Lajme Shqip Friday, 29 November 2013 13:25

Pas refuzimit të Shqipërisë për të pritur shkatërrimin e armëve kimike të Sirisë, Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë duke planifikuar që të realizojnë këtë proces në det, informoi mbrëmjen e së enjtes “BBC”.

Sipas raportimit, do të jetë luftanija “MV Cape Ray” ajo që do të mbajë ngarkesën, e cila do të shkatërrohet duke përdorur një teknologji të avancuar, transmeton TCH.

Në bordin e kësaj anije luftarake do të vendosen pajisjet e nevojshme për realizimin e procesit, i cili ka nevojë për shumë ujë në fazën e shpërbashkimit të lëndëve kimike, nga të cilat krijohen mbetje toksike.

Organizata për Ndalimin e Armëve Kimike, e cila fitoi Nobelin e Paqes gjatë 2013-s, ka vendosur fundvitin si afatin përfundimtar për përcaktimin e planit të shkatërrimit të arsenalit sirian.

Afati i mëparshëm skadoi në datën 15 Nëntor pa mundur të konkretizohej, pasi Shqipëria dhe disa vende të tjera refuzuan kërkesën për të pritur procesin e shkatërrimit.

Aktualisht, arsenali kimik sirian, kryesisht i përbërë nga gazi sarin dhe mustard, mbahet në vendndodhje të sigurta, nën mbikqyrjen e inspektorëve të ONAK-ut në Siri.

Siria ka deklaruar një total prej 1-1.3 tonësh lëndë kimike.

 
Lajme Shqip Sunday, 10 November 2013 11:47

Tiranë-  Emrat më të njohur në fushën e letrave, historisë, muzikës e teatrit dalin kundër ardhjes së armëve kimike siriane në Shqipëri. Në një forum në “Gazeta Shqiptare”, Robert Ndrenika, Flutura Açka, Luan Rama, Agim Krajka, Amik Kasoruho, Arben Puto, Muzafer Korkuti, Dritëro Agolli, Kristo Frashëri, Aurel Plasari dhe Dom Gjergj Meta i thonë “Jo” kërkesës amerikane ndaj qeverisë shqiptare. Intelektualët, sqarojnë arsyet e këtij refuzimi, teksa i kërkojnë SHBA-së të mos ushtrojë ‘presion’. Ka prej tyre, që bëjnë thirrje për protestë, ashtu sikundër bëhet thirrje për të mos e shndërruar tokën dhe ajrin shqiptar në një laborator eksperimentesh. Secili prej intelektualëve i është përgjigjur kësaj pyetjeje: A jeni kundër apo pro ardhjes së armëve kimike siriane në vendin tonë? Më poshtë reagimet. 

Luan Rama 
Sigurisht që jam kundër! Cili shqiptar mund të jetë aq miop sa të mos kuptojë se s’kanë vend armët kimike në Shqipëri?! Bota ka plot shkretëtira ku mund t’i shkatërrojë armët kimike, duke filluar së pari nga vetë Siria, që i ka këto armë… Të pranosh armët kimike, është jo vetëm një akt kundër interesave dhe integritetit të Shqipërisë dhe të ardhmes së saj, por dhe interesave evropiane. Evropa do të habitej dhe do të kishte shumë pikëpyetje ndaj Shqipërisë nëse kjo gjë do të pranohej nga qeveria shqiptare. Nëse kërkojmë të jemi pjesë e Bashkimit Evropian, duhet të jemi në unison me principet e kësaj Evrope. Asnjë vend nga demokracitë e Evropës nuk do të pranonte të asgjësonte armët kimike të Sirisë në vendin e tij. 

Agim Krajka 
Jam një milion herë kundra. Nuk na duhen armët kimike, prej tyre nuk na vjen asnjë e mirë. Janë të dëmshme, për shëndetin e shqiptarëve dhe për vendin. 

