Lajme Shqip Friday, 18 April 2014 13:09

Kritikat e ardhur ditët e fundit nga ndërkombëtarët në lidhje me korrupsionin dhe rolin e gjyqtarëve, sot ILDKP-ja ka kërkuar që të gjithë zyrtarët e organeve të drejtësisë të depozitojnë pasuritë e tyre në bankë.

Kreu i Inspektoratit të Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive Shkëlqim Ganaj gjatë fjalës së tij në Komisionin e Ligjeve, kërkoi që gjyqtarët të depozitojnë në bankë, pasuritë e tyre.  Sipas tij, shqetësim për momentin përbën mosdeklarimi i makinave nga zyrtarët.  

“Gjyqtari, pasurinë ta depozitojë në bankë. Pasuritë në bankë, të jenë të ligjshme”, tha Ganaj.  Ndër të tjera Ganaj u shpreh se, do ketë kontroll çdo 4 vjet për gjyqtarët e prokurorët dhe çdo 7 vjet për zyrtarët e tjerë.

Ndërsa, dje ambasadori amerikan, Aleksandër Arvizu, tha se hallka më e dobët në sistemin gjyqësor në Shqipëri sot janë gjyqtarët e korruptuar. Ai ka kërkuar që duhet të ndërgjegjësohen të gjithë për të luftuar korrupsionin, se në të kundërt nuk mund të luftohet ky fenomen.

Sipas tij, korrupsioni është një sëmundje që prek gjithë shoqërinë dhe një sfidë të vështirë për t’u kaluar. Arvizu tha se, në tre vite që ka jetuar në Shqipëri shqetësuese ka qenë shtrirja e informalitetit në sektorin ekonomik, por dhe mos pagesa e faturave të energjisë elektrike dhe ujit.

“Aktualisht ndoshta sfida më e vështirë do të ishte mënyra si lufton korrupsionin dhe informalitetin në të gjithë vendin. E di se e keni dëgjuar shumë herë që korrupsioni dëmton ekonominë, demokracinë, duke vjedhur punëtorët shqiptarë. Korrupsioni shkatërron besimin mbi qeverinë, vendos persona të pa kualifikuar në poste të rëndësishme, pasuron të pandershmit. Kjo është një formë e gabuar, se nuk jemi në kohën e Ali Pashës. Ju dëshironi të futeni në BE. Të gjithë duhet të mendoni sipas mënyrës moderne. Pasi korrupsioni është një formë e gabuar dhe kjo duhet të shkaktojë të përziera te të gjithë të pranishmit, t’i bëjë të sëmurë kur mendojnë për këtë fenomen”, tha ambasadori i SHBA-ve.

 

Ai gjatë fjalës së tij ka shtruar pyetjen,  “se si mund të ndryshojmë mentalitete e njerëzve që të luftojmë korrupsionin. Është e rëndësishme të mendojmë për qasjen për ta luftuar këtë. Hallka më e dobët në sistemin gjyqësor janë gjykatat, janë gjykatësit e korruptuar. Një mekanizëm i rëndësishëm për luftimin e korrupsionit janë proceset më transparente që inkurajojnë luftën,”- u shpreh Arvizu./shekulli/

 

 
Lajme Shqip Thursday, 17 April 2014 11:45

Ambasadori i SHBA-ve, Aleksandër Arvizu, ka marrë pjesë në ceremoninë e dhënies së çmimeve për gjimnazistët që kanë skicuar posterat më të mirë antikorrupsion. Arvizu tha se, në tre vite që ka jetuar në Shqipëri shqetësuese ka qenë shtrirja e informalitetit në sektorin ekonomik, por dhe mos pagesa e faturave të energjisë elektrike dhe ujit.

Sipas tij, korrupsioni është një sëmundje që prek gjithë shoqërinë dhe një sfidë të vështirë për t’u kaluar. Ambasadori theksoi se hallka më e dobët në sistemin gjyqësor sot janë gjyqtarët e korruptuar. Ai ka kërkuar që duhet të ndërgjegjësohen të gjithë për të luftuar korrupsionin, se në të kundërt nuk mund të luftohet ky fenomen.  

