Lajme Shqip Tuesday, 14 August 2012 12:08

Fier – Shtohet inventari i gjetjeve të rëndësishme në qytetin antik të Apolonisë. Ekspedita e Perbashkët Arkeologjike Shqiptaro-Franceze ka zbuluar një reliev të punuar në ashtë (kockë), një gjetje e rrallë, ndoshta unikale, sipas specialistëve të fushës së arkeologjisë. 

Ky objekt në përmasa të vogla, por i ruajtur në gjëndje tepër të mirë, do t’i shtohet vitrinave të muzeut arkeologjik të Apolonisë. Kjo gjetje dëshmon shkallën e lartë të zhvillimit dhe qytetërimit ilir, si dhe misteret dhe thesaret që mbart nëntoka e Apolonise. 

“E vecanta e zbulimit është se është një punim i kualitetit të lartë në kockë, ku është fiksuar një skenë nga mitologjia greke. Ndoshta është i vetmi reliev i gjetur në kockë”, thote përgjegjësi i ekspeditës, prof Jean-Luc Lamboleu. Sipas tij, ky zbulim dëshmon se Apolonia ishte një qytet që e njihte shumë mirë mitologjinë dhe kulturën greke, madje edhe e ka kultivuar atë në zbukurimet artistike të qeramikës dhe kockave, sic është ky rast. “Eshtë një skemë mitologjike shumë e njohur ku paraqitet Heraklisi me topuz dhe Apolloni me hark”, tregon prof Jean-Luc Lamboleu. 

Sipas tij, kjo gjetje e bukur dhe e rrallë për rajonin, si dhe një sërë gjetjesh të mëparshme, sic ishin kalorësi fitues i garave olimpike dhe busti i bukuroshes aristokrate vitin e kaluar, dëshmojnë se Apolonia ka qënë një nga qytetërimet më të zhvilluara të kohës. (LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Saturday, 14 July 2012 20:39

Fier – Pas një mungese gati 20 vjeçare, rihapja e Muzeut Arkeologjik të qytetit antik të Apolonisë ka rritur numrin e vizitorëve vendas e të huaj.

Interesi dhe pyetjet e tyre të shumta në lidhje me materialet, objektet, etapat dhe shkallën e zhvillimit të qytetit të madh e hijerëndë, siç e etiketonte Ciceroni, tashmë gjejnë përgjigje konkrete. “Numri i vizitorëve ditorë pas rihapjes së muzeut është rritur me rreth 15-20%. Më parë, vizitorët nuk dilnin të plotësuar nga vizita në Apoloni. Ata shikonin rrënojat e banesave të Apolonisë dhe monumentet, por nuk dinin objektet, të kujt periudhe ishin, si ruheshin, si trajtoheshin, etj. Me hapjen e muzeut u jepet përgjigje shumë pyetjeve të turistëve dhe shuhet kurreshtja e tyre për etapat e zhvillimit apolonian”, tha përgjegjësi i këtij muzeu, Admir Xhelaj.

Sipas tij, edhe pse muzeu është i thjeshtë dhe i vogël, është pëlqyer jashtëzakonisht nga turistët, si për anën funksionale, infrastrukturore, estetike dhe arkitekturore, por mbi të gjitha për pasurinë dhe vlerën e objekteve të ekspozuara. “Janë materiale të rralla unikale në të gjithë botën mesdhetare, ndaj dhe turistët dhe vizitorët habiten me këto pasuri dhe vlera të trashëgimisë kulturore që ofron ky muze”, thotë Xhelaj.

Numri i vizitorëve ditore, sipas tij, në këtë periudhë shkon në rreth 180, e pazakontë për vitet e mëparshme. (LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Wednesday, 09 May 2012 13:00

Fier – Parku Arkeologjik i Apolonisë dhe komuna Ndërmënas janë përfshirë në një debat institucional, lidhur me të drejtën e menaxhimit financiar të faturave për vizitat në Apoloni.

Pretendimi i ngritur nga të dyja palët për të drejtën e prerjes së biletave, ka gjeneruar një konflikt mes tyre, i cili më pas ka përfunduar në institucionin e prefektit për zgjidhje.

