Lajme Shqip Sunday, 12 May 2013 19:28

 

Ish-komandanti i Ushtrisë Çlirimtare për Preshevë, Medvegjë e Bujanovc ka përfituar nga një vendim i Komunës së Gjilanit që ishte në mospërputhje me ligjin. 

Kuvendi komunal në mbledhjen e mbajtur më 6 prill të vitit 2012 kishte vendosur që t`i japë në shfrytëzim pronë komunale Shefket Musliut.

“Kjo pronë i jepet në shfrytëzim qytetarit Shefket Musliu nga Konquli, tani banor në Gjilan, me qëllim të ndërtimit të objektit individual për banim”, thuhet në vendim. 

 

Parcela me sipërfaqe prej 370 metrash katrorë e cila iu nda Musliut ndodhet në vendin e quajtur “Arat e Muslive”, zona kadastrale Gjilan, pasuri e komunës.

Gazeta Jeta në Kosovë raportoi se Musliu kishte nisur ndërtimin e shtëpisë aty para se komuna të vendoste zyrtarisht për dhënien në shfrytëzim të kësaj parcele. 

 
Lajme Shqip Tuesday, 09 April 2013 20:22

Preshevë – Përmes një letre dërguar medieve, Këshilli Kombëtar Shqiptar, nënshkruar nga kryetari Galip Beqiri, i drejtohet kryeministrit të Kosovës Hashim Thaçi se Lugina e Preshevës i ka përcjellë me shumë interes bisedat e Kosovës me Serbinë .

“Duke pasur parasysh, vazhdon letra, se Beogradi ka refuzuar marrëveshjen për normalizim të marrëdhënieve Beograd-Prishtinë, Këshilli Kombëtar Shqiptarë shpreh shqetësime të thella për evoluimin e ngjarjeve në rajon e posaçërisht në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë, si një hapësirë reflektimi ngjarjesh që kanë ndodhur edhe në të kaluarën.

Deklaratat e Kryeministrit të Serbisë, Ivica Daçiq, që ka vlerësuar se Prishtina dhe Beogradi me lehtësi do të mund të pajtoheshin për këmbim territoresh, që do të thoshte këmbimin e veriut të Kosovës me Luginën e Preshevës, e cila është e banuar kryesisht me shqiptarë(intervistë për Frankfurter Allgemeine Zeitung).

Këshilli Kombëtar Shqiptar kërkon me urgjencë që të gjitha institucionet e Kosovës të jenë më pro aktive në mbrojtjet e të drejtave të shqiptarëve edhe ashtu të pambrojtur, dhe të marrin me seriozitet kërkesat e shqiptarëve të Luginës së Preshevës për reciprocitet të nënvizuara nga Kuvendi Këshilltarëve Shqiptar si në Platformën politike të 14 janarit 2006 ashtu edhe në Deklaratën e miratuar së fundmi.

Zgjidhjet e ofruara në Bruksel për asociacionin e komunave serbe në Kosovë të jetë njëkohësisht edhe zgjidhje për Luginën e Preshevës, pasur parasysh kompetencat në fushat me rëndësi jetike si në arsim, kulturë, shëndetësi, planifikim hapësinor dhe ato kompetenca për vetëqeverisje në fusha tjera të caktuara në ruajtjen dhe avancimin e identitetit kombëtarë dhe realizimin e të drejtave individuale dhe kolektive”, përfundon letra e KKSH – së drejtuar kryeministrit Thaçi. (LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Friday, 05 April 2013 18:20

PRESHEVË– Shqiptarët e Luginës së Preshevës do të ndërtojnë një memorial gjigant, kushtuar luftëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit në fshatin Rohovicë.

Memoriali do të kushtojë 100 000 euro dhe kompleksi memorial do jetë rreth 3 000 metra katrorë.

Memoriali do ndërtohet në fshatin Rohovicë të Preshevës, vendi i një prej përplasjeve më të ashpra mes ushtrisë serbe dhe Ushtrisë Çlirimtare të Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit.

