Lajme Shqip Sunday, 01 December 2013 13:58

Korçë- Gjykata e Korçës ka dhënë sot masën e sigurisë “arrest nëburg” për Albert Tomorrin, përgjegjësin e grupit të gatshëm brenda burgut të Drenovës. Tomorri akuzohet se ka futur telefona celularë brenda burgut të Drenovës, telefona të cilët u morën më pas nga 7 të arratisurit.

Disa ditë më parë, Gjykata e Korçës ka dhënë masën e sigurisë “arrest në burg” për 19 gardianët e burgut të sigurisë së lartë të Drenovës, pasi akuzohen se kanë shkelur skemën së sigurisë dhe rregullores, gjë e cila favorizoi arratisjen e shtatë të dënuarve, raporton albeu.

Ndërkohë, është vendosur “Detyrim paraqitje”, edhe për Luljeta Dvorani dhe Suzana Sejdarasin, me detyrë operatore.

 
Lajme Shqip Thursday, 28 November 2013 12:02

Policia greke ka arrestuar edhe të burgosurin e fundit, Reiz Haxhirajn, i cili ishte arratisur nga  burgu i Drenovës. Reiz Haxhiraj u kap pak minuta më parë në Kostur të Greqisë. Më herrët policia greke lajmëroi se kishte arrestuar Eduard Lulon. Policia e shtetit fqinj bën të ditur se, Lulo nuk ka qenë i armatosur në momentin kur u arrestua. 

Dje policia helene bëri të ditur se kishte lokalizuar tre të arratisurit në disa stane në tokën greke, ndërsa ka bërë dhe arrestimin edhe të njërit prej tyre, përkatësisht të Gëzim Tomës. Toma u arrestua në fshatin grek pranë kufirit me Shqipërinë, Elaptora. Ai ishte së bashku me dy të arratisurit e tjerë, të cilët kanë mundur t’i shpëtojnë policisë helene. 

Gjatë natës kanë vijuar kërkimet për Reiz Haxhirajn dhe Eduard Lulon, të cilët sipas policisë greke dyshohet të ishin armatosur, pasi Tomës në momentin e ndalimit i është sekuestruar një armë automatik. Kërkimet për të po vijojnë në malet e Kosturit.

Por, nga ana tjetër policia shqiptare dyshonte se, Haxhiraj kishe hyrë sërish në territorin shqiptar dhe fshihet në fshatin Arëz të Korçës. 

Të shtunën 7 të dënuar u arratisën nga burgu i sigurisë së lartë në Drenovë, pasi kërcënuan me jetë gardianët. Ndërkohë, nga aksioni për kapjen e tyre policia ka mundur të arrestojë katër nga të arratisurit, mes të cilëve edhe organizatorin e arratisjes Admir Tafilin, për të cilët vetëm një ditë më parë u dha dhe masa e sigurisë burg pa afat nga gjykata e Korçës.

 

Detaje nga operacioni i policisë greke 

 

Policia greke zbardh detaje të reja rreth operacionit policor që bëri të mundur arrestimin e dy prej të arratisurve të Drenovës, operacion i cili duket se nuk ka qenë rastësor. Policia greke bën me dije se të arratisurit ishin pikasur dy ditë më parë përmes kamerave termike.

Pas kësaj ata kishin ngritur postbllok në Gramo të Kosturit, ndërkohë që vetëm gjatë ditës së djeshme dhe të sotme janë vënë në veprim.

Gjatë aksionit të djeshëm ku u arrestua Gëzim Toma, pikërisht midis fshatit Pefkofto dhe Krisi, 35 km larg kufirit, ka pasur shkëmbim zjarri mes forcave të policisë dhe tre të arratisurve, ku dyshohet se njëri prej dy të dënuarve që mundën t’i shpëtojnë arrestimit të jetë plagosur gjatë përleshjeve. Por sot policia bën të ditur se Eduard Lulo është aratuar i paarmatosur.

 

Rama: Policia po kthehet në krye të detyrës

 

I menjëhershëm ka qenë reagimi i kryeministrit Edi Rama për kapjen e të shtatë të burgosurve, të cilët u arratisën nga burgu i sigurisë së lartë. Rama ka përgëzuar ministrin Tahiri edhe Policinë e Shtetit, duke shtuar se, “policia po kthehet në krye të detyrës”. 

