Lajme Shqip Monday, 03 March 2014 14:34

Z.Bollino, përse tani ky libër? Është vonë?

 

Bollino: Mund të jetë pak. “Instant book”, siç e quani ju këtë lloj libri, ndoshta duhej bërë pak më shpejt. Epo dy muaj, tre muaj. Disa më kanë pyetur, përse e ke bërë kaq shpejt. Ky nuk është një libër me analiza, është i mbushur me informacione. Sipas standardit europian, ky lloj libri duhej bërë brenda dy muajve, ne e vonuam për disa arsye….

 

Pra informacioni i marrë dhe i sjellë në libër është qëmtuar me kujdes?

 

Bollino: Padyshim, ndaj ka kërkuar pak më shumë kohë. Zakonisht “instant book”, kanë edhe përmbledhje të shkrimeve të botuara në media dhe aty është një pjesë, siç janë intervista, apo deklarata. Pjesa që nuk ka emrin e burimit, janë intervista që kam marrë unë, me disa burime, rreth 35 zyrtarë të përfshirë në bisedime. Disa ishin gati të flisnin edhe me emër, disa jo, ndërsa disa nuk pranuan që të flisnin.

E cenon besueshmërinë, mungesa e emrave të zyrtarëve që kanë bërë rrëfimet?

Bollino: Për mendimin tim jo. Për një arsye kryesore. Autorësia e një libri është autenticiteti, pra unë jam garant si autor dhe unë e kam vendosur, me një arsye, që të mos ia vendos emrin, i kam verifikuar, disa që nuk i verifikova, nuk i kam botuar, sepse nuk kam qenë i bindur në vërtetësinë e tyre dhe kam patur mundësinë për t’i verifikuar.

 

Këta persona që kanë rrëfyer për ju, sa dijeni kanë patur për bisedimet që po bëheshin mes Shqipërisë dhe SHBA-ve për armët kimike të Sirisë?

 

Bollino: Ata kanë qenë deri në nivelin më të lartë.

Dëgjova ambasadorin e SHBA-ve, Arvizu, te emisioni “Opinion”, të enjten e shkuar, dhe ai tha se rrethi i personave që kishte dijeni ishte shumë i ngushtë, kryeministri, disa këshillarë, dy ministra, zyrtarë të qeverisë amerikane. Nga vijnë burimet tuaja?

Bollino: Derisa kam vendosur që në libër ata të jenë pa emër, të tillë do të mbeten edhe në këtë intervistë. Por ju them se kanë qenë shumë afër dhe këtë mund ta gjykoni edhe vetë nga saktësia e detajeve që kam nxjerrë në libër.

 

Çfarë detajesh të reja sjell libri, përtej deklaratave të shtypit?

 

Bollino: Unë do ja lë lexuesit dhe gazetarëve që do të lexojnë librin. Mendoj se kam rindërtuar të gjithë historinë e armëve kimike, duke filluar që nga dita e parë, 27 shtatori dhe gjithë zhvillimet që ka patur, negociatat me amerikanët dhe unë mendoj se elementi kryesor është titulli “Heshtja e dyfishtë”.

 

Po pse jo heshtja e trefishtë?

 

Bollino: Po sepse mendoj se janë dy palë që kanë heshtur me shumë se të gjithë, përveç kryeministrit që u akuzua publikisht pse nuk foli. Negociatat u bënë nga dy palë, pala shqiptare që kishte bërë disa kërkesa dhe pala amerikane që duhej të jepte disa përgjigje që nuk erdhën kurrë. Dhe ky është elementi që nuk ka dalë në skenë. Pastaj është edhe heshtja e opozitës në Shqipëri.

 

Po pyesja për palët e përfshira në bisedime. Përse jo heshtje e trefishtë, duke patur parasysh që edhe zyrtarët rusë ishin në dijeni të bisedimeve?

 

Bollino: Ky është një element që unë e përgënjeshtroj në libër. Nga informacioni që kam unë, përveç një bisede jozyrtare, pala ruse nuk ishte e përfshirë në negociata, por ndoshta ka qenë në dijeni, sepse mund ta ketë informuar diplomacia amerikane. Por në negociata me Shqipërinë, nuk ka qenë e pranishme asnjëherë.

 

Po përse duhej një takim mes kryeministrit Rama dhe ministrit të jashtëm rus, Lavrov, në Nju Jork?

 

Bollino: Kjo është interesante. Unë e kam zbardhur këtë takim dhe në fakt delegacioni shqiptar kishte bindjen se takimi që u bë një ditë pas propozimit amerikan, ishte pikërisht për armët kimike. Por, sipas informacioneve që kam unë, nga disa burime, çështja e armëve kimike nuk u përmend fare nga Rama dhe Lavrov.

 

Po për çfarë tjetër mund të bisedonte kryeministri i Shqipërisë me ministrin e jashtëm rus?

