12
 
Lajme Shqip Wednesday, 21 August 2013 20:58

Tifozët e Fenerbahçe  kanë bërë probleme para hotelit ku qëndrojnë lojtarët e ekipit londinez Arsenal. Ekipet po përballën sot në ndeshjen Play Off të Champions League.

Ata kanë hedhur bomba molotov dhe tymuese para hotelit për të treguar se në Stamboll i pret “ferri” ashtu siç ka ndodhur edhe me Liverpool, Leeds United apo Manchester United, ndërsa për policinë turke sot pritet të ketë shumë punë.

Shih në këtë video

http://ëëë.youtube.com/ëatch?v=lJPEF5ozXtU

 
Lajme Shqip Thursday, 14 March 2013 09:17

Trajneri i Arsenalit, Arsen Venger, u ka bërë thirrje klubeve angleze të fillojnë të nxjerrin mësime nga ky edicion i Ligës së Kampioneve, ku asnjë skuadër angleze nuk është në çerekfinalet e turneut, për herë të parë në 17 vite.

“Ky është një zhgënjim i jashtëzakonshëm për futbollin anglez”, tha ai pas takimit. “Kjo është një kambanë alarmi për të gjithë pasi Arsenali, Mançester Junajtid, Mançester Siti dhe Çelsi nuk arritën të shkonin në çerekfinale. Pjesa tjetër e futbollit evropian na ka arritur dhe tani duhet ta marrim këtë faktor në konsideratë për të menduar se si do të jetë e ardhmja e kampionatit anglez”, vijoi ai duke kujtuar se një skuadër angleze ka arritur në finale në 7 nga 8 edicionet e fundit të këtij turneu.

Trajneri francez ka zbuluar se ishte shumë i zhgënjyer nga ky eliminim, sidomos për paraqitjen e dobët që kishte dhënë ekipi në takimin e parë të zhvilluar në Londër.

“Ne iu afruam kalimit të turit dhe jam krenar për paraqitjen e ekipit. Por jam i zhgënjyer, ashtu si çdo tifoz i Arsenalit, që nuk arritëm të shënonim golin e tretë. Kishim hapësira për të shënuar më shumë dhe më mbetet peng paraqitja jonë e ndeshjes së parë. Kualifikimi luhet në 180 minuta dhe në 90 minutat e para ne nuk ishim vetvetja. Tani shihet qartë pesha e atij goli të pësuar 3 minuta para fundit në ndeshjen e parë. Ai ishte vendimtar”, deklaroi trajneri francez. (LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Thursday, 14 March 2013 09:13

Trajneri i Bajern Mynih, Jup Heinkes, ka kritikuar lojtarët e tij pas humbjes 2-0 përballë Arsenalit që për pak u rrezikoi kualifikimin në çerekfinalet e Ligës së Kampioneve. Tekniku pranoi se gjërat nuk kishin shkuar siç pritej për skuadrën e tij, e cila u kualifikua vetëm falë rregullit të golave në fushën kundërshtare pasi kishte fituar 3-1 takimin e parë në Londër.

“Mendoj se në përgjithësi duhet të jemi kritikë ndaj paraqitjes sonë. Në fund, ia dolëm të kualifikoheshim, por me një sy të nxirë”, ishte batuta e tij ironike në përfundim të ndeshjes.

“Goli i shpejtë bëri që të humbim konceptin dhe ritmin e lojës tonë të zakonshme. Nuk mund të them se ishim të çuditur nga ai gol, por nuk arritëm të reagonim të paktën në pjesën e parë. Nuk luajtëm kurrë të qetë, siç bëjmë zakonisht. Kjo ndeshje duhet të jetë një shembull për ne, për të treguar se nuk ke kaluar kurrë në turin tjetër derisa të jetë luajtur edhe ndeshja e dytë”, tha ai, duke lënë të kuptohet se në këtë paraqitje mund të kishte ndikuar edhe siguria e tepruar e lojtarëve të tij para sfidës me Arsenalin. (LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Wednesday, 13 March 2013 23:07

Pritej një formalitet por takimi mes Bajern Mynih dhe Arsenal në “Allianz Arena” ka dhuruar më shumë emocione se sa pritej nga kjo sfidë. Gjithçka ka qenë meritë e Arsenalit që pas humbjes 3-1 në takimin e parë në shtëpi, ka fituar 2-0 në fushën e bavarezëve dhe në minutat e fundit rrezikoi seriozisht që të regjistronte një përmbysje të pabesueshme në fushën kundërshtare. 