“U krye!Përgëzime Saimir Tahirit e Policisë së Shtetit që në më pak se 7 ditë rikthyen prapa hekurave të 7 kriminelët e arratisur nga burgu. Faleminderit çdo polici të përfshirë në këtë operacion special e posaçërisht forcave të RENEA-s! Policia jonë po kthehet në krye të detyrës. I shkëlqyer dhe bashkërendimi ditë-natë me policinë greke për 3 të arratisurit e fundit. Është veç fillimi i mbarë drejt fitores mbi krimin”, shkruan Rama në FB./shekulli/ 

 

 
Lajme Shqip Wednesday, 27 November 2013 23:35

Pas 4 ditësh “liri” dhe kërkime intensive nga policia e Korçës e mbështetur edhe nga forcat speciale dhe ato RENEA lokalizohen nga policia greke 3 të arratisurit nga burgu i Drenovës.

Tre të arratisurit kanë qenë në disa stane në tokën greke, ndërsa ka bërë dhe arrestimin e njërit prej tyre, përkatësisht të Gëzim Tomës.

Toma u arrestua në fshatin grek Elaptora pranë kufirit me Shqipërinë. Sipas Ta Nea-s, ai ishte së bashku me dy të arratisurit e tjerë, por pasi i plagos u arrestua nga policiandërkohë dy të tjerët, Reiz Haxhiraj dhe Eduard Lulo kanë mundur t’i shpëtojnë policise greke.

Policia po vazhdon kërkimet për Haxhirajn dhe Lulon, të cilët sipas policisëgreke dyshohet të jenë të armatosur, pasi Tomës në momentin e ndalimit i është sekuestruar një armë automatik. Kërkimet për ta po vijojnë në malet e Kosturit.

Kater dite me pare 7 të dënuar u arratisën nga burgu i sigurisë së lartë në Drenovë pasi kërcënuan me jetë gardianët.

I pari u arrestua Artur Gora pak orë pas arratisjes në Korçë, teksa udhëtonte me një taksi drejt fshatit Pojan, ku banon familja e tij. Admir Tafili, Fran Marashi dhe Gezim Guri, janë arrestuar një ditë më vonë, rreth orës 13:00 të së dielës në një magazinë në periferi të Prrenjasit. /albeu/

 
Lajme Shqip Wednesday, 27 November 2013 13:23

Tiranë- Për pesë ditë me radhë policia e Korçës, e mbështetur edhe nga forcat speciale dhe ato RENEA, vijon kërkimet për kapjen e tre të arratisurve nga burgu i Drenovës.

Policia e Korçës dyshon se tre të arratisurit, Reiz Haxhiraj, Gëzim Toma dhe Eduard Lulo, mund të jenë fshehur në stanet greke. Kërkimet gjithashtu janë përqendruar në zonën kufitare të Dardhës e Devollit.

Ndërkohë sot pritet të jepet masa e sigurisë për 21 punonjësit e burgut të Drenovës. 21 punonjësit, mes tyre edhe dy gardianë, u arrestuan pas arratisjes së shtatë të dënuarve me akuzën e shpërdorimit të detyrës.

 

Arrestimi i 3 të arratisurve

Admir Tafili, Gëzim Guri dhe Fran Marashi u arrestuan në një magazinë të vjetër në qytetin e Përrenjasit, pasi u arratisën së bashku me katër të dënuar të tjerë nga burgu i Drenovës. Ndërsa Artur Gora u arrestua në fshatin Dishnicë, teksa po përpiqej të shkonte në shtëpinë e tij në Pojan të Korçës, pas arratisjes nga burgu mbrëmjen e 23 nëntorit.

Masa e arrestit për 4 të arratisurit dhe 3 ndihmësit e tyre

Gjykata e faktit në Korçë ka lënë dje në burg katër të arratisurit nga burgu i sigurisë së lartë në Drenovë. Kështu Admir Tafili, Fran Marashi, Gëzim Guri dhe Artur Gora si dhe tre bashkëpunëtorët e tyre Olsion Maçi, Albi Meçini dhe Ervis Lami iu dha masa e arrestit “burg”.

