12
 
Lajme Shqip Thursday, 16 May 2013 14:53

Pikërisht në kohën kur Ministria e Drejtësisë po e bën gati stafin për hapjen e burgut më të ri atij të Gërdovcit, dhe janë vetem disa ditë në pyetje për hapjen e këtij burgu, drejtori, Naim Maloku jep dorëheqje. Këtë veprim ai pritet ta zyrtarizojë nesër. Ka disa muaj që e ka paralajmëruar atë por thotë se nesër do ta bënë zyrtare.

Një gjë të tillë ai e ka konfirmuar dhe thotë se po e bën për arsye familjare.

Duke filluar nga 1 korriku, Maloku konfirmon që nuk do të merr pagë nga buxheti I shtetit  por do të ketë një punë tjetër, që ka të bëjë me prodhimin. Sa i përket politikës, thotë se nuk ka menduar nëse do të jetë aktiv ose jo.

Malokut nuk i duket lajm dorëheqja e tij. “E kam paralajmëruar që disa kohë dorëheqjen, kjo për shkaqe familjare, ashtu e kam përmendur edhe në paralajmërim. Ka të bëjë me familjen dhe nuk e di pse po ju duket lajm dorëheqja ime?! Sa drejtori jep dorëheqje, shkarkohet e çka jo tjetër”, thotë ai.

KosovaPress ka mësuar se ai do të jetë i angazhuar në prodhim, e që ka të bëjë me punën e tij që e kishte para se të futej në luftë, pra si inxhinier i kimisë.

Drejtori i burgut të sigurisë së lartë, thotë se projekti në fillim kishte mangësi por tashmë të gjitha punët janë rregulluar dhe shumë shpejtë ai do të jetë funksional, siç duhet. Maloku thotë se ka punuar me shumë përkushtim për sa ka qenë në këtë post dhe vlerëson se është bërë punë e madhe.

“Thuajse gjithçka ka përfunduar. Unë kam punuar gjashtë muaj edhe në Dubravë. Sa i përket burgut të Sigurisë së lartë deri me lugët dhe pjatat jam përkujdesur se si dhe çfarë do të jenë. Kapaciteti i tij do të jetë për 600 të burgosur ndërsa 1 milion e 800 mijë euro që kanë tepruar kemi projektuar një pjesë të re të objektit”, thotë Maloku.

Malokut për shkak të kushteve ekonomike veç i është nisur i biri me gjithë familje që të jetojë dhe punojë jashtë vendit.

I pyetur nëse do të jetë aktiv në politikë, thotë se është anëtarë i AAK-së por nuk ka menduar nëse do të jetë aktiv ose jo.

 
Lajme Shqip Wednesday, 15 May 2013 15:36

“The Economist”, shkruan se Kelmendi kishte lidhje politike në të dy vendet. Ai hetohej me vite për krim të organizuar por që deri më tash nuk është dënuar asnjëherë. Sipas gazetës emri i tij po përmendet si i lidhur me politikën dhe i lidhur me trafikun e drogës.

Kelmendi ka mohuar akuzën se ai është marrë me drogë, ndërkaq ai është i vetmi individ nga Ballkani në të ashtuquajturën “Lista e Zezë amerikane” e trafikantëve të caktuar dhe posaçërisht dilerëve të drogës”.

“Arrestimi i Kelmendit, në qoftë se pasohet me një gjykim të drejtë, mund të jetë një pikë e rëndësishme kthese në luftën kundër krimit të organizuar në rajon”, shkruan gazeta britanike.

Kelmendi u arrestua në Prishtinë më 5 maj mbi bazën e një urdhër-arresti të Interpolit. Ai është kërkuar për “vrasje në tentative dhe shpërndarje të paligjshme të narkotikëve në Amerikën e Jugut, Turqi, Serbi, Kroaci dhe vende tjera të Evropës Perëndimore”.

 
Lajme Shqip Saturday, 26 January 2013 11:58

Prishtinë – Pjesëtarë të xhandarmërisë serbe kanë kaluar të enjten Portën numër 1 të kufirit Kosovë-Serbi dhe kanë hyrë qindra metra në brendi të territorit  kosovar. Dëshmitarë të rastit i kanë thënë gazetës se ata kanë qëndruar për disa orë në territorin e Kosovës.

Gjatë kohës sa ky njësit elitë i policisë serbe ka qëndruar në territorin e Kosovës, në fshatin Rudar, që gjendet afër Mitrovicës, një grup biznesmenësh serbë kanë bllokuar rrugën magjistrale dhe kanë kërcënuar se do të rrënojnë Portën 1, për shkak të marrëveshjes së dy kryeministrave që të paguhen taksa doganore edhe për mallrat që hyjnë nga portat kufitare që lidhin veriun e Kosovës me Serbinë.