 

Bollino: Ata kanë biseduar për çështje të tjera, marrëdhëniet bilaterale, biznesin rus në Shqipëri dhe delegacioni shqiptar ishte i habitur se si ka mundësi që Lavrov nuk e preku fare këtë temë.

 

Pak e vështirë për t’u besuar, sepse ne kemi investime pothuajse zero të Rusisë në Shqipëri. Për çfarë mund të bisedonin?

 

Bollino: Po ka delegacione ruse që vijnë këtu për të diskutuar, për naftën dhe interesa të tjera tregtare.

 

Kur kanë kaluar gati katër muaj, mendoni se ishte vendim i mirë, apo i keq për të refuzuar armët kimike të Sirisë në Shqipëri?

 

Bollino: Mendoj se Edi Rama, si kryeministër, bëri mirë që tha “Jo”. Nëse duhet ta shohim nga pikëpamja ambientale, pra rrezikut real që mund të kishte Shqipëria unë mendoj se ka bërë gabim.

 

Përse?

 

Bollino: Sepse nuk e kam menduar asnjëherë se një operacion i tillë mund të ishte aq i rrezikshëm, siç u paraqit emocionalisht në media dhe në opinionin publik, i cili nuk ka faj fare në këtë mes. Faj ka qeveria që nuk komunikoi. Unë po shpjegoj atëherë përse nuk komunikoi qeveria. Qeveria kishte për detyrë ta informonte opinionin publik, siç ishim të informuar ne gazetarët dhe ndoshta atëherë qëndrimi do të ishte ndryshe. Pra Rama bëri mirë që e refuzoi, sepse nuk mori asnjë garanci për zbatimin e kërkesave që paraqiti dhe kjo them se ishte një mungesë respekti, në aspektin diplomatik, por nga ana tjetër, rreziku nuk ishte kaq i madh sa ç’e bëri opinioni publik. Imagjino që tani, një pjesë e këtyre përbërësve kimikë, se as armë nuk janë, po zbarkojnë në Itali, në Gioia Tauro, që është rreth 2 km nga qyteti, një zonë shumë e përfolur për ndikimin e krimit të organizuar dhe në Itali, ku ka një kulturë të vjetër ambientaliste dhe biku e kuptojnë se ky është një operacion që nuk rrezikon as portin, as njerëzit.

 

Në rastin e Shqipërisë, ku do të vinin armët kimike?

 

Bollino: Zona ku do të vendoseshin ishte planifikuar Bisht-Palla dhe amerikanët ishin të interesuar për të gjetur një vend, që ishte 15 kilometra larg zonave të banuara dhe Bisht-Palla është e tillë, madje më shumë. Fillimisht ishte menduar për ishullin e Sazanit, por ai është fiks 15 kilometra në vijë ajrore nga Vlora dhe doli që ishte shumë afër. Këto muaj treguan se largimi i armëve nga Siria nuk ishte dhe aq i thjeshtë. Po, por këtë nuk e merrte përsipër pala shqiptare.

 

Por kishim një kalendar të qartë të hartuar nga OPCW, nga fundi i dhjetorit deri në qershor, kur do të bëhej eliminimi. Ku jemi tani?

 

Bollino: E kam thënë edhe në libër se ky afat kaq i ngushtë nuk ishte real dhe është e vështirë që të zbatohet. Në fund të fundit, për SHBA-të dhe Rusinë, ishte e rëndësishme çarmatosja e Asadit, pavarësisht nga koha.

 

Në konkluzionin tuaj, ne humbëm apo fituam si vend?

 

Bollino: Për mua kemi humbur një shans për të trajtuar më mirë çështjet, dhe kjo është një humbje, sepse Shqipëria ka nevojë për të treguar besueshmëri dhe forcë, edhe në nivelin ndërkombëtar.

 

Duke qenë ushtar i bindur?

 

Bollino: Jo, jo. Rama nuk ishte ushtar i bindur. Negociatat treguan se ai kërkoi deri në fund që të marrë një marrëveshje të shkruar me amerikanët, mbështetje të nivelit më të lartë dhe nuk mori asgjë.

 

Cilat mund të ishin pikat kryesore të marrëveshjes?

 

Bollino: Ombrella politike për Shqipërinë, duke përfshirë edhe mbështetjen në Bruksel për statusin, kushte më favorizuese për ndihmën nga FMN-ja dhe Banka Botërore, pastrimin e territorit nga lëndët kimike dhe se çfarë lloj lëndësh kimike do të vinin në Shqipëri, kushtet për asgjësimin e tyre, transferimin jashtë të mbeturinave që do të mbeteshin pas asgjësimit. Amerikanët e premtuan gojarisht, por Rama e kërkoi me shkrim, që të shkonte para opinionit publik dhe Kuvendi, me këtë pakt të shkruar dhe pastaj të bëheshin bisedimet. Ky dokument mungoi deri ditën e fundit dhe Rama vendosi ta refuzojë.