“Aktualisht ndoshta sfida më e vështirë do të ishte mënyra si lufton korrupsionin dhe informalitetin në të gjithë vendin. Sikurse e kanë dëshmuar këto postera duket qartë sa problematik është ky problem.  E di se e keni dëgjuar shumë herë që korrupsioni dëmton ekonominë, demokracinë, duke vjedhur  punëtorët shqiptarë. Korrupsioni shkatërron besimin mbi qeverinë, vendos persona të pa kualifikuar në poste të rëndësishme, pasuron të pandershmit. Kjo është një formë e gabuar, se nuk jemi në kohën e Ali Pashës. Ju dëshironi të futeni në BE. Të gjithë duhet të mendoni sipas mënyrës moderne. Pasi korrupsioni është një formë e gabuar dhe kjo duhet të shkaktojë të përziera te të gjithë të pranishmit, t’i bëjë të sëmurë kur mendojnë për këtë fenomen”, tha ambasadori i SHBA-ve.

 

Ai gjatë fjalës së tij ka shtruar pyetjen,  “se si mund të ndryshojmë mentalitete e njerëzve që të luftojmë korrupsionin. Është e rëndësishme të mendojmë për qasjen për ta luftuar këtë. Hallka më e dobët në sistemin gjyqësor janë gjykatat, janë gjykatësit e korruptuar. Një mekanizëm i rëndësishëm për luftimin e korrupsionit janë proceset më transparente që inkurajojnë luftën,”- u shpreh Arvizu.

 

 
Lajme Shqip Monday, 24 February 2014 12:37

Kuvendi i Shqipërisë ka organizuar sot konferencën “Karta e Adriatikut-SHBA”, ku temë kryesore ka qenë forcimi i bashkëpunimit ndërparlamentar si garanci e suksesit të kësaj karte. Në konference morën pjesë edhe delegacione nga vendet e rajonit si: Bosnja, Kroacia, Serbia, Mali i Zi, Maqedonia, Kosova si dhe pjesëmarrës nga shoqëria civile.

Në fjalën e tij, kreu i Kuvendit Ilir Meta u shpreh se rritja dhe intensifikimi i bashkëpunimit mes vendeve të rajonit rrit sigurinë në Evropën Juglindore.

“Në kontekstin e një krize ekonomike globale që ka tundur themelet e sigurisë ekonomike të vendeve anëtare të BE-së, dhe për rrjedhojë ka rritur sfidat e parametrave të sigurisë të gjithë Evropës, shpreh bindjen e thellë se bashkëpunimi mes vendeve tona merr një dimension të veçantë. Në këtë kuadër rritja dhe intensifikimi i bashkëpunimit konkret ndërparlamentar përfaqëson një peshë të rëndësishme, dhe mbi të gjitha një rol të veçantë në shërbim të sigurisë dhe stabilitetit në Evropën Juglindore”, -u shpreh Meta.  

Ndërsa kryetari i Komisionit Parlamentar të Sigurisë, Spartak Braho, e cilësoi nismën mbarëballkanike të Kartës së Adriatikut, një histori suksesi, e cila, sipas tij, bëri të mundur anëtarësimin e suksesshëm të Shqipërisë dhe Kroacisë në NATO. Ai vlerësoi rolin e pazëvendësueshëm të SHBA-ve në suksesin e Kartës, e cila vazhdon të kontribuojë në mënyrë aktive, shkruan shekulli.

I pranishëm ishte edhe ambasadori i SHBA-ve Aleksandër Arvizu, i cili theksoi vendosmërinë e palëkundur të SHBA-ve për të vijuar politikën e dyerve të hapura të NATO-s. Sipas ambasadorit Arvizu, Karta e Adriatikut kontribuon për një Evropë të lirë dhe në paqe. 