Autoritetet lokale thonë se kompleksi do ketë në qendër një monument 16 metra të lartë, se fshatarët kanë ofruar tokën, ndërsa shqiptarë të pasur kanë dhuruar paratë. Një monument për heronjtë shqiptarë të kësaj lufte u bë shkak për përplasje mes autoriteteve serbe dhe shqiptarëve.(B.W/LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Saturday, 09 March 2013 14:48

Preshevë – Sot në Preshevë mbahet mbledhja e këshilltarëve komunalë shqiptarë nga komunat Preshevë, Bujanoc e Medvegjë.

Sipas informatave që i transmeton B92, shqiptarët do t’i bëjnë kërkesë Serbisë që sipas modelit të veriut të Kosovës, në Serbi të formohet bashkësia e komunave shqiptare.

Kjo kërkesë do të bëhet nga 74 këshilltarë komunalë shqiptarë të këtyre tri komunave në Luginën e Preshevës.

Agjencia serbe B92 raporton se kryetari i komunës së Preshevës dhe kryetari i Partisë Demokratike të Shqiptarëve Ragmi Mustafa, nuk ka dashur të tregojë pse do të mblidhen këshilltarë komunalë

“Ne në mbledhje do të ofrojmë një dokument që do të jetë platformë jona në marrëveshjet e ardhshme ndërmjet Beogradit dhe shqiptarëve të Luginës së Preshevës”, ka thënë shkurt  Mustafa.

Ngjashëm është përgjigjur edhe Skender Destani, lider i Unionit Demokratik të Preshevës duke theksuar se me këtë dokument shqiptarët to t’i përgjigjen ofertës së Beogradit për normalizimin e marrëdhënieve që ua ka dorëzuar Trupi Koordinues për këto tri komuna.

Më 25 shkurt në zyrën e OSBE-së në Bujanoc ka filluar dialogu i Beogradit me liderët të partive politike shqiptare në Luginë.

Pala shqiptare me këtë rast u ka dorëzuar subjekteve ndërkombëtare një letër me tetë kërkesa.(LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Friday, 08 February 2013 15:13

Shkup – Disa qindra qytetarë kanë marrë pjesë në protestën e organizuar përpara Ambasadës së Serbisë në Shkup, prej ku është shprehur revolta për mënyrën e trajtimit të shqiptarëve të Luginës së Preshevës nga ana e institucioneve serbe.

Në ballë të protestuesve kanë qëndruar kryetari i SHVL-UÇK-së, Fazli Veliu, kryetari i OVL-UÇK-së, Besim Hoda, si dhe përfaqësuesit e Unionit Studentor të USHT-së.

Ambasada e Serbisë ka qenë e “blinduar” me policë, ndërsa kordoni ishte vënë në 300 metra largësi nga objekti.

Protestuesit kanë kërkuar rishikimin e vendimit për heqjen e lapidarit të UÇPMB-së, duke e quajtur antishqiptar dhe millosheviçian.(LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Wednesday, 06 February 2013 17:45

Shkup – Shoqatat e veteranëve të luftës së UÇK-së dhe Unioni i Studentëve të USHT-së të premten do të protestojnë para ambasadës së Serbisë në Shkup, njofton INA.

Protesta organizohet dhe përkrahet nga Unioni i Studentëve të USHT-së,  Organizta e Veteranëve të Luftës së UÇK-së, Shoqata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së  si dhe Shoqata e të Burgosurve Politik Shqiptar në Maqedoni.

Kryetari  i Shoqatës së ish të Burgosurve dhe Përndjekurve politik shqiptar në Maqedoni, Shpëtim Pollozhani deklaroi se qëllimi i kësaj proteste është kundërshtimi i politikës diskriminuese që shteti serb ka ndaj shqiptarëve, konkretisht ndaj atyre në Luginën e Preshevës, Medvegjë dhe Bujanoc.

Ndërkaq, kreu i SHVL-së së UÇK-së, Fazli Veliu ka deklaruar se qeveria e Serbisë po terrorizon shqiptarët në Luginë të Preshëves.

“Ne shqiptarët vendorë në IRJM, të indinjuar nga veprimet anti-UÇK-së dhe antishqiptare të institucioneve shtetërore e qeveritare të Serbisë, në Preshevë, duke hequr Emblemën e UÇPMB-së dhe duke tmerruar popullatën shqiptare atje, të organizuar dalim në mbrojtje të vlerave të UÇPMB-së dhe të popullatës së pambrojtur në viset stërgjyshore shqiptare”, ka deklaruar kreu i SHVL-së së UÇK-së, Fazli Veliu.

