Lajme Shqip Sunday, 24 November 2013 00:10

Një bandë e krijuar nga 7 të burgosur që u arratisën mbrëmjen e së shtunës nga burgu i sigurisë së lartë në Drenovë të Korcës, është shfaqur në hyrje të qytetit të Pogradecit. 

Të gjithë të burgosurit janë të armatosur dhe mësohet se ata në mënyrë të organizuar kanë sulmuar rojet e burgut, disa burime përmendin ekzistencën e armëve, pasi kanë neutralizuar rojet të burgosurit kanë dalë jashtë rrethimit duke u larguar në errësirë. 

Autoritetet e burgut kanë dhënë alarmin dhe policia ka nisur në gjithë zonën një operacion kërkimi, nën masa të rrepta për shkak se ata janë të armatosur. 

Pak kohë më vonë nga arratisja, një patrullë policie në hyrje të qytetit të Pogradecit është kërcënuar nga persona me armë që mendohet se janë të burgosurit në arrati. 

Të arratisurit janë Admir Bahri Tafili, lindur në 1975, në Shkodër, Fran Pal Marashi, lindur në vitin 1978, lindur në Shkodër, Gëzim Gjergj Guri, lindur në vitin 1977, banues në Vaun e Dejës. Gëzim Ndue Toma, lindur ne vitin 1982, në Dibër Reiz Namik Haxhiraj, lindur ne 1971, banues në Selenicë të Vlorës, Eduard Kujtim Lula, lindur ne vitin 1982, banues në Përmet dhe Artur Demir Gora, lindur ne vitin 1969, banues në Pojan të Korçës. 

Ky i fundit është arrestuar nga policia në aksin rrugor drejt Kapshtices ku ishte duke lëvizur me taksi.

Pjesa më e madhe e të arratisurve të tjerë janë të dënuar me burgim të përjetshëm për vrasje. Admir Tafili është emër i njohur për arratisjen e tij më herët dhe kapjen në Tiranë.

Tafili akuzohet se ka vrarë vëllezërit e ish-shefit të Krimeve të Shkodrës. Edhe Gëzim Guri është dënuar me burg përjetë për vrasje dhe në vitin 2011 tentoi arratisjen nga burgu i Fushë-Krujës. 

Fran Marashi është një nga të dënuarit me burgim të përjetshëm për vrasje të katër policëve në Urën Vajgurore, plagosje, pjesëmarrje në banda edhe ai ka tentuar më herët arratisje. 

Për policinë i gjithë grupi janë persona shumë të rrezikshëm, të dhunshëm dhe me armë. Ata po udhëtojnë me një automjet dhe dyshimet e para janë se arratisja është planifikuar duke futur më herët armë në burg e më pas me to është bërë çarmatosja e rojeve të burgut. 

Pas daljes nga rrethimi ata kanë qëlluar në ajër e kanë vijuar të largohen me një automjet, që mendohet se i përket kryeplakut të fshatit Qatrom.

Policia ka nisur një operacion në shkallë të gjerë dhe në drejtim të jug-lindjes janë nisur edhe Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë dhe RENEA-s me synim kapjen e të arratisurve. 

Janë njoftuar dhe në vënë në lëvizje edhe policisë e vendeve fqinje, Maqedoni dhe Greqi. Është ngritur një shtab emergjence, ndërkohë që Ministria e Brendshme bën thirrje për kujdes sepse ata janë të armatosur dhe kërkon që cdokush që i shikon të njoftojë në numrin 129.

/ Top Channel/