“Ripohojmë përkushtimin tonë të përbashkët për të luftuar korrupsionin dhe krimin, si dhe për të mbrojtur të drejtat e njeriut dhe liritë civile për të gjithë individët në rajon. Aleanca mundet dhe duhet të pranojë anëtarë të rinj, kur ata të jenë gati”, -u shpreh ambasadori amerikan. 

 

 

 
Lajme Shqip Saturday, 23 November 2013 12:40

Tiranë-Ambasadori amerikan, Aleksandër Arvizu, ka deklaruar se mungesa e informacionit i dha shkas shumë spekulimeev në lidhje me armët kimike, informacion i cili sipas ambasadorit, ishte shumë i pasaktë në shumicën e rasteve dhe ishte një faktor kontribuues që ndikoi në refuzimin e armëve kimike të Sirisë.

Ambasadori amerikan i ka dërguar një mesazh të fortë klasës politike shqiptare kur thotë: “Mos harroni se kush ka qenë krah jush 100 vitet e fundit”.

Këto deklarata, ambasadori Arvizu i ka dhënën në një intervistë për të përjavshmen “JAVA”, ku foli edhe për marrëdhëniet shqiptaro-amerikane.

“Shqipëria po ndryshon, ajo do të hyjë në Evropë e do të ketë tensione sporadike edhe me SHBA-në. Duhet të mësohemi me këtë realitet të ri”, -deklaron Arvizu.

Ambasadori i SHBA-ve nuk ka lënë pa analizuar edhe javët e tij të fundit të qëndrimit në Shqipëri, ku iu desh të drejtonte negociatat me qeverinë shqiptare për çështjen e lëndëve kimike të Sirisë, të cilën e cilëson si fat, si një lojë me letra ku të bien në duar disa letra të caktuar dhe duhet të luash sa më mirë me to.

“Në javët e fundit të qëndrimit, kisha shpresuar një lamtumirë të qetë dhe një largim të hijshëm. Por, ja që doli kjo çështja. Ishte përparësia numër një për qeverinë e SHBA. U angazhuam me kryeministrin dhe qeverinë e tij. Ata shprehën vullnetin për t’u përpjekur të ndihmonin dhe u bë diçka shumë konsumuese. Ka qenë një periudhë shumë intensive. Ndoshta është thjesht fat, siç thashë, ndonjëherë është si lojë me letra, të bien në dorë disa letra të caktuara dhe duhet të luash me to sa më mirë të mundesh”, -thotë Arvizu.

Arvizu, gjatë intervistës pyetet edhe për reagimin e deputetit Sali Berisha të nesërmen e deklarimeve në Top Story.

“Mendoj se konteksti ka qenë ai i fjalëve të mia në Top Story javën e kaluar, në përgjigje të një pyetjeje lidhur me rolin e PD-së dhe shkallën e ndërveprimit tonë. Mendoj që teksti i zbardhur e bën shumë të qartë se cila ishte përgjigja ime; që, kisha folur me zotin Basha në telefon. Ishte një bisedë e shkurtër dhe përgjigjja e menjëhershme nga PD ishte pozitive.

Më pas, disa ditë më vonë, mendoj të enjten, pamë disa veprime që mendova se ishin paksa provokuese dhe të padobishme. Kështu, në mendjen tonë u krijua pak çoroditje sepse dukeshin në kundërshtim. Për sa i përket komenteve të zotit Berisha, mendoj që disa njerëz do të thonin që Vali Bizhga në fakt, krahasueshmërisht, ka më shumë ndikim në Partinë Socialiste. Por, çështja është që është me rëndësi për SHBA dhe SHBA i kushton shumë rëndësi pasjes së marrëdhënieve të forta institucionale me Partinë Demokratike”,-deklaroi ambasadori amerikan.

