Lajme Shqip Tuesday, 26 November 2013 17:42

Korçë- Tre prej të arratisurve nga burgu i Drenovës, që u kapën të dielën në një magazinë në Prrenjas, kanë mbërritur pasditen e sotme në Gjykatën e Korçës, për tu njohur me masën e sigurisë. 

Admir Tafili, Fran Marashi dhe Gëzim Guri kanë mbërritur në gjykatë nën masa të forta sigurie, madje edhe të lidhur këmbë e duar me zinxhirë. Seanca gjyqësore ndaj 3 të arratisurve po vijon me dyer të mbyllura. 

Ndërkohë në një tjetër sallë të Gjykatës është zhvilluar seanca gjyqësore ndaj të arratisurit tjetër Artur Gora, për të cilin u vendos masa e sigurisë arrest me burg. 

Admir Tafili, Fran Pal Marashi, Gëzim Gjergj Guri, Gëzim Ndue Toma, Reiz Namik Haxhiraj, Eduard Kujtim Lula dhe Artur Demir Gora nën kërcënimin e armëve çarmatosën gardianët, qëlluan me breshëri kallashnikovi për mosafrimin e rojeve dhe më pas ikën nga Burgu i Drenovës, mbrëmjen e së shtunës. 

Tre të arratisurit, Admir Tafili, Fran Marashi dhe Gezim Guri, janë arrestuar rreth orës 13:00 të së dielës në një magazinë në periferi të Prrenjasit. Pas sinjalizimit të banorëve të zonës, të cilët kishin dëgjuar të shtëna me armë në brendësi të magazinës, policia dhe forcat RENEA rrethuan zonën, duke bërë të mundur arrestimin e tyre. 

I dënuari Artur Gora u arrestua pak orë pas arratisjes në Korçë, teksa udhëtonte me një taksi drejt fshatit Pojan, ku banon familja e tij. Gora deklaroi se nuk kishte qenë pjesë e planit të arratisjes, por kishte përfituar për të dalë nga burgu për të vizituar nënën e tij të sëmurë. 

Ndërkohë policia po vijon kërkimet për kapjen e tre të arratisurve të tjerë, Gëzim Ndue Toma, Reiz Namik Haxhiraj dhe Eduard Kujtim Lula. 

MASAT E SIGURISE PER BASHKËPUNËTORËT 

Gjykata e Korçës ka dhënë sot masën e sigurisë edhe për 3 personat që akuzohen se kanë ndihmuar të dënuarit të arratisen nga burgu i sigurisë së lartë në Drenovë. Gjykata ka vendosur masën burg pa afat për Albi Maçinin dhe Olsian Maçin, ndërsa për 19-vjeçarin Ervis Lami u vendos masa arrest me burg. 

Albi Maçini dhe Olsian Maçi u arrestuan në Elbasan pak orë pas arratisjes së 7 të dënuarve nga burgu i Drenovës. Ata udhëtonin me makinën e një prej shokëve të Admir Tafilit, me të cilën dyshohet se janë transportuar të dënuarit për tu larguar nga Korça. Ndërkohë 19-vjeçari nga Kamza Ervis Lami, i cili ka qenë shok burgu me Tafilin, akuzohet se ka hedhur një granatë pranë komisariatit të Korçës, për të larguar vëmendjen e efektivëve nga arratisja që po ndodhte në Drenovë. /ballkanweb/