Konfliktin mes dy institucioneve aktualisht po e paguajnë qytetarët dhe turizmi. Si Parku Arkeologjik, ashtu edhe komuna kanë ngritur trarin dhe aplikojnë biletat, përkatësisht 300 dhe 200 lekë.

Kjo situatë e pakëndshme dhe rënduese për vizitorët dhe turistët, ka bërë që shpesh ata, të kthehen prapa, pa e vizituar Apoloninë antike.

“Parku Kombëtar Arkeologjik, ligjërisht dhe praktikisht deri më sot administrohet nga drejtoria e parkut dhe jo nga komuna, ndaj i kemi kërkuar prefektit të ushtrojë kompetencat e tij ligjore për zgjidhjen e këtij konflikti”, tha drejtori i këtij parku, Marin Haxhimihali.

Nga ana tjetër, kryekomunari i Ndërmenasit pretendon se është e drejta e komunës për të shfrytëzuar të ardhurat nga biletat, pasi Apolonia ndodhet në territorin gjeo-administrativ të saj. “Unë zbatoj një vendim të komunës, i cili është miratuar dhe nga prefektura, dhe sipas tij, është komuna ajo që duhet të presë bileta për çdo vizitor të Parkut Kombëtar Arkeologjik të Apolonisë”, shprehet drejtuesi i kësaj komune.

 
Lajme Shqip Tuesday, 20 March 2012 18:00

Fier – Megjithë resurset turistike që ofron natyra, apo monumentet e kulturës dhe ato të natyrës, me plazhet e vegjël përgjatë Adriatikut, strukturat e pushtetit vendor në qarkun e Fierit, si dhe operatorët turistikë duket se do të vazhdojnë të bëjnë indiferentin përballë këtyre vlerave.

Drejtuesit vendor, si dhe të gjitha institucionet dhe aktorët që operojnë në fushën e turizmit nuk kanë mundur t’i shndërrojnë këto vlera në funksion të zhvillimit dhe përmirësimit të jetës social-ekonomike të komunitetit. Për rrjedhojë mrekullitë e sipërpërmendura, të cilat do të zgjonin kureshtje dhe interes në sytë e çdo vizitori, fatkeqësisht mbeten një minierë turistike e pa shfrytëzuar.

“Dhjetëra qëndra turistike, monumente të natyrës, objekte historike dhe kulti janë jashtë vëmendjes dhe syrit të vizitorëve për shkak të mungesës së investimeve dhe problemeve të infrastrukturës”,thotë arkeologu Lami Koçi.

Ai shprehet i pakënaqur me anën promocionale, standartet dhe shërbimet që ofrojnë njësitë vendore për eksplorimin e vlerave turistike.

“Është e pafalshme që objekte të tilla, të cilat mund të konsiderohen si provë materiale për të dëshmuar hershmërinë e qytetërimit ilir në këtë trevë të mbulohen nga pluhuri i harresës”-vijon Koçi.

Për arkeologun, turizmi veror në këtë zonë duhet të orientohet sipas një plani urban, ku t’i lihet vend krijimit të rrjetit të hotelerisë, ndërsa të gjitha qendrat arkeologjike, veprat e kultit dhe monumentet e natyrës,duhet të futen në listën  vlerave turistike të vizitueshme.

Edhe pse e kanë plazhin në prag të derës, për shkak të mungesës së kushteve dhe standarteve që ofrojnë  plazhet e Semanit, Darëzezës,  fierakët preferojnë të pushojnë në Vlorë, Himarë, apo Sarandë,megjithë vlerën kurative që ofron rëra e plazheve të Fierit.

Bregdeti, i veshur me pyje e shkurre është një tjetër mrekulli e ofruar nga natyra, por e injoruar nga faktori njeri”,shprehet A,Shqepa, banor i zonës, ndërsa tregon se megjithë problematikën dhe standartet e munguara, gjatë vitit të kaluar numri frekuentuesve ditor në këto plazhe arriti në rreth 35.000 mijë.

