Lajme Shqip Friday, 18 October 2013 15:02

Armando Duka thuaj po dorëheqjes nga FSHF-ja. Ky është aksioni që kanë nisur përkrahësit e Kombëtares shqiptare në Facebook kundër kreut të futbollit shqiptarë.

Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit (FSHF), Armand Duka gjithnjë e më shumë po bëhet i padëshiruar për sportdashësit shqiptarë. Përkrahësit e ekipit kuqezi të indinjuar me sjelljet e Dukës, e sidomos në rastin e Adnan Januzajt, kanë hapur një grup në rrjetin social facebook duke kërkuar largimin e tij nga FSHF-ja.

“Armando Duka thuaj po dorëheqjes nga FSHF. Tu e pa te arsyeshme që shumë talente shqiptarë janë injoruar dhe janë shantazhuar nga Federata Shqiptare e Futbollit (F.SH.F) dhe si rezultat shumë talent shqiptar mjerisht nuk janë pjesë e Kombëtares ton dhe rezultatet e dobëta te Kombëtares ton nga për shkak punës të dyshimtë të Federatës tonë mafioze e shohim te arsyeshme dhe kërkoj dorëheqjen e menjëhershme të kreut mafioz Armando Duka”, thuhet në në postimin që ka bërë ky grup në facebook, transmeton “Express”.

Ndërkohë, babai i Adnan Januzajt, Abedini, ka lëshuar akuza të rënda në drejtim të Federatës Shqiptare të Futbollit, posaçërisht presidentit Armando Duka, rreth deklaratave të këtij të fundit për talentin e Manchester Unitedit.

Januzaj senior, në një intervistë për emisionin “Interaktiv” që transmetohet në KTV ka thënë se FSHF ia ka mbyllur dyert vetes, pasi drejtuesit e saj janë treguar jo korrekt dhe kanë gënjyer kinse kanë kontaktuar me përfaqësuesit e futbollistit.

“Unë deri tash nuk kam pasur asnjë thirrje nga ana e FSHF-së që të bisedojmë së paku për Adnanin, këtë duhet ta dijë opinioni shqiptar. FSHF ka bërë vetëm dezinformata, duke thënë se e kanë kontaktuar Adnanin. Kryetari i FSHF-së, Armando Duka ka thënë se ka biseduar me mua para 8 muajsh, por kjo është totalisht gënjeshtër dhe e pavërtetë. Januzaj nuk e ka refuzuar Shqipërinë, sepse nuk ka marrë ftesë”, ka thënë Abedin Januzaj, i cili konfirmoi se është në negociata me Unitedin dhe se i biri i tij mund ta vazhdojë kontratën me “Djajtë e Kuq”.

“Klubi i Manchesterit më ka thënë se dikush nga Ministria e Shqipërisë ka tentuar të flasë me Adnanin, por ata nuk janë kompetentë dhe ata duhet të flasin me klubin njëherë dhe me mua, sepse Adnani nuk merret me këto punë. Ata ia kanë mbyllur derën vetes. Në një emision thoshin se nëse ndien diçka, mund të shkojë të luajë për Serbinë. Kjo nuk lë derë që t’i japësh shans që Adnani të luajë për ekipin kombëtar shqiptar”, vijoi ai.

Megjithatë, Abedini nuk ia ka mbyllur përfundimisht dyert Kombëtares shqiptare, duke e akuzuar megjithatë Dukën për dezinformata dhe se është duke reaguar në mënyrë totalisht të paautorizuar dhe jo profesionale.

“Shqipëria e ka mbyllur derën vet, sepse ka bërë dezinformata totalisht të çmendura. Duka ka thënë se në moshën 13 vjeçare e kanë ftuar Adnanin, kjo është çmenduri. Ne mund të negociojmë vetëm me njërëz të përgatitur dhe profesional, e jo në mënyra të tilla. Gjithashtu, ata janë munduar edhe përmes Lorik Canës që të ma mbushin mendjen. Por, edhe pse kam respekt për këtë lojtar, ai nuk ka ndikim aspak tek unë që ta qoj Adnanin për të luajtur për Shqipërinë. Jo ai, por askush”, vazhdoi ai.

 

 
Lajme Shqip Friday, 18 October 2013 00:42

Abedin Januzaj, babai i yllit të futbollit, Adnan Januzaj, në një intervistë ekskluzive për emisionin “Interaktiv” të KTV-së, ka thënë se Januzaj nuk është kontaktuar asnjëherë nga Federata Shqiptare e Futbollit, përkatësisht presidenti Armando Duka.