Në fakt, ndeshja nuk është se ka folur për “topçinjtë”, të cilët ishin me fat që shënuan që në minutën e tretë të sfidës, me anë të Zhirud, pas një pasimi perfekt të Uollkot. Por skuadra e Venger nuk ngulmon shumë dhe është Bajerni që ka plotësisht kontrollin e lojës dhe rrezikon gjatë gjithë ndeshjes disa herë portën e Fabianskit.

Paraqitja e shkëlqyer e këtij të fundit si dhe paqartësia e sulmuesve bavarezë bëri që Arsenali të shpëtonte pa pësuar gol, pavarësisht 21 gjuajtjeve në portë të kryera nga bavarezët gjatë 90 minutave. Ndërkohë, Arsenali gjen edhe golin e dytë me Koshçielni në fundin e ndeshjes, duke bërë që në “Allianz Arena” të pllakoste qetësia. Por londinezët nuk kanë forcë të kërkojnë golin e tretë në minutat e mbetura dhe kësisoj, i japin përsëri lamtumirën Ligës së Kampioneve në këtë fazë të turneut.

Nga ana tjetër, Bajern kalon përsëri mes 6 ekipeve më të mira në Evropë, duke qenë një prej pretendentëve kryesore për të marrë trofeun, edhe pse paraqitja ndaj Arsenalit bëri që të lindin dyshime për armatën e pandalshme të drejtuar nga Jup Heinkes. (LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Wednesday, 13 March 2013 10:37

Arsen Venger duket se është dorëzuar plotësisht në Ligën e Kampioneve dhe pavarësisht deklaratave optimiste për një përmbysje ndaj Bajern Mynih, ai realisht duket se nuk e sheh të mundur një gjë të tillë. Trajneri francez i Arsenalit ka vendosur të lërë në stol Santi Kazorla dhe Teo Uollkot, dy titullarë të paprekshëm të londinezët për këtë sfidë, duke preferuar që t’i ruajë ata të freskët për ndeshjet e kampionatit. Me sa duket, ai mendon më shumë se si të luftojë për vendin e katërt që siguron pjesëmarrjen në këtë aktivitet për sezonin e ardhshëm sesa për atë aktual.

Më shumë se 3 mijë tifozë të Arsenalit që do të jenë të pranishëm në “Allianz Arena” pritet të kontestojnë skuadrën pas këtij vendimi të Venger, i cili ka lënë pushim edhe portierin Vojçieç Szczesnji, duke i lënë vendin Lukas Fabianski për herë të parë në këtë sezon. Këtyre do t’u shtohen edhe mungesat për dëmtim të Xhek Uilshair, Lukas Podolski dhe Bakari Sanja.

“Suonsi është një ndeshje shumë e madhe për ne dhe ashtu është edhe kualifikimi për Ligën e Kampioneve në edicionin e ardhshëm. Ky është objektivi ynë, aktualisht nuk shohim asgjë tjetër e prandaj për ne ishte shumë e rëndë ajo humbje me Totenhem”, shpjegoi Venger. (LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Tuesday, 12 March 2013 17:51

Trajneri i Arsenalit, Arsen Venger, nuk e përjashton mundësinë që ekipi i tij të bëjë një të papritur duke kaluar turin në Ligën e Kampioneve përballë Bajern Mynih. “Topçinjtë” udhëtojnë drejt “Allianz Arena” pas humbjes 3-1 në fushën e tyre në ndeshjen e parë, të ndërgjegjshëm se asnjë skuadër nuk ka arritur më parë të përmbysë një deficit prej dy golash në fushë kundërshtarë në këtë turne.

“Ky nuk është një mision i pamundur. Mund të bëhet, por duhet një përkushtim 100%, sjellja e duhur dhe që episodet e vogla të shkojnë të gjitha në favorin tënd. Zakonisht futbolli shkon sipas dëshirës tënde kur ke sjelljen e duhur”, tha trajneri francez për sfidën e nesërme.

“Duhet ta fillojmë ndeshjen furishëm pasi na nevojitet që të krijojmë dyshim në mendjen e tyre dhe kjo bëhet vetëm nëse ke një nisje të mirë. Shansi ynë është të krijojmë pasiguri në atë siguri që Bajerni ka aktualisht. Por kjo ndodh vetëm nëse jep maksimumin. Nuk duhet të mendojmë që ndeshja zgjat vetëm 30 minuta. Duhet të hyjmë në fushë dhe të japim gjithçka”, ishte “receta” e parashikuar nga Venger. (LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Tuesday, 12 March 2013 10:02

Tomas Myler, një nga lojtarët më në formë të Bajern Mynih, është i ndërgjegjshëm se skuadra e tij mund të ndeshet me probleme nëse nënvlerëson Arsenalin. Ndonëse bavarezët fituan 3-1 në Londër në takimin e parë, futbollisti mendon se vetëm përqendrimi bën të sigurtë kualifikimin në këtë sfidë.