28 objekte në qarkun e fierit, të shpallura “Monumente natyre”, 8 qendra arkeologjike, 15 objekte kulti  ,një numër plazhesh të vegjël që shtrihen përgjatë vijës bregdetare të Adriatikut, në një gjatësi rreth 74 km, peizazhe natyror me një bukuri mahnitëse, janë pjesë e thesarit turistik që natyra dhe zhvillimet historike i kanë falur këtij rajoni.

 
Lajme Shqip Wednesday, 07 December 2011 19:30

Fier -Të paktën 800 objekte të ndryshme, që tregojnë ritmet e zhvillimit epokal në Apoloni, janë ekspozuar në muzeun arkeologjik të këtij qyteti antik.

Rihapja e muzeut arkeologjik ditën e djeshme shënon një periudhë të artë për historikun e këtij qyteti. Nëpërmjet objekteve të ekspozuara vizitorët do të mësojnë se Apolonia antike e krijuar nga kolonët grekë rreth viteve 620 Para Krishtit është ndërtuar mbi rrënjët e një qytetërimi shumë më të hershëm.

“Në Apoloni numri i vizitorëve shënon rritje progresive nga viti në vit, por mungesa e një muzeu arkeologjik ka qenë një mungesë e madhe. Për këtë arsye hapja e një muzeu të denjë për një park arkeologjik si Apolonia ishte një nga objektivat tona kryesore, që falë mbështetjes së Ministrisë së Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve dhe zyrës së Unesco-s në Venecia ky objektiv u bë realitet”, tha Drejtori i Parkut Kombëtar Arkeologjik të Apolonisë, Marin Haxhimihali.

Sipas tij, muzeu i përgjigjet standardeve bashkëkohore si përsa i përket ekspozimit, ashtu edhe sigurisë.

“Janë rreth 800 objekte arkeologjike të përmasave të ndryshme që nga skulpturat, enët antike, monedhat, objektet e qelqit, ato metalike etj, të cilat qëndrojnë të ekspozuara në një sipërfaqe prej 1000 metër katrorë, e të vendosura në 25 stenda,” tha Haxhimihali.

Sipas tij, pritet që rihapja e muzeut arkeologjik ta shtojë edhe më tepër frekuentimin e parkut arkeologjik të Apolonisë, i cili vitin e kaluar u vizitua nga 35 000 turistë.

Objektet dhe veglat e ekspozuara në stendat e muzeut datojnë në një periudhë shumë më të largët, rreth 1200 vjet Para Krishtit.

Në galerinë e pafund të objekteve të gjetura dhe tashmë të ekspozuara në Muzeun Arkeologjik të Apolonisë gjenden skulptura nga më të ndryshme si, portrete aristokratësh, gladiatorë, portrete vajzash, gurë varresh me gdhendje, vegla pune, figura kafshësh, kalorësa, luftëtarë, peizazhe natyrore,etj.

Muzeu i Apolonisë u hap për herë të parë në vitin 1970. Ai ishte mbyllur në vitin 1991 për shkak të grabitjeve sistematike në kohën e fillimit të tranzicionit, me qëllim ruajtjen e objekteve arkeologjike.

Muzeu i Apolonisë daton që prej viteve 80-të, por ai u mbyll për shkaqe sigurie pas viteve 90. Objektet arkeologjike që prej asaj kohe ruheshin në Institutin e Arkeologjisë në Tiranë. Tashmë ato i janë rikthyer vendit ku u zbuluan, parkut arkeologjik të Apolonisë.

Rihapja e muzeut arkeologjik në Apoloni është një sukses i rëndësishëm, fryt i bashkëpunimit të MTKRS-së me UNESCO-n që mbështeti financiarisht projektin me një një vlerë prej 180 mijë dollarë.