 

Ambasadori Arvizu nuk e tregoi përmbajtjen e letrës së z.Obama për qeverinë shqiptare. Dokumenti që keni ju, e qartëson deri në fund se çfarë ofronte SHBA?

 

Bollino: Në letrën e presidentit Obama nuk ka asnjë premtim. Ka një përshëndetje, një vlerësim për gadishmërinë që tregoi qeveria shqiptare, një ide të përbashkët për një vend të pastër, një vlerësim për mundësinë e çlirimit të popullit sirian, një mundësi për tu takuar vitin tjetër me zotin Rama, pra 15 rreshta.

 

Mendoni se ka patur qejfmbetje nga pala amerikane pas refuzimit të Shqipërisë?

 

Bollino: Unë mendoj se jo. Pala amerikane e di shumë mirë, se mungesa e një marrëveshjeje të shkruar ndikoi te përgjigja. As qeveria dhe as amerikanët ndoshta nuk e kishin parashikuar një reagim kaq të ashpër nga shoqëria civile. Amerikanët e morën vesh që Rama nuk kishte mundësi për të pranuar, prandaj nuk ka qejfmbetje. Rama e kishte vendosur për “Jo”-në që më 13 nëntor Ambasadori në SHBA mund të ketë informuar presidentin që në 27 shtator dhe më pas edhe ish-kryeministrin

 

Cili ishte roli i opozitës, apo dhe i zotit Basha në këtë histori?

 

Bollino: Unë kam një element, një informacion, sipas të cilit, edhe kryeministri, edhe presidenti i Republikës, ndoshta që nga shtatori, ishin në dijeni të bisedimeve. Ambasadori i Shqipërisë në SHBA, Gilbert Galanxhi, sigurisht që ka qenë i informuar, që nga 27 shtatori. Ambasadori është informuar nga pala amerikane dhe ai ka pyetur ministrin e jashtëm Bushati se çfarë përgjigje tu japim amerikanëve. Galanxhi ishte pjesë e delegacionit të presidentit Nishani, që ndodhej në Nju Jork atë ditë. Është logjike që ambasadori të ketë informuar presidentin e republikës, sepse ishin bashkë tre ditë, edhe pse informacioni nuk ishte “top secret”. Nga ana tjetër z.Galanxhi ka marrëdhënie shumë të ngushta me ish-kryeministrin Sali Berisha. Pra ka mundësi që ai të mos e këtë informuar Berishën për debatin që nisi para daljes në media të lajmit në fund të tetorit? Unë nuk kam prova që Nishani dhe Berisha ka qenë të informuar nga z.Galanxhi, por unë po sjell një element logjik.

 

Ishte një lloj pabesie e opozitës ndaj qeverisë?

 

Bollino: Unë e kam gjetur deklaratën e z.Basha ku ai nuk ishte kundër armëve kimike, ai ishte kundër mungesës së transparencës dhe PD donte që të merrte pjesë në biku sedimet me amerikanët. Ishte pra, një qëndrim politik, për të thënë se ne do tua bëjmë këtë nder amerikanëve, jo qeveria. Deri në 12 nëntor, kur për herë të parë doli i ndjeri Sokol Olldashi me një postim në FB: “Ne jemi kundër armëve kimike”. Deri atëherë, PD kishte qëndrim krej ndryshe. Pas datës 13 nëntor, 24 orë pas qëndrimit të Olldashit, edhe PD mori përsipër kundërshtimin për armët kimike, në 14 u bënë kritikat e ashpra të Berishës në Kuvend. Pra Basha nga 27 shtatori deri në 12 nëntor nuk u shpreh kundër armëve kimike dhe kjo është e dokumentuar. U takua edhe me z.Fyle në 11 nëntor dhe nuk e përmendi fare.

Bollino: Dhe deshën ta shfrytëzonin situatën, duke u ulur këmbëkryq në shesh para kryeministrisë?

Bollino: Data 14 nëntor ka qenë shumë e bukur. Nga informatat që kam unë, Rama e kishte vendosur për “Jo” që në 13 nëntor, në darkë, që Shqipëria të mos përfshihej. Në mëngjesin e 14 nëntorit njoftoi edhe disa ministra që do ta refuzonte. Aty u fut në lojë edhe një televizion afër Berishës, që nxorri lajmin se Rama do ta refuzonte dhe Berisha shkoi aty për të kremtuar fitoren, por turma e dëboi. Idea për të rrëzuar qeverinë ishte e 24 orëve të fundit, sepse deri në 13 nëntor, donte të ulej në tryezë me amerikanët se si do të trajtonte armët kimike. /Shekulli

 
Lajme Shqip Wednesday, 15 January 2014 19:36

Ngarkesa e parë e armëve kimike të Sirisë, mund të shkatërrohet në Detin Adriatik, dhe jo në ujërat ndërkombëtare në gjirin e Maltës. Kështu shkruajnë mediat malteze ditën e sotme. Revista “L’Espresso” shkruan se Partia Nacionaliste ka shprehur shqetësime dhe ka kërkuar sqarime nga qeveria e Maltës, në lidhje me spekulimet se armët kimike të Sirisë do të ngarkohen  në anije amerikane, në një port italian, dhe më pas do të shkatërrohen në ujërat ndërkombëtare. Shumë nga mediat e vendit në Maltë, shkruajnë se ka shumë mundësi që armët kimike të  shkatërrohen në ujërat e Maltës, por “L’Espresso”  shkruan se ka më tepër mundësi që një gjë e tillë të ndodhë në Detin Adriatik. 