Flutura Açka 
Nëse dëshirojmë një Shqipëri të sigurt, për vete, për fëmijët dhe brezat që vijnë, duhet të protestojmë kundra ardhjes së armëve. Të shkojmë para Kryeministrisë, pa parulla, pa organizim, thjesht duke parë nga Kryeministria në lulishte! Populli ka mësuar si t’ua presë biletën pushtetarëve. Madje po të fusë edhe armët kimike të Sirisë, nuk do t’i shpëtojë gjykimit. Nuk besoj se protestoi për plehrat në opozitë, për të sjellë helmin tani në pozitë. Mjafton të flasin specialistët, siç kanë folur. Të tjerët i besojnë dhe i bashkohen protestës së tyre. Mua së paku më mjafton fjala e tyre, por mbi të gjitha, kundërshtitë e vendeve të civilizuara. Mendo, Norvegjia, me male e ujëra pafund, e refuzoi kategorikisht… Mungesa e transparencës mbi këtë çështje nuk më pëlqen. Ku i mbetën oficerët madhorë kësaj të mjere ushtri, e shkuakan majtas e djathtas që t’i bëjnë më lehtë zullumet.. 

Arben Puto 
Është një opinion i tërë i shqetësuar për çështjen e këtyre armëve, pasi rreziqet janë të mëdha. Kam lexuar opinione kundra dhe pro ardhjes së armëve kimike. Disa thonë se do krijohet teknologjia e duhur për t’i asgjësuar, e nga ana tjetër kam lexuar edhe ekspertë që njohin fushën, të cilët thonë se ardhja e tyre është e rrezikshme. Kam dëgjuar edhe deklaratën e kreut të Parlamentit, Ilir Metës, i cili tha se nuk kemi shpatulla për këtë punë. Unë, si njeri i thjeshtë, jam kundër ardhjes së tyre në Shqipëri. Njerëzit e thjeshtë janë; bashkohem me mendimin e tyre se nuk duhet të bëhemi servilë ndaj Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Ne, kemi parë në media, dëmin që këto armë kanë bërë në Siri. Vetë Obama atë kohë pati thënë: “Është llahtar, e tmerrshme!” Besoj se qeveria shqiptare do ta gjykojë si duhet këtë rast. Nuk na vjen mirë që na duhet të jemi “kundër” SHBA-së për këtë çështje, por edhe SHBA nuk duhet t’i bëjë ‘presion’ qeverisë përderisa opinioni publik po reagon kundër. 

Aurel Plasari 
ARMET KIMIKE NE SHQIPERI DO TE VIJNE 
Nëse ndokush dallon ironi ose sarkazëm në postimet e mia, kjo nuk do të thotë se jam nga ata që çështjen e ardhjes në Shqipëri për asgjësim të armëve kimike e marrin me çiqitëmizëm. Jo. Por arsyetimi më nxjerr në përfundimin që këto armë do të vijnë në Shqipëri ose kështu, ose ashtu, pra si rrjedhojë e të dyja mundësive. 
Mundësia e parë që deri tani është dukur: Pushtetari i sotëm e pranon ardhjen e tyre – në mos e lyp vetë – si një ‘yesman’ i Vëllait të Madh, duke llogaritur që rrit kështu autoritetin e vet ndërkombëtar, çfarë edhe i jep sigurinë për jetëgjatësi në pushtet. 
Mundësia e dytë që e ëndërron gjindja: Pushtetari i sotëm nuk e pranon ardhjen e tyre, d.m.th. guxon e i thotë “Jo” Vëllait të Madh, dhe në këtë mënyrë detyrohet të heqë dorë nga pushteti për t’ia lënë “një Tjetri”. 
Në të dyja mundësitë, armët kimike në Shqipëri do të vijnë, sepse edhe në rastin e mundësisë së dytë vetëkuptohet se, “Tjetri” që do të vijë në pushtet për të zëvendësuar pushtetarin kundërshtues nuk do të jetë veçse një ‘yesman’. 
“Tertium non datur”: Mundësi e tretë nuk ekziston. Kjo formulë, që dëfton në filozofi parimin e mundësisë së tretë të përjashtuar, na vjen qysh nga Logjika aristotelike. Madje, që gjindja ta mbledhë mendjen dhe ta kuptojë, po zbres në terren real, duke e zbatuar formulën si një shkrimtar i lashtë latin: “Aut amat aut odit mulier, nil est tertium”. D.m.th.: “Një grua ose dashuron ose urren, mundësi të tretë nuk ka”. Afërmendsh, ky variant i fundit nuk ka aspak lidhje me pushtetarin, ishte thjesht një ilustrim. 
(Ky është postimi i profesorit në rrjetin social “Facebook”, nën emrin: Anonimi i Mjekësit) 
Robert Ndrenika 
Jam kundër ardhjes së armëve kimike siriane në Shqipëri. Nuk kam asnjë koment tjetër, thjesht nuk dua të vijnë këtu. 