 
Lajme Shqip Thursday, 11 August 2011 10:24

Fier – “Apolonia është një qendër me pasuri të pashtershme dhe nëpërmjet saj mund të studiohet kultura ilire dhe greke, sepse janë të ndërthurura me njëra-tjetrën”, deklaroi Prof. Jean-Luc Lamboleu. 
Lamboleu, profesor në një nga universitetet e Francës, prej disa vitesh është “dashuruar” me qytetin antik të Apolonisë.  “Që nga momenti i vizitës sime të parë në Apoloni, unë nuk jam shkëputur më asnjë vit. Tashmë kalendari i pushimeve të mia gjatë sezonit të verës është përcaktuar. Së bashku me studentët e mij, specialistë  dhe ekspertë të arkeologjisë, vijmë në Apoloni. Madje, qëllimi im nuk është thjesht kalimi i pushimeve pranë këtij mjedisi të mrekullueshëm natyror, pranë rrënojave të një prej qyteteve më të zhvilluara të antikitetit, por, në krye të një ekspedite arkeologjike, së bashku me specialistë dhe arkeologë shqiptarë, punojmë ta ‘zhvarrosim’ nga nëntoka dhe ta nxjerim në dritë qytetin e madh e hijerëndë, siç e përkufizonte Ciceroni, Apoloninë”, tha Prof. Lamboley.
Sipas tij, Apolonia është një “minierë” vlerash kulturore, historike, arkeologjike, që do të duhen vite e shekuj për t’u eksploruar plotësisht. “Ajo simbolizon kulturën, qytetërimin dhe shkallën e zhvillimit ilir në antikitet, madje në të ka shumë fije që e lidhin dhe hedhin dritë edhe mbi qytetërimin grek”, tha ai. Ai vuri në dukje se Apolonia është identike me qytetin kolon të Marsejës në Francë, ndërtuar po nga kolonët grek, pasi arkitektura, planimetria dhe rregulli urban në Apoloni është një model në kufijtë e së përkryerës për kohën. “2 banesat romake, të shtruara aq mjeshtërisht me mozaik dhe që ruhen në gjëndje shumë të mirë, dëshmojnë për një nivel kulturor dhe standarde mjaft të larta për kohën”, tha ai. 
Sipas Prof. Lomboleyt, Apolonia është ajo që e ka miqësuar atë me shumë miq, kolegë dhe qytetarë shqiptarë. Ajo është bërë atdheu i dytë i tij dhe tashmë të gjithë kohën e lirë ai ia ka kushtuar Apolonisë, si qytetar, turist, studiues e intelektual. “Kam ndikuar dhe do të vazhdoj të influencoj në rrethet intelektuale të fushës së historisë e arkeologjisë, që të vizitojnë qytetin e Apolonisë”, tha ai.

 
Lajme Shqip Wednesday, 27 July 2011 19:10

Fier – Në parkun arkeologjik të Apolonisë, në Fier, do të nisë më 1 gusht ekspedita arkeologjike shqiptaro-franceze, e cila pritet të përqëndrojë gërmimet tek banesat romake të shekullit të III pas Krishtit, ku vitin e kaluar u zbuluan busti i një atleti dhe busti në bronx i një femre.

Arkeologu shqiptar, Lami Koçi, tha sot për ATSH-në se “kjo ekspeditë do të vazhdojë deri më datën 10 shtator, ndërsa më 15 shtator do të fillojë projekti i përbashkët me arkeologët gjermanë”.

Sipas tij, projekti arkeologjik shqiptaro-francez është vazhdim i atij të vitit të kaluar, ku gërmimet nxorën në dritë dy statuja bust, gjetje nga më të rëndësishmet në objektet e zbuluara në Apoloni.

“Gërmimet do të përqendrohen tek banesat romake, ku vitin e kaluar gjetëm bustin e një atleti dhe të një femre në bronx, gjetje me mjaft vlerë, që i japin të tjera përmasa perspektivës së gërmimeve në Apoloni”, theksoi Koçi, duke shtuar se punimet do të përqendrohen mes kodrave 102 dhe 104 , që supozohen të jenë qendra më e hershme e Apolonisë.

Arkeologu Koçi u shpreh se “në parkun arkeologjik të Apolonisë ka ende për të gërmuar, pasi pjesa më e madhe e saj është ende e pazbuluar. Por për të kryer gërmime të shumta kërkohen investime dhe mbështetje financiare më të mëdha”.