Ndërkohë, ditën e djeshme, mediat greke raportonin se janë “zhdukur” nga harta anijet e ngarkuara me armët kimike të Sirisë si dhe anija shoqëruese e OKB-së. Kjo ka ndodhur për shkak të mbylljes së sistemit satelitor, që monitoron lëvizjen e tyre. Mediat botërore bëjnë të ditur se, i gjithë procesi i transportimit dhe i shkatërrimit të armëve kimike të Sirisë është mbajtur i fshehtë. Armët kimike janë ngarkuar në anijen “Ark Futura” që mbante flamurin danez dhe në anijen “Taiko” që mban flamurin e Norvegjisë, të cilat kanë mbërritur në portin e Latakias në fshehtësi të madhe. Dy anijet janë parë për herë të fundit pranë ishullit të Qipros më 29 dhjetor 2013. Mbyllja e sistemit satelitor që monitoron lëvizjen e anijeve, mendohet se ka për qëllim mbajtjen sekrete të pikës, ku do të bëhet shkatërrimi i armëve kimike të Sirisë./shekulli/

 

 
Lajme Shqip Friday, 29 November 2013 13:25

Pas refuzimit të Shqipërisë për të pritur shkatërrimin e armëve kimike të Sirisë, Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë duke planifikuar që të realizojnë këtë proces në det, informoi mbrëmjen e së enjtes “BBC”.

Sipas raportimit, do të jetë luftanija “MV Cape Ray” ajo që do të mbajë ngarkesën, e cila do të shkatërrohet duke përdorur një teknologji të avancuar, transmeton TCH.

Në bordin e kësaj anije luftarake do të vendosen pajisjet e nevojshme për realizimin e procesit, i cili ka nevojë për shumë ujë në fazën e shpërbashkimit të lëndëve kimike, nga të cilat krijohen mbetje toksike.

Organizata për Ndalimin e Armëve Kimike, e cila fitoi Nobelin e Paqes gjatë 2013-s, ka vendosur fundvitin si afatin përfundimtar për përcaktimin e planit të shkatërrimit të arsenalit sirian.

Afati i mëparshëm skadoi në datën 15 Nëntor pa mundur të konkretizohej, pasi Shqipëria dhe disa vende të tjera refuzuan kërkesën për të pritur procesin e shkatërrimit.

Aktualisht, arsenali kimik sirian, kryesisht i përbërë nga gazi sarin dhe mustard, mbahet në vendndodhje të sigurta, nën mbikqyrjen e inspektorëve të ONAK-ut në Siri.

Siria ka deklaruar një total prej 1-1.3 tonësh lëndë kimike.

 
Lajme Shqip Wednesday, 20 November 2013 01:02

Tiranë- Kryeministri Edi Rama, ka sqaruar në detaje gjithë ndodhinë rreth armëve kimike dhe përfshirjes së Shqipërisë në këtë “valle”. Në emisionin “Top Show”, kryeministri Rama, vec tjerash ka thënë se Shqipëria në fakt ka qenë pjesë e “valles”, kur dihet se është një nga aleatet e Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Rama nuk ka parapëlqyer që qëndrimin e tij, dhënë gjatë një fjalimi të premtën ku edhe u tha “jo” armëve kimike, ta quajë si “modifikim”.

“Nuk do të thoja që qëndrimi im është modifikuar. Qëndrimi im është formuar vijimësisht në një proces diskutimesh, ku dua të theksoj që nga ana e aleatëve tanë të mëdhenj nuk ka patur asnjë presion, përveç se një mirëkuptim gjithmonë e më të plotë për vështirësinë në të cilën ishte vënë Shqipëria, në kushtet kur gjithë plani operacional po ndërtohej në mungesë të një sërë elementësh, që do e kishin bërë atë shumë më të lehtë. Nëse Shqipëria do të ishte bashkë me Danimarkën apo Norvegjinë, bashkë me një apo dy vende të tjera, askush nuk do të mund të thoshte më që ky është një operacion për vende të varfëra apo vende të ndotura. Mirëpo, kjo vetmi ishte një kosto që në fillim, ishte në imazh, si një vend që duhet të promovojë bukuritë e veta, potencialet turistike dhe pastaj u kthye në një peshë gjithmonë e më të rëndë psikologjike, që rëndohej mbi të gjithë”, ka thënë Rama.