Porta kufitare numër 1, deri para aranzhimit të fundit të pajtuar mes kryeministrave, ka qenë e vendosur në Jarinjë, por për shkak të marrëveshjes është zhvendosur afër portës serbe në fshatin Rudnicë. Megjithatë, sipas dëshmitarëve, të enjten, xhandarmëria pos që ka kaluar portën kosovare, ku kanë qenë të vendosur zyrtarë të institucioneve të Kosovës, ata kanë hyrë thellë në territorin kosovar me justifikimin se po marrin masa që të mbrojnë portën kufitare dhe zyrtarët që kanë qenë aty.(K.N/LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Monday, 16 April 2012 14:00

Beograd- Shefi i Shtatmadhorisë së Ushtrisë së Serbisë Lubisha Dikoviç ka deklaruar se prania e pjesëtarëve të Policisë së Kosovës “në linjën administrative paraqet rrezik për sigurinë”.

“Konsideroj se vetëm KFOR-i mund të garantojë sigurinë në Kosovë, dhe jo të ashtuquajturat organe të Kosovës”, ka thënë Dikoviq për gazetën “Politika”, duke komentuar arrestimin e mëhershëm të dy pjesëtarëve të Policisë së Kosovës nga ana e xhandarmërisë serbe në rajonin e Merdares.

Dikoviç tha se “po duket qartas se Policia e Kosovës, duke rënë ndesh me marrëveshjet dëshiron që hap pas hapi të imponohet si faktor në atë rajon”.

Ai ka vënë në pah se në lidhje me praninë e Policisë së Kosovës, ushtarët serbë lajmërojnë KFOR-in, duke kujtuar se sipas Marrëveshjes Ushtarako-Teknike të Kumanovës, Ushtria Serbe bashkëpunonon me trupat ndërkombëtare të sigurisë, në veçanti me KFOR-in.

Duke u përgjigjur në pyetjet se përse nuk ka reaguar më herët ndaj akuzës së drejtoreshës së Fondit për të Drejtën Humanitare, Natasha Kandiç se nuk ka të kaluar të pastër të luftës, Dikoviç ka shpjeguar se padinë e ka bërë vetë si qytetar, ndërsa sipas tij ka marrë kohë që të përgatitet padia.

Dikoviç ka thënë se nuk dëshiron që t’i japë jehonë tjetër siç ka thënë, “të pavërtetave të Fondit”, duke shtuar se gjykata do të thotë fjalën e saj. Dikoviç gjatë luftës së vitit 1999 ka qenë komandant i njësisë së motorizuar 37 të Rashkës, e cila  ka vepruar në Kosovë, përkatësisht në Drenicë, bëjnë të ditur mediat serbe.

Kandiç, e ka akuzuar Dikoviqin për krime të luftës në Kosovë gjatë luftës në vitet 1998-99. Organizata e saj ka thënë se shumë krime të rënda dhe masive ishin kryer në pjesën qendrore të Kosovës, ku Dikoviç ishte përgjegjës si komandant brigade në vitin 1999.

 
Lajme Shqip Tuesday, 03 April 2012 12:17

Prishtinë – Ish-drejtori i policisë së Kosovës, Behar Selimi thotë se me arrestimin e dy policëve kosovarë është atakuar territori dhe sovraniteti i Kosovës.

Në një intervistë për RTK-në, Selimi tha se është sfiduar sistemi i sigurisë në Kosovë. Madje ai tha se në këtë rast është sfiduar edhe inteligjenca e KFOR-it.

Selimi thekson nevojën e rishikimit të gjithë sistemit të sigurisë dhe sidomos për veriun të përfshihen elementet e ndjeshmërisë, meqë me Serbinë Kosova ka raporte të këqija tha ai. Ai theksoi se akti i arrestimit të policisë duhet të drejtohet në gjykatën ndërkombëtare të Hagës.

“Këtë rast nuk duhet ta heshtim, ky rast ka ndodh dhe nuk bënë ta anashkalojmë në asnjë mënyrë, duhet ta kualifikojmë si akt të agresionit, duhet t’i drejtohemi edhe GJND së Hagës”-tha Selimi.

Selimi thotë se duhet të qartësohen kompetencat për kontrollin e vijës kufitare prej 386 kilometra edhe me Serbinë, në mënyrë që të mbrohet integritetin territorial i Kosovës.

Madje ish drejtori i policisë thotë se tani e tutje institucionet e Kosovës duhet të jenë më të vendosura edhe sa i përket dialogut me Serbinë.

Ai tha gjithashtu se duhet t’i bëhet e qartë edhe Bashkimit Evropian se pavarësisht vullnetit dhe gatishmërisë për bashkëpunim, ekziston një fund me përballjet e veprimeve të rënda dhe të vazhdueshme të Serbisë në raport me Kosovën.