Në seancën e zhvilluar me dyer të mbyllura, mësohet se Tafili ka pranuar se ka qenë organizatori i arratisjes se bujshme nga burgu i Drenovës. Shkak për arratisjen, sipas tij, është bërë gjykimi i padrejtë ndaj tij.

“S’donim të vrisnim askënd. Gardianët na i hapën vetë dyert, por nuk kishim për qëllim të vrisnim njeri. Arratisjen e kam menduar unë në shenjë proteste për padrejtësitë që më janë bërë”. Këto kanë qenë fjalët e Admir Tafilit në sallën e gjyqit. I dënuari i përjetshëm, Tafili nuk ka pranuar të nisë rrëfimin pa hyrë në sallën e gjyqit avokati i tij, Baftjar Rusi

I dënuari Fran Marashi ka pohuar në gjykatë se kërkon që dosja e tij të rihapet për hetim, ndërsa Gëzim Guri ka thënë se nuk ka qenë pjesë e arratisjes dhe se e kishte mësuar planin vetëm në momentin e fundit.

Gjykata e faktit në Korçë ka dhënë masën e sigurisë “arrest me burg” edhe për tre personat të cilët ndihmuan nga jashtë për arratinë e shtatë të dënuarve. Konkretisht bëhet fjalë për shtetasit: Ervis Lami, Olsian Maçi dhe Albi Meçani, të cilët akuzohen për armëmbajtje pa leje dhe largimin e të dënuarve nga vendi i dënimit.

 
Lajme Shqip Tuesday, 26 November 2013 17:42

Korçë- Tre prej të arratisurve nga burgu i Drenovës, që u kapën të dielën në një magazinë në Prrenjas, kanë mbërritur pasditen e sotme në Gjykatën e Korçës, për tu njohur me masën e sigurisë. 

Admir Tafili, Fran Marashi dhe Gëzim Guri kanë mbërritur në gjykatë nën masa të forta sigurie, madje edhe të lidhur këmbë e duar me zinxhirë. Seanca gjyqësore ndaj 3 të arratisurve po vijon me dyer të mbyllura. 

Ndërkohë në një tjetër sallë të Gjykatës është zhvilluar seanca gjyqësore ndaj të arratisurit tjetër Artur Gora, për të cilin u vendos masa e sigurisë arrest me burg. 

Admir Tafili, Fran Pal Marashi, Gëzim Gjergj Guri, Gëzim Ndue Toma, Reiz Namik Haxhiraj, Eduard Kujtim Lula dhe Artur Demir Gora nën kërcënimin e armëve çarmatosën gardianët, qëlluan me breshëri kallashnikovi për mosafrimin e rojeve dhe më pas ikën nga Burgu i Drenovës, mbrëmjen e së shtunës. 

Tre të arratisurit, Admir Tafili, Fran Marashi dhe Gezim Guri, janë arrestuar rreth orës 13:00 të së dielës në një magazinë në periferi të Prrenjasit. Pas sinjalizimit të banorëve të zonës, të cilët kishin dëgjuar të shtëna me armë në brendësi të magazinës, policia dhe forcat RENEA rrethuan zonën, duke bërë të mundur arrestimin e tyre. 

I dënuari Artur Gora u arrestua pak orë pas arratisjes në Korçë, teksa udhëtonte me një taksi drejt fshatit Pojan, ku banon familja e tij. Gora deklaroi se nuk kishte qenë pjesë e planit të arratisjes, por kishte përfituar për të dalë nga burgu për të vizituar nënën e tij të sëmurë. 

Ndërkohë policia po vijon kërkimet për kapjen e tre të arratisurve të tjerë, Gëzim Ndue Toma, Reiz Namik Haxhiraj dhe Eduard Kujtim Lula. 