Rama i ka quajtur “fantazi” të gjitha raportimet në lidhje me përfitimet që gjoja Shqipëria do t’i kishte, poqese pranonte asgjësimin e armëve kimike të Sirisë.

“Ky është një vend, që ka një problem të madh me lojërat e fatit. Këtu luhet shumë bixhoz, blihen shumë bileta lotarie dhe ëndërrohet shumë që të na bjerë bingo, por në këtë rast dhe në këto raste, në marrëdhëniet mes shteteve nuk ka bingo, kështu që kjo është e gjitha një fantazi”, ka thënë Rama.

Kryeministri shqiptar la të kuptohet se “vetmia në këtë operacion e bënte të pamundur përfshirjen” e Shqipërisë.

“Vetmia në këtë operacion e bënte të pamundur këtë përfshirje, procesi mori më shumë kohë se sa ç’do të duhej të merrte. Ne kemi qenë qysh në fillim të qartë në atë që kemi kërkuar. Hymë në një proces me vetëdijen se na takon të kontribuojmë, por dhe me bindjen se, që të kontribuojmë duhet të vendosemi në gjendjen për ta bërë një gjë të tillë, sepse jemi të qartë se çfarë vështirësish kemi dhe duke qenë se kemi pasur një skuadër që shënonte çdo pretendim, se ky është një operacion në të cilin nuk jemi të armatosur me ekspertizë të atillë, që të na japë garancitë e menjëherëshme dhe u pa se çfarë ishte ekspertiza që tmerroi dynjanë. Kështu që, çdo gjë që dëgjohej nga përfaqësuesit e ambientalistëve dhe nga të gjithë ata që thonin se ky operacion është i rrezikshëm, i pamundur, mbahej shënim dhe menjëherë i raportohej si problem palës tjetër, në një grup të përbashkët ekspertësh që trajtonin çdo problem që ngrinin njerëzit në protestë dhe jepnin përgjigje në çdo detaj. Kjo ishte njëra pjesë, pjesa tjetër ishte ajo që kishte të bënte me mua. Pjesa që kishte t bënte, jo me atë që thonin ekspertët, por me atë që ndjente populli shqiptar, sepse nuk bëhej fjalë për një reformë brenda vendit, bëhej fjalë për një sipërmarrje, ku unë e kam thënë, ku Shqipëria duke u përfshirë rrezikon të poshtërohet për shkak të imazhit në mediat ndërkombëtare, ndërkohë që për mua, angazhimi do të thotë që kjo ishte një mundësi që Shqipëria të dalë kryelartë dhe jo të humbasë, por të fitojë, brenda vetes dhe në raport me të tjerët. Kjo ka qenë e qartë dhe në mënyrë të përsëritur është diskutuar me partnerët tanë dhe ata kanë qenë mirëkuptues”, ka thënë vec tjerash kryeministri Edi Rama.

Ai ka thwnw se mw nuk duhet tw mendohet nw atw se cka ndodhte nwse vendimi do tw ishte “po”.

“Edhe ajo na duhet tani që të hapim edhe një kapitull tjetër dhe të zhvillojmë edhe një histori të pakuptimte mbi bazën e një “ta zëmë se”. Ne nuk kemi cfarë të zëmë fare. Ne u përfshimë në këtë proces me dinjitetin më të madh, qëndruam me dinjitet të plotë, e mbyllëm këtë proces si vend dhe si popull me dinjitetin më të lartë. Ju siguroj që po të mos ishte marrëzia e opozitës, ky pozicion do të ishte po kaq dinjitoz në rast se do të kishte qenë ky pozicion dhe marrëdhëniet tona me SHBA sot nuk kanë pësuar asnjë fije cënimi për shkak të dinjitetit tonë në këtë proces, ne qëndruam deri në fund të procesit, ndryshe nga të tjerët që u larguan më përpara natyrshëm. Sic biseduam ne, sic kërkuam ne sqarime, argumenta, sic kërkonim ne një kornizë pune për përfshirjen tonë, kërkonin dhe të tjerët, por ama ne na takonte që deri në fund të kërkonim zgjidhje, që deri në fund të ishim mbështetës dhe ndihmesë e atyre partnerëve pa të cilët Shqipëria nuk do të ishte kjo që është, pa të cilën shqiptarët s’do kishin sot dy shtete të lira dhe të pavarura në mes të Europës, pa të cilët kushedi ku do të ishte vetë Europa sot. Kjo është ajo që bëmë dhe besoj e bëmë me dinjitet”, ka deklaruar Rama. /Lajme Shqip/

 
Lajme Shqip Tuesday, 19 November 2013 11:59

Tiranë- Kryetari i Kuvendit, Ilir Meta shprehet se shqetësimi i qytetarëve për armët kimike nuk është i pabazë. Duke folur për A1Report kreu i Kuvendit tha se ai nuk ka qenë pjesë e bisedimeve për armët kimike.