 
Lajme Shqip Tuesday, 03 April 2012 09:49

Prishtinë-NATO deklaron se hetimi për arrestimin e dy policëve të Kosovës nga xhandarmëria serbe u takon autoriteteve të Kosovës dhe EULEX-it. Trupat e NATO’s në Kosovë thonë se ata nuk janë në vijë të parë të hetimit të rastit të së shtunës, kur dy pjesëtarë të Policisë Kufitare u morën nga forcat serbe.

Siç raporton Koha Ditore, Dan Harway, shef i zyrës për media në KFOR’, thotë se hetimi dhe sqarimi i këtij incidenti më shumë është çështje e autoriteteve të Kosovës dhe misionit të EULEX’it.

“Hetimi nuk është çështje e KFOR’it. Pse nuk e pyesni ministrin tuaj (Bajram Rexhepin v.j) i cili e ka thënë këtë”, thotë Harway për Express. Sipas tij, KFOR-i nuk ka thënë asnjëherë se do të hetojë këtë çështje, ngase ata besojnë s kjo është përgjegjësi e EULEX’it dhe vetë Ministrisë së Punëve të Brendshme të Kosovës.

“Ju duhet ta sqaroni këtë me ministrin tuaj të Punëve të Brendshme dhe EULEX’in”, thotë Harëay i cili vë në dyshim edhe diçka tjetër. Rastin e arrestimit të policëve kosovarë nga xhandarmëria serbe, të cilin Ministri Bajram Rexhepi e cilësoi si rrëmbim, del se KFOR-i e shikon nga një kënd tjetër.

“Në lidhje me këtë që thoni ju ne e shikojmë nga një perspektivë tjetër”, thotë zyrtari i KFOR-it në Prishtinë, i cili megjithatë sqaron se tash për tash është herët të flitet për detaje të rastit.

Në fakt, arrestimin e dy policëve të Kosovës nga ana e atyre të Serbisë si rrëmbim nuk e shikon as Brukseli zyrtar. Maja Kocijançiç, zëdhënësja e shefes për politikë të jashtme të BE-së, Catherine Ashton, në një konferencë për media të hënën në Bruksel ka deklaruar se arrestimet e policëve nuk mund të konsiderohen si rrëmbim.

Ndërkohë, Nicolas Hawton, një nga zëdhënësit e EULEX’it, ka thënë për radion “Evropa e Lirë” se pas lirimit të dy policëve kosovarë, ata janë transportuar me një veturë të misionit nga Prokupla për në territorin e Kosovës. Hawton tha se hetimet për rrethanat e arrestimit do të vazhdojnë, por përjashtoi mundësinë që raporti final të jetë publik, duke mos dhënë ndonjë afat kohor se kur kjo mund të përfundojë.

“Rrethanat e arrestimit të tyre janë duke u hetuar. Pjesëtarët e Policisë dhe të KFOR-it kanë qenë në vendin e ngjarjes ku thuhet se është bërë arrestimi. Pra, ka nisur mbledhja e të dhënave për hetimin e këtij rasti. Gjasat janë të ulëta që ky raport të jetë publik. Ky do të jetë një hetim, të cilin e bëjnë policët e prokurorët, ndërsa nuk ka ndonjë afat kohor se sa kohë do të marrë ky hetim”, u shpreh Hawton për të shtuar se lirimi i policëve kosovarë është bërë pas ndërhyrjes së misionit EULEX.

Ndërkaq Ministria e Punëve të Brendshme e Kosovës vlerëson angazhimin dhe përpjekjet e mekanizmave ndërkombëtarë, në veçanti EULEX-in, për lirimin e zyrtarëve policorë të kidnapuar nga ana e xhandarmërisë serbe. “MPB edhe njëherë shpreh bindjen se zyrtarët policorë të kidnapuar tinëzisht nga ana e xhandarmërisë serbe kanë qenë duke patrulluar në zonën e përgjegjësisë së Policisë së Kosovës dhe në asnjë moment nuk kanë tejkaluar zonën e përgjegjësisë së tyre”, thuhet në njoftimin zyrtar.

 

 
Lajme Shqip Tuesday, 03 April 2012 07:00

Prishtinë-Anëtarët e Komisionit Parlamentar për Punë të Brendshme, Siguri dhe Mbikëqyrje të FSK-së dënuan arrestimin e dy pjesëtarëve të Policisë së Kosovës nga ana e Policisë së Republikës së Serbisë, ndërkohë që lidhur më këtë ngjarje kërkuan informata të detajuara nga Ministria kosovare e Punëve të Brendshme.