“Nuk kam shqetësime se mund ta përballojmë ndeshjen me mendjelehtësi. Do të vazhdojmë të ecim me këmbën në gaz. Në këtë mënyrë, edhe nëse ndonjë gjë do të shkojë keq në ndeshje, do të jemi në gjendje të rikuperojmë”, tha lojtari që shënoi një nga golat e takimit të parë, ndërsa dha edhe një asist.

Ndërkohë, trajneri Heinkes ka konfirmuar edhe një herë se nuk do të jetë pjesë e klubit bavarez në sezonin e ardhshëm, pavarësisht një propozimi të mundshëm për të qëndruar në një rol drejtuesi.

“Pas 50 viteve aktive si futbollist dhe trajner, mendoj se puna pas një tavoline në një zyrë nuk bën për mua”, ishte komenti i Heinkes që ka bërë të qartë se do të largohet nga Bajerni dhe nuk hedh poshtë hipotezën e një aventure si trajner në një klub tjetër. (LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Monday, 11 March 2013 18:10

Bajern Mynih do të duhet të ketë shumë kujdes ndaj Arsenalit në ndeshjen e Ligës së Kampioneve mes dy skuadrave. Shkak janë mungesat e rëndësishme me të cilat do të hyjnë në fushën e lojës kryesuesit e kampionatit gjerman që fituan 3-1 ndeshjen e parë në Londër.

Pezullimeve për kartonë të mesfushorit Shvajnshtajger e mbrojtësit Boateng i është shtuar edhe mungesa e konfirmuar e Frank Riberi pas dëmtimit të pësuar ndaj Fortuna Dyseldorf në fundjavë.

Stafi mjekësor i bavarezëve ka bërë të qartë se nuk është përcaktuar ende kohëzgjatja e riaftësimit të francezit, por shpresohet që ai të jetë i gatshëm për turin tjetër të turneut evropian  pasi bavarezët janë thuajse të bindur se do të jenë çerekfinalistë të Ligës së Kampioneve.

Sipas mediave gjermane, trajneri Heinkes ka bërë të qartë se në ndeshjen kundër anglezëve, Dante dhe Van Bujten do të përbëjnë qendrën e mbrojtjes, ndërsa detyrat e Shvajnshtajger, si organizator i tërhequr në mesfushë, do t’i marrë Havi Martinez, i cili u ble në këtë sezon pikërisht për të shtuar kualitetin në këtë repart. (LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Monday, 11 March 2013 10:08

Ulli Hënes, presidenti i Bajern Mynih, ka treguar në një intervistë për “The Sun” se cili është modeli drejtues i bavarezëve, që ka kontribuar në kthimin e klubit gjerman në një prej më të mëdhenjve në futbollin evropian. Ndonëse Bajerni drejtohet nga Hënes, përkrah drejtorit ekzekutiv Karl Hainz Rumenige dhe drejtorit sportiv Matias Samer, 80% e klubit i përket anëtarëve të tij.

“Unë thjesht dua që të kemi sukses sa më të madh sportiv të bazuar mbi themele të shëndosha ekonomike. Nuk është aspak argëtuese të fitosh kampionatin dhe Ligën e Kampioneve duke humbur 50-60 milion paund”, ka shpjeguar Hënes.

“Për çdo ndeshje në stadiumin tonë, janë 12 mijë bileta të lira që nxirren në shitje për njerëzit që nuk përballojnë ato të zakonshmet, pasi futbolli duhet të jetë i përballueshëm për të gjithë. Kur unë fillova punën si drejtues në klub rreth 30 vite më parë, 85% e të ardhurave tona vitin nga biletat. Në ato ditë bëhej fjalë për rreth 5 milion paund. Tani fitojmë mbi 370 milion euro në vit dhe vetëm 18% vjen nga biletat”.

“Jemi përqendruar te marketingu dhe sponsorizimet. Rreth 95 milion euro vijnë nga sponsorët. Ne jemi përqendruar në këtë drejtim pasi nuk duam që njerëzit të vijnë në stadium dhe të thonë “Ne i urrejmë këto milionerët”. Kur paguan vetëm 15 euro për të hyrë në stadium, nuk mund ta thuash një gjë të tillë, pasi nuk e financon dot klubin me 15 eurot që shpenzon”, vijon tregimin Hënes

Ai ka shpjeguar më pas se si suksesi financiar është përshtatur me atë sportiv në fushën e lojës.