 

“Së pari, qytetarët nuk do t’i quaja turmë. Së dyti, nukmendoj se ky është rasti në fjalë, sepse shqetësimi i qytetarëve ka pasur një bazë reale, i cili nuk ka të bëjë thjesht me mungesën e informacionit (në rast se do të zhvillohej një operacion i tillë: çfarë elementesh do të përfshinte ai? Cilat ishin kapacitetet e Shqipërisë për të ofruar një siguri të plotë?), por ishin disa shqetësime, që kishin ardhur, së pari, për shkak të një propagande mbarëbotërore të një arsenali të frikshëm të armëve kimike të Asadit, gjë që edhe u provua, sepse një përdorim i tyre solli vdekjen e qindra qytetarëve sirianë. Kjo ishte edhe arsyeja pse u kthye ky aksion, i cili ishte një aksion mjaft i rëndësishëm ndërkombëtar. Së dyti, mendoj se ky shqetësim erdhi edhe për shkak se në të kaluarën ne kemi pasur disa shqetësime, disa probleme, siç ishte rasti më flagrant ai i Gërdecit apo edhe raste të tjera të përmasave më të vogla, ku është vënë re që operacione të tilla kërkojnë kapacitete shumë të fuqishme për të pasur një siguri të plotë. Pra, nuk mund të themi se ka qenë një shqetësim pa baza. Kështu që, në këto dy drejtime,mendoj se qeveria kurrsesi nuk mund t’i injoronte këto shqetësime, për më tepër që edhe vetë, me sa duket, ka ekzistuar një bindje e përgjithshme, që kapacitetet tona nuk kanë qenë plotësisht të mjaftueshme apo të sigurta, për të garantuar një siguri absolute të një operacioni kaq delikat. Nuk mund të flas, sepse unë nuk kam qenë pjesë e diskutimeve konkrete, por e di shumë mirë që edhe Kryeministri Rama ka qenë i qartë dhe i bindur se ky proces nuk i takonte Shqipërisë” u shpreh Meta. 

 
Lajme Shqip Monday, 18 November 2013 15:20

Sot është mbledhur grupi i Partisë Demokratike, ku kreu i tij Lulzim Basha ka vijuar me akuzat e tij ndaj kryeministrit të vendit, në lidhje me armët kimike të Sirisë. Fillimisht në fjalën e tij ka falënderuar të gjithë qytetarët që protestuan kundër armëve kimike. Por më tej Basha vijoi me akuzat ndaj kryeministrit, duke thënë se Rama kishte nënshkruar marrëveshje që asgjësimi i armëve kimike të Sirisë të bëhej në Shqipëri. Basha vijoi më tej duke thënë, se e gjithë  media botërore buçiste për vendimin e Ramës, por ai vazhdonte ua mbante të fshehtë qytetarëve. 

“Edi Rama u detyrua të hiqte dorë nga ëndrra e tij për përfitime personale. Ky mentalitet antidemokratik i kohës së shkuar, që Rama kërko  t`i diktojë të tashmes dhe të ardhmes së vendit, mori përgjigjen e merituar. Kjo është një fitore e demokracisë. Punën të madhe e bënë qytetarët shqiptarë të bashkuar dhe pa dallime politike. Dua të shpreh mirënjohjen të gjithë të rinjve dhe të rejave, që u bënë barrikadë e pakapërcyeshme e ëndrrës së kryeministrit të vendit”, tha Basha./shekulli/ 

 
Lajme Shqip Sunday, 17 November 2013 23:15

Tiranë- Armët kimike siriane nuk do të vijnë në Shqipëri. Edhe pse qeveria shqiptare dhe veçanërisht kryeministri Edi Rama kishin javë që negovionin me qeverinë e SHBA-ve dhe jo vetëm në lidhje me këtë operacion global, protestat që kapluan vendin duke dalë kundër kësaj nisme bëri që përgjigja përfundimtare e Tiranës zyrtare të ishte “jo” edhe pse më parë ishte dhënë një “Po”.

Gjatë negociata mes qeverisë amerikane dhe qeverisëshqiptare, kjo e fundi kishte vënë dy kushte.

 

KUSHTI I PARË: SHBA do të pastronte edhe 31 zonat e helmuara

 

Një ndër kërkesat bërë amerikanëve nga qeveria shqiptare ka qenë që, pasi të përfundonin procesin e demontimit, ekspertët e SHBA të “hiqnin qafe” njëherë e mirë të gjitha pikat e nxehta të mbetjeve të rrezikshme në vend. Fjala është për 31 zona ku prej vitesh janë grumbulluar lëndë të rrezikshme, por asnjë qeveri nuk ka gjetur mjetet e duhura monetare për t’i asgjësuar. Ky kusht duhet të jetë pranuar nga amerikanët pa probleme.