Abedin Januzaj i ka quajtur dezinformata lajmet se Adnani është kontaktuar nga Federata Shqiptare e Futbollit.

“Nuk kam pasur asnjë thirrje nga FSHF që të bisedojmë për Adnanin. FSHF ka bërë vetëm dezinformata duke thënë se e kanë kontaktuar Adnanin. Kreu i FSHF-së, Armando Duka ka thënë se ka biseduar me mua para tetë muajsh por kjo është gënjeshtër. Januzaj nuk e ka refuzuar Shqipërinë, sepse nuk ka marrë ftestë”, ka thënë ndër të tjera Abedin Januzaj.

Ai ka lënë të kuptohet se megjithëkëtë, dyert për kombëtaren shqiptare nuk janë mbyllur, por ka akuzuar Dukën për dezinformata dhe sjellje jo profesionale.

Januzaj ka përjashtuar mundësinë që djali i tij të luajë për Kroacinë, Turqinë apo Serbinë ndërkaq nuk ka përjashtuar mundësinë që Adnani të veshë fanellën e Anglisë. 

 
Lajme Shqip Friday, 16 August 2013 23:49

Armand Duka dhe Gianni De Biasi janë takuar dje për të diskutuar mbi të ardhmen e skuadrës, katër ndeshjet e mbetura, por njëkohësisht edhe për rinovimin e kontratës së trajnerit italian.

Mësohet se pika e përbashkët e të dyja palëve ka qenë dëshira për të vazhduar bashkëpunimin mes tyre, por kur bisedimet kanë mbërritur te shifrat, atëherë palët kanë qenë larg njëra tjetrës, raporton e përditshmja sportive shqiptare ‘Panorama Sport’, përcjellë gazetaexpress.com.

Nuk bëhet fjalë për distanca të mëdha dhe marrëveshja mund të arrihet në të ardhmen, duke qenë se vullneti i mirë ekziston.

Kreu i FSHF-së i ka bërë të qartë De Biasit se dëshiron të bashkëpunojë me të dhe për këtë arsye dëshiron që ai të vazhdojë edhe edicionin e ardhshëm.

Duka i ka bërë të qarrtë se e ka gati marrëveshjen e rinovimit me të njëjtat kushte financiare. Këtë gjë në fakt e pat deklaruar edhe publikisht në media disa kohë më parë.

Duka i ka premtuar gjithashtu se do të ketë gjithçka në dispozicion, si burimet financiare (udhëtime për vëzhgime lojtarësh, etj), po ashtu edhe burimet njerëzore.

Kreu i FSHF-së i ka kujtuar italianit se do të vazhdojë të jetë tërësisht i pavarur dhe i pandikuar nga faktorë të jashtëm, ashtu sikundër ka qenë deri tani.

Aktualisht De Biasi merr afro 300 mijë euro në sezon, por trajneri kërkon të paktën 100 mijë euro rritje page për të rinovuar.

Në fakt De Biasi mësohet se është treguar i moderuar në bisedë, duke mos përmendur shifra konkrete, por i ka bërë të qartë presidentit të Federatës Shqiptare të Futbollit se rezultatet e skuadrës si dhe rinovimi i saj duhet të shpërblehen në kontratën e ardhshme, pasi sipas tij ai e ka merituar këtë gjë me punën që ka bërë.

Duka është treguar gjithashtu i moderuar duke mos i mohuar asgjë nga rendimenti i italianit, por i ka vënë në dukje trajnerit se kaq janë mundësitë financiare të FSHF-së dhe se nuk mund të japë më tepër.

E sigurt është se do të ketë një raund tjetër bisedimesh, ndoshta edhe më shumë se një. Është normale, sepse edhe nëse palët do të binin dakord për çdo gjë dje, marrëveshja nuk mund të quhej e mbyllur për aq kohë sa asnjëra prej palëve nuk ka pasur me vete përfaqësuesit ligjorë.

Duka dhe De Biasi gjithsesi janë ndarë në një mënyrë tepër miqësore duke lënë gjithçka hapur dhe sipas burimeve të FSHF-së, marrëveshja është shumë pranë.

Ndeshjet e mbetura mund të marrin një rëndësi të veçantë në rrjedhën e gjërave, sepse deri tani në bisedime ka qenë “i favorizuar” De Biasi, për shkak të rezultateve.