Muzafer Korkuti 
Besoj se kjo është një gjë shumë e qartë, qoftë si qytetar e qoftë si kryetar i Akademisë së Shkencave: Ardhja e armëve kimike siriane në Shqipëri është e papranueshme. Ato do të sjellin vetëm dëme për vendin tonë. Për aq sa i njoh unë fushën dhe lëndët toksike, mund të them se përgjigjja jonë për to është “Jo”. Shteti shqiptar, duhet të gjejë rrugë tjetër për këtë çështje dhe nuk duhet të pranojë ardhjen e tyre. 

Amik Kasoruho 
Në këtë rast, ka vlerë fjala e çdo njeriu. Unë jam absolutisht kundër. Nëse e ngritëm zërin për tri pemë e gjysmë që u prenë pranë Liqenit Artificial, nëse e ngritëm zërin në qiell për plehrat, më thoni pak, si mund të jemi dakord për ardhjen në Shqipëri të armëve kimike?! 

Dritëro Agolli 
Jam kundër ardhjes së armëve kimike siriane. Nuk duhen sjellë në Shqipëri. 

Kristo Frashëri 
Jam absolutisht kundër asgjësimit të armëve kimike siriane në Shqipëri. 

Dom Gjergj Meta 
Më së pari jam kundër armëve kimike në përgjithësi. Armët kimike duhet të shkatërrohen, por pyetja është: Pse në Shqipëri? Ne nuk mund të rrezikojmë popullsinë dhe ekologjinë shqiptare në raste gabimesh që mund të bëhen, duke qenë se nuk kemi ndonjë përvojë të madhe në këtë kahje. Nëse pastaj këtu hyjnë edhe çështje përfitimesh ekonomike, si një shkak për të pranuar këtë gjë, atëherë, sa ia vlen të rrezikosh për një dollar më shumë, kur mund të bëhen dëme që nuk ka dollar që i paguan më?! Kam shkruar edhe në “Pregrinues.al” (uebsajt) se kemi të bëjmë me një eksperiment. Si duket, oferta e majme, apo “haraçe” të tjera që duhet t’u paguajmë aleatëve tanë, po e kthejnë tokën dhe ajrin shqiptar në një laborator eksperimentesh. Qeveritë e Turqisë, Norvegjisë e Jordanit nuk e kanë pranuar një gjë të tillë e duket që qeveria shqiptare është “përulur” përballë kërkesës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Dje është zhvilluar një protestë në Tiranë. Kësaj proteste dhe të tjerave për armët kimike duhet t’u shtohen zërat e faktorëve të tjerë civilë e gjithashtu edhe faktorët religjiozë, që kanë për zemër të mirën e përbashkët të njerëzve dhe të ardhmen e ekologjisë së dheut shqiptar. /Gazeta Shqiptare/ 

 
Lajme Shqip Thursday, 29 August 2013 17:15

Tiranë – Regjimi i Assadit në Siri dyshohet se ka përdorur Zarin-a, një nga lëndët helmuese luftarake nga më të rrezikshmet e ndaluar rreptësisht nga Konventat Ndërkombëtare ndaj popullsisë civile.

Dyshimi hidhet nga Qemal Poçi është Doktor i Shkencave Toksikologji-Veterinari, Profesor i asociiuar, i cili në një intervistë për ‘Dita’-n, tregon edhe disa eksperimente që ai ka drejtuar kryesisht në 1978 në Shqipëri ku është përdorur kjo lëndë për testime.

Ai shpjegon edhe përdorimin e Zarin-it në frontin e luftës, pasojat dhe mënyrën e identifikimit të saj në terren nga ekspertët e OKB-së, pasi sipas tij, ‘gjurmët e një masakre të tillë, nuk mund të fshihen’…

“Për mendimin tim, në Siri është përdorur armë kimike, si njëra nga armët e dëmtimit në masë… Dihet se prodhimi i armëve të dëmtimit në masë (kimike, biologjike, termobërthamore), me konventë ndërkombëtare është i ndaluar. Këtë konventë e kanë firmosur të gjitha shtetet anëtare të OKB-së, duke përfshirë dhe shtetet kryesore që i kanë këto rezerva në sasi të konsiderueshme. Për mendimin tim, në Siri është përdorur grupi i lëndëve helmuese luftarake neuro-paralitike, ose siç quhen ndryshe, gaze nervore” shprehet Poçi.

video: http://www.youtube.com/watch?v=9cY5dfxFwc4