 

KUSHTI I DYTË: Misteri, cili do ishte vendi i dytë për asgjësimin

 

Një pengesë, që duket se ka dalë gjatë procesit të nëgociatave të administratës amerikane me partnerët shqiptarë, ka qenë edhe mosgjetja e një vendi tjetër, për të ofruar të njëjtin shërbim si Shqipëria. Në fillim, amerikanët kanë premtuar se Shqipëria nuk do të ishte i vetmi vend që do të ofrohej për të demontuar armët kimike siriane. Pra, SHBA i tha palës shqiptarese ishte në kontakt edhe me dy vende të tjera, nga të cilët të paktën njeri do të kishte pranuar të kryhej në territorin e vet demontimi, raporton “Shqiptarja”.

Kjo do të kishte lehtësuar pozicionin e qeverisë shqiptare përballë qytetarëve të saj, por deri në fund asnjë vend duket se nuk ka pranuar të kryejë shërbimin, e kërkuar në gjithë botën nga ana e Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Kjo ishte edhe një nga arsyet që Rama u detyrua të thotë “Jo” përballë protestës popullore. /albeu/

 
Lajme Shqip Saturday, 16 November 2013 15:11

Tiranë- Publicisti Fatos Lubonja ka komentuar fjalimin e Kryeministrit Edi Rama për shkatërrimin e armëve kimike në Shqipëri.

Sipas Lubonjës, fjalimi i Ramës me të cilin iu drejtua popullit, ishte sikur Adolf Hitleri dikur.

“Ngjarja e fundit duke përfshirë edhe fjalimin e Ramës, ma ka thelluar edhe më kontradiktën, pasi është sinjal i pastër se ky Kryeministër, që nuk duhet t’ia uronim asesi dështimin, e ka dështimin të shkruar në ballë. Fjalimi i tij ogurzi për mua në këtë drejtim. Nga pikëpamja e gjendjes së tij psikologjike (fatmirësisht jo e pasojave) më kujtoi Hitlerin, që kur humbte luftën për fajin e tij, mallkoi popullin gjerman që nuk e meritonte një lider si ai”, ka thënë Lubonja në një intervistë për MAPO.

“Fjalimi ishte një shoshë me gënjeshtra që kërkonte të mbulonte diellin e së vërtetës që e pa çdo shqiptar: e para, se ajo që ai donte të bënte ishte në dëm të Shqipërisë dhe vetëm në interest të tij e të pushtetit të tij personal e prandaj dhe e kishte mbajtur fshehur- sepse përndryshe do të na e kishte thënë me gaz që ditën e parë, siç na tha, pa u bërë ende kryeministër, se do të shkonte në luftë në Siri- dhe e dyta, se atë e detyroi të sprapset presioni i madh popullor, ku duhen future edhe njerëzit e tij, dhe jo opozita e mallkuar dhe grupe mediatike që e paskan manipuluar rininë”, ka thënë Lubonja.

 
Lajme Shqip Saturday, 16 November 2013 12:09

Prishtinë- Me interesim të madh i kam përcjellë të gjitha ato që ndo-dhën dhe u thanë rreth shpërbërjes së armëve kimike të Sirisë në Shqipëri. Me interesim të madh i kam përcjellë protestat e të rinjve – të studentëve e të nxënësve dhe të prindërve të tyre. Por, me interesim e kam përcjellë edhe punën e Kuvendit të Shqipërisë, e në kuadrin e tij edhe tragjikomedinë historike politike të një numri të deputetëve të Partisë Demokratike.

Me interesim e kam përcjellë edhe përpjekjen e Sali Berishës dhe të nënbishtit të tij, Lulzim Bashës, për t’i manipuluar protestuesit e rinj në Tiranë. Më gëzoi shumë vetëdija e lartë e të rinjve, të cilët, prej mesit të tyre i përjashtuan dy protagonistët kryesorë të komprometimit të kulturës demo-kratike shqiptare. Me interesimin më të madh e kam pritur dhe e dëgjova fjalën e Kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, për shpërbërjen e armëve kimike të Sirisë në Shqipëri dhe për të gjitha ato që në Shqipëri e në botë ndodhën dhe u thanë për këtë çështje. Kam fjalë të mira, vetëm të mira për protestat e të rinjve, por kam fjalë të këqija dhe vetëm të këqija për ata, që në përpjekje e sipër për t’i shfrytëzuar këto protesta e për t’i kthyer në fushatë kundëramerikane, nuk ngurruan të helmojnë shpirtin e të rinjve me propagandë përplot gënjeshtra, mashtrime dhe urrejtje. Kam fjalë të mira dhe vetëm të mira për protestat e të rinjve, por do të kisha edhe më shumë fjalë të mira dhe vetëm të mira për ta, sikur protesta të tilla të kishin bërë edhe gjatë viteve të kaluara: protesta të tilla kundër politikës së rrenave, shpifjeve, mashtrimeve, korrupsionit, mosdurimeve, urrejtjeve, me çka, vrasësi i protestuesve, Sali Berisha, me argatët e tij politikë gjatë 23 viteve po e helmonte shpirtin e shqiptarëve, shkruan Ballkan Web.