“Veprimet e Serbisë e kanë dëmtuar imazhin e Republikës së Kosovës. Është cenuar territori i vendit dhe uniforma e shtetit tonë, nga ana e Serbisë. Andaj, ftojmë institucionet tona që të ndërmarrin masa të menjëhershme dhe të mos tolerohen më veprime të tilla”, vlerësuan anëtarët e Komisionit.

Me këtë rast, sipas zyrës së shtypit të Kuvendit kosovar, kryetari i komisionit parlamentar për siguri, Ahmet Isufi, vlerësoi se është obligim i institucioneve  që të mbrojnë territorin e vendit, qytetarët dhe vetveten, si dhe mos të lejojnë që të poshtërohen para veprimeve anti-Kosovë, të cilat po i ndërmerr Serbia.

Më tej, Isufi, këtë akt e konsideroi edhe si cenim të prezencës së Bashkësisë Ndërkombëtare në Kosovë, meqë BE-ja ka marrë obligim që të mbrojë kufijtë e Kosovës.

Anëtari  i komisionit, Fatmir Xhelili, po ashtu ka shfaqur kritikat e tij edhe për KFOR-in, duke shtuar se edhe KFOR-i ka përgjegjësinë për sigurinë e vijës kufitare të Kosovës në drejtim të Serbisë.

 
Lajme Shqip Monday, 02 April 2012 23:26

Bruksel – Maja Kocijançiq, zëdhënësja e shefes për politikë të jashtme të BE-së, Catherine Ashton, në një konferencë për media në Bruksel citohet të ketë thënë se arrestimet e policëve nuk mund të konsiderohen si kidnapim- raporton B92.

Kocijançiq ka ftuar Beogradin dhe Prishtinën që të zgjidhin problemin e tyre përmes dialogut, e jo përmes zbatimit selektiv të ligjit.

Autoritetet kosovare e kanë quajtur si kidnapim arrestimin e pjesëtarëve të Policisë së Kosovës, duke e konsideruar si sulm mbi integritetin institucional e territorial të Republikës së Kosovës.

 
Lajme Shqip Monday, 02 April 2012 23:01

Prishtinë-Ministria e Punëve të Brendshme e Republikës së Kosovës vlerëson angazhimin dhe përpjekjet e mekanizmave ndërkombëtarë, në veçanti EULEX-in, për lirimin e zyrtarëve policorë të rrëmbyer nga ana e xhandarmërisë serbe, më 31 mars 2012.

Ministria e Punëve të Brendshme, në një deklaratë të bërë pak më parë, shpreh bindjen se zyrtarët policorë të rrëmbyer tinëzisht nga ana e xhandarmërisë serbe kanë qenë duke patrulluar në zonën e përgjegjësisë së Policisë së Kosovës dhe në asnjë moment nuk kanë tejkaluar zonën e përgjegjësisë së tyre.

“Ne besojmë se KFOR-i dhe EULEX-i bashkërisht do të konstatojnë këtë fakt dhe do të vërtetohet se zyrtarët e Policisë së Kosovës kanë patrulluar brenda juridiksionit të Republikës së Kosovës”, theksohet në deklaratë.

Ministria e Punëve të Brendshme inkurajon të gjithë zyrtarët e Policisë së Kosovës të vazhdojnë kryerjen e detyrave të tyre  sipas mandatit, në mbrojtje të integritetit territorial dhe në ruajtje të rendit dhe ligjit sipas Kushtetutës së Republikës së Kosovës.

 
Lajme Shqip Monday, 02 April 2012 19:26

Beograd-Ministri i Brendshëm serb, Ivica Daçic saktësoi se dy pjesëtarët e Policisë së Kosovës u dëgjuan sot në gjykatë dhe shtoi se kundër tyre do të ngrihet padi.

Daçic theksoi se është njoftuar me deklaratat e ministrit të brendshëm kosovar Bajram Rexhepi dhe presidentes Jahjaga që policët e arrestuar ishin në detyrë. Daçic ngriti pyetjen se me çfarë detyre paskan qenë ata policë në territorin e Serbisë qendrore.

“Ata u arrestuan sepse kishin armë dhe në uniforma, ishin në territorin e Serbisë qendrore. Nuk dua të hyj në detaje në cështje si, nëse ata ishin qëllimisht apo gabimisht në Serbi, dhe e përsëris që policia serbe vetëm sa kreu punën e saj”, tha ai.

“Nuk kemi ndërmend t’i ashpërsojmë raportet mes dy vendeve”, tha Daçic duke theksuar se për të është me rëndësi që policët të procedohen me padi penale.
“Duke marrë parasysh se policët u liruan pasi u arrestuan në Serbi, nuk kemi asgjë kundër që në këtë rast gjykata ta kryej punën e vet”, tha ai.

12