Ai vlerëson si mjaft profesional e serioz edhe projektin e ekspeditës shqiptaro-gjermane, pasi specialistët gjermanë kanë bërë studime elektromanjetike për të gjithë zonën e Apolonisë dhe kanë identifikuar vendndodhjen e objekteve.

Qyteti antik i Apolonisë është shpallur Park Arkeologjik Kombëtar në vitin 2006.

 
Lajme Shqip Wednesday, 13 July 2011 21:28

Fier – “E kam vizituar katër herë Apolloninë dhe çdo herë më duket më e bukur “, thotë turisti bullgar, Luca Stanchev, vizitat e të cilit në këtë qytet antik 12 km larg qytetit të Fierit, janë një ritual i përvitshëm dhe pjesë e programit të tij të pushimeve.
Historiani bullgar Stanchev ka organizuar dhe drejtuar grupe vizitorësh bullgarë në Apolloni, ndërsa pak javë më parë ishte në krye të delegacionit të bashkisë së qytetit Plovdiv, të Bullgarisë në këtë qytet antik.

“Apollonia ka qenë një nga qytetet më të zhvilluara të antikitetit dhe për studiuesit, historianët dhe arkeologët, ajo është një minierë vlerash, ndërsa për turistët e thjeshtë një panoramë ku ndërthuret bukuria natyrore dhe ajo njerëzore e botës antike”, shprehet Stanchev.

Ai thekson se “në këtë botë asgjë nuk është e rastësishme, pasi para pak vitesh kam mësuar se një rrënjë e prejardhjes sime është nga Shqipëria.Nëna ime ka gjak shqiptar, pasi gjyshi i saj ka qenë shqiptar”.

Dashuria e tij për Shqipërinë dhe Apolloninë nuk ka mbetur thjesht në organizimin e grupeve turistike.

Ai ka realizuar dhe një film për Apolloninë dhe Shqipërinë e Jugut, si dhe ka organizuar një ekspozitë fotografike,e cila është prezantuar mjaft suksesshëm para Parlamentit bullgar.

Sipas tij, filmi dhe ekspozita nuk janë thjesht prezantim i qytetërimit antik shqiptar, as i vlerave të saj turistike,por një dëshmi e lidhjeve të përbashkëta historike mes dy popujve.
Qyteti antik i Apollonisë po tërheq çdo ditë e më tepër interesin e turistëve të huaj.Për shumë turistë që e vizitojnë këtë vend për herë të parë Apolonia është një surprizë e këndshme. Vetëm ne maj të këtij viti ky qytet antik u vizitua nga rreth 1500 turistë të huaj.
Apollonia, u zbulua në fillim të shekullit të shtatë para Krishtit nga kolonizatorët grekë që vinin nga Korinti. Por, gjurmët e para të pranisë së tyre në këtë vend datojnë në vitin 588. Gjatë viteve të para të ekzistencës së saj, Apollonia ruajti kontaktet me Korintin dhe Korkyrën si dhe luajti një rol të madh si ndërmjetëse tregtare mes helenëve dhe ilirëve.
Qyteti antik i Apolonisë është shpallur Park Arkeologjik kombëtar në vitin 2006. Në muajin gusht të vitit të kaluar në këtë park gjatë një ekspedite të përbashkët shqiptaro-franceze u zbulua busti i një mashkulli të zhveshur . Ky bust u gjend gjatë gërmimeve në një kanal që lidhte vilat romake të shekullit të III pas Krishtit në Apolloni.

 
Lajme Shqip Sunday, 26 June 2011 08:51

Fier – Puna për restaurimin e muzeut të Parkut Arkeologjik Kombëtar të Apolonisë ka nisur dhe brenda muajit shtator do të ekspozohen në të monumente të trashëgimisë kulturore shqiptare.

Sipas drejtorit të parkut, Marin Haxhimihali, afatet kohore për rikonstruksionin e muzeut janë shtyrë disa herë për arsye proceduriale mes donatorëve të huaj dhe Institutit të Monumenteve të Kulturës.