MASAT E SIGURISE PER BASHKËPUNËTORËT 

Gjykata e Korçës ka dhënë sot masën e sigurisë edhe për 3 personat që akuzohen se kanë ndihmuar të dënuarit të arratisen nga burgu i sigurisë së lartë në Drenovë. Gjykata ka vendosur masën burg pa afat për Albi Maçinin dhe Olsian Maçin, ndërsa për 19-vjeçarin Ervis Lami u vendos masa arrest me burg. 

Albi Maçini dhe Olsian Maçi u arrestuan në Elbasan pak orë pas arratisjes së 7 të dënuarve nga burgu i Drenovës. Ata udhëtonin me makinën e një prej shokëve të Admir Tafilit, me të cilën dyshohet se janë transportuar të dënuarit për tu larguar nga Korça. Ndërkohë 19-vjeçari nga Kamza Ervis Lami, i cili ka qenë shok burgu me Tafilin, akuzohet se ka hedhur një granatë pranë komisariatit të Korçës, për të larguar vëmendjen e efektivëve nga arratisja që po ndodhte në Drenovë. /ballkanweb/ 

 
Lajme Shqip Tuesday, 26 November 2013 13:37

Tiranë- Gëzim Toma, Eduard Lulo dhe Reiz Haxhiraj, tre të dënuarit të cilët u arratisën nga burgu i Drenovës mbrëmjen e 23 nëntorit dyshohet se kanë kaluar në tokën greke.

Policia e Korçës dhe forcat speciale rinisën mëngjesin e sotëm kërkimet për tre të arratisurit në zonën e Dardhës në Korçë dhe në rrethin e Devollit, pasi dyshohej se të arratisurit kishin vjedhur 3 mushka në fshatin Arrëz, komuna Dardhë me të cilën mendohej se mund të kenë kaluar kufirin për në shtetin grek. Kërkimet u zhvilluan edhe në rrethin e Devollit pranë zonës kufitare me Greqinë, ku policia ka gjetur gjurmë që më pas janë zhdukur.

Rreth orës 11:00 Korrespondentja jonë nga Korça Lediona Xheladinaj thotë se policia ka dyshime se tre të arratisurit mund të kenë kaluar në tokën greke.

Të arratisurit dyshohet se kanë kaluar kufirin nga fshati Dardhë.

Policia shqiptare mbështet këtë tezë në gjetjen e 3 mushkave të cilat ishin vjedhur në fshatin Arrëz, në tokën greke.  Nga ana e saj  Policia greke ka njoftuar palën shqiptare për gjetjen e 3 mushkave në tokën e tyre, por ka shtuar se është e pamundur që të arratisurit të kenë kaluar kufirin, pasi ka numër të madh forcash policie në gadishmëri.

Burime nga policia shqiptare bën të ditur se ekziston dhe mundësia që këto 3 mushka të mos jenë përdorur nga të arratisurit dhe këta të fundit të mos kenë kaluar kufirin, prandaj  kërkimet vazhdojnë ndonëse janë të vështira për shkak të kushteve të vështira atmosferike, mjegullë dhe borë. /shqiptarja/ 

 
Lajme Shqip Tuesday, 26 November 2013 00:00

Tiranë- Policia vijon aksionin për kapjen e tre të arratisurve të fundit nga burgu i sigurisë së lartë në Drenovë. Policia ka vazhduar pa ndërprerje kërkimet për Eduard Lulon, Reiz Haxhirajn dhe Gëzim Tomon.

Ndërsa kërkimet për të arratisurin e tretë Gezom Tomon janë përqendruar në zonën e Përrenjasit. Sipas policisë dyshohet se Tomo ndodhet ende në këtë zonë. Një ditë më parë në një magazinë të braktisur në Prenjas u arrestuan edhe tre të arratisur të tjerë të Burgut të Drenovës.

Sipas informacioneve të fundit, kërkimet për Haxhirajn dhe Lulon vazhdojnë të jetë të përqendruara në zonën përreth malit të Gramozit dhe në kufirin me Greqinë. Sipas policisë dyshohet se këta dy të arratisur fshihen në pyjet e malit Gramoz. Ndërkohë nga policia kufitare kërkimet po zhvillohen me kamera termike. Policia e Korçës ka bërë të ditur se, ka gjetur në fshatin Dardhë gjurmë, të tre të arratisurve nga burgu i Drenovës. Burime nga policia bëjnë të ditur se, efektivë të policisë dhe forcat RENEA, po kontrollojnë të gjithë zonën dhe banesat në fshatin Dardhë.