Arvizu edhe njëherë tjetër i rikthehet deklaratës së tij kur artikuloi termin e shkeljes së “Vijës së Kuqe” nga Lulzim Basha, ndërsa komenton edhe zhvillimet e seancës parlamentare dy javë më parë ku deputetët e opozitës kërkonin sqarime për çështjen e lëndëve kimike të Sirisë, madje veçon edhe një episod të asaj dite, referuar deputetes Jozefina Topalli.

“Ishte një deputet i caktuar i PD-së që ulet pranë zotit Berisha në radhën e tretë, faqja e Facebook e të cilit kishte një kopje të retushuar, më duket të ‘The Daily Mirror’. Faqja e gazetës kishte një foto të disa fëmijëve të vrarë me gaz nga Asadi, një foto faktike të masakrës. Faqja e retushuar kishte të njëjtën foto, por fjalët thoshin, ‘radhën e kanë fëmijët shqiptarë’ apo diçka e tillë. Një gjë e tillë është jashtëzakonisht provokuese. Është diçka e paskrupullt.

Është e pavend. Thjesht e gabuar dhe kjo ambasadë dhe Uashingtoni u skandalizuam. Dhe unë e vendos një gjë të tillë në krah të sigurive që më kishte dhënë zoti Basha vetëm pak ditë më parë, që PD-ja i kuptonte sensitivitetet. Nuk është se thamë ndonjëherë mos protestoni apo mos kritikoni qeverinë; kjo nuk ishte kurrë pjesë e bisedës, por thjesht vendos pranë atë foto drithëruese prej një politikani të lartë të PD-së me atë që zoti Basha më kishte thënë më parë. Ndaj mendoj se ka qenë pyetje me vend: Je apo jo në kontroll?”, thotë Arvizu.

Skënder Minxhozi, kryeredaktor i “Javës” e pyet ambasadorin Arvizu “a nuk keni përshtypjen se qeveria duhet ta kishte trajtuar opinionin publik në një mënyrë krejt tjetër?”.

Arvizu jep këtë koment për mungesën e informacionit rreth bisedimeve për lëndët kimike: “Mendoj se qartazi mungesa e informacionit që i dha shkas shumë spekulimeve, shumë prej të cilave në fakt të pasakta, ishte fatkeqësisht një faktor kontribuues. Por, ajo që shpresoj që do të pasojë këtë do të jetë një ndërgjegjësim më i madh shoqëror. Ju përmendët Gërdecin; Zot na ruajtë nga ndonjë Gërdec tjetër, këtu apo gjetkë, por, nëse do të kishte një lloj tragjedie të ngjashme, do të shpresoja që përgjigjia e qytetarëve ndaj një tragjedie të tillë që ne shpresojmë të mos ndodhë, do të jetë e ndryshme nga ajo e marsit 2008, kur ishte shumë pasive”. /shekulli/

 

 
Lajme Shqip Thursday, 24 October 2013 14:54


Tiranë- Kryetari i Komunitetit Myslimantë Shqipërisë Haxhi Selim Muça, priti sot në një takim miqësor, Ambasadorin në largim të Shteteve të Bashkuara të Amerikës z. Aleksandër Arvizu.

Z. Muça e falënderoi ambasadorin Arvizu për mbështetjen e madhe që i ka dhënë Shipërisë dhe sidomosKomunitetit Mysliman. Ndërsa ambasadori Arvizu, nga ana e tij, falënderoi kryetarin e KMSH për mikpritjen e ngrohtë dhe u shpreh se feja dhe komunitetetfetare janë shumë të rëndësishme për shqiptarët, në krye të cilave qëndron Komuniteti Mysliman.

“Ndërsa largohem, shumë gjëra më kanë bërë përshtypje në Shqipëri, ndër të cilat është edhe kualiteti dhe puna e komuniteteve fetare, sidomos ajo eKomunitetit Mysliman. Feja është pjesë e identitetit të shqiptarëve, është e gdhendur në të. Sa herë që mendoj për Shqipërinë, mendoj për tokën, vendin gjuhën dhe padyshim fenë, këto janë të shtrenjta për shqiptarët. Ju, udhëheqësit fetarë, jeni pjesë e shoqërisë shqiptare, e ndërsa ju, KomunitetiMysliman, si më i madhi komunitet fetar në vend, jeni më jetikët për këtë shoqëri. Udhëheqja juaj, mënyra se si ju e menaxhoni situatën, arsimi juaj (medresetë) janë shumë të rëndësishme.” u shpreh Arvizu.