Protesta vjen në shenjë solidariteti ndaj shqiptarëve të Luginës së Preshevës, pas heqjes  me forcë të Memorialit për luftëtarët e UÇPMB-së në qendër të Preshevës si dhe pas arrestimeve të fundit të shqiptarëve dhe situatës së tensionuar të krijuar atje.(INA/LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Friday, 01 February 2013 12:42

Bujanoc (PLOTESUAR)- Mijëra shqiptarë të Luginës së Preshevës protestuan sot në Bujanoc kundër vendosjes së një përmendoreje të xhandarmerisë serbe në fshatin Lluçan të kësaj komune.

Protestuaeit kërkuan kthimin në Preshevë të  lapidarit në Preshevë, të hequr nga xhandarmeria serbe, dhe shfaqën kundërshtimin ndaj vendosjes së përmendores në fshatin Lluçan.

Heqja e kësaj përmendorejeve provokative është kërkuar edhe nga përfaqësuesi i lartë i OSBE-së për pakicat kombëtare, Knut Volebek, i cili qëndroi në komunën e Bujanocit.

************************************************************

Bujanoc –  Në Bujanovc sot është paralajmëruar të mbahet një protestë kundër memorialit të xhandarmerisë serbe, të ngritur mbi fshatin Lluçan.

Përfaqësuesit politikë shqiptarë kanë ftuar popullatën shqiptare të Luginës që të marrin pjesë masivisht në protestën gjithëpopullore.

Protesta organizohet nga të gjitha subjektet politike dhe mbahet në qendër të Bujanovcit.(K.N/LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Wednesday, 30 January 2013 17:25

TIRANË – Kryeministri Sali Berisha reagoi sot pas deklarateve të kryeministrit të Serbisë, Ivica Daçiç për heqjen e përmendores së heronjve të Preshevës.

Sipas Berishës, krahasimi i Daçiç për shqiptarët me terroristët e Al Qaeda-s është një shprehje e radhës e albanofobisë pa të ardhme që dominon në Beograd.

Reagimi është bërë në profilin e kryeministrit në FB, ku Berisha thekson se ata ranë për lirinë e shqiptarëve të Luginës se Preshevës.

“Pyetjes për arsyet e heqjes së përmendores së heronjve të Preshevës, kryeministri i Serbisë iu përgjigj në Shkup se ata ishin terroriste dhe shtroi pyetjen retorike: “A do të lejonin SHBA-të të vendosej në New York një përmendore e terroristeve të Al Qaeda-s?”

Luftëtaret e lirisë ranë për lirine e qytetareve shqiptare të Luginës së Preshevës që perjetonin shtypjen më të egër nga rregjimi i Milloshevicit. Ata me luftën e tyre të drejtë imponuan një marreveshje me ndermjetësim ndërkombëtar me autoritetet e Beogradit për më shume liri, të drejta dhe autonomi për shqiptaret e Luginës së Preshevës, si dhe shpejtuan fundin e regjimit të Milloshevicit dhe në një farë mënyrë edhe clirimin e popullit serb nga rregjimi i tij. Krahasimi i tyre me terroristët e Al Qaeda-s është një shprehje e rradhës e albanofobisë pa të ardhme që dominon ne Beograd. Të rënët tanë nuk vdesin kurrë! – sb”, shkruan Berisha në ‘Facebook’.(LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Tuesday, 29 January 2013 17:05

Nju Jork – Qindra shqiptarë protestuan para selisë së Kombeve të Bashkuara në Nju Jork kundër represionit dhe diskriminimit të shqiptarëve në Luginën e Preshevës.

Protestuesit kërkuan që shqiptarëve të Luginës ti garantohet të drejtat e njëjta me ato të pakicës serbe në veriun e Kosovës dhe se autoritetet serbe të kthejnë lapidarin e UÇPMB-së në sheshin e Preshevës, aty ku më 20 janar u hoq dhunshëm nga xhandarmeria serbe.