“Më në fund, pas disa zvarritjeve burokratike që kishin të bënin me donatorët e huaj, të cilët janë edhe financuesit e këtij projekti, u bë e mundur faza e punimeve restauruese”, tha Haxhimihali.

Momentalisht punimet janë përqëndruar në katin e dytë, ku po punohet për instalimin e rrjetit të ri elektrik, për montimin e sistemit të alarmit, për instalimin e kamerave elektrike, të cilat vendosen për herë të parë dhe që do të vëzhgojnë ambientet e muzeut.

“Deri në montimin e vitrinave, ku do të ekspozohen të gjitha monumentet e zbuluara në Apoloni, ende ka shumë punë, por ne jemi të bindur se firma që ka fituar të drejtën e procesit të rikonstruksionit do t’i mbyllë punimet brënda afatit”, tha Marin Haxhimihali.

Për të, Parku Arkeologjik i Apolonisë është i pa konceptueshëm pa muzeun e vet arkeologjik. Ai është vitrina, është dëshmia e vlerave kulturoro-historike që mbart ky park, është “vula” e qytetërimit dhe zhvillimit të Apolonisë në antikitet.

Projekti i rikonstruksionit të këtij muzeu, i cili hapet pas një periudhe kohore gati 20 vjeçare, u financua nga qeveria spanjolle në kuadër të fondit spanjoll për mijëvjeçarin, në bashkëpunim me Zyrën e UNESKO dhe PNUD.

 

 
Lajme Shqip Wednesday, 15 June 2011 17:08

Fier – Natyra magjepëse, trashëgimia e pasur kulturore, turizmi arkeologjiko-historik, ka qënë surpriza më e këndëshme për një grup turistësh bullgarë, të kryesuar nga kryetari i bashkisë së Plovdivit, Ivan Chomakov, (një ndër bashkitë më të mëdha në Bullgari). Nga qyteti antik i Apolonisë, qytet që siç shprehet ai, ngjason si dy pika uji me qytetin që ai drejton, Chomakov shprehet i befasuar për madhështinë e vlerave historike që mbart ky qytet, por edhe për bukuritë natyrore, për mrekullitë turistike dhe vlerat e pasura të trashëgimisë kulturore që kanë hasur gjatë tre ditëve të vizitës së tyre të parë në Shqipëri.

“Ne vimë nga një qytet shumë i lashtë, i cili, ashtu si Apolonia ku jemi sot, ka tradita të vjetra që nga antikiteti”, tha Chomakov për ATSH-në.

“Jemi të mrekulluar me çkemi parë në këto tre ditë “, i tha ai ATSH-së.

Chomakov pranon faktin se ka patur pak informacion për Shqipërinë, kjo për shkak të izolimit dhe mbylljes së Shqipërisë nga regjimi komunist.

“Fatkeqësisht nuk kishim shumë informacion për Shqipërinë dhe ato pak gjëra që dinim janë informacione nga koha e Enver Hoxhës. Sepse në atë kohë edhe ne ishim një vënd komunist, ashtu si edhe ju. Edhe në atë kohë, jo se dinim ndonjë gjë të madhe, se ishit një vënd i mbyllur, i izoluar, ndërsa sot po zbulojmë se është një vënd krejt ndryshe”, thotë Chomakov.

Në koshiencën e tij është fokusuar ideja se mes vëndit të tij dhe Shqipërisë ka shumë pikëtakime të përbashkëta, ndaj interesi i vizitorëve bullgarë për të vizituar Shqipërinë do të rritet ndjeshëm.

“Ne konstatojmë se shqiptarët si etnos dhe si bashkësi fetare ngjasojnë shumë me bullgarët, madje edhe me qytetin ku unë jam kryetar bashkie. Të jeni të sigurtë se të tjerë turistë bullgarë do të vinë së shpejti në Apolloni”, siguron Chomakov. Ai thotë se në Plovdiv ka shumë shqiptarë, që punojnë e jetojnë me të gjitha të drejtat, si qytetarët bullgarë.