Më tej Ambasadori Arvizu nuk la pa përmendur edhe ndikimin e komunizmit në vendin tonë.

“Ju jeni ata që do ta çlironi brezin e ri nga mentaliteti komunist, për ta bërë Shqipërinë një vend të vërtetë evropian, një vend ku feja dhe besimi praktikohet lirisht.” vijoi ai.

Kreu i Komunitetit Mysliman e falënderoi z. Arvizu, për bashkëpunimin gjatë mandatit të tij si ambasadori, i uroi për udhëtim të mbarë pranë familjarëve të tij dhe suksese të mëtejshme në karrierën e tij diplomatike. /albeu/

 
Lajme Shqip Monday, 23 September 2013 10:25

Tiranë- Ambasadori i SHBA-së në Tiranë, Aleksandër Arvizu inkurajon njësitë e përbashkëta hetimore që të hetojnë rastet e korrupsionit pavarësisht trysnisë dhe presioneve që mund të hasin gjatë punës.

Gjatë fjalës së tij në takimin me 7 njësitë speciale të hetimit, ambasadori amerikan thekson rëndësinë që faza e tranzicionit politik të mos shikohet vetëm si sfidë, por edhe si një moment që ofron mundësi të reja.

“Mbështesim njësitë e përbashkëta hetimore pasi besojmë tek një qasje rajonale dhe kombëtare. Diçka që kam mësuar për Shqipërinë është se ajo është si një fshat ku të gjithë e njohin njëri-tjetrin. Zyrat hetimore mund të ndjejnë trysni kur hetojnë, por në këto kushte hetimin mund ta bëjë një zyrë tjetër. Kjo është një kohë tranzicioni në Shqipëri, dhe tranzicioni vjen me sfida por dhe mundësi. Ne si ambasade e SHBA e kemi përdorur këtë kohë për të folur me ministrat e rinj, kryeprokurorin, në mënyrë që ta shohim si mundësi për të adresuar të gjitha ndryshimet që të luftohet korrupsioni.” – tha ambasadori Arvizu. /BW/

 
Lajme Shqip Tuesday, 03 September 2013 14:08

Tiranë-Sulmi i ndodhur në ka mpin Ashraf në Irak, ku humbën jetën 52 persona, ka sjellë reagimin e muxhahedinëve iranianë, të cilët janë të strehuar në Qendrën Kombëtare Pritëse të Azilkërkuesve në Tiranë. Përmes një prononcimi, dhënë për “Gazeta Shqiptare”, Ha.Gh., një prej pjesëtarëve të grupit të mbërritur tashmë në Shqipëri, njëkohësisht përfaqësues i Këshillit Kombëtar të Rezistencës në Iran, kërkon ndihmë nga Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë. Ai shprehet se vetëm SHBA mund të ndalojë sulmet e përgjakshme, që sipas tij janë kryer nga ushtarakët irakianë e që po u marrin jetën të afërmve të tyre. “Ne kemi pranuar të vijmë në Shqipëri, por familjet tona janë ende atje. Fillimisht duam të tregojmë masakrën që po ndodh atje me familjet tona. Ndërkohë që, shpresa jonë e vetme është që t’u bëjmë thirrje Ambasadës Amerikane në Tiranë dhe ambasadorit që të ushtrojnë fuqinë e tyre për të ndalur këto sulme.