Arratisja e 7 të burgosurve nga burgu i Drenovës ka ngritur policinë dhe shtetin më këmbë, ndërsa konsiderohet skandaloze që në një burg të sigurisë së lartë të futen armë zjarri. Grupi hetimor ka zbardhur të tjera detaje të arratisjes, dhe mënyrën se si ata janë ndihmuar nga jashtë nga 3 bashkëpunëtorë, të cilët kanë rënë në prangat e policisë.

Burime nga grupi hetimor bëjnë të ditur se tre të arrestuarit si bashkëpunëtorë kanë pohuar se prej muajsh jetonin në Korçë, ku kishin marrë një shtëpi me qira, në përpjekje të hartimit të planit të arratisjes. Dy bashkëpunëtorët Olsi Maçi dhe Albi Macini kanë prerë me gërshërë telat rrethuese të burgut, ndërsa kanë mbuluar me të shtëna të dënuarit, teksa ata largoheshin nga ambientet e burgut. Sipas grupit hetimor, të rinjtë kanë qëlluar me armë kullave të vrojtimit, fatmirësisht pa lënduar rojet.

Pas sinjalizimit të banorëve të zonës, të cilët kishin dëgjuar të shtëna me armë në brendësi të magazinës, policia dhe forcat RENEA rrethuan zonën, duke bërë të mundur arrestimin e të dënuarve Admir Tafili, Gezim Guri dhe Fran Marashi.

 

 
Lajme Shqip Monday, 25 November 2013 13:21

Tiranë- Rinisin kërkimet në malin e Gramozit për tre të arratisurit e tjerë nga burgu i Drenovës.

Policia vijon kërkimet për kapjen e Eduart Lulos, Reis Haxhirajt dhe Gëzim Tomës. Kërkimet e policisë vijojnë me kamera termike dhe janë vështirësuar për shkak të motit të keq.

Ndërkohë orët e para të mëngjesit të sotëm forcat e policisë u sinjalizuan se tre të arratisurit mund të fshiheshin në zonën përreth pallatit të sportit “Asllan Rusi” në Tiranë.

Forca të shumta policie së bashku me grupe të Ndërhyrjes së Shpejtë kanë rrethuar zonën, ku kanë kryer një kontroll të imtësishëm, por nuk kanë arritur të bien në gjurmët e tre të arratisurve.

Forcat RENEA arrestuan dje tre të burgosurit, Admir Tafilin, Fran Marashin dhe Gëzim gurin, të cilët ishin arratisur një natë më parë nga burgu i Drenovës, në një magazinë në Përrenjas, gjatë një aksioni ku nuk ka pasur shkëmbim zjarri, shkruan shekulli.

Të arratisurit nuk bënë rezistencë pavarësisht se ishin të armatosur, por njëri prej tyre, Gëzim Toma, mendohet që të jetë larguar nga kjo magazinë, pak më parë se ajo të ishte rrethuar.

 
Lajme Shqip Sunday, 24 November 2013 23:27

Tiranë- Ka ardhur edhe reagimi i ish kryeministrit Sali Berisha në lidhje me arratisjen e ndodhur dje në Burgun e Sigurisë së Lartë të Drenovës. Berisha, me anë të një mesazhi në Facebook, akuzon se e gjithë skema spektakolare e largimit të 7 të dënuarve vjen si pasojë e lidhjeve të errëta që ka qeveria aktuale me botën e krimit.

Sipas tij, këto janë bandat që risollën në pushtet dyshen Rama-Meta.

“Te dashur miq, dje u thye ne Drenove burgu i sigurise me te larte dhe 7 te burgosur, shumica me denim te perjetshem, te armatosur deri ne dhembe, u larguan prej tij sikur te ishin ne nje hotel. Ky akt i pashembullt eshte produkt i bashkepunimit te suksesshem te ketij grupi vrasesish me eksponente dhe strukturat e reja qeveritare te interesuara apo detyruara per lirimin e tyre. Kete fakton qarte armatosja e tyre ne burgun e sigurise me te larte, largimi i tyre pa kurrefare rezistence nga rojet e armatosura te rrethimit te burgut.