Nismëtarë të protestës ishin një grup intelektualësh shqiptarë të Luginës së Preshevës, të mbështetur nga shoqatat e komunitetit shqiptar zonën e ashtuquajtur e “Tri-Shteteve”.

Protesta është zhvilluar në periudhën kohore kur para sheshit të OKB-së ditën e hënë kalojnë edhe ambasadorët e të gjitha vendeve anëtare të OKB-së, mes tyre dhe ish Ministri i Jashtëm serb, Vuk Jeremiç, që mban detyrën e presidentit të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së.

Organizatorët me këtë rast lëshuan një Memorandum special lidhur me gjendjen e shqiptarëve në Luginën e Preshevës dhe represionin serb në këtë trevë, i cili sipas organizatorit iu drejtua Kombeve të Bashkuara dhe Administratës amerikane, Senatit dhe Kongresit në Uashington, organizatave ndërkombëtare prestigjoze për Liritë e të Drejtat e Njeriut, në Nju Jork.

Në Memorandum ndër të tjera thuhej se shqiptaro-amerikanët janë thellësisht të shqetësuar për keqësimin e gjendjes së të drejtave të njeriut dhe rritjen e tensioneve në Luginën e Preshevës.

Memorandumi i referohet heqjes nga qendra e Preshevës të një përmendoreje të ngritur në përkujtim të veteranëve të Ushtrisë Çlirimtare të Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit. Më tej në të, thuhet se qeveria e Serbisë përdori forcën duke e hequr përmendoren, në vend që të ndërtonte ura me komunitetin shqiptar të Luginës.

Në protestë ishin të pranishëm edhe përfaqësuesit e shtetit të Kosovës, konsulli Fatmir Zajmi dhe Konsulli i Përgjithshëm i Shqipërisë në Nju Jork, Dritan Mishto. Në protestë foli edhe drejtori ekzekutiv i NAAC, Avni Mustafaj, i cili theksoi se pa realizmin e të drejtave të shqiptarëve në Luginën e Preshevës, Serbia e ka të “mbyllur” rrugën e saj për në BE.

Shaban Mehmeti, një nga organizatorët e protestës theksoi se tensionet e fundit në Preshevë rreth lapidarit janë vetëm një segment i kompleksit të problemeve të rënda jetësore që janë pasojë e statusit të pazgjidhur politik të shqiptarëve në Luginën të Preshevës. Sipas tij, në Luginën e Preshevës nuk u realizua Marrëveshja e Konçulit 2001, nuk u përmirësua gjendja social – ekonomike e shqiptarëve me një papunësi prej 70 për qind si dhe nuk ka pasur integrim të shqiptarëve në administratën shtetërore.

Mehmeti theksoi se nga represioni dhe diskriminimi i ashpër i shqiptarëve nga ky rajon janë dëbuar dhe larguar më shumë se 10 mijë shqiptarë, që nuk janë kthyer në vatrat e tyre. Në këtë protestë folën edhe aktivistë dhe personalitete tjera shqiptaro – amerikane nga “Vatra” dhe shoqata tjera, ndërsa një mirënjohje nga organizatorët u shpreh për veprimtarin shqiptarë Ylber Pilku nga Dibra, i cili i dha mbështetje teknike protestës. (B.Sina/INA/LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Tuesday, 29 January 2013 15:26

Bujanoc –  Në fund të vitit 2012 në Lluçan, fshat i banuar me shqiptarë, përkatësisht në tokën  shqiptare, pushteti serb, nën mbrojtjen e hekurt të xhandarmerisë, ndërtoi përmendoren e policëve serbë të rënë gjatë luftës mbrojtëse të UÇPMB-së në vitin 2000/2001.

Ky lapidar, njëherit është edhe një provokim i radhës për shqiptarët që janë duke jetuar atje, sepse me këtë ata dëshirojnë të bëjnë presion e të frikësojnë popullin shqiptar që të shpërngulet sa më parë nga trojet e veta, raporton portali ‘Presheva’.

“Vatra” dhe i gjithë populli shqiptar i Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit kërkojnë që ky lapidar me kryqin orthodoks, me fotot e policëve vrasës e me hartën e Serbisë së Madhe të vendoset atje ku nuk atakon ndjenjat e shqiptarëve.(K.N/LajmeShqip.com)