Fjala e Edi Ramës mbas gjithë këtyre për të cilat fola, ishte një katarsë politike, shpirtërore dhe morale për të rinjtë shqiptarë, për të gjithë shqiptarët. Ishte kjo një fjalë historike, vërtet historike, me kuptimin e saj, me moralin e saj, me politikën e saj. Kryeministri Edi Rama u paraqit çka ai në të vërtetë edhe është: intelektual i rendit të parë, demokrat i rendit të parë, politikan largpamës, përfaqësues i denjë politik, shtetëror e intelektual i Shqipërisë sot. Ai diti për mrekulli të respektojë vullnetin e popullit, por ai diti për mrekulli të lartësojë përkushtueshëm politikën dhe miqësinë pambarimisht të shtrenjtë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Shqipërinë dhe për popullin shqiptar në përgjithësi. Dita e sotme ishte një ditë historike për Edi Ramën, por një ditë historike edhe për demokracinë shqiptare. Fjala e Edi Ramës, e shqiptuar sot (dje) në ora 17:00, është fjalë që dëshmon se Shqipëria e çshtetëruar prej Sali Berishës po bëhet sot shtet kulturor demokratik, kurse politikës së tij primitive po i sjell vdekje komike trashëgimtari gojështhurur dhe mendjerrudhur! 

 
Lajme Shqip Saturday, 16 November 2013 12:06

A mund të bëhej në Shqipëri një proces demontimi armësh kimike nën mbikqyrjen amerikane? Ndoshta po, ndoshta jo, këtë nuk do ta mësojmë dot më. Kreu i qeverisë shqiptare nën presionin e protestuesve tha JO. Një fitore? Apo një rast i artë i humbur? Sot jemi ende të emocionuar; nuk jemi gati për përgjigjen. Por do na duhet t’ia ribëjmë vetes këtë pyetje shumë shpejt. Nuk di pse kam bindjen që shumë shqiptarë të cilët sot gjykojnë se u arrit një fitore, do ta mendojnë ndryshe këtë punë kur zemrat t’u ftohen.

Shqipërisë iu kërkua të ndihmonte në një problem urgjent dhe me rëndësi të madhe. Dhe nuk iu kërkua falas. Shqipëria kishte njëherazi detyrimin të ndihmonte ata që Shqipërinë e kanë ndihmuar shpesh. Shqipëria tha JO. Kishte rrezik? Sigurisht. Por disa gjëra duan guxim. Ky guxim na mungoi. Këtë herë ia mbathëm. Nga miqtë, nga detyrimet, nga puna. Ndihemi krenarë që shpëtuam veten. Po mund të ndiheshim ca më shumë krenarë nëse do ta provonim dhe do dilte me sukses. U treguam protestues të mëdhenj? Apo njerëz të vegjël?

Ajo që ndodhi po përshëndetet si fitore e demokracisë. Sot, po. Po nesër? Kjo protestë mund të ishte vërtet spontane dhe e sinqertë. Na mësoi që nuk ia paskemi më frikën sheshit përballë kryeministrisë. Dhe shumë mirë që më në fund ngjau. Po marifetçinjve të protestave çfarë u mësoi? Jam i sigurt që ata do rikthehen aty në shesh me kauza të tjera të sajuara. A do tërhiqet vazhdimisht kryeministri? Sa herë do tërhiqet? Kush do lodhet më shpejt?

Meqë jemi te kryeministri: Edi Rama fitoi apo u dorëzua? Ja një pyetje tjetër, përgjigjja e së cilës do kërkojë pak kohë. Sot mund të rikonfirmojmë që Edi bën fjalime të bukura. Ka mundësi që pas shumë vitesh t’i recitohen siç recitohet sot, Noli. Një javë pas 21 janarit përshembull i bëri njerëzit të qanin në shesh. Qau dhe vetë, me sa mbaj mend. Por ja që për 21 janarin nuk është bërë ende drejtësi. Lotët u thanë, fjalët i ka marrë flladi, veprat ende i presim.

Dhe meqë mbërritëm te veprat në pritje, vijmë te Berisha; mizerja që nuk na shqitet nga këpucët, një lapidar i shtrembëruar i zgjyrës sonë morale. “Filoamerikani” i tërbuar, i shndërruar në antiamerikanin më tinzar në 2013, për të njëjtën arsye që u shndërrua nga komunist fanatik, në antikomunistin “demokrat” 23 vite më parë. Një i pandehur për vrasje dhe hajdutëri, që endet shesheve. Për të na kujtuar, (bashkë me të sipër-renditurat dhe të tjera arsye pa fund), sa e paplotë është fitorja jonë e supozuar. (dita)