Vetëm SHBA ka fuqinë për t’i ndalur, ajo mund të influencojë për ta bërë këtë. Ata duhet t’i ndalin tani”, – shprehet Ha.Gh., i cili, ndonëse na jep emrin e tij të plotë, së bashku me kartën e identitetit, na lutet të mos e publikojmë emrin e plotë dhe fotografinë e tij. Sipas tij, kjo mund të përbëjë rrezik për jetën dhe për familjarët e tij, që ndodhen të strehuar në kampin Ashraf. Ndërkohë që, i pyetur në lidhje me arsyet që e kanë çuar atë, së bashku me dy përfaqësues të tjerë të grupit, të ndërmarrin këtë iniciativë, ai shprehet se kjo është një mundësi për të ndihmuar të afërmit dhe miqtë e tij.

“Ne nuk jemi të sigurt se kjo do të ndalë realisht këto sulme të përgjakshme, por publikimi i të vërtetave që po ndodhin atje, është e vetmja gjë që ne mund të bëjmë. Të paktën ne po e provojmë këtë, pasi dëshirojmë të ndihmojmë shokët dhe familjarët tanë”, – shprehet Ha.. Së bashku me deklaratën e tij, muxhahedini na vë në dispozicion edhe një sërë materialesh e fotosh, mbi sulmin e datës 1 shtator. Janë foto të ardhura nga njerëzit që mundën t’i mbijetojnë masakrës, ndërsa pamjet që ato ofrojnë janë tragjike. Plumbat, përveç burrave e të moshuarve nuk kanë falur as gratë. Në foto shihen qartë se si u është marrë jeta, duke u qëlluar me një plumb të vetëm në ballë, ndërsa të tjerë janë rreshtuar e janë bërë gati për ekzekutim. Gjithashtu, masakra nuk ka kursyer edhe persona, të cilët në momentet e sulmit kanë qenë në klinikën e kampit për kurim, ndërsa janë ekzekutuar nga sulmet e ushtarëve. Teksa komenton fotot, Ha.Gh. dallon edhe mikun e tij, i cili për fat të keq nuk ka mbijetuar. Me lot në sy, ai shprehet se ai ishte miku i tij më i mirë, ndërsa nuk harron të na kujtojë edhe një herë se vetëm SHBA mund t’u japë fund këtyre vrasjeve./bw/

 
Lajme Shqip Wednesday, 28 August 2013 12:44

Tiranë- Anëtarët e Partisë Demokratike në Këshillin Bashkiak të Elbasanit nuk kanë dalë nga linja e drejtuesve të lartë të kësaj force politike, duke bojkotuar mbledhjen ku ambasadori amerikan, Aleksandër Arvizu, u shpall “Qytetar Nderi”.
Megjithatë, Këshilli Bashkiak i Elbasanit, ku shumicën e votave e kanë pasur të majtët, ka miratuar titullin për ambasadorin e SHBA-së në Tiranë , Aleksandër Arvizu, pavarësisht se këshilltarët e PD-së nuk morën pjesë në mbledhje, shkruan tema. 
Gjithashtu, aleatët e PD-së kanë qenë të pranishëm dhe kanë votuar pro këtij vendimi.
Me propozoim të kryetarit të bashkisë, Qazim Sejdini, titulli është dhënë me motivacionin “për integritet, humanizmin e lidershipin si mik i vyer dhe i nderuar i qytetit, me kontribut në zhvillimin komunitetit të Elbasanit dhe në ndërtimin e urave të mirëkuptimit midis dy popujve tanë”.

 
Lajme Shqip Wednesday, 21 August 2013 23:00

Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, e konsideron ambasadorin amerikan të denjë për të punuar me ish-ministrin e Jashtëm të Shqipërisë në kohën e komunizmit, Reis Malile dhe jo për të qenë krah ish-sekretares së Shtetit, Hillary Cliton apo Sekretarit aktual, John Kerry.

Ajo reagoi ndaj deklaratës së Aleksandër Arvizu, që krahësoi zgjedhjet e 23 qershorit me ato të vitit 1992. Sipas Topallit, një krahasim të tillë nuk mund ta bëjë as edhe një ekstremist i majtë.

