Lajme Shqip Saturday, 17 August 2013 12:14

 

 

 

Shqiptarja.com ka raportuar se biznesmeni Rezart Taçi ka gjetur një mënyrë të sofistikuar për të siguruar pjesëmarrjen e tij të mëtejshme në tregun e shitjes së karburanteve në vend, ndonëse në kontratën e shitjes së aksioneve që kishte tek ARMO ka pranuar që, për pesë vjet, të tërhiqet, sëbashku me motrën e tij Anika, nga çdo aktivitet që ka lidhje me hidrokarburet.

Por, pak ditë para se të nënshkruante kontratës e shitjes së aksioneve të ARMO-s, Taçi i ka kaluar në pronësi mbi 70 pika karburantesh, të shpërndara në të gjitha rrethet e vendit, njeriut të tij të besuar Irgen Selfo, bodigard i tij.

Kjo vihet re në regjistrimet e kryera në QKR. Më datë 6 gusht 2013 Taçi ka nënshkruar kontratën e shitjes së pjesës së tij tek rafineria e naftës, ndërsa më 7 gusht, 24 orë më pas, QKR-ja ka regjistruar shtimin e mbi 70 adresave të reja të biznesit (pika shitjeje me pakicë të karburantit) nga kompania Kuid, në pronësi 100% të Taçit, tek Kuarta, në pronësi 100% të Irgen Selfos. Këtë veprim është bërë referuar kontratës së shitjes së këtyre objekteve, përfunduar më 2 gusht 2013, kur Taçi kishte përfunduar praktikisht bisedimet për shitjen e ARMO-s.
Kuarta është një kompani, e krijuar më 20 maj 2012 nga vetë Taçi, ku ai ishte 100% aksioner dhe administrator. Por, më 21 maj Taçi ja le vendin si administrator Selfos, duke mbetur aksioner i vetëm. Pas gjashtë muajsh, QKR-ja e kalon kompaninë në statusin ”pezulluar”. Kjo ka zgjatur deri më 17 korrik të këtij viti, kur befas firma aktivizohet sërish dhe aksioner i vetëm bëhet Irgen Selfo. Pra, rezulton se Taçi ka vënë bodigardin e tij që të drejtojë kompaninë në emër të vet.
Kompania që vijon ta mbajë Taçi, Kuid, rezulton që nga muaji maj të heqë dorë gradualisht nga pikat e veta të karburantit, për të kryer nja largim masiv të tyre më 31 korrik 2013, pak ditë para marrëveshjes. Një numër i madh i këtyre pikave kanë kaluar në pronësi të Kuartas.
 
Por kush është Irgen Selfo?

 

Ai është i vetmi që qendroi në burg për rrahjen e gazetarit Mero Baze nga Taçi dhe një person tjetër, më 2 nëntor 2009. Por, ka patur shumë ngjarje që kanë dëshmuar se marrëdhëniet e tij me bosin kanë qenë më të thella se ato midis shefit dhe vartësit. Kështu, në një rast, sipas medias sportive, më 14 maj 2009, bodigardi i Taçit ka shpenzuar 3.700 euro për fanelën e Ronaldinjos dhe 3.100 për atë të qendërmbrojtësit të Milanit, Senderos. Në këtë mënyrë, veç familjarëve të tij, Taçi ka përfshirë në ankandin e bamirësisë, të organizuar ngë Liri Berisha, edhe truprojat e tij.
Tani ai i ka dhënë atij edhe biznesin ”e ndaluar”.