht se kush e ka patur fajin për këtë, regjimi apo rebelët.

 
Lajme Shqip Tuesday, 27 August 2013 16:43

Damask – Ministri sirian i Punëve të Jashtme, Walid Mouallem, tha sot se vendi i tij do të mbrohej në rast sulmi nga perëndimorët, dhe se kishte në dispozicion mjete mbrojtjeje që do të befasonin botën.

“Jemi përballë dy alternativave, ose të dorëzohemi, ose të mbrohemi me mjetet që kemi në dispozicion. Alternativa e dytë është ajo e duhura, ne do të mbrohemi”, deklaroi ai gjatë një konference shtypi në Damask.

“Të sulmosh Sirinë nuk është gjë e vogël. Ne kemi mjete mbrojtjeje që do t’i habisin të gjithë “, shtoi Mouallem.

“Ne po dëgjojmë alarmin e luftës rreth nesh. Nëse ata duan të ndërmarrin një sulm ndaj Sirisë, mendoj se alibia e armëve kimike nuk është ajo e duhura. I sfidoj të më tregojnë provat që zotërojnë”, nënvizoi shefi i diplomacisë siriane duke iu referuar perëndimorëve.

“Informacionet e shpërndara nga administrata amerikane për përdorim armësh kimike janë të rreme”, nënvizoi ai.

Rusia paralajmëron pasoja katastrofike nëse ndërhyhet në Siri

Rusia paralajmëron se një sulm mbi Siri do të kishte pasoja katastrofike. Për Rusinë përpjekjet për të anashkaluar Këshillin e Sigurimit të OKB-së për herë të njëqindtë krijojnë pretekste artificiale të pabazuara për ndërhyrje ushtarake në rajon.

Deklarata erdhi nga ministria e Jashtme ruse nëpërmjet zëdhënësit të saj, Alexandër Lukashevich, i cili theksoi se pasojat katastrofike do të ishin për Lindjen e Mesme dhe Afrikën e Veriut.

Edhe një ditë më parë, shefi i diplomacisë ruse, Sergei Lavrov u shpreh kundër një ndërhyrjeje në Siri. /BW/