“Një vend të madh nuk e përfaqëson dot një njeri i vockël! Për më tepër me miopi të theksuar historike e politike!!! Për të mos i thënë fallsifikator i histories”, tha Topalli.

“Të krahasosh Shqipërinë e 1992, që këputi vargonjtë e “evil empire”, me Shqipërinë anëtare të NATO-s , është njësoj si të vësh shenjën e barazimit midis BrezhnjevitI dhe presidentit Reagan!!! I denjë për të punuar me Reis Malilen, jo me Hillary Clinton e John Kerry. As ekstremistët më të mëdhenj të së majtes nuk kanë guxuar kurrë një gjë të tillë”, shkruan Topalli në Facebook

 
Lajme Shqip Wednesday, 21 August 2013 08:27

Tiranë- SHBA-të përmes ambasadorit të tyre në Tiranë, Aleksandër Arvizu, i konsiderojnë zgjedhjet e sivjetme të 23 qershorit po aq të rëndësishme për Shqipërinë sa ato të vitit 1992. Ambasadori amerikan, Alexander Arvizu nga Jala e Vlorës foli dje për situatën paszgjedhore në Shqipëri. Ambasadori amerikan vuri në dukje se, “Zgjedhjet e 23 qershorit 2013 ishin historike dhe po ashtu si ato të vitit 1992, ishin shumë të rëndësishme për Shqipërinë, pasi sollën ndryshimin”. Ai përmendi se këtë radhë, PS-ja punoi më fort e mori 90 mijë vota më shumë. I rëndësishëm për SHBA-të është konsolidimi i demokracisë. Duke komentuar fushatën zgjedhore, Arvizu vuri në dukje gjithashtu se gjatë saj pati përpjekje që feja të kthehej në çështje elektorale, përpjekje për të krijuar ndarje veri-jug, por që të dyja këto përpjekje dështuan. Arvizu mori pjesë dje në aktivitetin e Lëvizjes Rinore për Integrim, duke filluar në Jalë dhe që do vazhdojë deri të shtunën, aktivitet i përvitshëm për politikën shqiptare, duke filluar nga zgjidhja e problemeve të rinisë. “Performanca juaj ishte impresionuese. Politika konstruktive është baza e suksesit. Përshëndesim përfshirjen e të rinjve dhe grave, të rinjtë janë e ardhmja e Shqipërisë”, theksoi z.Arvizu, raporton BW.

Ambasadori i SHBA-ve, Arvizu, referoi mbi temën “Vizioni i SHBAve për Shqipërinë dhe Ballkanin” duke theksuar ndër të tjera se “vendosja e ligjit është me shumë rëndësi. Kjo gjë përfaqëson vlerat e demokracisë. SHBA-të kanë investuar miliona dollarë për funksionimin e ligjeve dhe tashmë po punojmë me prokurorinë dhe policinë për çështjet e drejtësisë. Por nëse njerëzit nuk paguhen, nuk mund të luftohet korrupsioni. Rritja ekonomike dhe lufta kundër korrupsionit duhet të ecin paralel”, – u shpreh diplomati amerikan.

Në këtë aktivitet ishin të pranishëm edhe kreu i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta dhe ambasadori i Bashkimit Evropian, Ettore Sequi. Në takim ka referuar edhe ambasadori i BE-së, Ettore Sequi, i cili mbajti temën “Çfarë përfaqëson BE për Shqipërinë dhe sfidat e menjëhershme për Tiranën”. Ai preku në radhë të parë, çështjet e pronësisë: “Unë besoj se një pjesë e juaja kanë probleme pronësie ose janë në djeni të tyre në Shqipëri – tha ai. – “Ky është një shqetësim konkret që ndikon edhe në i integrimin e vendit në BE. Po ashtu, ju keni një industri peshkimi mjaft të mirë, por një arsye pse nuk eksportoni ka të bëjë me standardet e konservimit të peshkut dhe progresi drejt BE-së ka të bëjë me rritjen e standarteve të cilësisë për konsumatorin shqiptar”, – theksoi Sequi.