Bandat qe ndihmuan me para dhe dhune ardhjen ne pushtet te koalicionit Rama – Meta, tani nje nga nje kerkojne shperblimin e tyre. Natyrisht ndalimi nga Policia i 4 prej 7 te arratisurve eshte nje akt per tu pershendetur. Por dalja e ministrit te brendshem ne media, demaskon ate si njeri te kapur dhe angazhuar ne betejen e bandave qe mbeshtesin ate me bandat rivale.

Ne dy muaj perpjekje jo per te siguruar rendin dhe qetesine por per te shnderruar me shpejtesi Policine e Shtetit ne policine e Partise Socialiste, siguria ne vend po bie me shpejtesi, vrasjet, eksplozivat, maskat ne rruge, pengmarrjet, trafiqet po rriten me shpejtesi marramendese. Por mjerisht ky eshte vetem fillimi i procesit te shnderrimit te vendit ne nje protektorat krimi me pasoja shume te renda per çdo qytetar dhe vendin ne teresi. sb”, shkruan në Facebook ish kryeministri i vendit Sali Berisha. /albeu/

 
Lajme Shqip Sunday, 24 November 2013 18:25

Tiranë- Ministri i Drejtësisë, Nasip Naço, mesditën e sotme ka bërë një mbledhje urgjente me drejtuesit e burgjeve. 

Para mbledhjes ministri Naço ka dhënë një deklaratë për mediat, ku ka bërë një analizë të ngjarjes së djeshme, të ndodhur në burgun e sigurisë së lartë, në Drenovë. 

Naço tha se personat e arratisur janë ndihmuar nga persona të jashtëm dhe se e kanë planifikuar arratisjen disa muaj më parë. Po ashtu Naço tha se të dënuarit, në mënyrë ilegale, kanë futur mjete të forta me të cilat kanë kërcënuar edhe rojet e sigurisë, duke konfirmuar kështu deklaratën e bërë nga rojet e burgut, mëngjesin e sotëm, të cilët thanë se ishin kërcënuar me armë zjarri. 

Ministri i Drejtësisë tha se ngjarja e djeshme tregon se sistemi i burgjeve në vend është një sistem i kalbur, i cili duhet të reformohet në mënyrë të menjëhershme.

Ministri i Drejtësisë deklaroi se janë pushuar nga puna dhe janë arrestuar të gjithë punonjësit e turnit, si dhe janë pezulluar punonjësit e lartë të sistemit të brendshëm. 

Naço bëri me dije se është pezulluar nga puna Genci Postoli, drejtor i burgut të sigurisë së lartë në Drenovë, pikërisht aty ku ndodhi dhe arratisja spektakolare e shtatë të dënuarve. 

“Ngjarja e djeshme dëshmon qartë se sistemi i burgjeve në Shqipëri është një sistem i kalbur, i cili kërkon një reformim të menjëhershëm. Do të vëmë para ligjit të gjithë punonjësit e çdo niveli, të cilët lejojnë ngjarje si ato të djeshmet”, -deklaroi ministri Naço, raporton shekulli.

Pas deklaratës mbledhja ka vazhduar me dyer të mbyllura, pa praninë e medias.

Mësohet se gjatë mbledhjes, Naço i ka kërkuar në mënyrë ultimatume drejtorëve të burgjeve që të fillojnë kontrollin e imtësishëm për çdo send e material, kryesisht për celularë apo armë.

Po ashtu, ministri i Drejtësisë u ka kërkuar një verifikim të imtësishëm lejeve të burgosurve. Mësohet se do të ndryshojë skema e lejeve që u jepen të burgosurve. Tashmë lejet duhet të jepen nga drejtori i burgut, më pas të verifikohen nga drejtori i përgjithshëm i burgjeve, ku ky i fundit duhet të raportojë tek ministri i Drejtësisë. 

Ka filluar një kontroll i imtësishtëm në Librazhd dhe Përrrenjas sepse mendohet se mund të jenë fshehur nëpër tunele.