“Të tjerët gjykojnë atë që bëjmë ne, por për momentin kemi vazhdimësi. Në bordin drejtues ka njerëz që kuptojnë mirë lojën e futbollit, jam unë, është Ruimenige, është Samer. Bashkë me trajnerin zhvillojmë diskutime shumë të gjata para se të marrim çdo vendim. Të ndihmon shumë fakti nëse ke luajtur futboll vetë, edhe pse nuk është e lehtë, idealja është të gjesh persona në rol drejtuesi që kanë luajtur vetë në të kaluarën, pasi në këtë mënyrë ata u flasin dhe stërvitin lojtarët në të njëjtën kohë”, shpjegoi ai duke hedhur poshtë modelet e shumë klubeve angleze, si Çelsi apo Mançester Siti, të cilat bazojnë suksesin në investimet e pronarëve multimilionerë.

“Futbollin e luan edhe me zemër. Nuk kam asnjë problem me njerëzit nga Arabia apo Rusia, por ata duhet të kenë një lidhje me klubin, duhet të jetë në zemrën e tyre. Te Bajerni nuk shohim suksesin afat-shkurtër. Kam fituar rreth 20 tituj, por për të fituar të 21-tin nuk do ta shes klubin. Por nëse vjen dikush që nuk ka fituar asgjë, ai dëshiron të fitojë shumë shpejt dhe nën një trysni të tillë, merr vendime shumë të vështira”.

“Unë nuk e krahasoj veten me Mançester Junajtid, që është një klub i madh dhe i famshëm të cilin e admiroj në mënyrë të jashtëzakonshme. Por z. Glejzër (pronari amerikan i klubit anglez) nuk e dinte se ku ishte Mançester Junajtid para 20 vitesh. Ai nuk e bën një gjë të tillë sepse dashuron Mançesterin, ai e bën për të fituar para”, tha Hënës që në fund zbuloi edhe arsyen se pse bavarezët kishin ndihmuar ekonomikisht rivalët e tyre më të mëdhenj të Borusia Dortmund, duke u dhënë atyre para për të paguar rrogat kur klubi ishte në prag të falimentimit.

“Ata kishin probleme për të paguar rrogat dhe unë u çudita shumë kur ish-menaxheri i përgjithshëm, Mikael Majer, erdhi në Myinh. Ai tha: “Uli, nuk kam rrugë tjetër përveç se të të kërkoj të na ndihmosh me 2 milion euro. Nuk kemi asnjë siguri apo garanci për ju, keni vetëm premtimin tim se do t’jua kthejmë paratë”. Dortmundi është një klub me traditë. Pa atë, Bundesliga është më e varfër dhe e dinim që herët a vonë do të rimerrnim paratë tona”, shpjegoi Hënes arsyen se pse ndihmoi Borusian të dilte nga kriza. (LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Wednesday, 20 February 2013 09:54

Trajneri i Bajern Mynih, Jup Heinkes, e ka pasur të vështirë të fshehë entuziazmin e tij pas fitores 3-1 kundër Arsenalit në Ligën e Kampioneve, një sukses i arritur në fushën e kundërshtarëve me një lojë të shkëlqyer.

“Ishte thjesht e lehtë për skuadrën time të luante. Aktualisht po kalojmë një formë të jashtëzakonshme. Cilësia jonë ekziston në faktin se mund të ndëshkojmë edhe gabimin më të vogël që bën kundërshtari ynë”, ishin elozhet e tij për lojën e skuadrës që në këtë sezon po mahnit me dominimin në Gjermani dhe në arenën ndërkombëtare.

Progresin e bavarezëve e ka pranuar edhe Arjen Roben, i cili mendon se ekipi ka pësuar një rritje të ndjeshme në krahasim me një vit më parë, kur mbërriti deri në finalen e Ligës së Kampioneve.

“Erdhëm te kjo ndeshje me besim falë aftësive tona. Por nuk duhet të mendojmë se kemi kaluar turin. E ndjejmë që jemi të fortë, jemi përmirësuar në krahasim me sezonin e kaluar, por duhet të vazhdojmë të dhurojmë lojë të mirë për të ecur para në këtë turne”, tha holandezi që tashmë është kthyer në një “rezervë luksi” në radhët e skuadrës bavareze. (LajmeShqip.com)

12